Sigal

De Gol simpati për Shqipërinë, sepse u kundërvihej Fuqive të Mëdha

 Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Duket se nuk ka qenë aq gri, sa imazhi që përcillej se “Shqipëria po luftonte kundër vendeve kapitaliste e revizioniste”. Madje dhe interesi i shumë vendeve të mëdha për Shqipërinë nuk mund të thuash se ishte i papërfillshëm. Megjithatë ngërçi ekzistonte, përderisa vetëm 70 milje larg nga toka që quhej “Perëndim”, udhëheqja komuniste shqiptare gjente miq disa dete larg, në Kinën aziatike.

Duke iu përshtatur konceptit kohë, mund të themi se vitet ’60-’70 ishin të “arta” për marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Francës. Jo vetëm muzikë popullore dhe filma dokumentarë, por dhe përkthime nga letërsia shqipe do të mbërrinin në dyert e Parisit. Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Telegraf”, Dr. Hasan Luçi, ndalet në marrëdhëniet kulturore Shqipëri-Francë, duke qenë se në kohën e lulëzimit të tyre ai ka qenë i atashuar si diplomat e zbulues, në Ambasadën Shqiptare në Paris.

U mundua politika shqiptare të afrohej me Francën pas prishjes me BS-në?

Unë gjykoj se pas dështimeve tragjike, sidomos të bashkim-vëllazërimit me titistët dhe hrushovianët, Enver Hoxha e projektoi alternativën e radhës për të gjetur një mbështetje politiko-ekonomike për të thyer vështirësitë ekonomike dhe thyer izolimin e detyruar gjatë Luftës së Ftohtë. Franca ishte vendi që nuk i nënshtrohej plotësisht politikës amerikane dhe kishte vështirësi në bashkëpunimin me Gjermaninë dhe Anglinë, ndaj mund të bëhej një vend mbështetës edhe për faktin se Enveri kishte qenë në Francë dhe Shqipëria cilësohej si vend frankofon. Marrëdhëniet midis dy vendeve qenë pothuajse normale, pa ngatërresa të mëdha. Por mendoj se ishte një projekt i sforcuar, sepse Franca për të gjitha arsyet e saj nuk kish si shkëputej nga Aleanca Perëndimore për t’u lidhur me Shqipërinë, në ndonjë farë mënyre politike, pasi Franca ruante, siç bën edhe aktualisht, edhe aleancën me ish-Bashkimin Sovjetik e Rusinë sot. Kjo ishte gjeopolitika e kohës. Megjithëkëtë Franca, sidomos gjenerali De Gol merrte shembull Shqipërinë për qëndrimin ndaj Fuqive të Mëdha, si qëndresë pavarësie kombëtare. Dhe në planin kulturor Franca bëri hapa lehtësimi të marrëdhënieve, ndërsa në planin tregtar ajo vazhdoi kufizimin dhe jo zhvillimin e marrëdhënieve.

Po në fushën e kulturës si u përqendrua puna e Ambasadës?

Detyra jonë kryesore në planin kulturor ishte të bënin të njohur Shqipërinë, megjithëse kishim një bazë materiale të vogël. Por këtë e mbulonim me përpjekjet me miqtë e gazetarët për t’i shfrytëzuar këto materiale, si në revistën “Shqipëria e Re” në frëngjisht dhe buletinin e ATSH-së, të cilin e aktualizonim me lajmet e fundit, pasi na vinte me vonesë, duke e shaptilografuar, që t’i pasqyronin në shtypin e vendit. Ose dërgonim miq në Shqipëri, të cilët pasi ktheheshin shkruanin objektivisht për zhvillimin e vendit tonë, si gazetari e poeti Pjer Paraf dhe shumë miq të shoqatës së miqësisë, në veçanti filozofi Zhylbert Myri, shkrimtari Robert Eskarpit, Iv Leturnër, Abraham Behar etj. Por ajo që e ngriti cilësisht veprimin tonë në Francë qe botimi i romanit të Ismail Kadaresë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.

Në fakt është ndihmuar apo është penguar Kadare nga Shërbimet Sekrete?

