Sefer Pasha: Takimi me mistere i Gani Malushit dhe ambasadorit amerikan

1212
Sigal

Poezia që më tregoi Fatmir Haklaj për poetin nga Padeshi që u ngjit në majën e Shkëlzenit.

Takimi i rrallë Gani Malushi dhe ambasadori amerikan Limpreht tek Fusha e Gjasë në Valbonë.

Në Tropojë pas 19 vjetësh nga vrasja e komisar Gani Malushit.

Tek Shkëmbi i Gjon Palit dhe në Lumin e Gashit mes luleve dhe minave…

Nga Sefer Pasha, ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës

Pas 19 vjetësh të vrasjes së Gani Malushit të udhëtosh nëpër Tropojë që nga Qafa e Prushit e deri në ish piramidën 18 nga ku duken në Vuthaj kullat e Rexhep Qoses mbetesh i befasuar. Është tjetër jetë e ka të tjera pamje. Nuk dëgjon si dikur krisma topi e kallashnikovi. Askush nuk vrapon për të blerë në qytet qumësht e bukë. Në spital nuk ka të vrarë e të plagosur. Edhe të sëmurët janë me kokrra. Nuk ulen e ngrihen më helikopterët për të transportuar të plagosurit për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nuk ka gjithashtu vjedhje të bankës. Rrogat nuk vijnë më me eskorta të Forcave të Ndërhyrjës së Shpejtë. RENEA nuk duket më rrugëve të Bajram Currit. Bandat e hajdutëve nuk vjedhin në fshatrat e Malësisë së Gjakovës. Edhe udhët kanë ndryshuar. Është asfaltuar rruga në Grykën e Valbonës. Një rrugë e re është hapur për në Plavë e Guxi. Nuk ka ndryshuar vetëm vendi ku pushonte Dervishi i Luzhës. Tek ish piramida 28 kur kthehej nga Vuthajt pushonte Dervishi i Luzhës. Udhëtarët aty hedhin lekë. Edhe kur shërbente Gani Malushi. Ato lekë që janë letër i merr era dhe bëhen humus, kurse monedhat aty janë. Edhe hajdutët më të mëdhenj lekët e vendit ku pushonte Dervishi i Luzhës nuk i zënë me dorë. I ruhen mallkimit të Dervishit.

Pa ardhur Gani Malushi në Tropojë udhëtohej me makina të blinduara. Lëvizjet bëheshin vetëm ditën. Natën mund të bije në pritat e të tjerëve, që kishin hesape për të larë. Tregëtoheshin me fitime të majme jelekët antiplumb, kallashnikovët dhe pistoletat ’’Zastava’’. Çdo të djel në Dragobi bëhej dhe një panair për shitjen e armëve. Tregëtarët e armëve ishin nga Mali i Zi, nga Tirana e Kosova. Kam shkuar tek ky panair pa ardhur Gani Malushi. Në livadhin përpara fshatit Dragobi trafikantët e armëve, buzë lumit të Valbonës, kishin ngritur tezgat e bëra me hashra ahu. Jam habitur me gjuhën e trafikantëve të armëve. Në fjalorin e tyre nuk përdoreshin fjalët: – Sende nga Shpella e Dragobisë, varse floriri, kaseta me këngë, lahuta, apo xhubleta. Jo. Nëpër tezga dëgjoheshin të thirruart: – Mitroloz, Pistoleta të markave të ndryshme, Antitank, 12.7., Thika, Hanxhar, Helmeta, Kundër ajror, Mina e fishek për të gjithë llojet e armëve. Mbi Dragobi ishte dhe një livadh që shërbente si poligon për të provuar saktësinë e armëve që shiteshin. Provoheshin dhe predhat e topave 75 milimetra pa zbrapsje. Bëhej luftë. E habitëshme i thashë vetes. Vetëm një herë në karierën time kisha bërë qitje me top. Ku të linte shteti të harxhoje predha kot së koti!. Përfundoje në burg. Tani në Dragobi ka më shumë predha topi sesa zall në brigjet e lumit të Valbonës. Ky nuk ishte panair për të fuqizuar ekonominë, por një treg ku shitej e blihej’’mall’’ për t’u mbrojtur dhe për të vrarë njerëz.

