Pas dështimit me “bilbilfryrësit”, ministritë, bashkitë dhe entet shtetërore do të kenë në dispozicion edhe 700 gjurmues për vjedhjet dhe korrupsionin. Emërimet do të bëhen nga vetë drejtorët e administratës dhe çdo tre muaj do raportohet tek zv/kryeministri “antikorrupsion” Arben Ahmetaj. Nga ky gjurmim përjashtohen 186 agjenci kombëtare ku planifikohen PPP dhe privatizimet.
Do përzgjidhen, trajnohen, emërohen e shkarkohen nga drejtorët përkatës/ Ata kanë detyrë të gjurmojnë, zbulojnë bashkë me drejtorët, vjedhjet që do bëjnë vetë drejtorët dhe zyrtarët e tjerë dhe pasi të analizojnë e hetojnë administrativisht po bashkë, do t’i raportojnë te “Qendra e Anti-Korrupsion” me kryetar ministrin Ulsi Manja; i cili çdo 3 muaj do t’i çojë te Zv/kryeministri “anti-korrupsion” Arben Ahmetaj
Edhe pse flitet për “gjurmim e zbulim” të korrupsionit shtetëror, qeveria ka lënë jashtë këtij vendimi, ministritë dhe 186 agjenci kryesore kombëtare, ku planifikohen fondet dhe bëhen tendera, koncesione e privatizime të mëdha pa garë
Pas 8 vitesh lejues ideator, nxitës dhe mbrojtës aktiv e publik i hajdutërive të ministrave, kryebashkiakëve e drejtorëve, kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë një lojë hipokrizie në sy të shqiptarëve, BE e SHBA, sikur gjoja nga data 15 nëntor 2021 do fillojë të gjurmojë, zbulojë e luftojë korrupsionin me tenderët.
Me Vendim Nr. 618, datë 20.10.2021, të firmosur nga Edi Rama, ka nisur krijimi i një strukture të re shtetërore në formë agjencie, të emërtuar “Rrjeti i koordinatorëve të luftës kundër korrupsionit me tenderët dhe ankandet”.
Këta, do jenë të punësuar në 44 institucione shërbimi e ente publike, si Kadastër, KESH, OSHEE, OST, Albpetrol, Tatime, Dogana, Albcontrol, Qendrat Spitalore, spitale rajonale, në AKU, në agjencitë e Barnave, të Pasurive të Sekuestruara, Bregdetit, Mjedisit, Burimeve Natyrore, Zonave të Mbrojtura, Portet Detare etj.
Edhe pse flitet për “gjurmim e zbulim” të korrupsionit shtetëror, kryeministri Rama ka lënë jashtë këtij vendimi, ministritë dhe 186 agjenci kryesore kombëtare, ku planifikohen fondet dhe bëhen tendera, koncesione e privatizime të mëdha pa garë.
Fiktiviteti i krijimit të këtij rrjeti dhe falsiteti i punës së tij, është paracaktuar në vendimin e qeverisë, ku thuhet se në çdo agjenci, qendër shërbimi, ent e kompani shtetërore, koordinatorët do përzgjidhen, emërohen, trajnohen, orientohen e shkarkohen nga drejtorët përkatës.
Pra, ata kanë detyrë të gjurmojnë, zbulojnë bashkë me drejtorët, vjedhjet që do bëjnë vetë drejtorët dhe zyrtarët e tjerë dhe pasi të analizojnë e hetojnë administrativisht po bashkë; do t’i raportojnë te “Qendra e Anti-Korrupsion” me kryetar ministrin Ulsi Manja, i cili çdo 3 muaj do t’i raportojë te Zv/kryeministri “anti-korrupsion” Arben Ahmetaj.
Po kështu, krye-koordinatori do emërohet nga Edi Rama dhe do jetë në vartësi të tij, si hallkë lidhëse e kryeministrit me ministrin e Drejtësisë, për aktivitetin e rrjetit të koordinatoreve, të cilët përveç 44 drejtorive në qendër, do jenë dhe në strukturat e tyre rajonale.
Psh., koordinatorët që do emërohen nga QSUT nga drejtori Enkelejd Joti, do kontrollojnë vjedhjet që ai bën me tenderët mjekësorë dhe do t’ia raportojë paraprakisht atij; po kështu dhe koordinatorët e KESH, vjedhjet që do bëjë drejtori Ergys Verdho, do t’ia raportojnë atij.
Kaq mjafton për të kuptuar, se kryeministri nuk ka synim ta luftojë korrupsionin, por ta fshehë e mbrojë brenda bunkerit qeveritar; ndërsa krijimi rrjetit hije të “koordinatorëve” është imazh fals para SHBA-BE dhe maskë për të punësuar afro 700 militantë të llojit patronazhistë. /Pamfleti




















