Vrasja në Kakavijë e ushtarit dhe vizita e mikut të Reiz Maliles

1105
Sigal

Sefer Pasha

– Pikërisht në këtë vend ku jam tani erdhi për vizitë një grek, pasi ishte mik me Reiz Malilen.

-Fshati Koshovicë u nda në dy pjesë, ku ana shqiptare çdo darkë kishte këngë me klarinetë, grekët habiteshin

– Tek kjo zyrë erdhën për vizitë specialistët nga Gjermania, që bën rikonstruksionin modern të ujit “Glina”

– Si roja i grekut në rrethana të paqarta, që nga vendroja hapi zjarr dhe vrau kufitarin Llesh Pal Çupin nga Mirdita

– Makina me kufomën e Llesh Pal Çupit u nis për Gjirokastër, kur 7 ushtarakë grekë të maskuar i dolën përpara makinës dhe u bindën për trupin

-Enver Hoxha komandantit të Kakavijës: Bëtë mirë që nuk hapët zjarr

Ngado që vështroj më shfaqen pamje të një kohe të frikshme. Brezi im nuk e linte as erën që të lëviste e qetë. “Qante” era nëpër telat e klonit. Po si u gjet magjia që u përballua ai rrethim? Pikërisht në këtë vend ku jam tani, erdhi për vizitë një grek. Ishte mik me Reiz Malilen. Ai ishte me origjinë nga fshati Koshovicë i Dropullit të Sipërm. Kur u ndanë, kufijtë Fuqitë e Mëdha fshatin e Koshovicës e ndanë në dy pjesë. Gjysma me Greqinë, dhe gjysma me Shqipërinë. Kur erdhën komunistët,  koshovicasit që mbetën në territorin e Greqisë filluan të çuditeshin. Çdo mbasdite në Shtëpinë e Kulturës, që ishte në mes të fshatit, vlonte kënga dhe vallja deri në mesnatë. Koshovicasit e Greqisë habiteshin. Ata punonin edhe në mërgim. Nuk kishin kohë të këndonin. Kurse vëllezërit e tyre në anën e Shqipërisë, këndonin këngë për “Qirje” Enver Hoxhën. Mbeteshin pa mend,- tregonte vizitori. Kështu ndodhte dhe në Kakavijë. Këngë, valle dhe humor. Altoparlantët i përcllnin meloditë e klarinetës deri në malet e Janinës. Fshatrat e Dropullit i krahsonin me mëhallat e Parisit. Dhe në të vërtetë, Enver Hoxha i mbante mirë dropullitët. Tani ka pleq dhe shtëpi që çdo ditë rrënohen. Natyrisht që u bë më mirë. Zogjtë i ndërrojnë foletë nga Derviçani në Athinë e Amerikë. Po sikur të kishte vazhduar socializmi i them vetes, ç’të mira do të kishin ardhur? Vetëm një të mirë do të kishim.- Nuk do të kishte koronë.

 Sa vëllime mund të shkruaj për ato nëntë vjet?

Shumë. Jo shumë larg prej këtej, babai i Vasil Naçit, Barba Pilua, ka ngritur vilën e tij magjepsëse. Kur Vasil Naçi ishte fëmijë luante me kufitarët. E filloj tregëtinë me çamçakizë dhe sot është milioneri më i madh në Shqipëri. I kam bërë dhe një ese të cilën e botova në gazetë, për një nga librat që kishte botuar. Më mori në telefon dhe më falenderoi. Tani vetëtimthi sytë i hodha nga fshati Glinë, ku Vasil Naçi ka ngritur industrinë e tij. U ngacmova. Tek kjo zyrë erdhën për vizitë specialistët nga Gjermania, që bënë rikonstruksionin modern të gjithë fabrikës. Ata punuan një vit. Brenda zyrës dëgjova prej tyre një detaj që më mbeti në mendje. Përgjegjësi i grupit kishte sjellë nga qeveria gjermane një kërkesë, e cila qe depozituar në ambasadën gjermane në Tiranë. Qeveria gjermane kërkonte që ta blinte fabrikën e ujit të Glinës me gjithë territorin e tokës. Bile këmbëngulnin që të blinin dhe spitalin që qe ngritur për pacientët me probleme, sidomos në veshka. Spitali ishte ngritur atje ku buronte burimi në rrëzë të malit të Buretos. Prej përkthyesit dëgjova se fitimi ishte marramendës. Me ato marka mund të ngrihej një qytet si Saranda. Kërkesa e qeverisë gjermane kishte përfunduar në zyrën e Enver Hoxhës. Dhe ai kishte bërë shënimin: “Shqipëria nuk shet asnjë centimetër tokë. Specialistët gjermanë të marrin hakun e punës dhe të largohen”. Unë në ato vite me këtë shënim të Enver Hoxhës mburresha dhe jepja leksione. Pse vepruam kështu i them vetes me qortim?

