Me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të qytetit, u zhvilluan homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar ata që ranë në betejat për çlirimin e qytetit dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në ceremoni morën pjesë Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të të rënëve, përfaqësues të policisë, deputetë dhe qytetarë. Nën tingujt e Bandës Frymore të qytetit, u vendosën kurora dhe buqeta me lule në lapidarin kushtuar dëshmorëve, në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, si shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tyre.
Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka thënë në fjalën e tij se, ‘13-shtatori është një ditë e shënuar për qytetin e Beratit, një ditë që na kujton sakrificën e të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit’.
“Ne, jo vetëm që duhet të jemi mirënjohës për sakrificën e të parëve tanë, por duhet edhe të bëjmë çmos që brezat që do të vijnë të njohin historinë e qytetit dhe sakrificën e dëshmorëve”, u shpreh ai.






















