Trocki bëri publike Traktatin e Fshehtë të Londrës, ja si do të coptohej Shqipëria

1615
Nga Spiro Mëhilli
Lev Trocki që dikur ishte shprehur:
“Nuk është e vërtetë që Lenini është vetëm rus, tipik rus. Ai nuk është hero i Carlyleit, shkrimtarit skocez, historian dhe filozof puritan, idealist. as njeriu përfaqësues i Emersonit, Filozofit, shkrimtar, studjues poet amerikan, por shprehja e kundërt e natyrës ruse, ndaj së cilës reagon e gjithë logjika e tij. Lenini është vetëm rus në këtë gjë: që traditat, zakonet, shpirtrat, natyra dhe historia e popullit të tij, justifikojnë elementët thelbësorë të logjikës së tij, sa ata të rusë tëmirëfilltë, po aq edhe ata perëndimorë të mirëfilltë ” 
tani, i doli në mbrojtje atij: 
“Një atmosferë e patolerueshme është krijuar, në të cilën po mbytemi si ju dhe si ne. Ata po i lëshojnë akuza të pista Leninit dhe Zinovievit. Lenini ka luftuar 34 vjet për revolucionin. Unë kam luftuar 20 vjet kundra shtypjes së popullit. Dhe nuk mundemi të ushqejmë një urrejtje për militarizimin gjerman. Unë kam qenë i dënuar për 8 muaj nga një gjykatë gjermane, i burgosur prej luftës që kam shfaqur kundër militarizmit gjerman. Këtë e dinë të gjithë. Asnjëri në këtë sallë s’duhet të thotë që ne jemi mercenarë të Gjermanisë”.
Në 13-14 (26-27) korrik të vitit 1917 u mblodh Komiteti Qendror dhe më 16 (29) korrik konferenca e bolshevikëve të Petrogradit. U zgjodh Komiteti i ri Qendror, ku katër më të votuarit ishin: Lenini, Zinovievi, Kamenievi dhe Trocki. Më 1 (14) gusht 1917 u mblodh Kongresi I i sovjetëve të të gjithë Rusisë. Trocki mbështeti vijën revolucionare të Leninit. Trockistët, pas 14 vitesh opozitë me Leninin, hynë si grup në Partinë Bolshevike, duke deklaruar se janë plotësisht dakort me programin e tyre. Qeveria provizore arrestoi Trockin, Lunaçarskin dhe Kamenievin, kurse Lenini dhe Zinovievi arritën të fshiheshin në Razliv. Svjerdllovi dhe Stalini mbetën personat më të rëndësishëm. 

Pjesëmarrja në kryengritjen e tetorit si president i sovjetit të Petrogradit dhe mbështetja e tij për revolucionin, e çuan Trockin në arrest dhe për të u mor vendimi që të largohej për gjithë jetën. Ai dhe Lunaçarski u burgosën tek “Kryqet”, burg në Sank Petërburg i ndërtuar në kohën e carëve. Pasi arriti të dilte prej andej, u sistemua në një apartament të vogël dhe më pas shkoi në komitetin e porsa krijuar për mbrojtjen e revolucionit dhe u bë kryetar i Sovjetit të Petrogradit. Trocki, në kundërshtim me socialistët e moderuar, organizoi një strukturë ushtarake që në teori ishte shpallja e Sovjetit të Petrogradit, por që në fakt ishte ndërtuar nga një bërthamë bolshevike. Komiteti Ushtarak Revolucionar (Milrevkom) i Petrogradit, u ngarkua të vepronte për të marrë pushtetin në bazë të një taktike të revolucionit ushtarak, në antipod të një kryengritjeje popullore ushtarake spontane e anarkike, që do të realizonin bolshevikët. Grushti i shtetit do ishte puç i një partie socialiste kundër partive të tjera socialiste dhe jo më pak kundër qëllimeve të kongresit të sovjetëve.