E vështroj dhe një herë vijën e kufirit që nuk meret vesh. Për fat në brezin tim, por dhe ata që erdhën pas meje, nuk u njollosën në ndonjë krim. Ishte e shpjegushme. Në vijën e kufirit, ku tani është porta kryesore, atëherë të krijohej përshtypja se ishin hundë më hundë dy ushtri. Ndezja e fitilit e kthente në gërmadhë gjithçka. Ata që tentonin që të arratiseshin përplaseshin me kufitarët në male. Por rreth njëzetë metra nga vendi ku unë po mbledh copëza kujtimesh, ka ndodhur një tragjedi, të cilën unë nuk e kam shkruar sinqerisht siç ka ngjarë. E kam zbukuruar të vërtetën.

Roja i grekut në rrethana të paqarta, që nga vendroja, hapi zjarr dhe vrau kufitarin Llesh Pal Çupin nga Mirdita.

Është shkruar për këtë. Por unë në këtë shkrim do të them për herë të parë se forcat e kufirit shqiptar në Kakavijë, në rastin në fjalë, u poshtëruan nga ato të grekut. Pas vrasjes, trupi i Llesh Pal Çupit u mbajt në një nga dhomat e tunelit. Nga Ministria e Brendshme erdhi kuadri me përvojë që kishte mbaruar Akademinë “Frunxe” në Moskë për kufirin, Jaup Dabulla. Meqenëse ishte gjendje lufte, Jaup Dabulla nuk mori ndonjë ambulancë nga spitali i Gjirokastrës. Por në të gdhirë, kufomën e Llesh Pal Çupit, e hipi në një makinë të zbuluar. Mbi karroceri vendosi një oficer dhe dy kufitarë. Komandanti i postës kufitare qëndroi në kabinë me shoferin Jorgo Thano nga fshati Frashtan i Dropullit. Njësitet e kufirit ishin pozicionuar për luftë afër vijës së kufirit. Veprohej vetëm me urdhër të kolonelit Jaup Dabulla. Makina me kufomën e Llesh Pal Çupit u nis në xhaden e vjetër. Ishte e vetmja rrugë. Kur nuk pritej ndodhi e pabesueshmja. Aty ku vija e kufirit nga xhadja nuk ishte as 15 metra, erdhën fluturimthi  shtatë ushtarakë grekë të maskuar. Ata i dolën përpara makinës. I drejtuan armët. Hipën në karroceri dhe e zbuluan kufomën e Llesh Pal Çupit. Jaup Dabulla që po e shikonte skenën e tragjedisë, urdhëron në radio që të mos hapej zjarr. Dhe ushtarakët grekë, kur u bindën se kufitari shqiptar ishte i vdekur, u kthyen dhe e kapërcyen vijën e kufirit pa “çak e pa bamb”. Shoferi Jorgo Thanua ma ka shpjegur me qindra herë se për të e kufitarët, nuk kishte turp më të madh. “Sikur na hodhën një kovë me m.. në kokë” -thoshte ai. Por siç tregohej, Enver Hoxha pas marjes së informacionit, për atë që ndodhi e vlerësoi vendimin e marë nga Jaup Dabulla. Jemi në vitet ‘60 – të dhe kufitarët nuk kishin shumë formim. Vepronin dhe me kanun. Vrasja e Llesh Pal Çupit dhe fyerja që ju bë nga grekërit trupit të tij u prit me indinjatë nga kufitarët që ishin nga veriu. Gjatë nëntë vjetëve në të njejtin vend, dhe njëzetë vjet piramidë më piramidë, e pata dëgjuar me qindra herë atë që tirej gojë më gojë nga brezat e kufitarëve. Thuhej se natën që e mbaruan shërbimin ushtarak, dy kufitarë nga Mirdita u futën në territorin grek, dhe në lumin e Drinos morën hak duke mbytur në lum një nënoficer grek. Po a është kjo e vërtetë? Askush nuk e di. Mundet të jetë një gjë e krijuar. Zbuluesit tanë që hynin- delnin në Greqi nëpër male, e kanë mohuar këtë variant. Gjithësesi në vendrojet e kufirit të Kakvijës, flitej për marjen e hakës për vrasjen e vëllait të tyre Llesh Pal Çupit. Kjo novelë e gjatë u mbyll në vitet nëntëdhjetë kur ndodhi përmbysja e madhe.