Shërbimi ynë diplomatik apo zbulues, nuk i ka rënë në qafë Ismail Kadaresë në asnjë rast. Megjithëse kritika për të kishim, ia bënim shoqërisht. Përkundrazi bënim çmos që veprën e tij ta ngrinim në lartësinë që meritonte si shkrimtar. Në fakt, ai pasi sukses për mënyrën e shtjellimit të romaneve të tij që opinioni i jashtëm i mësuar nga mediat me lajmet e manipuluara për të vërtetën në Shqipëri e quajtën atë një disident, por jo të pastër. Gjuha e romaneve të Kadaresë i pëlqente të huajve për interpretimet që i bënin me hamendjet e tyre dhe që Ismaili sigurisht i kishte të adresuara. Në romanin “Dimri i madh” mua më bëri shumë përshtypje dhe e kam thënë që në ato kohë, pas botimit, se ai krijoi një Enver Hoxhë gjigant, por me këmbë argjili, pasi të gjitha personazhet e tjera nuk janë të vijës së tij dhe në një vend ai sillet me përçmim për një nëpunës, i cili kishte qenë në organet e Sigurimit të Shtetit, ndaj të cilëve Ismaili sillej me alergji. Por Ismaili duhet të jetë mirënjohës në radhë të parë Enver Hoxhës dhe gjithë të tjerëve që e mbështetën, pavarësisht se kishin arsye të kohës për ta penguar.

A pati jehonë kultura shqiptare në një vend të madh si Franca?

Me romanin e Kadaresë, me librin e poezisë shqipe me disa autorë të botuar nga Alen Boske, me përkthyes Mishel Mete, me filmat dokumentarë etj., ne kryem një seri emisionesh në radiot franceze dhe shtypin francez që patën sukses, sepse u përfshinë personalitete si, Zhorzh Godber, artisti i famshëm i komedisë franceze e kinematografisë franceze, Fransua Shomet, etj. Në vitet ’70 u bënë hapa cilësorë sidomos me javën e filmit shqiptar në 6 qytete të mëdha dhe ekspozitën e artit shqiptar në shekuj, në dhjetor 1974-shkurt 1975 si dhe botimet e veprave të Enver Hoxhës, Historisë së Shqipërisë, Historisë së Luftës Nacional Çlirimtare dhe shumë librave me autorë, miq të Francës.

Në vitet ’45-’46, Amerika dhe Anglia tërhoqën diplomatët e tyre nga Shqipëria, po Franca që ishte në të njëjtin bosht…?

Franca nuk mendoi asnjëherë që t’i shkëpuste marrëdhëniet me Shqipërinë për arsyet e saj në Ballkan dhe zotimet që mori Franca dhe Italia pas prishjes së marrëdhënieve me Amerikën, Anglinë etj. Franca dhe Italia do të ishin syri dhe veshi i perëndimit në Shqipëri. Franca, sidomos në vitet ‘60 shkruante shumë për Shqipërinë, por me korrespodentët nga Athina, Beogradi dhe Vjena, ndërsa në fakt artikujt redaktoheshin në zyrat e AFP-së ku kompjuterët regjistronin “non-stop” Radio-Tiranën. Buletini i brendshëm, për zyrtarët ishte i pasur me lajmet nga Shqipëria, ndërsa shtypi dhe televizioni transmetonin vetëm lajmet me interes politik apo sensacional, duke i kushtuar rëndësinë kryesore lajmeve mbi ngjarjet dhe divergjencat ideologjike. Në thelb jepej përmbajtja dhe qëndrimi i vërtetë i PPSH-së në këto divergjenca me Kampin e Lindjes.

