‘Mbreti’ i romëve Gurali Mejdani: Pse romët nuk kanë varre dhe ritet e trashëguara nga brezi në brez

2074
Sigal

Rrëfim ndryshe i kreut të romëve. Origjina, lidhjet e romëve me muzikën, ritet, fejesat, dasmat, vdekjet dhe ingranimi në shoqëri

(Vijon nga numri i kaluar)

 Në pjesën e dytë të intervistës, ‘Mbreti’ i romëve, Gurali Mejdani flet për muzikën rome, traditat, lindjet. Vdekjet, pse romët nuk kanë varre, si dhe ingranimin e tyre në shoqëri e strukturat e shtetit…

Zoti Mejdani? Romët kanë pasur dhe një ekip shumë të mirë futbolli, por që fatkeqësisht sot nuk po dëgjohet më?

-Po, është e vërtetë… Kemi pasur një ekip të mirë ne romët, por dikush nga këta të politikës, të pushtetit të asaj kohe, flas këtu për në demokraci, nuk na deshi…. Jo se nuk na deshi, apo nuk na deshën për racizëm, por se në finale, ekipi ynë doli me ekipin e qytetit kur një i fuqishëm në politikë, ‘që vriste e priste’ sa majtas djathtas, për shkak të votave, na vuri drurin ne…

Më konkretisht në këtë pikë?

-Po. E ngritëm ekipin e futbollit me vështirësi, por ngritëm një ekip të mirë… “Amaro Diva” e quajtëm ekipin tonë të futbollit. Financuam ne vetë, se nuk na ndihmonte kush. Se thashë, romët janë të parët për muzikë, por dhe e dashurojnë futbollin… Ekipi ynë, ngjiti shkallët në kategoritë amatore, e priste të dilte në kategorinë e ekipeve më të mirë të vendit… Por këtu u prenë ëndrrat tona dhe të djemve të mrekullueshëm romë që u rropatën jo pak për të hyrë në ligën e më të mirëve të vendit…

Kur ka ndodhur kjo dhe si…?

-E ngritëm ekipin e futbollit “Amaro Diva”  me shumë mund e nisëm konkurrimin në vitin 1992.  Kishim një trajner të mrekullueshëm, të talentuarin Kujtim Bulku. Arritëm në finalen e kategorisë së dytë dhe pothuaj e kishim të sigurt marrjen e titullit e daljen në kategorinë e parë… Ndeshjen e kishim në Shijak. Në atë zonë atëherë ishte deputet i ndjeri Azem Hajdari… E dihet se çfarë ndodhi në atë ndeshje… Gjithçka u bë në atë ndeshje, vetëm futboll nuk u bë… Arbitrat e djemtë tanë u vunë nën terror e dhunë… Ikëm ne… na nxorën me dru… U shkri ekipi… Shpresojmë që një ditë, do zoti shumë shpejt, ta ringremë ekipin…

Të kalojmë tek organizimi i romëve që jetojnë në Shqipëri. Përveç shoqatës suaj, ka e funksionojnë tani dhe shumë shoqata të tjera…?

-Po, po. Ne jemi të parët, e kemi shumë anëtarësi… Janë krijuar pas nesh edhe shoqata të tjera, të cilat punojnë e luftojnë për të mbrojtur interesat e kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare…

Ju keni dhe gazetën tuaj:

-Po, kemi gazetë e revistë. Në muajin shkurt kemi nxjerrë numrin e parë të gazetës “Amaro Diva”, të cilën e kemi ende… Ajo është tribunë e fjalës sonë….

Përflitet diçka e mistershme rreth ritit të varrimit të romëve?

-Më keni bërë një pyetje shumë interesante dhe unë do u përgjigjem me shumë kënaqësi… Ka qenë përhapur dikur një fjalë sikur romët i hanë fëmijët… Tashmë, mendoj se gjithkush e ka mësuar se kjo nuk është e vërtetë. Por këtë e kanë përdorur banorë të komuniteteve, ku ne kalonim ato rrinim për disa kohë, për të trembur fëmijët e tyre… kjo pasi fëmijët u iknin në vende ku ata nuk donin, mund të vriteshin gjatë lojërave, u thoshin: Rrini këtu se do u hanë romët?.. Po mendoj se kjo është e kaluar…

Po për varrimet e romëve, se është dhe një përfolje se romët nuk kanë varre?

