Niazi Jaho: Shkelësit e ligjit duhet të vihen para përgjegjësive, pavarësisht statusit apo pozitës që kanë

212

INTERVISTA/ Konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho flet për gazetën “Telegraf”: “Shteti i së drejtës është sundimi i Ligjit”

 Konstitucionalisti Niazi Jaho është një ndër ekspertët më të njohur në Shqipëri. Në një intervistë, të dhënë posaçërisht për gazetën “Telegraf”, ai ngre disa probleme të rëndësishme, të cilët janë mjaft të prekshëm dhe që kërkojnë vëmendja në reformat që duhen të ndërmerren për përsosjen e sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër juristi i mirënjohur jep këshilla të veçanta për realizimin e shpejtë të reformave, për faktorët që ndikojnë negativisht për moszbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjorë, nevojën e domosdoshme për përfshirjen e grupeve të interesit apo specialistëve me përvojë në përpilimin sa më të qëndrueshëm të dispozitave të ndryshme, etj.. Zoti Jaho ngre zërin fort për zvarritjet e panevojshme që vihen re në gjykimin e çështjeve civile apo penale e që janë bërë të padurueshme nga qytetarët. Ai është i mendimit se Kushtetuta (në disa dispozita të saj) duhet të rishikohet.

 -Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mjaft ligje. Të tjera ligje janë duke u miratuar, por në disa prej tyre bëhen edhe ndryshime. Si e vlerësoni ju këtë proces?

 Ne jemi një vend demokratik. Ligjet rregullojnë marrëdhëniet në fusha të ndryshme të funksionimit të shtetit dhe të ekonomisë, të institucioneve qendrore dhe lokale, të arsimit, shëndetësisë dhe kulturës etj.. Ato në zbatim të Kushtetutës mbrojnë të drejtat dhe liritë e shtetasve si dhe detyrimet që ata duhet të përmbushin. Me zhvillimin e shoqërisë dhe nevojën për realizimin e reformave, del nevoja jo vetëm e miratimit të ligjeve të reja, por edhe e ndryshimit të tyre. Ky është një proces që me kalimin e kohës përsoset. Si rrjedhim ai nuk mund të jetë statik, i dhënë njëherë e përgjithmonë. Veç kësaj, duhet patur parasysh se ne jemi anëtare të Këshillit të Europës dhe të NATO-s dhe që aspirojmë të integrohemi në familjen europiane nëpërmjet marrjes së statusit kandidat për Bashkimin Europian deri në anëtarësimin e plotë në BE. Në këtë vështrim del nevoja e përqasjes së legjislacionit tonë me atë europian duke pasur parasysh edhe kushtet konkrete të vendit tonë.

Kam mendim se ky proces është në përgjithësi pozitiv. Në fakt ne nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga mos zbatimi rigoroz i tyre.

– A mund të sqaroni përse ndodh kjo?

Arsyet janë nga më të ndryshmet. Për t’i dhënë përgjigje më të plotë, dhe më të argumentuar, pyetjes tuaj do të duhej të studiohej në mënyrë të thelluar dhe të gjithanshme problemi i mësipërm. Megjithatë, mund të përmendim disa nga faktorët që ndikojnë negativisht në mos zbatimin e ligjeve dhe të akteve të tjera nënligjore. Si të tilla mendoj se janë: mungesa e sensibilizimit për njohjen e tyre, kërkesa relativisht e dobët e llogarisë në drejtim të zbatimit të ligjit, tolerance dhe zbatimi selektiv i tyre, gjë që shpreh interesat e ngushta të personave apo grupeve të veçanta, përhapja e korrupsionit në një shkallë të gjerë etj.

– Po ndryshimet e shumta në ligj a janë të justifikueshme?

Ka patur, dhe do të ketë, ndryshime që janë të nevojshme, që i dikton praktika. Por ka edhe ndryshime që mendoj se janë pasojë e metodologjisë së gabuar në përgatitjen e projekteve. Mund të përmendim p.sh. “Dispozitat ligjore në fushën e pronësisë të kompensimit të ish-pronarëve”, të cilat kanë pësuar ndryshime të shumta dhe që përsëri del nevoja të ndryshohen. Në këtë drejtim ka ndikuar në mënyrë negative mospërfshirja në diskutime dhe debate të grupeve të interesit, të specialiteteve me përvojë etj..

