Xhezo Cana: Pesë “Heronjtë e Popullit” të krahinës së Tepelenës

718
Sigal

 

Kush ishin, Abas Shehu, Asim Zeneli, Mustafa Matohiti, Nimete Progonati, Xheladin Beqiri

 

Lufta e Dytë Botërore solli fatkeqësi të mëdha, por dëmi më i madh ishin të rënët në këtë luftë të përgjakshme. Numri i dëshmorëve të nënprefekturës së Tepelenës dhe Kurveleshit sipas statistikave të paraqitura nga veterani Çome Cini, i cili është marrë me historinë e Tepelenës,  deri në vitin 1990 është 419. Por numri i shpalljes dëshmor i rrethit nga Këshilli Ekzekutiv i rrethit Tepelenës vazhdoi deri në vitin 1995. Vetëm batalioni “Baba Abazi”, i cili ishte pjesë e brigadës së VI, kishte 70 dëshmorë të vrarë në vende të ndryshme, ku një pjesë u vranë kur batalioni kaloi në Jugosllavi. Në raport me popullsinë Tepelena ka numrin më të madh të rënëve gjatë luftës kundër pushtuesve nazi-fashistë. Për nder të rënëve në Tepelenë janë ngritur varrezat e Dëshmorëve  të luftës. Edhe në Kurvelesh, në vitet e regjimit komunist u ngrit varreza e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste.

Të rënët ishin të rinj, të moshave të reja, ku mesatarja ishte rreth 20 vjeç. Ata u rreshtuan në formacione të ndryshme të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe me idealizëm luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Të rënët në luftë janë nga të gjitha fshatrat e Tepelenës dhe Kurveleshit.

Presidiumi i Kuvendit, me dekrete të veçanta ka shpallur për rrethin e Tepelenës pesë “Heronj të Popullit”, të cilët  janë:

Abas Shehu.

Asim Zeneli

Mustafa Matohiti

Nimete Progonati

Xheladin Beqiri

Po kush është jetëshkrimi i “Heronjve të Popullit” për rrethin e Tepelenës:

Abaz Shehu (1905-1943), “Hero i popullit” me dekretin nr. 885, datë 9.7.1949. Pjesëmarrës i lëvizjes dhe i Luftës ANÇ. Heroi i Popullit,Shehu lindi në Bënçë të Tepelenës në një familje me tradita patriotike. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Për këtë arsye më 1925 i shtrënguar nga regjimi Zogist shkoi në Francë, ku u bë anëtar i PKF. Aktivitetin e tij revolucionar në Francë, Abaz Shehu  e vazhdoi për 6 – 7 vjet deri aty nga viti 1931 kur vendosi të kthehej në Shqipëri. Emërohet kryetar komune në Buzë, por nuk zgjati shumë. Pushohet për faje politike në vitin 1932. Po atë vit arrestohet si pjesëtar i organizatës së Vlorës dhe dënohet në fillim me vdekje, por dënimi i kthehet në burgim të përjetshëm. Jeta e tij në burg zgjati 5 vjet, pas të cilëve, me ndihmën dhe përpjekjen e miqve, u lirua. Abazi, i dha një ndihmë të veçantë Luftës Nacionalçlirimtare në krahinën e Tepelenës.

Në vitin e pushtimit italian e emërojnë kryetar komune në Dukagjin. Më pas e në fund të vitit 1942 e transferojnë si kryetar komune në Sinanaj. Ishte një ndër drejtuesit kryesor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Tepelenë. Në prill të vitit 1943 u detyrua të lërë punën si kryetar komune në Sinanaj dhe të hidhet në ilegalitet. Me zgjerimin e rreshtave partizane Abazi punon për organizimin e batalionit “Baba Abaz”, në krye të cilit kreu aksione të rëndësishme, kundër pushtuesve nazi-fashistë. Në tetor të vitit 1943, me urdhër të Shtabit të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër, Abaz Shehu, u caktua komandant i grupit të Vlorës dhe më vonë u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si komandant i Brigadës V Sulmuese, që ishte në formim e sipër në qarkun e Vlorës. Nuk arriti detyrën e re. Ai ra në luftën e përgjakshme të Gjormit, që u zhvillua më 12 dhjetor të vitit 1943 kundër forcave gjermane

Mustafa Matohiti

Lindi në vitin 1912 në fshatin Lekdush të Kurveleshit. Shkollën fillore dhe plotoren e mbaroi në Delvinë. Në vitin 1929 Mustafa Matohiti u punësua në Tiranë, tek një farmaci. Më pas u fut në një shkollë oficerësh, ku u njoh me Asim Vokshin. Pasi mbaroi shkollën doli oficer për artileri. Në vitin 1933 e emërojnë oficer në Elbasan. Në vitin 1937 e arrestojnë për veprimtari kundër regjimit dhe e përjashtojnë. Në vitin 1938 në Delvinë, është i detyruar të mos largohet nga qyteti  pa leje. Tenton të arratiset në Spanjë, por ndalohet nga xhandarmëria.