Një ditë pas “fitores”, në mbledhje të Komitetit Qendror të partisë, Lenini propozoi që Trocki të ishte Kryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit. Ai e kundërshtoi. Atëherë u kërkua që Trocki të drejtonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, por që u kundërshtua përsëri prej tij. Në fund ai u zgjodh Komisar për punët e jashtme dhe u paraqit në Ministrinë e punëve të jashtme që të merrte detyrën. Nëpunësit, që me datë 24 i kishin dorëzuar çelësat, në pritje se çfarë do të ndodhte më tej, nuk pranuan ta njihnin atë si ministër. Pavarësisht nga vështirësitë e para, Këshilli i Komisarëve, miratoi menjëherë dekretin e paqes, por për këtë duhet të bihej dakort me palën kundërshtare. Kështu u nis delegacioni i parë i kryesuar nga anëtari i Komitetit Qendror, Abram I. Loffe dhe që përbëhej nga L. B. Kamenievi e G. J. Sokolnikovi etj. Pas debatesh të shumta u miratua propozimi i anëtarit të Komitetit Qendror sovjetik A. I. Loffe. Pas dy ditë bisedimesh, më 22 nëntor (3 dhjetor) 1917 armëpushimi u shty 10 ditë. Lenini, si më i interesuari për të nënshkruar traktatin, me propozimin që bënë përfaqësuesit e tij, donte të fitonte kohë, pasi e gënjente mendja që në Gjermaninë e lodhur nga lufta do të ngrihej proletariati të shpërthente revolucionin. Në këtë mënyrë ai do të dilte jo vetëm i larë, por dhe i fituar. Ditët kalonin të qeta në front, por plot telashe në vend. Qeveria Sovjetike duhej të dërgonte një delegacion të dytë. Më 2(15) dhjetor në Brest, u arrit kompromisi i dytë. Lufta u ndërpre për 28 ditë të tjera, duke filluar nga 4 (17) dhjetori 1917 deri më 1(14) janar 1918, me të drejtë zgjatjeje derisa njëra nga palët nuk do të deklaronte denoncimin e saj me paralajmërim për 6 ditë.

Një revolte nga nxënës oficerë, që ishte vazhdim i thjeshtë i revoltës së 7 nëntorit, u shtyp me egërsinë më të madhe. Trocki në kundërpërgjigje vendosi parimin që për çdo bolshevik të vrarë, do të pushkatoheshin pesë kadetë robër. 

Më 7 (21) janar 1918 në mbledhjen e aktivistëve të partisë, u shfaqën tre pikëpamje: Buharini donte luftë, për të zgjeruar arenën e revolucionit; Lenini kërkonte të bëheshin përpjekje që të zgjateshin bisedimet, por në rast të një ultimatumi të kapitullonte menjëherë; ndërsa Trocki donte që bisedimet të zgjateshin dhe më pas të ndërpriteshin, qoftë dhe para një sulmi të ri gjerman. Në mbledhjen e 21 janarit, (3 shkurtit), Lenini bëri një luftë të tërbuar kundër përkrahësve të luftës revolucionare. Në atë debat mendimesh të kundërta Jakov Svjerdllovi propozoi të hidhej në votë ideja e Leninit, që u përkrah nga Svjerdllovi, Stalini, Sokolnikovi, Smigla dhe Xherxhinski. Nga 13 të pranishëm, 7 votuan kundër. U pranua ideja e Trockit “as luftë, as paqe”. Lenini, duke parë që nuk arriti të siguronte numrin e duhur të votave, tha:

– Mirë! Shokë, mendoj se duhet të veprojmë kështu: paqe mos të nënshkruhet, por edhe luftën ta shmangim. Në këtë mënyrë do luajmë me nervat e gjermanëve. Kur të na japin ultimatumin përfundimtar, duhet të reagojmë.