Në kujtimet që botova kohë më parë, ish kolegët më qortonin se në to nuk kisha hedhur asnjë grimcë humori. Dhe kishin të drejtë. Në këtë shkrim po rradhis ndonjë skeç të jetuar. Sefedin Hasanin e kisha koleg. Ai guxoi dhe i tha Feçorr Shehut , se ishte i pa qethur dhe ai e shkarkoi si komandant të kufirit në Pogradec dhe pruri në Kakavijë. Sefedini nga Lumi i Vlorës, ishte njeri kryengritës dhe nuk besonte se do të triumfonte socializmi. Kur e shikonte një padrejtësi e kishte në majë të hundës shprehjen “Ka dhjerë xhai në pllakë!”. Mua më ironizonte se i kushtoja kujdes shkëlqimit të jashtëm. -“Vritesh me Seferin u thoshte atyre të ministrisë, po qe se togëzat dhe ylli i kapeleve të kufitarëve nuk janë të pastruara me xhel”. Kur e pyesnin se ku ndodhet  “shefi”,  ai me ironi u thoshte “se po u tregon vizitorëve për Odisenë e Greqisë”. Sefedini u thosh vartësve: “Mos u merni me Odisenë e Seferit. Qendrat e zjarrit duhen pastruar. Mitralozët kanë zënë ndryshk. Në të gjithë strehimin ka llucë. Topat dhe mortajat duhen vajisur. Kur t’ia bëjë “bamb”, çdo na duhet Odiseja i Greqisë”. Në zyrën time gjeje foto të Marksit dhe të klasikëve të tjerë. Po dhe të Byrosë Politike. Gjeje gjithashtu flamur, banderola, parrula të shkruara, llampa ndriçuse, bojëra për llustrim e parfume, për të dalë sa më i paraqitshëm, sidomos përpara rojes greke, i cili më rrinte si një shpatë përpara fytyrës. Sefedin Hasani kur erdhi nga Pogradeci e mori një zyrë. Qysh në ditët e para e mbushi me armë. Në mure, në dritare, në tavolina e në dysheme. E vendosi dhe një foto të Enver Hoxhës sipas urdhërit. Por Komandant Enveri i rrethuar nga armët i dukej Sefedinit si një i dënuar përpara skuadrës së pushkatimit. E hoqi dhe nuk vendosi tjetër. Në të gjithë strehimin e fortifikuar ishin bunkerët, ku ishin pozicionuar armët. Dhe Sefedini merrej me grastimet e me luftën kundër ndryshkut. Ditë për ditë i vajiste armët. Bënte prova për funksionimin e tyre. Sa herë që binte shi, frynte erë, apo mbërrinte  mjegulla e Qafës së Muzinës, ai i merte masat që të pastronte “mushkritë” e mitralozëve dhe të topave. Në çdo çast vinte era graso, ose barut. Rastësisht u takua në tunelin e katit të parë me Haki Toskën dhe kur shtrënguan duart, dora e Haki Toskës u nxi nga lënda e grasos. Mjeku i Haki Toskës u nxi në fytyrë. Mezi ja shplanë dorën Ministrit të Financave. Sefedin Hasanit nuk iu bë vonë fare. Për mua tha ai ka rëndësi që “orkestra” e mitralozëve t’ja thotë cylës dyjare. Kur patrulla greke qëlloi flamurin tonë në shtizë, me fishekë gjurmëlënës dhe palët morën flakë, Sefedin Hasani u ngjit si zhgabua dhe e shpëtoi flamurin, dhe si të qe ndonjë profet më tha mua: “Flamuri ynë u gjuajt me plumba nga të uzinës së armëve të Venizellos që ndodhet në Kretë”. Unë çoç thashë. Atij nuk i pëlqeu dhe filloi të bënte humor. Unë u tregoja kufitarëve këngën e mbretit të Greqisë, i cili qe martuar me të bijën e Carit të Rusisë: – /Jorgo dhëndërr i Rusisë/ /S’ke parë djemtë e Shqipërisë/ / Heqin pullat e jelekut/ /Dhe ja vënë plumba dyfekut/. “Nuk mbrohet kufiri me pulla jeleku e plumba dyfeku” -qesëndiste Sefedini. Por kur ai ishte në orë të mira, unë i thoja se për se fliste kundër meje pas krahëve?. Dhe ai që nuk qeshte kollaj thoshte: – “Ka dhjerë xhai në pllakë”! Nuk e kishte haberin fare se bëhej fjalë për poetin grek Odyseys Elitis, dhe jo për Odiseun e Itakës. Por në Kakavijë, Sefedin Hasani do të mbahet mend për një thënie që qarkullon edhe sot e kësaj dite. Pritej të vinte Mehmet Shehu dhe Sefedini kishte një muaj që po pastronte e rregullonte. Vazhdimisht kishte urdhëra e porosi. I fundit e merr  në telefon sekretari i partisë i rrethit. Ai thotë:  -“A i ke sherbetosur muret me gëlqere se po vjen Ismail Skeja nga Tirana për t’i verifikuar”. Dhe Sefedini i shtirë në krevat i përgjigjet: – “Unë nuk luaj më nga krevati. Jo, Ismail Skeja të vij,  por vetë Ismail Qemali i hipur në kalë të bardhë”.  E mori vesh Kadri Hazbiu.

