Ish-nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ende e papunë, nuk zbatohet ligji

509
Sigal

Më 18 tetor 2012 në Kuvendin e Shqipërisë u betuan Kryetarja dhe anëtarët e rinj të KQZ-së. Kjo do të thotë, që nga kjo datë, ish-anëtarët e KQZ-së, si edhe ish-Kryetari i saj, duhet të ishin sistemuar në punë. Sipas ligjit nr   74/2012, i ndryshuar, pika 3, i Kodit Zgjedhor,  ” Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të”. Nuk ka dyshim, që mandati i KQZ-së së mëparshme quhet i ndërprerë, në bazë të ligjit, pasi afati mbaronte në 2 shkurt 2013.  Ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani është  emëruar zv/ministër i Brendshëm, ndërsa ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, është emëruar në mbledhjen e fundit të KLD-së, jo në vendin e mëparshëm, gjyqtar në Gjirokastër, por në vendin ekuivalent me të, gjyqtar në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë. E vetmja, që deri tani nuk është emëruar, është ish-anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Para se të fillonte punën në KQZ, Dëshira Subashi ka punuar si  gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në momentin e kërkesës kanë ekzistuar dy vende vakante në këtë gjykatë, që prej disa muajsh  KLD-ja i kishte publikuar si vende vakante. Në atë mbledhje të KLD-së, ku u emërua Artan Lazaj, KLD-ja bëri dhe riorganizimin e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit dhe emri i Dëshira Subashit nuk u diskutua fare. Sot në faqen e KLD-së janë publikuar 6 vende vakante për Gjykatën e Apelit Tiranë, pra që me riorganizimin kësaj gjykate i është shtuar numri i gjyqtarëve. Ndoshta  mund të vihet në diskutim  kush është arsyeja e diferencimit në mosemërimin e ish-anëtares të KQZ-së. Është vetëm diferencim në kohë apo….ka arsye të tjera? Mos vallë, mosemërimi i Dëshira Subashit, ka të bëjë me qëndrimin e saj në KQZ?  Mos vallë mosemërimi i zonjës Subashi është një hakmarrje politike për qëndrimin e saj në KQZ? KLD-ja tregohet e mefshtë në zvarritjen e pakuptimtë të emërimit të ish-anëtares të KQZ-së, apo është zbatuese e urdhrave partiakë? Kryetari i ri i KLD-së,  Elvis Çefa, njeriu i besuar i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk mund të tregohet me ligjin i dyfytyrë, që të veprojë si të dojë dhe të zbatojë ligjin sipas urdhrave partiakë që merr. Nuk është në dëshirën e Kryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, të emërojë  kë te dojë dhe të lërë të papunë të tjerë,  ish-anëtarët e KQZ-së, kur ligji i Kodit Zgjedhor e detyron që të sillet i barabartë me të gjithë.