Më 28 janar (10 shkurt) 1918 në Brest-Litovsk u nis delegacioni i dytë i kryesuar nga Komisari i Popullit për punët e Jashtme Lev Trocki. Në të bënin pjesë: A. A. Loffe, L. B. Kamenievi, M. N. Pokrovski; eserët: A. A. Biçenko dhe V. A. Karelina; këshilltarët ushtarakë: V. M. Altfatier, A. A. Samoillov dhe V: Minskij; këshilltarët për çështje nacionale: K. B. Radek, P. I. Stucki, S. Bobinskij dhe V. Miçkiavikus-Kapsukas dhe në rolin e sekretarit, L. M. Karahan. Ata shkuan me synimin që me çdo kusht të shtynin nënshkrimin e traktatit të paqes. Rusia sovjetike duhet të krijonte besim të palëkundur në punëtorët e Europës se shteti i parë që sapo kishte lindur, ai i klasave të shtypura, i klasës punëtore në aleancë me atë fshatare, duhej të mbrohej. Evropa duhej të çohej në këmbë për të ndërprerë luftën gjakatare që po rrëmbente miliona njerëz. Në tavolinë, para 60 vetave, ku 40 i përkisnin palës fituese dhe që qëndronin në pritje, Trocki tha:

– Zotërinj, qeveria ime më ka autorizuar të propozoj ndërprerjen e veprimeve luftarake. Ne do të dalim nga lufta.
– Me një fjalë do ta nënshkruani traktatin? – pyeti i shqetësuar Maks Hofmani.
– Jo, gjeneral. Ne do fillojmë çmobilizimin e ushtrisë. Marrëveshjen për paqe nuk do ta nënshkruajmë.
– Atëherë do vazhdojmë të luftojmë?
– Ne nuk do të sjellim ushtarë të rinj në front.
– Kjo nuk ka kuptim, “as luftë, as paqe”, çfarë atëherë?

Fon Kulmani qëndronte gjithë kohën i xhindosur. Ai mbante në xhep letrën ultimative të Vilhelmit II. Rusisë i kërkohej që të njihte autonominë e të gjithë vendeve që kishin pushtuar gjermanët si dhe të jepte dëmshpërblim në të holla. Refuzimi nga ana e Trockit ishte i papritur. Durimi ishte sosur.
Më 11(24) shkurt 1918, në Komitetin Qendror Ekzekutiv Gjithërus, pas referatit të Trockit, Svjerdllovi paraqiti rezolutën: 
“Rruga për të dalë nga gjendja e krijuar, që u gjet nga delegacioni ynë, ishte e vetmja rrugë e drejtë”;
dhe më 14 (27) shkurt 1918 në vijim të rezolutës tha: 
“Pasi dëgjoi dhe diskutoi referatin e delegacionit tonë të paqes, Komiteti Qendror Ekzekutiv Gjithërus miratoi plotësisht mënyrën e veprimit të përfaqësuesve të vet, në Brest”.
Më 17 shkurt 1918 Lenini paraqiti pyetjen paraprake: 
“Në qoftë se ne do të kemi në dorë faktin e sulmit gjerman dhe në Gjermani nuk do të bëhet ndonjë kryengritje revolucionare, a duhet ta nënshkruajmë paqen?”
Mëngjesin e 18 shkurtit u mblodh Komiteti Qendror i Partisë Bolshevike, ku Lenini nguli këmbë që gjermanëve t’u dërgohej një telegram për miratimin e paqes, gjë që u refuzua, por në mbrëmje, i detyruar, ai dërgoi në emër të Këshillit të Komisarëve të Popullit radiogramin ku pranonte të firmosnin paqen. Gjermanët, me sa duket, e kishin vendosur dhe po atë ditë, me 30 divizione sulmuan në të gjithë vijën e frontit, nga Balltiku në Detin e Zi. Operacioni filloi nga Dvinsku, 640 km larg Petrogradit. Pesëmbëdhjetë divizione kaluan vijën e mbrojtjes Pskov-Narv dhe iu drejtuan kryeqytetit. Trupat ruse u tërhoqën në drejtim të Gatçinas. Gjermanët pushtuan territore të mëdha. Brenda një kohe të shkurtër në duart e tyre ndodheshin 698.000 km2 territor me 32 milionë banorë dhe me rezerva armatimi, municioni e veshmbathjeje, që kapnin shumën 2 miliardë rubla floriri. 