Të arratisurit, aleancë me

reaksionin ndërkombëtar

Nën diktatin e spiunazheve armike, menjëherë pas Luftës II Botërore emigracioni reaksionar shqiptar u lidh edhe me organizatat reaksionare ndërkombëtare për të cilat sidomos në vitet ‘50 SHBA-ja krijoi një rrjet të gjërë botëror për mbështetjen e shfrytëzimin e të arratisurve politikë sidomos nga vendet ish demkracive popullore sipas një diferencimi në favor të tyre nga çdo shtet sidomos evropiano-perëndimor. Në këtë fushë CIA luajti rolin kryesor, sepse ajo krijoi në fakt një sërë grupimesh për t’i paraqitur si organizata ndërkombëtare antikomuniste, me të arratisur e të mërguar antikomunistë, për t’ia kundërvënë veprimtarisë së shteteve të ish- demokracive popullore në OKB dhe vendeve të tjera socialiste jashtë saj. Ky rrjet organizatash ishte një mbulesë për stabilizimin e shfrytëzimin e tyre në interes të anglo – amerikanëve e satelitëve të tyre. Gjithë ky rrjet botëror financohej nga SHBA nëpërmjet fondeve zyrtare ose private sipas programit të Departamentit të Shtetit e CIA-s. Nga organizatat e para, ku u përfshinë edhe kriminelët shqiptarë janë disa prej tyre: UNRRA (1943 – 1947), pastaj “Organizata ndërkombëtare për të arratisurit” (IRO) nga 1945 -1951 u dhanë ndihmat e para e statusin të arratisurve. IRO(74) ishte organizatë në duart e CIA-s e SIS-it për spiunazh, por paraqitej si organizatë bamirësie për të arratisurit, ajo kishte detyrë të grumbullonte ata kundër ish- kampit socialist, pohoi E.Çako. Drejtorët e saj kudo merreshin me rekrutimin e spiunëve, me propagandë subversive, komisionet e IRO-s përpilonin listat e spiunëve, diversantëve e të mercenarëve të ndryshëm. Në 1951 IRO u zëvendësua nga Komisariati i Lartë i Refugjatëve të OKB në Gjenevë, i cili në korrik 1951 miratoi konventën mbi statusin e lë arratisurve, e cila në 1967 pati plotësimë për garantimin e të drejtave të tyre. Balli Kombëtar u përfshi në “Inlernacionalen e gjelbër” (agrare) e krijuar në 1947 në Uashington me të mërguar të partive agrare nga demokracitë popullore. Në ‘49 reaksioni shqiptar e tjerë u përfshinë në “Komitetin kombëtar Evropa e lirë”, krijuar nga CIA, i cili u bë organi kryesor për drejtimin e tërë veprimtarisë së këtij reaksioni për manipulimin e tij të gjithanshëm, Në kuadrin e këtij komiteti, sipas deklaratës së Viliamsburgut (SHBA) të 1953 të arratisurit zotoheshin për të zhdukur regjimet komuniste. Ky komitet drejtonte strategjinë e “luftës së ftohtë” amerikane ndaj kampit socialist dhe luftën subversive kundër vendeve lindore. Radioja Evropa e lirë e organizmat e tjera të këtij komiteti morën në punë e aktivizuan në shumë drejtime të arratisurit, përfshi ata shqiptarë. Po kështu bëri edhe Zëri i Amerikës sidomos me qendrat në SHBA, RFGJ, Vjenë, Qipro etj. Në 1954 reaksioni shqiptar u përfshi në “Asamblenë e Kombeve të robëruara” të Evropës Lindore, e cila sipas deklaratës së Filadelfias synonte: “Për çlirimin e Evropës Lindore e Qendrore” dhe ishte një rryp transmesioni antikomunist i Departamentit të Shtetit për 21 organizata me të arratisur e antikomunistë nga ish- demokracitë popullore, të cilat koordinonin veprimtarinë e tyre armiqësore të burrave dhe grave, të rinjve sipas grupimeve përkatëse. Këtu përfaqësohet KSHL i Nju Jorkut, krerët, të cilët zgjidhen sipas rotacionit edhe në kryesinë e saj zhvillojnë propaganda armiqësore në tërë botën si “ambasadorë” sidomos në qendrat përkatëse në Paris, Romë, Bon, Londër, të cilat kanë qenë tepër aktive. Më 17 korrik 1959 Kongresi Amerikan votoi: “rezolutën e 111″, e cila miratoi “javën e kombeve të mërguara”, e cila angazhoi direkt qeverinë amerikane në luftën subversive, e cila vazhdoi deri në përmbysjen e komunizmit në Rusi e vendet e Evropës- Lindore në përshtatje me koniukturën përkatëse kundër Evropës -Lindore. “Komiteti ndërkombëtar i ndihmës” (IRC) merrej me çështjet e stabilizimit të të arratisurve me degët e ndryshme nëpër botë. “Amnistia ndërkombëtare”, “mbroi” të drejtat e njeriut në botë, përfshi të arratisurit, duke bërë propagandë në favor të tyre.

