Kërkesat e tregut të punës, rritet 25% frekuentimi i kurseve profesionale

1703
Sigal

ELBASAN/Drejtori i Qendrës së Elbasanit, Mehdi Pepa: Numri i kursantëve 420, bashkëpunojmë me bizneset 

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, drejtori i Qendrës së Formimit Profesional në Elbasan, Mehdi Pepa sqaron se, çfarë përfaqëson kjo qendër, çfarë kursesh ndiqen në ‘të dhe sa është kohëzgjatja e këtyre kurseve. Pepa thotë se, kërkesat për kurset profesionale janë rritur 25 % më shumë se vitet e tjera dhe shton se  pjesën më të madhe e zënë të rinjtë që i ndjekin këto kurse. I pyetur se cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë ata që ndjekin këto kurse ai thotë se kushti i vetëm është që duhet të jenë mbi 16 vjeç. Prioritet i tij mbetet bashkëpunimi me bizneset në mënyrë që kurset që hapen në këtë qendër të përgatisin punëkërkues në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

 Zoti Pepa! Cili është funksioni i Qendrës së Formimit Profesional në rajonin  Elbasanit?

Qendra jonë merret me përgatitjen profesionale të kurseve në degë të ndryshme që ne kemi, në mënyrë që personat që personat për të cilët ka nevojë tregu i punës të jenë të certifikuar dhe të përgatitur profesionalisht.

 Cilat janë kurset që ndiqen këtu dhe sa kohë zgjasin këto kurse?

-Deri në këto momente kemi 30 kurrikula për kurset rrobaqepësi, mekanik-audio, hidraulikë, instalim elektrik, kuzhinë, berber etj… Këto kurse zgjasin nga 6-27 javë. Nga fillimi i vitit deri tani kemi 37 grupe dhe gjithsej 410 kursantë, që është një rritje kjo goxha e madhe në krahasim me vitet e tjera. Përkthyer në shifra kjo rritje është në masën 25 %. Këta kursantë janë të grup moshave të ndryshme. Por në disa kurse të veçanta si hidraulikë, mekanikë-audio, berber, instalim elektrikë, kuzhinier etj., 95%, të tyre i zënë të rinjtë, të cilët e shikojnë kursin dhe si një mundësi shumë të mirë për t’u punësuar sapo ta mbarojnë atë. Dhe në fakt, tregu i punës ka shumë nevojë për këto profesione.

Cilat janë kriteret për të ndjekur këto kurse?

-Kushti i vetëm për të ndjekur këto kurse është se duhet të kesh mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk ka as një kusht tjetër. Mund të ndjekin këto kurse të gjithë ata që ju duhen për t’u punësuar më pas. Të gjithë kursantët që mbarojnë kursin, pajisen me certifikatë dhe vlerësimet përkatëse që janë “Shumë mirë”, “Mirë” dhe “Mjaftueshëm”. Gjithashtu, ne kemi bashkëpunim me disa shoqata, si me atë të romëve dhe egjiptianëve, etj… Por ajo që është dhe më e rëndësishme, ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe me bizneset.

Cilat janë prioritetet tuaja në të ardhmen?

-Prioriteti ynë mbetet bashkëpunimi me bizneset, ku ne do t’i japim prioritet atyre kurseve për të cilën këto biznese kanë nevojë, duke i evidentuar nga ky bashkëpunim se për çfarë punëtorësh kanë nevojë. Në mënyrë që dhe kursantët sapo ta mbarojnë këtë kurs, të punësohen në këto biznese. Qëllimi ynë është që ne të hapim dhe t’iu kushtojmë rëndësi atyre kurseve që ka nevojë tregu i punës. Ne, këtë vit do të gjurmojmë dhe kursantët se sa janë punësuar këta kursantë.

Mendoni se do të kenë sukses këto kurse profesionale apo qoftë dhe shkollat profesionale?

-Është bërë një studim nga ekspertë gjermanë, ku po vlerësojnë dhe studiojnë Qendrat e Formimit Profesional dhe në fund të muajit prill, ku dalin në një konkluzion për çdo Qendër Formimi Profesional apo shkollë profesionale. Ne do të vazhdojmë me modelin gjerman, pasi modeli i mëparshëm ka qenë model danez, i cili nuk pati ato rezultate që dëshiroheshin. Por unë jam i bindur se këto kurse profesionale dhe të gjitha shkollat profesionale do të kenë sukses, pasi qeveria po u jep një rëndësi dhe prioritet të veçantë shollave profesionale e punësimit.