Në vitet 1941 ishte kryetar i komunës Piqeras. Në prill 1942 krijon çetën e Kurveleshit. Mustafa Matohiti u përfshi në Lëvizjen Antifashist. Përhapi këto ide në Tepelenë. Më 28 nëntor 1942, në ditën e 30 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në krye të 250 kryengritësve kurveleshas, sulmon administratën e nënprefekturës së Kurveleshit me qendër në Gusmar. E detyrojnë të dorëzohet. Nënprefekti Gani Abazi bashkëpunon me kryengritësit dhe dorëzon zyrat. Me iniciativën, pjekurinë dhe maturinë, Mustafai brenda muajve mars-maj 1942 krijoi në zonën e Kurveleshit Këshillat Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe njësitë e armatosura pranë tyre. Në maj 1942, në Kuç u formua Celula e parë Komuniste për Kurveleshin dhe sekretar u caktua Mustafa Matohiti, i cili ishte njëkohësisht dhe komisar i çetës së parë partizane të krahinës.

Kishte aftësi drejtuese, organizuese dhe fryma luftarake e tij u shfaqën edhe kur u emërua komisar i Grupit të Katërt “Çamëria” apo kur u caktua komisar i Brigadës VI Sulmuese, më 26 janar 1944 zhvilloi shumë beteja dhe në njërën prej tyre, në atë të 29 marsit 1944, në Mërgëlliç, Mustafa Matohitivritet. Në këtë betejë vriten edhe Dino Kalenja, Lefter Talo dhe Meleq Gosnishti, pjesëtarë të kësaj brigade, të cilët edhe ata u shpallën “Heronj të Popullit”.

Asim Zeneli

Lindi në Progonat 1916. Shkollën fillore e kreu në fshat dhe atë plotore në Kuç. Në vitin 1930 filloi shkollën ushtarake në Tiranë. Në vitin 1933 shkolla u mbyll dhe qeveria i dërgoi në Gjimnazin Civilë të Tiranës.  Në vitin 1936 fitoi konkursin për të vazhduar shkollën ushtarake në Itali. Erdhi nga italian në vitin 1941 he iu bashkua batalionit “Dajti”. Në vendin tonë punoi si efektiv i ushtrisë deri marse 1943. Iku nga divizioni për t’iu bashkuar me Frontin Nacionalçlirimtar. Fillimisht iu bashkua  çetës “Koto Hoxhi”. U pranua në radhët e Partisë Komuniste. Ju besua drejtimi politik i çetës “Hajredin Tremishit”. Në datën 2 korrik 1943, në Grykën e Mezhgorani  i kishin zënë prit një autokolone ushtarake italiane që shkonte nga Gjirokastra për në Përmet. Si ushtarak me eksperiencë para se autokolona italiane të hynte në gryken e Mezhgorani, e minojnë atë. Ura u hodh në erë, por nga beteja me italianët Asim Zeneli u vra. U shpall “Hero i Popullit, ne vitin 1945. Emrin e tij e mban Shkolla e Mesme “Asim Zeneli “ Gjirokastër,  një fshat në Gjirokastër etj.

Xheladin Beqiri

Lindi në vitin 1908 në Gjakovë të Kosovës. Familja e tij për arsye hasmërie në vitin 1934 zhvendoset këtej kufirit, në Shqipëri. Hyn në Kukës, pastaj shkon në Shkodër. Prej andej në Myzeqe, në Fier tek disa të afërm. Punon disa kohë në kriporen e Vlorës. Lufta italo-greke 1940 e gjen në fshatin Nivicë të Kurveleshit. Është ndër përkrahësit e krijimit të çetës së Kurveleshit më 1943 së bashku me Bexhet Memën, Ago Çelin etj. Në një shkresë që Ministria e Brendshme i dërgonte nënprefekturës Kurvelesh kërkonte “të evidentohet kush është serbi që shoqërohet me Bexhet Memën”, duke e konsideruar një njeri të rrezikshëm për të prishur qetësinë. Raportet e kuesturës raportonin se “serbi” është Xheladin Beqiri, i cili drejton çetat kundër pushtuesve italian. Ai mori pjesë në shumë luftime që u zhvilluan kryesisht në Jug. Pseudonimi i tij në luftë ishte “Karadaku”. Vritet në 1944 në Qafën e Gjarprit (Skrapar), në betejën me forcat naziste gjermane. Në vitin 1969 shpallet “Hero i Popullit”.