VEPRIMTARIA

Reaksioni shqiptar ishte përfshirë në veprimtarinë e disa organizatave të Vatikanit, të cilat jepnin sistemonin me punë e drejtonin veprimet armiqësore të këtij emigraconi si “Komisioni i ndihmës së Vatikanit”, Aksioni katolik, organizata Caritas e spiunazhit, Qendra e studimeve katolike, Pax Romana, Këshilli Botëror i Kishave etj. “Programi i SHBA për emigracionin” (USEP), Kryqi i Kuq Ndërkombëtar” trajtonin këtë mërgatë politike, L. Zogu mori pjesë në “Lidhjen antikomuniete të vendeve të Azisë” dhe në “Konferencën ndërkombëtare të rrezistencës së vendeve të pushtuara” (CIPRO) krijuar në 1984. Balli agrar ka marrë pjesë në “Ndërkombëtaren e qëndresës”. Gjithashtu reaksioni shqiptar ishite përfshirë në “Bllokun antibolshevik të kombeve” (ABN), i cili quhej shtatmadhoria e të arratisurve të Evropës lindore, ku bëjnë pjesë ish- kuislinget me të kompromentuar me fashistët, në “Ligën botërore antikomuniste”, “Bashkimin për mbrojtjen e popujve të shtypur” etj. Edhe Këshilli i Evropës ka treguar kujdes të veçantë për veprimtarinë antikomuniste të reaksionit nga vendet e demokracive popullore, duke bërë mbledhje, mitingje, memorandume, etj., duke u vënë në disposicion tribunat krimineleve dhe duke i nxitur për veprime subversive, duke i pranuar në gjirin e tij si “organizata jo qeveritare” për kooperimin evropian, ku bënin pjesë KSHL i Nju Jorkut. Një pjesë e të arratisurve u përgatitën në “Kolegjin e Evropës së lirë” në Strusburg (Francë) në vitet ’50 e ’61). Po kështu ky reaksion përfshihej në “Bashkimin e evropian e fedaralist”, në “Këshillin evropian për lirinë” etj. Lidhja kosovare bënte pjesë në “Bashkimin federalist të pakicave evropiane”. Balli agrar kish vendosur lidhje edhe me Partinë Fshatare Kroate në mërgim, kurse Lidhja kosovare me “organizatën e kroatëve të lirë” në SHBA e “Këshillin kroat kombëtar” etj. Legaliteti pati vendosur lidhje me parti monarkiste evropiane e aziatike, kuvendin e përfaqësuesve të partive monarkiste evropiane etj., gjithashtu reaksioni shqiptar ka qenë ose ishte i lidhur me rregjime reaksionare si të shahut të Iranit, me Spanjën frankiste, Afrikën e Jugut, etj. Shkurt, reaksioni shqiptar jashtë u inkuadrua në lëvizjet reaksionare ndërkombëtare e ballkanike për të kryer misionin e tij antikomunist ndaj vendit tonë dhe vendeve të tjera.

BOTIMET NË PARIS

 Javer Malo, si e bëri të njohur Kadarenë

 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka qenë vepra e parë e shkrimtarit Ismail Kadare, me të cilën u bë i njohur në perëndim. Duke iu referuar këtij fakti, Dr.Hasan Luçi kujton: “Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e të tjera më vonë, u botuan në Francë falë punës kryesore të ambasadorit Javer Malo, i cili “peshkoi” rastin me miqtë e tij, duke ditur se do të kishte sukses si për temën, por edhe për përkthimin e bukur të Jusuf Vrionit, megjithëse ai nuk përmendej si përkthyes i romanit. Në këtë ndërmarrje u përfshiva edhe unë dhe e shoqëroja në takimet e punës edhe si përkthyes Ismail Kadarenë, me të cilin ishim njohur në gjimnazin e Gjirokastrës, gjatë katër viteve. Bënim pjesë në një rreth letrar dhe kishim qenë bashkë në aksione lokale dhe kombëtare, si në “Rrugën e Dritës”. Më vjen keq seriozisht që Ismail Kadareja na zhgënjeu me disa qëndrime të tij që s’i përgjigjen të vërtetës së punës së madhe të diplomatëve tanë për përfundimin me sukses të këtij aksioni të madh kombëtar që rrezatoi nga Franca dhe në pjesën tjetër të botës. Më vjen keq, por dua ta them hapur se Ismaili është shkrimtar i madh, megjithëse i kuptuar në mënyra të ndryshme nga ai që lexon, por me diplomatët shqiptarë, miq të vjetër të tij, nuk u tregua deri sot të paktën mirënjohës për atë ndihmesë qoftë edhe modeste që kanë dhënë, në mënyrë të veçantë Javer Malo. Shfrytëzoj rastin të them se Ismail Kadareja, nuk ka fituar në opinionin shqiptar me ato që thotë për lidhjet e tij me francezë të veçantë dhe me arratisjen tinëzare siç përshkruan shumë skena në romanet e tij. Duke mos dëshmuar traditat fisnike të atdhetarëve shqiptarë. Këto qëndrime të tij mua më duken ‘romane rozë’ dhe sarkazëm ndaj vetes”.

(vijon)

NË NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI

-Intesifikimi kundër Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në e Kinën

-Urdhri për të mos asgjësuar asnjë nga pjestarët e mërgatës antikomuniste

-Cilët ishin pjestarët e papërlyer të mërgatës, që u cilësuan “të gënjyer”