KLSH kallëzon në prokurori ish-administratorin e përgjithshëm të KESH sh.a. dhe ish-titullarin e autoritetit kontraktor të HEC K

516
Sigal

-Dëmi i shkaktuar arrin në 59.5 milionë lekë ose mbi 585 mijë dollarë

-KESH të arkëtojë mbi 500 milionë dollarë detyrime që CEZ Shpërndarje ka ndaj KESH

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të Programit të auditimit me nr. 1072/1 të Prot., datë 08/01/2014, ka ushtruar auditim në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) Sha, Tiranë, me objekt auditimi: “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe vlerësues” për aktivitetin e kryer në periudhën 2012-2013.

 Në përfundim të këtij auditimi, kanë rezultuar disa mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, për të cilat institucioni, përmes Vendimit Nr. 67,  dt. 30.06.2014 të Kryetarit të KLSH, ka rekomanduar 31 masa me karakter organizativ për përmirësimin e veprimtarisë së Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorit të KESH, në lidhje me:

 – Hartimin, miratimin dhe zbatimin e programeve të zhvillimit ekonomik të shoqërisë;

– Disiplinimin, monitorimin dhe miradministrimin e shpenzimeve operative;

– Sigurimin e burimeve të financimit për shlyerjen e overdrafteve në vlerën 30,132,731 mijë lekë;

– Arkëtimin e detyrimit të CEZ Shpërndarje Sha prej 53,7 miliardë lekë ose mbi 500 milionë dollarë, për energjinë e blerë nga CEZ tek KESH për mbulimin e humbjeve në rrjet dhe furnizimin e konsumatorëve. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen e gjendjes financiare të KESH Sh.a. që ky detyrim të niset menjëherë të shlyhet nga ana e CEZ Shpërndarje;

– Arkëtimin e detyrimit prej 40.6 miliardë lekë (ose rreth 400 milionë dollarë) të klientëve, shumë e paarkëtuar nga shitja e energjisë para vitit 2006;

– Zhvillimin e një analize të hollësishme për penalizimet financiare të KESH që arrijnë në shifrën e 4,112,482 mijë lekëve, ose mbi 40 milionë dollarë;

– Përmirësimin dhe rritjen e efektivitetit të procedurave të prokurimit dhe zbatimit të kontratave etj., duke përcaktuar afate konkrete për plotësimin e tyre.

KLSH i ka kërkuar KESH Sh.a. që të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e dëmit në shumën 53,876,549 lekë, të shkaktuar nga paga dhe shpërblime të paligjshme gjatë vitit, mungesë arkëtimi të detyrimeve debitore, si dhe gjatë zbatimit të kontratave për punime të paguara por të parealizuara, mungesën e penalizimeve për vonesa etj.

Referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara dhe përgjegjësive individuale të evidentuara, KLSH ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe disiplinore për 16 punonjës të KESH Sha që nga nivel drejtor departamenti deri tek specialistë.

Gjithashtu, nga auditimi i dokumenteve të vëna në dispozicion, rezultoi se H.V., në cilësinë e Administratorit të Përgjithshëm të KESH Sha dhe N.S., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të hidrocentralit (Hec) Koman, kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, të cilat bazuar në gjetjet dhe aktet e administruara në dosjen e auditimit, bien në kundërshtim me ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për taksat vendore”, i ndryshuar; me ligjin nr. 10405, datë 24.03.2011 “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”; si dhe me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, neni 1, Pika 2.ç,d. si dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, Kreu IV, Pika 5, iv. Demi i shkaktuar ndaj Buxhetit te Shtetit nga dy personat e siperpermendur arrin ne 59.544.980 lekë ose mbi 585 mijë dollare. Më konkretisht:

 

1. H. V., në cilësinë e Administratorit të Përgjithshëm të KESH Sh.a., ka autorizuar kryerjen e pagesave si detyrim për subjektet vendore, për shumën 6,732,600 lekë, në kundërshtim me Vendimin e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër nr. 1683, datë 10.07.2013, me ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për taksat vendore”, i ndryshuar, si dhe me vetë vendimin e mëparshëm të tij, duke i shkaktuar shoqërisë KESH Sh.a. një dëm ekonomik prej 6,732,600 lekë.

Me urdhrin nr. 21, datë 19.06.2013, H.V. ka dhënë shpërblim financiar për punonjës të ndryshëm në shumën 33,683,180 lekë, pa marrë më parë miratimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH dhe të ministrit të linjës, në kundërshtim me ligjin nr. 10405, datë 24.3.2011 “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, neni 6, pika 1, shkronja (b).

 

2. N. S., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të Hec Koman, gjatë procedurës së prokurimit “Blerje dhe vendosje 4 elektropompa horizontale të reja me pjesët e këmbimit rezervë të tyre dhe instalimin e skemës së kontroll monitorimit automatik-manual në stacionet e pompimit të galerive të digës Koman”, në vlerën 19.129.200 lekë, ka urdhëruar zhvillimin e saj me “Negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”,  në mënyrë të pabazuar ligjërisht, pasi ka qenë e mundur ndjekja e procedurave standarde të prokurimit, nuk ka qenë në kushtet e nevojës ekstreme apo situatave emergjente, nuk është kufizuar në blerjen e vetëm sasisë së pajisjeve të domosdoshme, ka qenë një procedurë e përfshirë në planin e prokurimeve, duke shkaktuar pamundësinë e marrjes pjesë të operatorëve të tjerë në procedurat e prokurimit publik, si dhe një trajtim jo të barabartë të tyre, veprime të cilat bien në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, neni 1, Pika 2.ç,d, si dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, Kreu IV, Pika 5, iv.

 

Për shkeljet e mësipërme, KLSH  ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Shkodër ndaj H.V., në cilësinë e Administratorit të Përgjithshëm të KESH Sh.a. dhe ndaj N.S. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Hec Koman, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave të mësipërme ligjore, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërdorimi i kompetencave” parashikuar nga nenet 248 dhe 164 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.