Dështon vettingu, 3467 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët e partisë

166
Sigal

Vettingu duket se nuk i ndali aferat në sistemin e drejtësisë. Ndonëse jemi në fund të këtij procesi, gjyqtarët dhe prokurorët zvarrisin çështjet dhe sërish nuk japin drejtësinë që duhet. Sipas raportit vjetor të ILD, gjatë vitit 2022 plot 789 qytetarë kanë denoncuar gjyqtarët dhe prokurorët për parregullsi, vonesa dhe abuzime dhe kjo shifër i shtohet 2678 ankesave në proces të bëra gjatë vitit 2021, duke e ccuar numrin e përgjithshëm të ankesave për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të partisë në 3467. Ja lista sipas gjykatave dhe rretheve.

Vettingu duket se nuk ndal aferat në sistemin e drejtësisë. Ndonëse jemi në fund të këtij procesi, gjyqtarët dhe prokurorët zvarrisin çështjet dhe sërish nuk japin drejtësinë që duhet. Të paktën kjo nënkuptohet nga numri i lartë i ankesave, që kanë shkuar në Inspektoratin e Drejtësisë për vitin që lamë pas. Sipas raportit vjetor të ILD, plot 789 qytetarë kanë denoncuar gjyqtarët dhe prokurorët për parregullsi, vonesa dhe abuzime.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, bazuar në nenin 194 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, është autoriteti përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë. Referuar veprimtarisë e në funksion të përmbushjes së parashikimeve të mësipërme ligjore, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për vitin 2022, vihet re një numër i lartë ankesash të paraqitura. Gjatë këtij viti janë depozituar 789 ankesa të reja, të ndara këto sipas subjekteve ankuese rezulton: 756 ankesa të depozituara nga persona fizikë; 33 ankesa të depozituara nga persona juridikë”, thekson ILD.

Më tej bëhet me dije viti 2021 është mbyllur me 2678 ankesa në proces. Shqyrtimi i tyre ka vijuar edhe gjatë vitit 2022, si shtesë ndaj numrit prej 789 ankesave të reja të depozituara në vitin 2022, duke numëruar në total 3467 ankesa objekt shqyrtimi.

Sipas raportit, ankuesit kanë një përfaqësim gjeografik nga i gjithë vendi, ku peshën më të madhe e ka Qarku i Tiranës me 494 ankues (39.3% të ankuesve), ndjekur nga Qarku Durrës dhe Qarku Vlorë, respektivisht me 108 ankues (8.6%) dhe 99 ankues (7.9%). Ndërsa qarqet të cilat shënojnë numrin më të ulët të ankuesve janë, Qarku Dibër, Qarku Berat dhe Qarku Kukës, respektivisht me 30 (2.4%), 18 (1.5%) dhe 8 ankues (0.7%).

Ankuesit në total kanë ngritur pretendime ndaj 1684 subjekteve të hetimit disiplinor. Nga 1684 subjekte të hetimit disiplinor, rezulton se pretendimet janë për 1129 gjyqtarë (67%), 243 prokurorë (14%) dhe për 312 (19%) gjyqtarë dhe prokurorë së bashku.

Nga informacioni statistikor i ankesave të shqyrtuara gjatë vitit 2022, vihet re se pretendimet ndaj magjistratëve gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë numrin më të lartë të ankesave në raport me gjykatat e tjera të shkallës së parë, por edhe të gjykatave të niveleve të tjera, me 218 ankesa. Kjo edhe për faktin se kjo gjykatë ka një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe gjithashtu shqyrton një numër të madh çështjesh. Më pas renditen gjyqtarët e Gjykatës Administrative Tiranë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me nga 74 ankesa secila dhe gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Vlorë kanë respektivisht 57 dhe 47 ankesa, ndërsa me 43 ankesa renditen gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë. Me 15 ankesa renditen gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ndërsa gjykatat me më pak ankesa ndaj magjistratëve të tyre janë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës me 0 ankesa, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë me 1 ankesë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 2 ankesa dhe Gjykata Administrative Korçë me 3 ankesa.

Sa i takon ankesave të shqyrtuara, pretendime ndaj magjistratëve prokurorë, rezulton se ndaj prokurorëve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë numërohen 118 ankesa, duke shënuar gjithashtu numrin më të madh të ankesave të ardhura krahasuar me zyrat e prokurorive të tjera. Më pas renditen prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, respektivisht me 28, 27, 23 dhe 14 ankesa. Për prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) numërohen 16 ankesa. Ndërsa me numrin më të ulët të ankesave janë prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë vetëm me 1 ankesë, prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë me 2 ankesa, dhe prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat dhe Përmet me nga 3 ankesa secila./Pamfleti