Skënder MALINDI*/ Si refuzuam ne studentët nga Shqipëria 75 vite më parë në Romë betimin fashist

1090
Sigal

Akti atdhetar i djemve shqiptarë në kupolën e fashizmit bëri bujë. Për këtë, ata përfunduan në kampet e internimit

Kujtimet për të cilat do të shkruaj, nuk janë objekt i historisë akademike, e cila merret me fakte, data dhe shifra që shpesh nuk japin asgjë nga “shpirti i ngjarjeve”. Këto kujtime janë përjetime personale, pjesë e asaj historie njerëzore dhe e dramave individuale, pa të cilat, kronika e ngjarjeve humbet etikën dhe dimensionin human të saj. Lajmin që Italia fashiste do të okuponte Shqipërinë, ne, studentët ushtarakë shqiptar në Itali, e dëgjuam nga informacioni që dha një radio-stacion francez. Të gjithë ne menduam, që në atdhe do të kishte revolta dhe luftime të ashpra për të mos lejuar zbarkimin e pushtuesve dhe kjo na pezmatonte për pamundësinë që dhe ne të jepnim kontributin tonë. Më 7 Prill, u dha lajmi nga propaganda italiane për zbarkimin e trupave të ushtrisë në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Invazioni fashist, ishte kryer pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ushtria shqiptare dhe po marshohej për të pushtuar qytetet kryesore të vendit. Të gjithë mbetëm të habitur nga një lajm i tillë. Më vonë, u informuam, që  populli si dhe ushtria, kishin kërkuar të organizoheshin për një rezistencë të vendosur kundër okupatorëve, gjë e cila nuk u realizua kurrë. Mbreti Zog, nuk iu përgjigj këtij reagimi patriotik duke u mjaftuar në angazhimin e majorit të xhandarmerisë Abaz Kupi, i cili arriti të bënte vetëm një rezistence simbolike. Duhet nënvizuar, që me gjithë trimërinë dhe inteligjencën natyrale të Abazit, atij i mungonte arsimi ushtarak për drejtimin e situatave të tilla madhore. Po ti shtojmë kësaj dhe faktin për mjetet dhe formacionet e pakta që dispononte, d.m.th., 150 xhandarë dhe 200 civilë, nuk është çudi, që e gjithë kjo iniciativë gjysmake, ishte një fiasko ushtarake. Në qoftë se idesë së rezistencës kundër pushtuesit, do t’ i jepej karakteri i një lëvizjeje mbarë popullore, sigurisht që pjesëmarrja do të ishte masive dhe për pasojë do ngrihej lart patriotizmi, lavdia dhe respekti jo vetëm për popullin shqiptar, por dhe mbretin Zog, duke ngritur prestigjin tonë në Ballkan dhe Europë. Mbas pushtimit të Shqipërisë, fashistët italianë u përpoqën t’ i japin okupimit pamjen e një ndërhyrjeje miqësore, për të shpëtuar shqiptarët nga diktatura zogiste si dhe për të ngritur nivelin e mjeruar ekonomik të vendit. Sikur të mos mjaftonte kjo, më 12 Prill 1939, kryeministri fashist Shefqet Verlaci, së bashku me të ashtuquajturën pari shqiptare të asaj kohe, shkuan në Romë dhe i dorëzuan kurorën e Skënderbeut, Viktor Emanuelit të III-të, duke e shpallur kështu, mbret të Shqipërisë. Kjo ishte tradhtia më e lartë në historinë e Shqipërisë. Mbas këtij akti të ulët, u dërgua në Romë një repart ushtarak shqiptarësh, të veshur me kostume kombëtare, të cilët do të inkuadroheshin në gardën mbretërore të Viktor Emanuelit. Natyrisht që, të tëra këto, ishin pjese e një strategjie që synonte të kamuflohej karakteri i vërtetë i pranisë së fashistëve në Shqipëri. Një “dhimbje koke” për italianët, ishin dhe studentët shqiptarë, që studionin në shkollat ushtarake të Romës, Napolit dhe Milanos dhe ata që studionin në akademitë ushtarake të Modenës dhe Torinos, rreth 300 veta. Për këtë qëllim, u grumbulluan më 15 Maj në Rome, i gjithë ky kontingjent të rinjsh, për të cilët u bë një pritje madhështore. Kjo synonte uljen e frymës refuzuese dhe krijimin e një atmosfere sa më miqësore. Ky trajtim “special”, u pasua nga një mori aktivitetesh si ekskursione dhe vizita në vende turistike apo muzeume, ndërsa pasditeve bëhej përpunim psikologjik nga pedagogë të specializuar, të cilët në konferencat që zhvilloheshin, trajtonin miqësinë e lashtë ndërmjet dy popujve, si dhe përfitimet ekonomike dhe demokratizimin e jetës që kishte si synim prania e ushtrisë fashiste në Shqipëri. I gjithë ky