Në zyrën e Leninit në katin e tretë u mblodh urgjent Komiteti Qendror i përbërë nga 13 veta.

– Shokë, – tha ai, – Hofmani e filloi sulmin. Tani është radha jonë! Duhet të kundërpërgjigjemi sa nuk është vonë. Nuk duhet të rrimë duarkryq e të presim që ata të futen në kryeqytet. Po jua them për herë të fundit: paqen duhet ta nënshkruajmë me çdo kusht, sado e rëndë që të jetë! E kuptoni ju që ushtria jonë pothuajse nuk ekziston? Ushtarët dezertojnë në masë. E kuptoni që po na rrëshqet pushteti nga duart? E kuptoni që jemi futur në rrugë pa krye? Çdo ditë humbasim vagona. Transportet tona po përkeqësohen. Përmbysja e revolucionit është e pashmangshme, në qoftë se vazhdojmë akoma me politikën e kompromisit. Nuk bëhet shaka me luftën. Ja, për këtë arsye dua të mbështes tezën për paqe. Vëllezër, unë do jap kushtrimin: “Atdheu socialist në rrezik. Rrëmbeni armët!”, dhe populli të vendosë! 

Me 21 shkurt 1918, Lenini, duke u ndodhur në udhëkryq, në emër të Këshillit të Komisarëve të Popullit, më së fundi, lëshoi për herë të dytë kushtrimin “Atdheu socialist në rrezik” dhe menjëherë u krijua bërthama e Ushtrisë së Kuqe. Me mijëra ishin punëtorët që u derdhën rrugëve të Petrogradit në drejtim të Smolnit. Ata shkuan e morën pushkë, mitralozë e fishekë dhe të inkuadruar në reparte morën rrugën drejt Narvës e shkuan të përgjakeshin me trupat gjermane. Në krye printe Lev Trocki. 

Dy ditë luftë për jetë a vdekje. Gjermanët u thyen në vijën Pskov-Narvë dhe dita e 23 shkurtit mbeti dita e lindjes së Ushtrisë Kuqe. Gjermanët filluan të tërhiqeshin, por ata kishin pushtuar Ukrainën. Lundendorfi qëndronte krenar në Kiev. Lenini në Smolni priste e përcillte kuadro, punëtorë, ushtarë, fshatarë e marinarë. Lëshonte direktiva. I kishte mbetur i bllokuar nënshkrimi i traktatit të paqes. Ai ishte qëllimi i tij final, por që nuk po e realizonte. 

“Le ta dinë të gjithë se kushdo që është kundër paqes së menjëhershme, qoftë kjo shumë e rëndë, e shtyn pushtetin sovjetik drejt greminës”.
Më 6-8 mars 1918 në Petrograd u hap Kongresi i VII i jashtëzakonshëm i partisë, ku Lenini raportoi mbi paqen e Brest-Litovskit dhe luftën kundër vijës së Trockit dhe të Buharinit. Sipas propozimit të tij, në kongres partia u quajt Partia Komuniste (Bolshevike) e Rusisë. Më 10 mars 1918, Lenini u largua nga Petrogradi dhe më 11 mars arriti në Moskë së bashku me qeverinë, në qytetin 762 -vjeçar, sipas vendimit të marrë më 9 janar 1918, dhe më 12 mars u shpall kryeqytet i Rusisë, duke mohuar propozimin e qeverisë së përkohshme për Moskën kryeqytet. 

Sipas Trockit, Petrogradi ishte qytet, ndërsa Moska një fshat i madh; Petrogradi administrativo-ushtarak, Moska feudalo-tregtare; Petrogradi një qytet europian pavetësor, egoist, truri burokratik i vendit; kurse Moska-Rusi e vërtetë sllavofile, që i jepte bukë, kripë e zemër Rusisë. Në rrethanat që lindën, Moska u bë tekstiliste, kurse Petrogradi metalpunues. 

Më 13 mars 1918, Trocki u largua nga posti i Komisar për Punët e Jashtme dhe u caktua Komisar i Popullit për Mbrojtjen dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, që sapo ishte krijuar me kërkesën e tij “Ushtria e Kuqe”.