Nimete Progonati Lindi në vitin 1929 në fshatin Luzat të Tepelenës. Përfundoi shkollën e plotores në Tepelenë. Familja e saj ishte me kontribute atdhetare në luftën kundër pushtuesve të huaj. Babai i saj Isufi kishte provuar emigrimin në Greqi dhe Francë. Ndonëse në moshë të re, ajo shkruante poezi me motive patriotike. Me insistimin e saj u pranua të merrte pjesë si partizane së bashku me shumë shoqe. U radhit fillimisht në çetën e Hetem Gjinushit. Më vonë mori pjesë në brigadën e V-të. Nimete Progonati mori pjesë në shumë luftime që zhvilloi Brigada e V-të. U vra në një betejë në Linjë të Dibrës, më 26 korrik 1944. Partizanes së vogël si kujtdo që bie në luftë iu bënë nderimet e duhura. Për heroinën është shkruar nga shumë personalitete, figura e kuadrosh e veteranë, ish-pjesëmarrës në LANÇ. Nimete Progonati mban shumë tituj nderi, si: – “Heroinë e Popullit”, medaljen e “Trimërisë”, të “Çlirimit”, të “Kujtimit”. Në vendin e ngjarjes, në Sinjë të Dibrës ka në nderim të kësaj ngjarje një lapidar. Shkolla 9-vjeçare e fshatit Sinjë, Dibër; shkolla 9-vjeçare e qytetit Memaliaj dhe Qendra e Edukimit të Fëmijëve (ish- Shtëpia e Pionierit Tepelenë) mbajnë emrin Nimete Progonati, “Heroinë e Popullit”. Në qendër të qytetit Tepelenë, në bulevardin kryesor është vendosur busti “Nimete Progonati”. Për heroinën 15-vjeçare janë botuar shumë shkrime, kujtime, portrete, tregime, poezi, këngë dhe dokumentarë televizivë, të cilët evidentojnë më së miri jetën dhe veprimtarinë e saj.

Organizimi vendor i nënprefekturës Tepelenës dhe Kurveleshit

( 1912-1920)

 

Nënprefektura e Tepelenës në vitin 1912 përbëhej nga 54 fshatra, që ndaheshin nga dy krahina. Krahina e Vërrisë që përmbante 26 fshatra kryesisht të anës së djathtë të Vjosës dhe krahina Qendër Tepelenë, që shtrihej në krahun e majtë të lumit Vjosë, dhe fillon nga fshati Dorëz në Perëndim kufi me rrethin e Vlorës, e deri në fshatin Tërbuq, ku përmblidheshin edhe Labovë e Madhe, Labovë e Vogël, Humelic, Tërbuq, Hormovë, në lindje, kufi me Gjirokastrën. Tepelena ishte qendra e nënprefekturës ku ishin vendosur bashkia, zyrat e nënprefekturës, xhandarmëria, posta, gjendja civile dhe një gjykatore. Pas pushtimit të Tepelenës nga Greqia në mars 1913 pushteti vendor nuk funksiononte normalisht. Posta e Tepelenës ishte i vetmi institucion që në këtë kohë bënte të mundur lidhjen midis krahinave të ndryshme, kryesisht Vlorës ku ishte Qeveria. Në kohën e pushtimit grek Tepelena vazhdonte të ishte e ndarë në dy krahina, por funksionimi i tyre ishte jo normal. Edhe Kurveleshi ishte i ndarë në dy krahina dhe nuk funksiononte si nënprefekturë. Në vitin 1915 zbarkimi i ushtrisë italiane në Vlorë bëri që pjesën jugore të lumit Vjosa, ku ishte dhe Kurveleshi u pushtuan nga Italia. Ajo vendosi në çdo krahinë dhe bashkinë e Tepelenës nga një përfaqësues të saj dhe një shqiptar që drejtonin së bashku.

Me pushtimin nga Italia, ushtria e Greqisë u detyrua të tërhiqej në Gjirokastër dhe në vitin 1916 të linte Jugun e Shqipërisë. Po në këtë kohë, në prill të vitit 1916 Austro-Hungaria pushtoi Shqipërinë, ku zotërimi i territorit arriti në të djathtë të  Vjosës, duke zotëruar plotësisht krahinën e Vërrisë. Në këtë periudhë nga viti 1916-1918 kur zotërohej nga Austro-Hungaria, kjo krahinë varej nga nënprefektura e Ballshit me qendër prefekturën e Beratit. Ndërsa pjesa tjetër anës të majtë të lumit Vjosë varej nga Vlora. Lufta e Parë Botërore bëri të mundur që përveç Italisë, Greqisë dhe Austro-Hungarisë, vendi ynë u sulmua dhe u pushtua nga Franca në prefekturën e Korçës dhe nga malazezët në Shkodër.