Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Hito Çako, një prej yjeve të shquara të gjeneralit

972
Progonati, Kurveleshi dhe Labëria kanë qenë çerdhe të luftërave për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar. Çetat atdhetare të kësaj krahine zënë fill që nga koha e Tanzimatit e më parë. Progonati, ku lindi më 2.3.1923 Hito Çako e ku kaloi vitet e fëmijërisë ishte një vatër e shquar atdhetare. Arsimin fillor e kreu gjatë viteve 1931-1933 në vendlindje dhe në vitet 1933-1936 studioi në konviktin “Çamëria” në Sarandë. Ende i mitur, gjatë vitit 1936-1937 punoi si shegert në Delvinë, ndërsa më pas në Tiranë (1937-’39) punoi si kamerier në Shtëpinë e Oficerëve të Mbretërisë. Pasi mbeti pa punë, shkoi në Vlorë ku punoi si telegrafist në postën e qytetit (l939-1940). Këtu e gjen Hito Çakon pushtimi i Shqipërisë nga trupat fashiste italiane, por vëzhgimit të tij nuk i shpëtuan luftimet që u zhvilluan në Skelë, në kodrat e Bestrovës e në Urën e Mifolit. Ushtria Mbretërore Shqiptare dhe populli i Vlorës, Durrësit, Shijakut, Sarandës, Fierit, Shëngjinit, Vorës, Milotit, Barbullushit, Shkodrës etj., nisën qëndresën antifashiste. Në këtë kohë Hito është po punonjës poste, telegrafist në Librazhd, më 1941-1942, dhe përsëri në postën e Vlorës si telegrafist dhe shpërndarës, punë kjo që e ndihmoi shumë Qarkorin e Vlorës me informacione të rëndësishme. Qysh në fillim u lidh me LANÇ-in, ku do të bëhej një luftëtar e udhëheqës i shquar i saj.
Hito Çako u emërua zëvendëskomisar i grupit partizan Vlorë-Gjirokastër dhe mori pjesë më shumë luftime që zhvilloi ky formacion LANÇ-i në këto dy qarqe, që përmblidhte në strukturën e vet dhjetëra çeta dhe batalione partizane. Me krijimin e Brigadës së 5-të Sulmuese emërohet përgjegjës i seksionit politik dhe më 28.5.1944 komisar i saj. Së bashku me komandantin trim e plot përvojë, Heroin e Popullit Shefqet Peçi, e drejtuan me mjeshtëri brigadën në të gjitha luftimet që ajo zhvilloi në Qarkun e Vlorës, të Gjirokastrës, në Qafën e Gjarprit, në Skrapar, në Dushar, në Korçë, në Operacionin e Qershorit, në kalimin e Divizionit të Parë Sulmues në Veri. Në shtator të 1944-s krijohet Shtabi Operativ i Bashkuar i Brigadës së Tretë Sulmuese dhe i Brigadës së Pestë Sulmuese. Komandant i Shtabit emërohet Hito Çako, njëherësh edhe zëvendëskomandant i Brigadës së Pestë Sulmuese. Ndërkohë, Brigada e Tretë Sulmuese dhe Brigada e Pestë Sulmuese e UNÇSh-së zhvilluan luftime në Kosovë, jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar. Më 3.11.1944, Hito Çakon do ta shohim zëvendëskomandant të Korpusit të Dytë Sulmues. Në fazën përfundimtare të LANÇ-it vërehet pjekuria e kuadrove të kalitur gjatë luftimeve dyvjeçare për të drejtuar të sigurt njësi të bashkuara operative, divizione dhe korparmata partizane. Më 9 maj 1945, pikërisht ditën kur firmosej nga aleatët e mëdhenj në Berlin akti i kapitullimit, nënkolonel Hito Çako emërohet komandant i Divizionit të Parë, post të cilin e mbajti deri më 15.8.1945. Nga gushti i 1945-s deri më 6.3.1946 ai kreu detyrën e komandantit të Divizionit të Pestë. Në të dyja këto divizione nënkolonel Çako, si komandant guximtar e plot energji, kërkues ndaj vartësve dhe vetvetes, do të shpaloste gjithë përvojën e fituar në LANÇ (Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare) dhe gjatë dy viteve të para të çlirimit. Më 1946 emërohet shef i Sigurimit të Shtetit në Vlorë dhe në Peshkopi. Në fillim të shtatorit 1946 deri në shtator 1950, përgjatë katër vjetëve kolonel Hito Çakon e shohin përsëri komandant të Divizionit të Parë në Tiranë. Kjo njësi e Ushtrisë Shqiptare tashmë ishte riorganizuar dhe qe shndërruar në një divizion luftarak të fuqishëm. Ai realizonte me cilësi programet e përgatitjes luftarake dhe i zhvillonte me sukses të gjitha lëndët, por njëherësh Hito Çako bënte jetë të vrullshme sportive, kulturore e mësimore, si dhe shquhej për zhdukjen e analfabetizmit midis masës së ushtarakëve që vinin nga zonat e thella malore etj. Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e gjithë këtyre veprimtarive të larmishme kishte komanda, shtabi dhe aparati politik i divizionit.