Nuk do ta quaja, gjithashtu, normale dhe të justifikueshme që mbas çdo zgjedhjeje bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor. Defektet në disa ligje që ka miratuar Kuvendi, mendoj se pjesërisht janë pasojë e mungesës të dialogut konstruktiv e interesave të ngushta partiake që pengojnë arritjen e konsensusit.

– Ka shumë qytetarë që ankohen se, vendimet e gjyqeve nuk zbatohen ose ato zvarriten me vite të tëra. A mund të shprehni ndonjë mendim për këtë?

 Është për të ardhur keq, por ky është fakti që lëkund seriozisht besimin e shtetasve ndaj organeve të drejtësisë në përgjithësi, ndërsa në veçanti ndaj organeve të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve.

Njerëzit kanë të drejtë kur thonë: Shpenzova shumë lekë, gjykata më dha të drejtë, por vendimi nuk zbatohet. Ky fenomen, ose kjo situatë e papranueshme, nuk është thjesht e natyrës burokratike, por edhe e konceptit të gabuar, se edhe po nuk u vu në lëvizje për ekzekutimin e këtij apo atij vendimi “nuk më hyn gjemb në këmbë” d.m.th. nuk do të merren masa ndaj meje, etj. Mirëpo kjo zvarritje mund të çojë (siç edhe ka ndodhur) në vetëgjyqësi. Ka shtetas që pikërisht për mosekzekutimin e vendimeve në favorin e tyre i janë drejtuar gjykatës Kushtetuese deri edhe gjykatës të të drejtave të njeriut në Strasburg.

– Ka qytetarë që, megjithëse kërkojnë një të drejtë të mohuar (të cenuar), nuk i drejtohen gjykatës sepse ligji parashikon tarifa të larta. Ç’mendoni për këtë?

Për mendimin tim ky vazhdon të jetë një problem shqetësues, edhe pse për këtë ka një vendim të gjykatës Kushtetuese. Aksesi në gjykatë është një parim i rëndësishëm. Në këtë vështrim mendoj se kjo çështje meriton të rishqyrtohet. Ligji “të flasë” shprehimisht, të parashikohen kushtet dhe rrethanat për aplikimin e tarifave të diferencuara, por më lehtësuese, sidomos për ata me mundësi financiare të kufizuara.

– Shumë gjykime zvarriten. Edhe ky fakt krijon pakënaqësi tek njerëzit. A parashikon Ligji afate? Si paraqitet kontrolli i institucioneve më të larta me qëllim që çështjet të përfundojnë më shpejtë?

Është e vërtetë se si në hetimin e disa çështjeve penale edhe në gjykimin nga gjykatat e institucioneve të ndryshme, në çështjet penale dhe civile ka pasur zvarritje. Por për të pasur një ide më të plotë, dhe më të saktë për këtë, kërkohen studime për një periudhë të caktuar. Ndryshe është kur zvarritjet vërtetohen në çështje të thjeshta dhe ndryshime në çështje komplekse apo me shumë të pandehur. Megjithëkëtë, e papranueshme është kur seancat gjyqësore shtyhen për mungesa të pajustifikueshme të avokatëve, prokurorëve apo gjyqtarëve për mosmarrjen e masave paraprake, për mos thirrjen e dëshmitarëve ose mos marrjen e provave të nevojshme. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duhet të jenë më rigoroze për këto çështje, të cilat, për hir të së vërtetës, janë bërë të padurueshme nga qytetarët. Në këtë drejtim, veçanërisht lidhur me afatet e hetimit dhe gjykimeve, mund të jetë e nevojshme edhe rishikimi i kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Procedurës Civile.

-Korrupsioni në organet e drejtësisë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është shqetësues. Ka shumë vjet që flitet për këtë, por ende përmirësimet duket se janë të pakta. Cila do të ishte zgjidhja për të goditur këtë fenomen?