-Këtu do të dal… U shpjegova më lart… Kemi jetë të veçantë ne romët… Pothuaj gjithmonë në lëvizje…. Edhe sot ka lëvizje, shtegtime, po jo si dikur. Se kanë ndryshuar tashmë faktorët historikë, social, politik e shoqërore, e romët, po bëhen përditë e më shumë pjesë e shoqërive, ku jetojnë. Po ingranohen në ‘të. Po gjatë shtegtimeve, natyrisht që vdisnin dhe njerëz e varroseshin. Ne i varrosim, me ritet tona kuptohet, dhe shtegtojmë… Nuk kthehemi më … Se jemi në lëvizje… Ndaj thonë se romët nuk kanë varr… Po thashë se ka ndryshuar tani… Romët kanë vendin në varrezat publike të qyteteve sot, në fshatra e zonat ku janë…

Të kthehemi tek jetesa e familjes rome…?

-Në kohët e shkuara, si kudo pothuaj, timonin e shtëpisë e kishte burri. Ndërsa sot, kanë ndryshuar rolet… Timonin, parllikun e shtëpisë e kanë gratë… Ata janë “Ministri i Brendshëm” dhe në familjen rome…

Diçka për shkollimin e romëve?

Dikur, në kohën e Enverit, meqë pyetët, ishte më ndryshe përsa i përket shkollimit. Me ndonjë përjashtim të rrallë, ai sistem të çonte në shkollë e nuk paguaje për arsimimin… Kështu, edhe romët shkolloheshin e ishin pjesë integrale e asaj shoqëria… Po pas vitit 1991. Me ndërtimin e  sistemeve, shkolla për romët mbeti fakultative… Pak shkojnë, por dhe të tjerë, për shkaqe që dihen, nuk arrijnë të shkollohen… Është një problem i mprehtë, që ashtu si kudo dhe në vendet e tjera, shteti duhet të kujdesohet më shumë për fëmijët romë në këtë aspekt… Po ka dhe fëmijë romë që kanë mbaruar shkëlqyeshëm universitete e akademi e janë personalitete në shumë fusha të jetës.

Të kthehemi tek romët dhe kënga?

-Po çfarë të them… Romit i këndon shpirti, i qanë zemra… Këngët melankolike rome, të shtegtimit po dhe të dashurisë janë me nam… Nuk ka popuj ku jetojnë e punojnë romët që të mos jetë dashuruar me këngën rome, të mos i ketë bërë motivet e shpirtit, të këngës rome, pjesë të këngës së tij… Lorka i madh ka thënë : “Një vend pa romët, shpirtin e këngën rome, është një vend pa liri…”. Po kënga e vallja, na ka bërë vëllezër ne këtu me shqiptarët… Jemi e do të mbetemi miq të përjetshëm…

Përmendët gjatë intervistës suaj ‘gjeografinë e shpërndarjes së romëve në Shqipëri” ku shumica janë ingranuar apo banojnë në jug të Shqipërisë?

-Po, por këtu nuk ka ndonjë preferencë që diktohet nga vëllezërit shqiptarë… Jo, shqiptarët në jug e në veri, janë të gjithë të mirë, shpirt njeriu janë… Po ka më shumë romë në Shqipërinë e Mesme dhe në jug të Shqipërisë, për shkak të terrenit dhe klimës. Dihet që romët kanë si origjinë Indinë, janë në lëvizje e në ngujimet e tyre kanë zgjedhur vende të buta, vende ku dimri është i butë… Ky është dhe shkaku për të cilin më pyesni ju.

Thuhet që romët kanë ligje të tyre, të themi Kushtetutën e tyre?

-Po, por duhet të kemi të qartë diçka… Romët janë njerëz të edukuar, të dëgjueshëm, respektojnë ligjet e shtetit dhe janë model në këtë drejtim. Por ka dhe ligje, si të themi kode zakonore, tradite, që ne i respektojmë me fanatizëm… U përmenda më lart detyrimin e lidhjes së krushqisë brenda fiseve tona, vajtimet, dasmat, ritet e varrimit, etj… I trashëgojmë brez pas brezi, të shkruara e të pashkruara… Si i thonë, nëna, që me dhënien e gjirit fëmijës, i jep dhe këto zakone e tradita të të parëve tanë… Dhe do i ruajmë këto…

Po shteti në raport me romët?

