Shefqet Metani, njeriu që e mori në varr sekretin e cigareve të Enver Hoxhës

2676
Sigal

Llambi KALLCO

DOSSIER/ Zbulohen misteret e cigareve të famshme që prodhoheshin për bllokmenët

Ishte koha kur udhëheqësi pinte cigare pa pushim. 60 ndoshta dhe 80 cigare në ditë. Dhe që organizmi ta përballonte një “dyndje” të tillë nikotine, padyshim duheshin dhe cigare të mira. Për ta bërë të mundur një gjë të tillë, u vu në lëvizje një prej specialistëve më të mirë të prodhimit të cigareve në Shqipëri…

Shefqet Metani i lindur në vitin 1903 dhe i vdekur në vitin 1968 njihet në Durrës si një prej magjistarëve të prodhimit të duhanit, i cili për fat të keq nuk pranoi që t’ia tregonte sekretin asnjë njeriu përfshi dhe familjarëve të tij. Cigaret e prodhuara nga mjeshtri i madh, u parapëlqyen dhe nga Enver Hoxha, i cili urdhëroi që mjeshtri të prodhonte cigare ekstra vetëm për të. Më pas të njëjtën kërkesë pati dhe Mehmet Shehu, madje një cigare speciale u prodhua dhe për njerëzit e bllokut…

Pak histori…

Shefqet Metani, babai i 5 fëmijëve filloi punën në shoqërinë e famshme “Stamles” në vitin 1920 si një punëtor i thjeshtë. Djali i tij Shpëtim Metani duke ju referuar kujtimeve të babait të tij tregon se atëherë e vetmja fabrikë e prodhimit të cigareve në Shqipëri punonte me makineri primitive. Mes specialistëve, të cilët menaxhonin fabrikën e krijuar me aksionet e tregtareve shqiptarë në vitin 1933 vjen dhe një prej mjeshtrave të kohës për prodhimin e duhanit Stephanos Dimitris, i cili mendohet se ka qenë njeriu të cilit në një farë mënyre Shefqet Metani i ka “vjedhur” zanatin. Në pak kohë Shefqeti jo vetëm që arrin të prodhojë cigare të cilësisë së lartë por ia kalon dhe specialistëve të huaj, të cilët tashmë e vendosin Shefqetin si “violinë të parë” për prodhimin e cigareve të kohës të paraluftës. Cigaret e famshme “Diamant Bombe” në kohën e luftës pëlqeheshin si nga partizanët ashtu dhe nga gjermanët. Babë Myslymi,- tregon Shpëtim Metani- ka qenë i çmendur pas cigareve të babait, i cili më ka treguar se disa herë ka udhëtuar drejt Pezës për t’i dërguar cigare Myslym Pezës. Në një prej rrugëve duke u kthyer në Durrës gjermanët marrin informacion për lëvizjet e Shefqetit dhe e kapin duke e vënë në rreshtin e pushkatimit. Një durrsak që punonte pranë gjermanëve, arrin që ta nxjerrë Shefqetin nga rreshti duke i shpëtuar dhe jetën.

Cigaret speciale të Enverit dhe Mehmetit…

Pas çlirimit Shefqet Metani bëhet përgjegjës i Hermanit (vendit, ku harmonizohet dhe i jepet shije cigares), ku që nga dita e parë e punës dhe deri ditën që vdiq ai nuk lejon njeri që të futej brenda në kohën që përgatiste lëngun. Një lëng aromatik mendohet se ka qenë sekreti i cigares së Shefqet Metanit, i cili sipas të birit e përgatiste me një bimë që merrte nga Gjirokastra. Magjia e cigares ishte se dhe pse pa filtër, lëngu aromatik i hiqte shijen e hidhur dhe kryente dhe rolin  filtrit. Më pas falë mjeshtërisë së Shefqet Metanit fillon prodhimi në fabrikë i cigareve “Lux”, “Samsum”, “Partizani” etj.. Në vitin 1957 Enver Hoxha kërkon nga drejtuesit e fabrikës dhe mjeshtri Metani, që të prodhojë një cigare për të. Një cigare ekstra, e cila kishte dallim 2 vija të kuqe në letrën e saj. Siç tregon i biri, prova që do të kalonte babi i tij para se Enveri të pinte cigaret ishte e tmerrshme. Ai duhej të pinte para njeriut të sigurimit në fabrikë 50 cigare një pas një në intervale të shkurtra kohore. Më pas Enver Hoxha nuk do ta ndante nga goja atë cigare, ndonëse në tavolinë mund të kishte cigare të përzgjedhura nga e gjithë bota. Më pas dhe Mehmet Shehu do të bëhej fans i cigareve të Shefqetit, gjë që shoqëruar me prodhimin e një cigare ekstra për Mehmetin, por me 2 vija blu. Me sa duket magjia e cigareve preku dhe Bllokun, pasi në vitin 1958 do të prodhohej dhe cigarja “Partizan” për njerëzit e bllokut. Në vitin 1958, tregon Shpëtimi, Enver Hoxha pas një vizite rastësisht në fabrikën e cigareve kërkon që Shefqeti të shkojë për specializim jashtë, por përgjigjja e Shefqet Metanit e bën Enverin të ndërrojë mendje. “Bullgarët marrin eksperiencë këtu, pse ne të shkojmë jashtë”, -i tha ai Enverit. Me sa duket përgjigjja i erdhi për shtat Enver Hoxhës, i cili nuk insistoi. Në fakt, Shefqeti që i jepte pak si shumë gojës,- tregon Shpëtimi- ka shpëtuar për mrekulli nga ndonjë denoncim për faktin se pak durrsakë kanë qenë spiunë të sigurimit. Në vitet ‘60-të, Shefqet Metanit ju dha urdhri i Klasit të Parë “Naim Frashëri”…

MISTERI

Shefqet Metani e mori sekretin në varr…

Deri në ditën e fundit të jetës së tij Shefqet Metani nuk e tregoi sekretin e cigares magjike, duke e marrë në varr. Kush nuk i ndërhyri që ai ta tregonte, por nuk pranoi. Ndërhyrja e fundit, tregon Shpëtimi ka qenë nga nëna e tij. “Jepja zanatin fëmijëve”, i kish thënë ajo Shefqetit, që në fabrikë kishte punësuar dhe 2 vajzat e tij. “Nuk dua që fëmijët e mi të marrin një zanat që të shkurton jetën”, qe përgjigja e mjeshtrit të prodhimit të cigareve. Bashkë me Shefqetin u shua dhe magjia e një prej cigare të famshme, por jo tradita që do të vazhdonte më pas me marka të tjera cigaresh të fabrikës së Durrësit si: DS, Gent etj..