Në të gdhirë të datës 26 dhjetor të vitit 1973 në ish qytetin “Stalin” (Kuçova sot) u arrestuan: Thoma Grillo, Shef Shëndetësie dhe Guri Thanasi, Ing. Mekanik në NPV, Berat, ndërkohë që në hetim në gjendje të lirë do ndiqej edhe Nuredin Skrapari, Ing. Gjeolog, që, pas hetimeve, u arrestua më 15 mars 1974. Më 11 maj 1974, Nuredin Skrapari, Thoma Grillo dhe Guri Thanasi dënohen me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Berat me akuzën “Agjitacion e Propogandë kundër pushtetit popullor.” Po ç’kishte ndodhur natën e ndërrimit të datave 25 e 26 dhjetor? Ç’kishin bërë këta intelektualë të mirënjohur të qytetit të naftëtarëve, ajkës së klasës puntore në vend? Ishin mbledhur në zyrën e Thomait për të festuar krishtlindjet, gjë e pazakontë për kohën, sidomos “haptas” dhe nga intelektualë. Në pije e sipër thyejnë portretin e Enver Hoxhës, i cili nuk mungonte në asnjë zyrë shteti në atë kohë. Thyerjen e portretit e shoqërojnë me togfjalëshin “ky qen na ka izoluar me botën”. Kaq kishte ndodhur, por, pavarësisht se sot duket si absurd, në atë kohë ishte krim që dënohej me 10 vjet burg, me sa mbaj mend. Thomai dhe Guri u arrestuan në flagrancë, në zyrë, ndërkohë që Nuredini ishte larguar për në shtēpi pak kohë më parë. Gjithsesi kjo rastësi nuk shërbeu për gjë, siç e them më sipër, Nuredini hetohet në liri dhe arrestohet më 15 mars 1974, dy muaj e njê javë para se të mbushte 30 vjeç. Nuredin Skrapari, djali sharmant, me trup të bukur sportiv, sqimatar në veshje, i apasionuar mbas sportit të bukur të volejbollit, muzikës dhe letërsisë shihej si një vlerë e shtuar e shoqërisë qytetstalinase. Por nuk qe e thënë të vijonte kështu, diktatura u kujdes që për 16.5 vjet, nga 15 marsi i ’74-ës e deri më 26 gusht të ’90-ës, Nuredin Skrapari të shihte vetëm një grusht qiell në qelitë e errëta dhe mes telave me gjëmba në burgjet më famëkeqe të kohës. Nuredini u lind në Bubullimë të Lushnjes, më 22 maj 1944.

Ishte fëmija i tretë i Mentor dhe Xhevrije Skraparit. U lind në Bubullimë, por më pas gjithçka i përket Kuçovës, Ai u rrit e u burrërua aty. Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e kreu në shkollën “Gaqi Karakashi”, me rezultate të shkëlqyera. Ishte një fëmijë shumë i organizuar dhe i apasionuar mbas letërsisë. Merr pjesë ne kurset e Shtëpisë së pionierit, ku mëson fizarmonikën, luan teatër e volejboll. Mbas përfundimit të shkollës 7 vjeçare, Nuredini, në periudhën 1958 – 1962 kryen Shkollën e Mesne ‘Teknikumi i Naftës’ dhe diplomohet ‘Shkëlqyeshëm’ si Gjeolog. Gjatë dhe mbas përfundimit të Teknikumit të Naftës, Nuredini aktivizohet në Teatrin e Kuçovës dhe ekipin e volejbollit “Naftetari”, ku udhëheq ekipin si kapiten në periudhat 1960 – 1964 dhe 1969 – 1971. Në shtator 1962, vetëm 2 muaj mbas përfundimit të Teknikumit dhe dipllomimit si Gjeolog, Nuredini fillon punë në Drejtorinë e Pergjithshme të Naftës si gjeolog me ekspeditat gjeologjike. Aty spikat si specialist me të ardhme të ndritur si gjeolog, por me këtë parashikim nuk ishte dakord “djalli”, i cili u përkujdes që vetëm 10 vjet më pas, Nuredini të ishte pjesë e qelive të ftohta dhe hapësirave të rrethuara me tela me gjëmba. Në shtator 1964, Nuredini fillon studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Gjeologji Minierave, të cilin e mbaron në vitin 1969 me rezultate shumë të larta dhe u diplomua Inxhinier Gjeolog.