Që nga 7 gushti i vitit 2003 kur u vra Gani Malushi rendi ka ndryshuar për mirë. Jo, se nuk ka probleme. Shpesh dëgjojmë në lajme për vrasje makabre nëpër Shqipëri. Por në Tropojë gjej një qetësi, që pas kaq vitesh më ngjall emocion. Këto ditë i kam parë me sytë e mi grupe turistësh që ngjiten drejt Majës së Hekurave, në Valbonë, Ujezë, në Lumin e Gashit e në Çerem. Udhëtojnë natën e i ngrenë çadrat nëpër bjeshkë.

Përpara bustit të Bajram Currit rri dhe mendohem nën vapën përvëluese. Shfletoj bllokun e kujtesës nga lufta që bëri Gani Malushi për vendosjen e rendit të dërrmuar qysh pas vitit 1977 si dhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Për lexuesit e gazetës po përcjell motivet e tregimeve dramatike të asaj periudhe kur komisar Gani Malushi la gjurmë të arta në kujtesën e popullit të Tropojës.

Komisar Gani Malushi me kallashnikov në dorë fillon luftën për vendosjen e rendit në Tropojën e pushtuar nga bandat e krimit.

Qyteti i Bajram Currit është në ankth. Herë pas here dëgjohen krisma. Tropojanët lëvizin si nëpër një ciklon. Me vrap për të blerë bukën, qumështin dhe ushqimet nëpër dyqane. Fërshëllimat e plumbave i terrorizojnë. Më keq e kanë ata qytetarë që çojnë të sëmurët në spital. Shetitorja kryesore dhe rrugët janë të boshatisura. Askush nuk shkon në punë. Ligjin e bëjnë kriminelët që lëvizin me shpejtësi me makina të blinduara e me xhama të zinj. Ata nga “frëngjitë” e makinave qëllojnë kot më kot e ngjallin panik. Tropoja si në qytet dhe në fshat është në gjëmë. Dal nga komisariati dhe qyteti më ngjan si një varrezë me pallate. Kafenetë janë bosh. Të gjitha perdet e grillat janë të mbyllura. E vetmja tregëti që sjell fitim është ajo e bërjes së dyerve të hekurt. Të gjithë qytetarët janë të armatosur. Edhe lëvizjet nëpër qytet bëhen me kallashnikov. Poshtë monumentit të Bajram Currit më pret Fatmir Haklaj, Jaho Saliu dhe Feriz Kërnaja. Ata edhe pse janë pjesë e efektivit të komisariatit të Tropojës nuk paraqiten në detyrë. Fatmir Haklaj më pyet nëse e njihja Gani Malushin. Ai kishte dëgjuar në stacionin e “Zërit të Amerikës” se komisar Gani Malushi vinte shef i komisariatit të Tropojës. Unë iu përgjigja se nuk kisha asnjë lloj njohje me Gani Malushin dhe se asgjë nuk kisha dëgjuar për të.

Poezia që më tregoi Fatmir Haklaj për poetin nga Padeshi që u ngjit në majën e Shkëlzenit