Sikur e kam përpara syve Sefedin Hasanin, i cili e hapte hartën topografike tek betoni i frëngjisë dhe më thoshte mua me emocion:  -“Me të kaluar tanku i parë grek tek porta me tel me gjëmba, unë me antitank do ta hedh në erë. Dhe sipas planit do ta bëj hi postën kufitare greke, që ata të ç’orientohen. Prej këtej do ta godas me predha repartin artmitralier me qendër në Mavopull. Me kufjet e radios në vesh e me antitank në dorë, do ta vë në djeni Enver Hoxhën se: – “Filloi agresioni!”. Ti e di, më thosh mua, që unë e kam kodin e Komandantit të Përgjithshëm. Unë e miratoja me kokë. Kisha dëgjuar se Sefedin Hasani kishte folur në një fraksion të minutës me Enver Hoxhën. Ai vet heshtëte. Por kur unë e kundërshtoja për ndonjë detaj, ai revoltohej, e ulte atë syrin e majtë që e kish me difekt, dhe ma thoshte me zë të lartë: – “Ishalla je këtu. Po ke për ta parë ti megjithë atë Odisenë e Greqisë e me cikllopin e tij”. Nuk bëhet fjalë për Odisenë e Itakës i kthehesha, por për poetin e madh grek Odyseys Elitis. Të gjithë Odisetë njëlloj janë,- i binte shkurt ai. Dhe hiqte vija blu në hartë. Ngjyra blu ishte shënja në hartën topografike që përcaktonte armiqtë.

E kam takuar me fillimin e proceseve demkratike përpara Gardës së Repubikës ku shërbente. Po kalonin protestuesit duke qëlluar me gur përpara Akademisë  së Arteve. Sefedin Hasani më tha – “Këta na i prure ti Sefer me atë Odisenë tënd të Greqisë”.

Situatat qenë të tensionuara dhe për çudi në mes të vranësirës së përplasjeve me grekërit brryl më brryl, trupat e kufirit ngazëlleheshin me humorin që buiste, kur në malin e Mavropullit kishte vetëm re të zeza.

Thoma Thanati ishte kapter i ekonomisë. I ikën lopa që ishte për të pjellë dhe futet në tokën greke, ku kishte lukuni me ujqër. Shefi Thimjo Gjoni e nxjer në lirim. Por kur Thoma Thanati po dorëzonte pistoletën, lopa pëllet në oborr, tek lapidari i Llesh Pal Çupit. Lopa ishte me dy viça të njomë.

