Zef Serembe/ Kënga e mallit të parë

    Dëgjo, vash’, këngën e par’

    që ta thot’ një djal’ bujar,

    NOA

    Dëgjo, vash’ këtë kangjele

    q’është e butë posi dele.

    Një e diel ishte pagdhirë

    tërë dritë e gaz të dlirë.

    Dolla jashtë e s’kish njeri,

    kisha helm, jo lumturi:

    E një vashëzë kërkonja

    po hirplote, siç e donja.

    Mesha e madhe, ja po bie

    e nga kisha mën i shtije;

    Dola: vashëzat po vinin.

    qetë e lehtë në kishë hynin.

    Asnjë vash’ s’m’u duk e mirë

    e asnjë s’ m’ ip dëshirë,

    Dhe kjo zemër psherëtinte,

    se nuk gjente kë kërkonte.

    Po kjo zemër u gëzua

    kur një vashëz u afrua,

    Kur te sheshi ajo shkonte,

    tërë sheshi dritë lëshonte.

    I shkëlqenin ata sy

    që nuk shihnin as njeri,

    Si një fluturëz e lehtë

    vej në kishë e zhdukej vetë.

    Kur e vrejta, kur e pashë,

    Sa e bukur! sakaq thashë.

    Që ahere s’pat pushim

    ky i mjeri shpirti im.

    Ditë e natë un’ e kujtonj,

    nat e ditë e dëshëronj;

    Posi hije pas i rri,

    e vështronj me dashuri,

    Kur më sheh e më ve re,

    ndjej të madhe një hare.

    Kur më flet e më shikon,

    zemrën një shigjet’ ma shpon.

    E kur vjershën ajo shtije

    duket se më vjen të bije!

    E kur gjumi pra më zë

    unë në paqe s’mund të flë:

    Me at sy n’ ëndërr më rri,

    që të fshehur kan’ magji.

    Se m’do fort ajo më thotë

    edhe nxjerr dy pika lotë:

    E tek veshi më rrëfen

    se sa mall për mua ndjen.

    Asaj dorëzën ja ngas,

    buz’ më buzë asaj i flas,

    Edhe mezin ja shtrëngonj:

    duke e puthur un’ gëzonj.

    Pra si nj’ ëndër vete e shkon,

    po në zemër më qëndron.

    Kushedi a më dëgjove,

    mallin tim a e kuptove?

    Kushedi tek ti a foli

    malli e zemrën a ta ndolli?

    Me gjith’ zemrër un’ t dua,

    se fort më pëlqeve mua.

    Ti me mua, vashëz, eja,

    se të dua si veteja.

    Tok të rrojmë te ky dhe

    si në zi e në hare.

    Tok të rrimë në rini,

    tok edhe në pleqëri.