 Pritet të vijë Komisar Gani Malushi. Aktualisht shef është Muharrem Gjyryqi. Por në të gjithë Tropojën, ose më sakt në Malësinë e Gjakovës, ligjin e bën Fatmir Haklaj. Paçka se Fatmiri nuk vjen në komisariat për shkak të vrasjes, të cilën e kreu përpara zyrës së tij të punës, zëri dhe hija e tij ndihet kudo. Major Selim Zeneli më porositi se nëse doja që të vazhdoja detyrën sipas urdhërit të ministrit do bëja mirë që të takoja Fatmir Haklajn. Le të shërbejë si pretekst dhurimi i librit ’”Drenicë, vaj dhe kënga ime’’ më porositi ai. Librin ti e ke shpërndarë në të gjithë Tropojën. Fatmiri e di që ti shkruan libra. Ashtu bëra. Fola në radio me Fatmirin. Më priti në kafenenë e turizmit. Ishte vetëm. Më dha dorën dhe nuk më tha asnjë një gjysëm fjale. Nisa ta vështroja i hutuar. Çfarë personazhi thashë me vete. Famën e ka të ngatërruar. Por paska pamje artisti. Nuk po më duket i frikshëm. Jo. Vazhdoja ta vështroja në heshtje. Sytë i lëviste si ato vetimat e majës së Shkelzenit në pasqyrat para qytetit të Tropojës. E kuptoja shqetësimin e tij. Ishte rrethuar kudo nga armiq. Më bën përshtypje flokët në ngjyrën e mjaltit të gështënjës. Frynte pak erë dhe flokët kaçurrela i përziheshin si gjethet e bredhit. Ma mori librin nga dora dhe më tha: – Kam dëgjuar se ti je komunist!. Po, iu përgjigja. E ke të sakt informacionin. Mos u tut shtoi me zë të ulët. Nuk do të përzëmë nga Tropoja. Ti ke punë vetëm me policinë kufitare. Si në qytet dhe në fshat flasin mirë për ty.

E mblodha veten. Po më dukej sikur bisedoja me një jashtëtokësor. Në fakt ai ishte një mit. Askush nuk guxonte që t’ja zinte emrin në gojë. Në Malësinë e Gjakovës nëse kishe një problem atë ta zgjidhte vetëm Fatmir Haklaj. E donin dhe në Gjakovë. Pas pak pasi e lexoj autografinë më tha se Muharrem Gjyryqin e kanë transferuar në Elbasan. Ka për të gjetur kokrrën e belasë me Edmond Kosenin. Sonte vjen Gani Malushi. Sa zbriti nga trageti. Ma thanë në radio. Kur të takohesh me të i thuaj që t’i zbatoj me përpikmëri urdhërat që do t’i jap unë. Nuk i ktheva përgjigje. Fatmir Haklaj vetëm rrogën merrte në komisariat. S’kishte të drejtë firme. Aq i frikshëm ishte sa ministri në Tiranë nuk guxonte që ta nxirrte në lirim.

Pas një heshtje të shkurtër Fatmir Halklaj e mori përsëri fjalën. Me këtë autograf më paske ngjitur në kreshtat e malit të Shkëlzenit mërmëriti. Puna jote. Edhe unë lexoj tha ai. Si familje e duam artin. Njëra motër, Ajshja, është poeteshë. Pastaj më tregoj historinë e një poeti nga Padeshi. Më dha një libër në dorëshkrim tha Fatmiri. Kishte shumë broçkulla. Nga të gjitha poezitë që ja lexova më bëri përshtypje një poezi. Ishte e çuditshme. Ja se çfarë shkruante djaloshi i ri, që pasi ishte ngjitur në majën më të lartë të Shkëlzenit, atje kishte shkruar këto vargje që më bën të qesh: -/ Shkezën o Shkëlzen!/I madh dhe i lartë je// Puthesh me retë./Përqafohesh me erën/ Kthen nga udha ujqërit./Por më i madh nga ti o Shkëlzen /Jam unë që të kam shaluar./Ti Shkëlzen je kali im/.

Unë qesha. Qeshi dhe ai.

Tek Shkëmbi i Gjon Palit dhe në Lumin e Gashit mes luleve dhe minave.

Pas 15 ditësh nëpër Luginën e Sylbicajve, të Lumit të Gashit e të Burimit të Çek Hasanit takohem me Gani Malushin në postën e policisë së Çeremit në kreshtën, ku është piramida 19 – të. Gani Malushi e ka vendosur rendin në Tropojë. Shqetësimi i kohëve të fundit janë për kolonelin dëmet që po shkaktojnë minat e vendosura nga serbët gjatë gjithë vijës së kufirit. Ka viktima në njerëz dhe në gjenë e gjallë. Dëme po bëhen sidomos mbi tufat me derra të egër. Era e kufomave ndihet që larg. Kjo është arsyeja që Gani Malushi ka ardhur në fshatin Çerem. Unë pasi i raportova për gjendjen në kufi, që nga Padeshi e deri në Çerem, u ulëm afër piramidës 19–të.