Kur unë dashuroja Vangon në livadhin pas vendrojes greke, kufitarët bënë një gropë. E mbuluan me fier dhe anash vunë mollë, misra dhe ftonj. Aty vinte një derr i egër. Unë doja të gostisja Vangon në një takim që kisha në Gjirokastër. Kur në mëngjes kufitarët e kontrolluan gropën, panë që aty kishte rënë mushka e postës.

Të nesërmen e vrasjes së Mehmet Shehut, grekërit nxorën flamurin e bardhë dhe kërkuan takim. Dolëm tek porta me tela. Nga Gjirokastra erdhi urgjent shefi im Demir Kalemi. Kur grekërit na ngushëllun për vetëvrasjen e Kryeministrit, Demiri u bë gur. Nuk tha asnjë fjalë. Ne nuk e dinim që Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Unë e qortova që nuk u tha kolonelëve grek asgjë. “Nuk kisha gjë të shkruar në bllok” tha ai. “Unë them ato që i kam marë me shkrim nga Ministria. Të ikën koka si qepë Bularati po të shtosh një presje”.

Oficeri Paskal Kapino nga Himara dashuronte ekonomisten në Jergucat. Kishte lënë takim. I porosit kufitarët që t’i mblidhin tufa me lule. Dhe ata i sollën disa vandakë. Paskali ngarkon kalin dhe i del përpa ekonomistes. Ajo çmendet. Përpara kishte një kal me lule. U mblodh i gjithë fshati Jergucat.

Kishte të dhëna se “Asfalia” greke do të hidhte në erë lapidarin kushtuar Llesh Pal Çupit. Një oficer i Drejtorisë së Zbulimit që përthithte të dhëna po piqte një gjel deti në kuzhinën e ushtarve. Befasisht mbërrin në oborr,  Drejtori i Zbulimit,  Perlat Çaushi. Oficeri i zbulimit e mer gjelin me gjithë tavë dhe hidhet nga muri rrethues. Por ai nuk e dinte dhe ra në një aparat sinjalizues të lidhur me klonin. U dha alarmi. Oficeri nga frika e hodhi gjelin me gjithë tavë rrëzë  një dushku. Kur drejtori iku, mezi e gjetëm gjelin të ngjyer me pleh dhe fleta dushku. Mezi e pastruam dhe pimë raki deri në orët e vona. Për shkak të rrethanve edhe humori ishte i veçantë. Ishim në gjendje lufte. Unë kisha bërë historikun e kufirit të Gjirokastrës dhe numëroheshin 37 kufitarë  të vrarë dhe disa viktima nga banorët.

Nga takimet e pakta zyrtare që bënim me palën greke në bazë të marrëveshjes mora prej tyre vetëm një tregim. Kolonelët grekë qenë të zymtë. Por në një takim, një nga kolonelët tha një gjë që më mbeti në mendje. Babai i tij kishte qenë ekonomist në një fabrikë bulmeti në Janinë. Kapitalin e kishte vënë në mërgim ati i tij. Por siç tregoi koloneli, babai i tij nuk rrinte në punë. Shkonte nëpër buzuqe dhe dhrahmitë i bënte rrush e kumbulla. Prej këtij horrllëku babai i vdiq nga marazi. Ati im,  babai im, që është gjallë, paguan në spitalin “Haxhi Kosta” dhe e sharron njërën këmbë, që të mos bridhte më nëpër buzuqe. Në pjesën e këmbës që preu montoi një tjetër prej druri. Qysh atëherë e disiplinoi veten dhe i shumfishoi kapitalet që i kishte lënë babai. Unë u bëra ushtarak se e kam pasion. Nuk e njoh vlerën e lekut, e mbylli tregimin koloneli grek

I hedh sytë tek porta ku me maska lëviz lumi i qytetarëve. Në rininë time bëhej një lëvizje në muaj e ndonjëherë dhe në tre muaj. Hija e çatisë së shtëpisë së kakaviotit e kalonte vijën e kufirit. Ndonjë kakaviot kur nxirte vizë i duhej t’i binte nga Kapshtica e Korçës. Një mësues për të vajtur në Mavropull,  kishte bërë dy ditë udhë nëpër Greqi. Ndërsa nga Kakavija për të shkuar në fshatin fqinj i duheshin njëzetë minuta.