Më 7.09.1950 kolonel Hito Çako niset për studime të larta ushtarake në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë. Për katër vjet rresht studioi me një këmbëngulje dhe vullnet të jashtëzakonshëm. Ai ishte shembull në këtë institucion me reputacion të madh dhe emri i tij u gdhend në mermerin e tabelës së nderit të Akademisë. Hito i përfundoi studimet në 5.11.1954 me medalje ari dhe u laureua me diplomën “Shkëlqyer”. Në këtë akademi fitoi njohuri të gjera profesionale, përvetësoi parimet teoriko-praktike të nivelit operativ dhe mori pjesë në dhjetëra stërvitje në rang akademie, si dhe shumë të tjera të zhvilluara në njësitë sovjetike, duke qenë shembull në marrjen e vendimeve dhe në paraqitjen e përfundimeve për çdo temë. Shënimet e trupit pedagogjik dhe vlerësimet e komandës së Akademisë “Frunze” për Hito Çakon, për këtë kuadër të përkushtuar, janë tepër të larta. Në librezën e notave të tij ka vetëm një cilësim: “Shkëlqyer”. 
 Me kthimin në atdhe, më 19.11.1952, Hito Çako emërohet komandant i Korpusit të Shtatë, ku punoi me frymëzim e kërkesë të lartë llogarie, gjë që ishte karakteristikë dalluese e punës së tij të madhe. Për shërbimin e suksesshëm dhe për kohën e gjatë të kryerjes së detyrave në të mirë të gatishmërisë luftarake dhe të modernizimit të ushtrisë, më 1.12.1954 Hito Çako gradohet gjeneral-major. Pas një viti e shohim në krye të komandës Mbrojtja Kombëtare Ajrore (MKA) e shtetit, në detyrën e komandantit. Pikërisht te MKA-ja gjeneral Hito Çako shpalosi gjithë bagazhin e dijeve të tij të gjera profesionale komanduese e drejtuese dhe e vendosi aktivitetin e shtabeve të saj në nivelin e kërkesave të kohës. Vendkomanda qendrore e MKA-së funksiononte normalisht për ndjekjen e situatës ajrore. Artileria Kundërajrore, postat e stacioneve radiolokative dhe aviacioni vepronin në përputhje me kërkesat e rregulloreve dhe të udhëzimeve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore
(MMP), të gatshëm në çdo kohë për vrojtimin, zbulimin dhe kapjen e objekteve ajrore. Gjenerali ishte në aktivitet të plotë dhe e ndiqte me kompetencë të lartë situatën në gjithë hapësirën ku dislokoheshin njësitë dhe repartet e tij. Kontrollet që kryente dhe ndihma e madhe që jepte ishin segmente të punës së planëzuar të Hitos në komandën dhe shtabin e MKA-së. 