-Ka dëme në njerëz? – tha Gani Malushi.

-T’i kam dërguar informacionet  me shkrim, – iu përgjigja.

-I kam lexuar, – u shkoqit ai. Desha të di për ndonjë ngjarje të frekët?

-Ka tre plagosje me mina në Sylbicaj, – e sqarova. Ata kanë marrë ndihmën mjeksore në Bajram Curri dhe janë kthyer sërish në stane.

-Po në bagëti?

-Tek kreshta e Lumit të Gashit një bariu i kishte rënë e gjithë tufa në mina, – i thashë. Prej tyre i kishin ngordhur 30 krerë dele. E gjithë kreshta ishte e mbushur me korba.

-Punoni me banorët! – tha Gani Malushi. Millosheviçi ka thënë se kufirin me Shqipërinë e kam siguruar për 500 vjet. E kishte fjalën për minimin e madh.

-E kemi shumë të zorshme me banorët, – i thashë. Janë nëpër stane e larg njëri – tjetrit.

-Atje ku të jenë, – foli ai me qortim.

-Çfarë keni dëshirë që të shikoni? – i thashë.

-Plavën e Gucinë, – mërmëriti ai. Por i pashë pa ardhur ti. Dylbitë i kam marrë me vete. Nuk i kisha parë kurrë. Pa mbërritur tek piramida 19 vështrova dhe fshatin Vuthaj, ku ka lindur Rexhep Qosja. Tani do të më shpjesh tek Burimi i Çek Hasanit dhe tek Shkëmbi i Gjon Palit.

-Jo! – e kundërshtova. Biem në mina. Unë mezi kam ardhur i hipur mbi një kalë. Jo shumë larg prej këtej vura re një arushë, që kishte rënë në mina. Ishte pa këmbë. Më shikonte mua dhe ulërinte si grua.

-Dua që ta shikoj, – tha prerë.

-Pas dhjetë minutash mbërritëm pikërisht aty ku arusha ulërinte si mos më keq. Gani Malushi kur e pa i erdhi keq. Ka kohë që nuk kam parë arusha belbëzoi ai. Por nuk paska më keq të shikosh një arushë pa këmbë.

-Po na kërkon ndihmë, – tha Gani Malushi. Me zor çohet në këmbë. Si të jetë njeri. Qysh mundet ta ndihmojmë?

-Ikim! – i thashë. Asgjë nuk i bëjmë dot. Minat surprizë janë me mijëra.

-Më mirë ta vrasim se sa ta lëmë në atë gjendje të llahtarshme, – foli ai me ngulm.

-Unë nuk kam zemër, – i thashë.

-As unë, – belbëzoi ai.

-Kur u nisëm për të lëvizur në udhën që të çon për nga Lumi i Gashit, Gani Malushi, pasi bëri disa hapa u kthye sërish mbrapa. Ai thirri një nga malësorët e Çeremit, i tha kush ishte, dhe si të thuash e urdhëroi prerazi, që me kallashnikovin që e kishte në krah ta vriste arushën e bërë copa – copa nga minat. Do të ishte më mirë edhe për arushën fatkeqe, por edhe për ne. Më mirë t’i dal shpirti një sekondë e më parë. Nuk kemi pse ta lëmë që të torturohet. Dhe malësori nuk e bëri fjalën dysh. Ai me një breshëri kallashnikovi e vrau arushën. Gani Malushi nuk e ktheu kokën andej. Bëm dy orë udhë gjersa mbrritëm tek Lumi i Gashit, por ai nuk më tha asnjë gjysëm fjale. Vrasja e arushës e brengosi.