Korrupsion ka edhe në fusha të tjera, por për vetë natyrën dhe funksionin që kryejnë organet e drejtësisë, shfaqjet e korrupsionit aty janë më të ndeshura. Duket se në këto organe është disi më i kamufluar, sepse si “mbrojtje” përdoret parimi i pavarësisë së tyre.

Korrupsioni mund të shprehet në disa forma. Kështu p.sh., mosndjekjen penalisht ose mos dënimin e personave fajtorë (pandëshkueshmëria) mos zbatimi i një politike të drejtë penale, pohimi i padrejtë i çështjeve etj..

Receta për luftimin e korrupsionit nuk ka. E rëndësishme është që në organet e drejtësisë të caktohen ose të emërohen persona me integritet, të ndershëm dhe profesionistë. Veprimtaria e tyre duhet të jetë e kontrolluar në përputhje me ligjin. Veç kësaj, punonjësit e këtyre organeve duhet të ndjejnë se veprimtaria e tyre është nën kontrollin e publikut dhe, si rrjedhim, me punën e tyre ata duhet të fitojnë besimin e tij.

Korrupsioni duhet të luftohet brenda sistemit, pa nënvleftësuar edhe kontrollin e jashtëm. Kemi mendimin se në këtë drejtim kontribut të ndjeshëm mund të japë edhe media investigative.

-Kushtetuta është ligji themeltar. Ka mendime se meqë kanë kaluar disa vjet nga miratimi i saj ajo duhet të pësojë ndryshime. Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj?

 Edhe unë jam i mendimit se Kushtetuta (disa dispozita të saj) duhen rishikuar. Por kjo mund të bëhet jo me orientimin se nga koha e miratimit të saj kanë kaluar disa vite (sepse ligji themeltar, që është Kushtetuta, duhet të ketë jetëgjatësi), por vetë zhvillimin e vendit tonë, reformat që duhen kryer, kërkojnë ndryshimet edhe në Kushtetutë.

Megjithatë, mendoj se ndryshimet e Kushtetutës duhet t’i nënshtrohen një diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës. Ai nuk mund të jetë monopol i partive. Asnjë nxitim nuk duhet lejuar, por edhe ngurrimi për të bërë ndryshimet përkatëse, kur kjo është e domosdoshme, do të ishte e dëmshme.

Ndryshimet që u kundërshtuan në prill të vitit 2008, mendoj se ishin të nxituara, sidomos ato ndryshime që cenuan kontrollin dhe balancën midis pushteteve, siç ishin p.sh., zgjedhja e Presidentit të Republikës, nocioni i besimit dhe mosbesimit ndaj kryeministrit etj.

– Cilin konsideroni ju pjesën më të goditur, d.m.th më të mirë të Kushtetutës tonë?

 Atë që ka të bëjë me të drejtat themelore të shtetasve. Kjo pjesë, mendoj se është në përqasje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

– Tani po punohet për reformën administrative-territoriale. Për këtë është ngritur edhe komisioni përkatës parlamentar. Mund të shprehni ndonjë mendim për nevojën e kësaj reforme?

Ky problem është ngritur prej kohësh në parim dhe të gjitha partitë politike kanë qenë dakord. Ndarja territoriale-administrative e miratuar në vitet 1992-1993, edhe pse më vonë u miratua Kushtetuta dhe ligji “Mbi organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore”, nuk e ka justifikuar ekzistencën dhe vazhdimësinë e saj.

Përkundrazi, ajo ishte dhe është pengesë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në zbatimin e investimeve, përmbushjen e nevojave të banorëve të komunave dhe bashkive etj.

Decentralizimi nuk mund të zbatohej. 385 komuna dhe bashki, ishin njësi që nuk përmbushnin as kërkesat  minimale për një administrim të mirë në shërbim të popullit.

-Në komisionin e ngritur deri më sot opozita nuk është angazhuar. Si mund të kapërcehet ky ngërç?

Ky është një problem që u takon ta zgjidhin partitë politike. Për interes të vendit dhe të popullit do të ishte konsensusi, sidomos midis maxhorancës qeverisëse dhe opozitës. Kjo është një reformë me interesa shumë më të gjëra se ato të partive, apo grupeve të veçanta.