Pas tre vjet pune të suksesshme në komandën e MKA-së të shtetit, në vitin 1958 gjeneral Hito Çako niset përsëri për studime në Akademinë e Lartë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” në Moskë. Njohës i dy gjuhëve të huaja, italishtes dhe rusishtes, ndihet më i sigurt. Përsëri i suksesshëm, shembullor në gjithë akademinë, përgjegjës i grupit të gjithë studentëve që përgatiteshin në atë kohë në Bashkimin Sovjetik dhe përsëri diplomant i shkëlqyer. Bagazhi i dijeve profesionale të tij pësoi një rritje të re cilësore. Bashkimin Sovjetik u njoh me arritjet më të reja të shkencës ushtarake dhe me armatimet moderne që kishin hyrë në përbërjen e ushtrive kryesore të botës. Përsëri në kabinetet elektronike bashkëkohore desanto-ajrore, në njësitë speciale të raketave, në qitje luftarake, në manovra, te trupat gjitharmëshe, në aviacion, sidomos në Flotën Luftarake Detare. 
Hito Çako kthehet nga Moska në vitin 1961. Deri në fillim të dhjetorit, pra në periudhën më të acaruar e më të nxehtë të marrëdhënieve të përgjithshme me sovjetikët, sidomos të marrëdhënieve ushtarako-detare, gjeneral Çakon, tashmë të diplomuar edhe në kurset intensive të Akademisë së Lartë Detare në Leningrad, me rezultate “Shkëlqyer”, do ta shohim komandant të Flotës Luftarake Detare dhe të pranishëm kudo: në Pashaliman, në ishullin e Sazanit, në depot e minave detare, të silurëve, të karburanteve të Flotës Luftarake Detare, në ndërtimet e mëdha që kishte ndërmarrë Flota Luftarake Detare për krijimin e bazave të reja të dislokimit të anijeve etj., etj. Përpos të tjerash, acarimet që shpërthenin herë pas here midis ekuipazheve të dubluara sovjeto-shqiptare të nëndetëseve apo të anijeve mbiujore, ku shërbenin me dhjetëra instruktorë dhe oficerë, që kishin në bazën e tyre jo problemet profesionale, por politike, domosdoshmërish rrëmbenin shumë nga koha e çmuar e drejtimit, porse ndërhyrjet e tij si komandant autoritar ishin vendimtare. Për kushtet specifike që u krijuan në vitin 1961 në pellgun e Vlorës të Pashalimanit dhe Sazanit, kundëradmiral Çako – i mbështetur fuqimisht edhe nga kundëradmirali Ziqiri Mero dhe shtabi i kulturuar e i përgatitur i Flotës Luftarake Detare, drejtuar me pjekuri nga shefi i shtabit të Flotës Luftarake Detare, Kapiten i Rangut të Parë Mark Plani – do ta merrte shumë shpejt në duart e tij situatën e kësaj Flote, që po pajisej me mjete luftarake të fuqishme goditëse dhe ndihmëse dhe po plotësohej me një bazë serioze inxhiniero-teknike për riparimin dhe mbajtjen e saj në gatishmëri të plotë luftarake. Në dhjetor të vitit 1961 Hito Çako largohet nga Flota Luftarake Detare dhe emërohet komandant i Korpusit të Shtatë në Burrel. Në këtë njësi të rëndësishme, në vitin 1962 gradohet Gjeneral-Lejtënant. Në ushtri po hynin udhëzime të reja, parime dhe teza të reja, të cilat gjenerali i mbështeti me qetësi, por kurrsesi nuk mund t’i pranonte, përderisa kishte kaluar LANÇ-in, riorganizimet e ushtrisë pas çlirimit, kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera Akademinë “Frunze” e atë “Voroshillov” në Moskë, kurset e kualifikimit në Akademinë e Flotës Luftarake Detare në Leningrad dhe çmohej si njëri prei yjeve të shquara të gjeneralitetit shqiptar. Nga Burreli, në vitin 1963 emërohet komandant i Korpusit të Nëntë në Shkodër, ku vërtet përballoi një vëllim të jashtëzakonshëm aktivitetesh luftarake. U hapën njësi e reparte të reja në përshtatje me platformën operativo-strategjike të Forcave të Armatosura; u shpalos një punë me shtrirje shumë të madhe për realizimin e punimeve fortifikuese mbrojtëse, përgjatë brezit kufitar dhe në thellësi, në drejtimet taktiko-operative më të kërcënuara. Ato punime, në bazë të konceptit të fortifikimeve tip tunel dhe të rajoneve të fortifikuara, më vonë u shndërruan në “epidemi” ndërtimesh, që qenë një shpenzim kolosal për ekonominë dhe burimet e kufizuara të shtetit shqiptar. 