proces, bëhej i stërholluar duke synuar “vëllazërimin” dhe shmangien e çdo incidenti të mundshëm. Por dhe nga ana e studentëve shqiptarë, ziente një revoltë e pashprehur e cila ushqehej nga agjitacioni antifashist dhe patriotik. Ky insistonte në frymën e urrejtjes kundër okupatorit dhe në mos pranimin e asnjë favori nga regjimi i Romës. Kapiteni Filip Geci, ishte nga më aktivët, por dhe studentët e akademive ushtarake të Torinos dhe Modenës, si Skënder Caci, Spiro Shalesi, Qazim Kapisyzi, Hamit Keci, Xhavit Topciu, Xhemal Punavija etj., nuk pushonin propagandën kundër fashizmit dhe ndezjen e urrejtjes për okupatorin. Mbas një jave përpunimi intensiv, komanda italiane krijoi bindjen që tashmë kontingjenti shqiptar, ishte i gatshëm të integrohej në formacionet fashiste duke bërë dhe ceremoninë e betimit. Mbas udhëzimeve të nevojshme për procedurën përkatëse, dita e betimit u caktua më 22 Maj 1939. Këtij evenimenti i jepej një rëndësi e veçantë ndaj dhe atmosfera duhej të ishte sa më festive. Studentët, të rreshtuar në kazermën kryesore të Romës, në një ceremoni madhështore duhej të jepnin besën ndaj regjimit fashist. Në tribunë zunë vend gjeneralët dhe oficerët e lartë të Ministrisë së Luftës Italiane të veshur me uniformat e paradës. Një gjeneral, mbasi lexoi tekstin e betimit nga tribuna, ngriti lart shpatën nga këllëfi dhe ashtu siç e kërkonte procedura, thirri: “A betoheni ju”?. Në vend të përgjigjes “Betohemi”, pasoi një heshtje e thellë që i befasoi organizatorët.. Gjenerali mbeti i habitur me shpatën lart nga kjo heshtje. Për të zbutur situatën e krijuar, ai tha se këta janë shqiptarë dhe nuk e kanë kuptuar drejt procesin e betimit, prandaj vendosi që pasi të na shpjegojë dhe një herë si duhet vepruar, ta përsërisim edhe një herë tjetër betimin. E përsëriti të dytën herë dhe prapë heshtje varri. Në këtë mënyrë betimi u përbuz plotësisht. Ky qe një akt patriotik i madh me një trimëri të jashtëzakonshme. Ky gjest, në zemër të Imperia Romana-s, ishte një akt trimërie i pashembullt që nderonte jo vetëm studentët, por gjithë popullin shqiptar. Ngjarje të tilla, janë tregues të karakterit, atdhedashurisë, dhe kurajos për të sakrifikuar çdo gjë, për një jetë të lirë, pa të cilën asnjë popull nuk ia vlen të ekzistojë. Ato duhet të jenë si shembuj imitimi dhe përbëjnë faqet më të ndritura të historisë. Italianët, që nuk e prisnin një qëndrim kaq të vendosur dhe refuzues, të alarmuar, filluan hetimin për të gjetur organizatorët kryesorë të këtij sabotimi. Ata arrestuan dhe internuan në ishullin Ventotene, studentët, emrat e të cilëve radhiten sipas fotografisë së bërë në atë kohë. Këta janë heronjtë e Romës, që modestisht, thjeshtësisht, shpëtuan dinjitetin e një populli. Treguan se politikanët e një populli edhe mund të shiten, por kjo në asnjë mënyrë nuk mund të  komprometojë ndërgjegjen e një kombi për derisa ka një rini të tillë.  Presidenti i Republikës së Shqipërisë, mendoi se këtyre trimave duhet t’ i akordojë titullin “Nderi i Kombit”, një gjë, e cila duhej të ishte me kohë.  Kundërshtimi i betimit, ishte preludi i asaj epopeje, që pasoi me luftën partizane. Ajo ishte një luftë që na radhiti në anën e fitimtarëve dhe deçizivë për ekzistencën tonë si popull. Në këtë luftë morën pjesë një numër i madh ish studentësh ushtarakë, të cilët dhanë një kontribut të shkëlqyer në organizimin e reparteve dhe njësive partizane, si dhe drejtimin e tyre në luftë. Nga këta kanë dhënë jetën në fushën e luftës duke drejtuar reparte e njësi partizane si: Reshit Collaku, Skënder Caci, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, Dine Kalenja etj., të cilëve për merita madhore u është akorduar titulli “Hero i Popullit”.  Kontributi i ushtarakëve ka qenë shumë i madh, por Enver Hoxha as i përmendi dhe as i vlerësoi këto kontribute, madje dhe i ka nën vlerësuar. Më vonë shumë prej tyre i eliminoi. Është detyrë e historianëve që meritat e tyre të vlerësohen në historinë e luftës partizane.

*Ish -student në Shkollën Ushtarake në Milano