Ne kemi ratifikuar Kartën Europiane të Autonomëve Lokale, zbatimi i së cilës, në kushtet e vendit tone, është i domosdoshëm. Zbatimi i kësaj reforme, nuk mund të jetë monopol i partive politike. Prandaj edhe kushtetuta kërkon që para ndarjeve  të reja administrative-territoriale, të merret edhe mendimi i popullit, duke patur parasysh të gjitha kriteret, zbatimi i të cilave do të shërbente për plotësimin e nevojave dhe interesave të banorëve. Sipas informatave, që jepen në media, kryerja e kësaj reforme kërkohet dhe mbështet edhe nga ndërkombëtarët.

-Për herën e parë, ministrat e maxhorancës qeverisëse kanë vendosur lënien e mandatit të deputetit. Një veprim i tillë a e lejon Kushtetuta?

Në Kushtetutë për këtë nuk thuhet gjë, dhe si rrjedhim sipas Kushtetutës një veprim i tillë nuk ndalohet. Mandati i deputetit, sipas nenit 71 të Kushtetutës, veç disa rasteve të tjera, mbaron kur ai heq dorë nga mandati. Ministrat kanë hequr dorë nga mandati dhe sipas kodit zgjedhor zëvendësimi i tyre bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

-Si është justifikuar në këtë rast heqja dorë nga mandati i deputetit?

Me sa më kujtohet është thënë se kjo do ta bënte më efektive kryerjen e detyrave nga mandatet dhe do ta rriste kontrollin parlamentar ndaj qeverisë. Por pavarësisht nga kjo, këtë do ta vërtetojë praktika.

-Në vitin 2012, Kuvendi ndryshoi disa nene të Kushtetutës me qëllim që Prokuroria në rastet kur kishte të dhëna se ndonjë deputet, gjyqtar apo zyrtar i lartë, kishte kryer krim, të fillonte çështjen penale, pa qenë nevoja që për këtë të kërkonte autorizim nga Kuvendi apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Mbas vitit 2012 dhe deri më sot, a ka patur raste që prokuroria të ketë filluar çështje penale ndaj personave të mësipërme, të cilët më parë gëzonin imunitet?

Nuk di të ketë pasur, me përjashtim të ndonjë prokurori ose ndonjë gjyqtari. Fakti i mosvënies para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë është evidentuar edhe në raportet e ndërkombëtarëve kur është trajtuar çështja e korrupsionit dhe e pandëshkueshmërisë.

Flitet shumë për korrupsionin në drejtësi (megjithëse, korrupsion ka dhe në sektorët e tjerë të administratës shtetërore). Bëhen akuza për vepra penale të kryera nga zyrtarë të lartë. Akuza të tilla të ndërsjella bëhen në Kuvend në deklarata publike dhe në konferenca shtypi. Dhe njerëzit pyesin, nëse janë të vërteta, përse nuk fillon çështja penale? Ose nëse ato nuk janë të vërteta, a lejohet shpifja dhe denigrimi?!

Këto akuza nuk i dëgjon vetëm publiku, por edhe organet e ndjekjes. Madje janë bërë edhe deklarata të tilla publike, ku ky apo ai zyrtar, politikan apo funksionar i lartë, është akuzuar i implikuar në këtë apo atë krim. Madje, është thënë se për këtë disponohen prova “të padiskutueshme”. Në raste të tilla mendoj se është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrim i prokurorisë të informohet konkretisht mbi përmbajtjen e deklaratave të mësipërme dhe të kërkojë sidomos provat që pretendohet se disponohen. Ky do të ishte roli aktiv i prokurorisë që, siç dihet, ajo ka të drejtë (kur e vlerëson) të fillojë ndjekjen penale edhe me nismën e vet.

Të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit. Ky është parim kushtetues. Shkelësit e ligjit, sipas rastit, duhet të vihen para përgjegjësisë administrative ose penale. Kur vërtetohen raste të tilla, askush nuk duhet të ngurojë për t’i denoncuar ato, ndërsa organet e ndjekjes penale dhe gjykata, kur është rasti në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duhet të kryejnë detyrën e tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shtetasve, të konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të së drejtës.