Gjatë kohës së studimeve të larta, Nuredini nuk i shkëputi lidhjet me grupet e studimit gjeologjik, me të cilët punonte tre muajt e pushimeve verore. Kështu aftësohej edhe më shumë si specialist, për një rikthim të fuqishëm në Institutin e Naftës, i themeluar në Nëntor 1964. Ai ishte njëri nga kolosët e rinj që iu bashkua gjeneratës së vjetër të ajkës së Inteligjencës së naftës. Nuredini mirëpritet nga inxhinierët ekselentë të Institutit, si inxhinier i ri dhe shumë premtues, të cilët i besuan atij detyra të rëndësishme. Bashkëautor në përgatitjen e hartave gjeologjike dhe projektimin e puseve të thella të naftës në Skrapar, Finiq të Sarandës, Delvinë, Cakran të Fierit. Punës së tij voluminoze dhe cilësore në dobi të zbulimit të vëndburimeve të reja të naftës, regjimi komunist i dha fund duke e arrestuar më 15 mars 1974, në një arrestim “spektakolar”, në zyrën e tij, në Institutin e Naftës, Fier, për ta dënuar, siç thashë në fillim të këtij shkrimi, më 11 maj 1974. Por nuk qe e thënë që e keqja të mjaftohej me kaq, më 18 mars 1975, Nuredini riarrestohet në burgun e Spaçit, ku kryente dënimin për Agjitacion e Propogandë dhe dërgohet në burgun 313 në Tiranë, në hetuesi. Aty ishin “grumbulluar” elita e Institutit të Naftës, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Filip ( Lipe) Nashi, Beqir Alija, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi. Në mbyllje të hetimeve, Nuredini ridënohet me 20 vjet heqje lirie, ndërkohë që po në këtë proçes u dënuan me vdekje dy kolosët e Gjeologjisë shqiptare: Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli. Ishte djalë i ri, kur pati fatin e madh, të punonte, të mësonte prej tyre dhe tani në moshë madhore, të hetohej nga Sigurimi me ta dhe të dënohej në gjyq së bashku me ta. Ata njerëz të mëdhenj përcollën vlerat e tyre më të mira, por edhe kujtime të hidhura, vuajteje dhe ndëshkime të pamerituara nga regjimi diktatorial. Duke vuajtur dy dënimet në galeritë e thella të piritit në Spaç, Nuredini riarrestohet më 23 shkurt 1979 dhe transferohet në hetuesi në Tiranë, ku bashkë me një grup intelektualësh si Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Beqir Alija, Dhimiter Stefa, Fatos Lubonja, Xhafer Xhomo, Robert Vullkani dhe Muho Bala akuzoheshin për krijimin e një organizate “ kundërrevolucioare, antisocialiste” me emrin “ Revizioniste”. Në këtë proçes gjyqësor, gjykata e deklaroi fajtor Nuredinin për veprat penale: “Pjesemarrje në organizatë kundërrevolucionare” dhe “ agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor” dhe e ridënon me 18 vjet heqje lirie. Mbas dënimit të tretë e rikthejnë përsëri në Spaç, deri ne vitin 1982, ku e transferojnë në burgun e ri 311 në Qafë Bari, Pukë. Katër ditë pas Revoltës së 22 majit 1984, në Qafë Bari shkon hetuesi, që dënoi Nuredin Skraparin për herë të parë. Këtë vizitë e ka përshkruar shkrimtari i mirënjohur, Visar Zhiti, bashkëvuajtës i Nuredinit, në librin e tij “Rrugët e Ferrit”, ku ndër të tjerat, thotë:
“- Këtu e keni atë Nuredin Skraparin, more?
– Po!
– Si sillet?
– Pa problem! Korrekt!

– Kam qenë unë hetuesi i tij 10 vjet më parë. E dënuam sa deshëm. Pinin në një klub dhe ai, tamam armik, guxoi dhe goditi me shishe portretin e shokut Enver. Jepini një dru të mirë sa pa ikur unë!” Dhe e rrahën keqas Nuredinin, e mbuluan në gjak. Ai mbeti gjallë ngaqë kështu deshi zoti, ai mbeti gjallë se ishte i fortë si shkëmb. Këto ishin tre dënimet e kollosit Nuredin Skrapari, të cilat nuk e përkulën atë, nuk e mposhtën atë karakter të hekurt dhe shpirt rebeli. Më 24 gusht të vitit 1990, kur diktatura ishte në grahmat e fundit, Nuredini lë qelinë e burgut dhe i bashkohet familjes, mbështetëses së fuqishme në këtë udhëtim shumë të vështirë, e cila asnjëherë nuk e braktisi, por i jepte ndihmën maksimale në takime, para, ushqime e veshmbathje.
Në 16 vite e gjysëm burg, Nuredini ndërroi disa herë “vendbanim”, duke filluar me Spaçin, Tiranën, rikthimin në Spaç, Qafë Barin, Zejmenin, Burrelin dhe në fund, Kosovën e Lushnjes, ku edhe u lirua. Mbas daljes nga burgu, Nuredini merr pjesë në proçeset demokratike të vendit. Merr pjesë në themelimin e degës së PD, Kuçovë dhe në shtator 1991, fillon punë fillimisht si inxhinier gjeolog në minierën e Priskës dhe mbas 22 marsit 1992, emërohet Drejtor në Ministrinë e Energjitikës. Del në pension në moshën 54 vjeç, në tetor 1998, duke plotësuar kushtet ligjore të burgimit të gjatë. Mbas daljes në pension të parakohshëm, Nuredini u angazhua fuqishëm në mbështetje të bashkëvuajtësve, në ideimin e projekt ligjit për dëmshpërblimin e viteve të burgut për ish te dënuarit politik, (autor kryesor) dhe projektin e ngritjes së Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (autor kryesor). Letërsia dhe muzika klasike ishin pasioni i hershëm, që nuk u nda deri ditën e fundit, ndërsa gjeologjia, profesioni dhe pasioni që nuk rreshte në biseda.
Inxhinjeri gjeolog i talentuar, Nuredin Skrapari, zgjodhi një jetë të zezë ( të nxirrë nga diktatura) me faqe të bardhë, në vend të një jetë të bardhë, me faqe të zezë.
U nda nga jeta më 1 shkurt 2017, në moshën 73 vjeçare.



