-Ka dy gjëra këtu… Ndryshon nga shteti në shtet. Ja bie fjala, në Kosovë, me ligj romët përfaqësohen në parlament, kanë një numër të caktuar që para zgjedhjeve… Po kështu është dhe ën shumë shtete të tjera… Këtu tek ne nuk ndodh kështu. Ne kemi kërkuar e do të kërkojmë që edhe në Shqipëri të bëhet një gjë e tillë… Ne, si shoqatë, po dhe si organizim Ndërkombëtar i Romëve të Botës, po përdorim të gjitha mekanizmat demokratikë që romët të integrohen sa më mirë në shoqërinë ku jetojnë, por dhe të kenë vende dhe në parlamente e pushtete të tjera..

Folëm jo pak për traditën rome në muzikë, por do të ishte në interes se si përcillet kjo traditë nga brezi në brez?

-Si çdo popull që transmeton traditat e zakonet, kështu bëjmë dhe ne me muzikën… Sa ngrihet fëmija në këmbë, pas ninullës së nënës që sa ka hapur sytë, e pret detyra të mësoj dhe veglën muzikore… Eh muzika rome… është tingull i veçantë, që nga prejardhja, andej nga ka lindur tingulli?

Po si është kjo e vërtetë?

-Muzika rome ka lindur, apo ka tingëllimën e hekurit të skuqur kur rrihet në kovaçanë… I bukur, i kapshëm, melodioz që të prek telat e zemrës… Thash, muzika është etja e romëve… Ka njerëz të famshëm, orkestrantë e muzikantë romë…

Mund të na përmendni disa mes tyre?

-Po. Esma Rexhepovën, Muharrem Çerbaçanskun, Hekuran Xhambalin, Mejdanlinjtë, e shumë të tjerë… Romët, janë këngëtarë dhe muzikantë të lindur…

Po në familjen tuaj?

-Sigurisht që po… Unë u thashë.. Përveçse muzikantë, dy fëmijët unë i kam këngëtarë të talentuar…. Nuk ka familje rome pa 2-3 muzikantë…

Diçka për funksionin tuaj si Nr. 2 i Organizatës Botërore të Romëve?

-E ritheksoj se e kam për nder që në këtë forum të lartë të përfaqësoj romët shqiptarë, të përfaqësoj Flamurin e Shqiptarëve… Jam krenar që jam rom shqiptar.  Shiko, ka qenë ndryshe para vitit 1990… Pas këtij viti, unë vetë doja të dija prejardhjen e gjyshërve e stërgjyshave të mi… Dhe e mësova… Takuam homologët tanë nëpër botë, kontaktuam ne drejtuesit e organizatës botërore, derisa një rom shqiptar u zgjodh Zëvendëspresident aty… Se kongresi Botëror i Romëve është bërë në vitin 1971… Atëherë nga Shqipëria nuk mori njeri pjesë…

Në sa kongrese keni qenë?

-Në 8 kongrese botërore. Po për punë, kam shëtitur gjithë botën…

Si është jetesa e romëve në vendet e tjera?

-Me pak ndryshim, pothuaj si tek ne, me të njëjtat probleme e shqetësime…

Në cilin vend jetojnë më mirë romët?

-Në atë vend që është më i pasur…. Si është pasuria e vendit, ashtu është edhe e romëve e qytetarëve të tjerë të këtij vendi…

Po ingranimi i romëve në strukturat e shtetit shqiptar si është?

-Vitet e fundit ka një lëvizje në këtë drejtim. Ja, ne kemi përfaqësuesin tonë tek Avokati i popullit, është Emiljano Aliu…. Ka dhe në institucione të tjera…

Diçka të veçantë?

-Faleminderit ju. Përshëndes me këtë rast gjithë romët kudo që janë, gjithë shqiptarët në Shqipëri, trevat shqiptare jashtë kufijve, kudo që janë.