Në Ushtrinë Popullore Shqiptare ishin hartuar “Tezat” e reja të Këshillit të Mbrojtjes mbi “Artin Ushtarak të Luftës Popullore”. Për përgatitjen dhe hartimin e tyre u angazhuan komandantët dhe specialistët më të mirë të ushtrisë. Ata bënë të pamundurën që të ruanin brenda strukturës së materialit teoriko-profesional të fushës ushtarake thelbin e logjikës analitike shkencore ushtarake, për kushtet e reja të krijuara si rezultat i zhvillimeve politike. Doemos, bazën e gjithë këtij procesi pune teorike e përbënte ndihmesa e komandantëve dhe pedagogëve me përvojë të akademive ushtarake. Pra, edhe ndihmesa e çmuar e gjeneral Hito Çakos. 
Për shtatë vjet (1966 deri më 1974), gjenerali u emërua në një detyrë të re të pazakonshme për natyrën e tij, çka ka lidhje me një valë emërimesh dhe riemërimesh të shumta në rangun e kuadrove të lartë të ushtrisë. Hito Çako drejtoi Drejtorinë Politike të Ushtrisë, e cilësuar përherë si një drejtori e KQ-së të PPSh-së, ku me anë të saj realizohej orientimi dhe drejtimi politik i Forcave të Armatosura, ndonëse ministri i Mbrojtjes ishte anëtar i Byrosë Politike të KQ-së të PPSh-së, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte kandidat i Byrosë Politike. Gjenerali (tashmë pa grada) në Drejtorinë Politike të Ushtrisë punoi dhe luftoi me të gjitha forcat që në ushtri, te komandat dhe te shtabet të ruhej ajo që mund të shpëtohej nga furtuna e marrëzisë që po përgatitej të shpërthente. Hito Çako, në udhëzimet e tij të kujdesshme dhe të mençura këshillonte që komandat dhe shtabet të ndihmoheshin e të mbështeteshin nga komitetet e partisë, të cilat ishin vendosur menjëherë pas heqjes së gradave ushtarake në çdo brigadë e korpus. Hito Çako, në krye të Drejtorisë Politike, më shumë punoi si shtabist se sa si komisar, ndaj dhe ky stil pune i tij u përdor si shkak për t’u akuzuar dhe dënuar penalisht, plus akuzave të tjera që e çuan më pas Heroin e Popullit drejt pushkatimit. Më 20.7.1974 Hito Çako, së bashku me Petrit Dumen, emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes. Ministër i Mbrojtjes dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave ato ditë ishte emëruar një tjetër figurë e shquar dhe e fuqishme, Mehmet Shehu. Më 25.11.1974 Hito Çako pezullohet nga detyra dhe lihet në dispozicion. Përjashtohet nga Ushtria më 12.12.1974 dhe, brenda në sallën e punimeve të Plenumit të KQ-së të PPSh-së arrestohet së bashku me Petrit Dumen dhe Rrahman Parllakun (Beqir Balluku ishte përjashtuar nga KQ i PPSh-së dhe nga Partia e qe arrestuar në muajin korrik). Pas një hetimi intensiv gati njëvjeçar, në fund të vitit 1975 këta tre gjeneralë të Ushtrisë Shqiptare, nga të cilët dy ishin Heronj të Popullit, pushkatohen nën etiketimin “Për tradhti të lartë ndaj atdheut”. 
Për merita të veçanta në LANÇ, Gjeneral-Lejtënant Hito Çakos i është dhënë titulli më i lartë Hero i Popullit dhe është dekoruar me 12 urdhra e medalje. Populli i krahinës së Kurveleshit dhe Vlorës e ka zgjedhur në disa legjislatura deputet të Kuvendit Popullor. Ai ka lënë një trashëgimi të pasur shkrimesh që presin dritën e botimit. Emri i Hito Çakos do të kujtohet nga brezat, sepse, nga një djalë fshati, “Çobani”, siç e kishte pseudonimin e luftës, u rrit në një personalitet të fuqishëm ushtarak, i cili vendosi piketa të rënda në themelet e Ushtrisë Shqiptare. 
Sigal