Gjatë kohës që ishte në krye të diplomacisë ruse, ai zbuloi dhe bëri publike Traktatin e Fshehtë të Londrës, nënshkruar në prill të vitit 1915 midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë cariste, për coptimin e Shqipërisë. Sipas traktatit Italisë do t’i jepej Vlora dhe Sazani; Greqisë, Korça dhe Gjirokastra; Serbisë e Malit të Zi, Shkodra e Kosova; ndërsa Shqipëria do të shndërrohej në një principatë myslimane me territoret e mbetura. Synimi i traktatit ishte që ta fuste Italinë në luftë kundër Austro-Hungarisë.

Më 15 mars në Moskë u mblodh Konferenca IV e Jashtëzakonshme e Sovjetëve të Rusisë, ku Lenini paraqiti tezat e kushteve të paqes separative dhe aneksioniste. Dy ditë rresht u diskutua për ratifikimin e traktatit të paqes. Lenini, tepër i shqetësuar, ndoshta sa asnjëherë tjetër, u çua, hodhi vështrimin në shekuj, u kthye, i ra tavolinës me grusht, fërkoi kokën tullace dhe tha: 

“Shokë! Në kushtet e tmerrshme në të cilat ndodhet sot Rusia, ne nuk mund t’u bëjmë ballë sulmeve të gjermanëve, prandaj për të shpëtuar revolucionin duhet të pranojmë pa hezituar kushtet e paqes. Jemi të izoluar dhe rreziku na kanoset nga të gjitha anët. E përsëris për të fundit herë, o paqe, ose unë nuk do jem më Komisar i Popullit. Do jap dorëheqjen”. 
Trocki u hodh nga ana e Leninit dhe me 7 vota pro e 6 kundër, u arrit qëllimi final. Rusia linte Ukrainën, Krimenë, Poloninë, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, duke u dhënë atyre pavarësinë. Transkaukazi i jepej Turqisë. Ajo humbiste 26% të popullatës së saj (rreth 32 milionë banorë), 27% sipërfaqe të tokës së punueshme, 32% të prodhimit të drithrave, 26% të sistemit hekurudhor, 33% të industrisë prodhuese, 73% të rezervave të hekurit, 75% të minierave të qymyrgurit dhe çerekun e prodhimit të naftës. Veç këtyre, Qeveria Ruse duhej t’i paguante Gjermanisë 1.5 miliardë dollarë para të thata në dorë dhe një miliard në vlera materiale. Në bazë të planit të paqes, Rusia duhej t’i dorëzonte shtatmadhorisë gjermane flotën e Detit të Zi. Ajo ishte një goditje e rëndë. Prekej krenaria kombëtare. Lenini në Novorosisk dërgoi përfaqësuesin e qeverisë, Verhamejevin, me porosi zyrtare që flota e Detit të Zi të shkonte në Sevastopol dhe t’u dorëzohej gjermanëve, dhe me porosi gojore që flota të dilte nga porti i Novorosiskut dhe të mbytej. Sipas urdhërit, një pjesë e anijeve me në krye korracatën “Valia” u dorëzuan në Sevastopol, kurse korracata “Svobodnaja Rasia” dhe pjesa tjetër e anijeve u mbytën. Këto ishin kushtet e paqes që Rusisë i kushtuan mjaft shtrenjtë. 

Gjatë 5 muajve Gjermania i mori Rusisë një milion ton grurë, 500.000 ton bagëti, 4.000.000 kokrra veze, li, kërp, metal morgani etj.

Kongresi IV i Jashtëzakonshëm Panrus ratifikoi paqen me gjermanët. Zinovievi u emërua kryetar i sovjetit të Petrogradit, ndërsa Kamenievi i Moskës. 

Në këtë kohë, Natali Sedova, e shoqja e Trockit, u emërua në Komisariatin e Popullit për Arsimin, si drejtore e muzeumeve dhe përmendoreve të kohës së vjetër, me detyrën që të kujdesej për t’i ruajtur ato në kushtet e Luftës Civile.
Sigal