Atentati me shkëmbinj e bomba ndaj Fatmir Haklës në Cërnicë

  -Jam kthyer nga Zherga me urgjencë në komisarjat. Fatmir Haklës i kanë bërë atentat në Cërnicë. Ai po kthehej nga Qafa e Morinës dhe tek kthesa e egër e Cërnicës i kishin zënë pritë, që nga bregu i Valbonës në krahun e Tropojës. Me mina të telekomanduara u rrëzuan shkëmbinj të mëdhenj si ata të malit të Shkëlzenit. Makina e Fatmir Haklës ishte e blinduar. Fatmiri që nisi të mbrohej me kallashnikov nuk mund të kthehej mbrapa. Nuk kaloj asnjë gjysëm minutë dhe në dalje të kthesës së Cërnicës një tjetër minë gremisi gjysmën e mezhdës mbi rrugë. Makina e Fatmir Haklës s’mund të bënte as mbrapa dhe as para. Fatmiri dhe ata që e shoqëronin qëllonin me breshëri e granada dore. Por atentatorët ishin në pjesën e përtejme të lumit të Valbonës. Përplasja me armë e mina nuk zgjati shumë. Në të dy anët e udhës mbrritën udhëtarët me makina. Të gjithë ishin të armatosur dhe nisën të qëllojnë kot më kot. Atentatorët u larguan. Fatmir Haklaj i shpëtoi atentatit se nuk zbriti nga makina e blinduar, e cila u bë petë nga shkëmbinjtë që ranë mbi të.

-Ngjitur me zyrën time, me pamje nga Maja e Hekurave, kishin parkuar makinën e blinduar të Fatmir Haklës. Kolegët më thanë se pamjet e atentatit të Cërnicës me shkëmbinj e mina atentatorët i kanë filmuar. Po kush e ka kasetën?

Gani Malushi dhe ambasadori amerikan Limpreht tek Fusha e Gjasë në Valbonë

-Në Fushën e Gjësë në Valbonë Gani Malushi sot në orën 12 priti ambasadorin amerikan Limpreht. Masat e sigurimit qenë të jashtëzakonshme. Për nder të ambasadorit Limpreht dhe të miqve të tjerë paria e Valbonës shkoi një dash në hell. Në drekë me sa vura re ambasadori nuk e preku mishin e dashit. Mori pak lakra të egra të pjekura në saç. Ambasadori Limpreht e kishte në krah Gani Malushin. Unë isha pas tyre. Doja të isha më afër për të bërë ndonjë fotografi, por kjo ishte e pamundur. Biseda e Gani Malushit me ambasadorin vazhdoi gjatë. Përkthyesja ndonjë fjali e përsëriste dy herë. Gani Malushi nuk dinte anglisht. Në një fraksion të minutës kur i çova radion komisar Malushit (kishte një ngjarje në Bajram Curri) ambasadori amerikan Limpreht tha: “Komisar Malushi! Të përgëzoj për vendosjen e rendit në Tropojë. Jeta e banorëvë është kthyer në normalitet”. Vetëm kaq mundi të rrok veshi im. Në bisedë ndërhyri dhe ministri Spartak Poçi, që shoqëronte ambasadorin amerikan. Më bëri përshtypje që Gani Malushi, i cili si karakter impulsiv kërkon t’i reklamojë sukseset, për herë të parë po e shikoja, që ai të heshtëte çuditërisht. Vetëm nga fundi i drekës i rrëfeu ambasadorit Limpreht për luftëtarin e Valbonës Mushak Haxhia në luftë me malazezët. I tregoi gjithashtu dhe këngën: – /Në Valbonë gurëve të zallit,/ e hanë korbat ushtrinë e kralit./ /Vishoviçi, kryetuli,/ /tek Gurra e Kikës/ /topat seç i nguli/.

Nesërdo lexoni:

-Misteri i fjalës ‘’’Enver’’ në shpatin e malit të Shkelzenit-Misteri i zhdukjes së helikopterit të forcave të ushtrisë serbe