5-vjetori i anëtarësimit në NATO, Bujar Nishani letër falënderimi Presidentit Obama

444
Sigal

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i dërgoi dje një letër falënderimi Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, ku i shpreh mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që SHBA i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit tonë. “Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës, dëshiroj që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju shpreh mirënjohjen e pakufishme për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit tim”,-citohet letra  drejtuar Presidentit amerikan. “Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, jo vetëm gëzojnë një partneritet të pathyeshëm e të veçantë bazuar mbi marrëdhëniet historike të shkëlqyera dypalëshe, por ndajnë interesa të përbashkëta, përsa i përket mbrojtjes dhe konsolidimit të parimeve të demokracisë, lirisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet operacioneve të përbashkëta anembanë rruzullit”,-shkruan në letrën e tij Presidenti Nishani. Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, vijon Kreu i Shtetit, e kanë provuar tashmë veten se janë partnere krenare, aleate besnikë e të besueshëm të NATO-s. “Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar si dhe të Komandantit të Përgjithshëm dëshiroj t’ju siguroj mbi vazhdimësinë e përkushtimit të plotë të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale si dhe mbi rolin vendimtar të Shqipërisë për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajonin dikur aq të trazuar të Ballkanit”,-shkruan Nishani. Po dje, Presidenti Nishani i është drejtuar me një letër falënderimi edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku shpreh mirënjohjen e vendit tonë, për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që kjo organizatë i ka dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare.