6 korrik 1943, si u masakruan nga nazistët 107 banorë në Borovë

642
Sigal

Vrasja makabre e 107 njerëzve të pafajshëm, që nga foshnjat e djepit, nënave shtatzëna e deri të moshuar

Masakra e Borovës, dhimbja që nuk flet…

Djali nazistit: Erdha t’ju kërkoi ndjesë, për atë çka ka bërë babai im

Çdo vit, banorët e fshatit martir Borovë, përkujtojnë 6 korrikun 1943, moment kur nazistët gjermanë bënë masakrën më të pashembullt, duke vrarë 107 njerëz: gra, pleq, plaka, nuse të reja. Lotët rrjedhin ende nga sytë e familjarëve e tyre, njëlloj sikur kjo ngjarje të ketë ndodhur dje… Risjellin kujtimet e dhimbshme të asaj dite të zezë… Ishte koha e luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe fakt është që në atë kohë, djemtë e vajzat e Borovës ishin të lidhur qysh në fillim, me idealet e kësaj lufte.

Dyzet djem e vajza borovarë ishin pjestarë të çetave partizane. Ndërkohë, forcat e Ballit, me në krye Safet Butkën, në bashkëpunim me ato naziste, thurën plane për ta bërë Borovën “zap”. Dhe në qershor 1943, ata vranë kryetarin e këshillit ANÇl të Borovës, Koli Mingën. Më pas, vijoi masakra e tmerrshme e 6 korrikut. Dhe dihet tashmë, se si rrodhën ngjarjet:

 Të gjitha vdekjet shkaktojnë dhimbje.

Por ka vdekje e vdekje… Ka vdekje, që hapin plagë të mëdha që nuk mbyllen kurrë e, nuk pushojnë së dhemburi tërë jetën. E një nga këto plagë, është edhe vrasja makabre e 107 njerëzve të pafajshëm, që nga foshnjat e djepit, nënave shtatzëna e deri të moshuar. Dhe një fshat i tërë, i bukur si ai, që për një orë, së bashku me 107 banorë të tij, mbeti nën hi. Me lemeri.  Është fjala për masakrën e Borovës të 6 korrikut 1943, që pa hezitim mund të quhet dhimbja e dhimbjeve. Dhimbje që ka 78 vjet që nuk pushon së dhemburi e, nuk do të pushojë tërë jetën. Se ishte marrëzi njerëzore, ishte marrëzi e marrëzisë, ku egërsia naziste që shkelte për herë të parë në tokën shqiptare e shkaktoi jashtë çdo llogjike njerëzore e jashtë çdo ligji lufte. Nuk ka emër t’i vesh. As profesori ynë i madh, Aleko Minga me origjinë nga Borova, shkencëtar që u ka dhënë zgjidhje aq shumë enigmave shkencore si rrallëkush, nuk gjeti dot një fjalë tjetër për ta zëvendësuar fjalën masakër.  Se edhe masakrat kanë kufi. Ajo e Borovës nuk pat kufi.

Ishte ngjarje e përmasave jashtë arsyes njerëzore. Ajo masakër e shekullit, që ndodhi 78 vjet më parë, nuk e ka përgjumur asnjëherë kujtesën historike, ndaj dhimbja nuk pushon. Dhe jo vetëm e borovarëve e kolonjarëve, por e gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Por edhe më tej…

Të gjithëve na kujtohet, kur vite më parë në Borovë, erdhi i biri i njërit prej ushtarakëve madhorë nazistë që drejtonin ushtrinë gjermane në Ballkan e Shqipëri, qëndroi i tronditur ballëpërballë varrezave të 107 viktimave, qëndroi ballëpërballë Borovës që ende dukej sikur nga poshtë dheut e gërmadhave ku rri zhuri, dëgjoheshin zërat e fëmijëve, që hidheshin pa mëshirë në zjarr, të gjallë, dëgjoheshin klithmat e nënave, që esesët u çanin barkun me bajonetë dhe u nxirrnin foshnjat… Dhe pati kurajon e madhe qytetare, ai, i biri i nazistit, t’i kërkoi ndjesë popullit të Borovës, popullit të Shqipërisë. Dhe pati guximin të përulej përpara varreve të 107-të të vrarëve të asaj dite, ndoshta edhe nga babai i tij, e të vinte një tufë me lule në shenjë kujtimi e pendimi. Dhe u çuditën të gjithë kur ai u përlot.

“Nuk e dija, – iu drejtua borovarëve, që babai im ka marrë pjesë në një masakër të tillë. E lexova rastësisht në ditarin e tij. Ai nuk jeton më. Erdha t’ju kërkoj ndjesë për atë çka bërë babai im”!

Ishte pendesë në emër të të jatit. Ishte pendesë, padyshim. Biri i nazistit kërkoi falje. Ishte qytetari e kurajo intelektuale. Më vonë shkoi atje edhe ambasadori gjerman. Bota shkon drejt logjikës qytetare, drejt bashkimit e pajtimit të shpirtrave.

Por për çudi, për disa, ai gjest i birit të nazistit mund të jetë sa e pabesueshme, aq edhe e paimagjinueshme e tronditëse. Se tek ne ca intelektualë batakçinj e historianë minj, thonë pa pikën e turpit: “Ç’u duhej partizanëve të qëllonin pararojën e tyre, e të vrisnin gjermanë. Ata shkonin në punën e tyre”. Ashtuuuu!!!… Në punën e tyre, po duke shkelur tokën tonë. Ju që thoni kështu, e merrni anën  e nazistëve, ju pyesim: Po me Borën ç’patën?! Ç’faj kishte bërë?! Ç’borxh u kishin nazistëve?! Nuk qëlluan borovarët, qëlluan partizanët. Përse gjermanët nuk ndoqën partizanët, por qëlluan mbi popullin e pafajshëm? Le të ngjiteshin nëpër skërka e male ku ishin partizanët dhe le të përlesheshin, siç u përleshën gjer më 20 nëntor 1944. Kjo burracakëri e nazistëve, kjo hakmarrje primitive, tregonte se ata donin vetëm gjak. Ç’u duhej partizanëve e popullit t’i qëllonin gjermanët? Është kultivuar aq poshtërsisht tek ata që u bashkuan me gjermanët ky mendim, se nuk kanë llogjikë tjetër. Pastaj, shtojnë se ata, i goditën komunistët: Ç’komunist ishte Riza Kodheli?! Kishte dëgjuar vallë gjer atëhere xha Rizai për komunizmin? Komunizmi i xha Rizait qëndronte te atdhetarizmi i tij.

Po në orën 15 e 20 minuta, kur autokolona naziste ulëriu nëpër grykat e Barmashit, me xha Rizain ishin 316 vullnetarë nga 35 fshatra të Kolonjës, 100 vetë nga Panariti, Vakëfet e Vithkuqi, 50 nga Skrapari i Sipërm dhe Batalioni “Tomorri”, prisnin me grykat e pushkëve ngrehur. Kur autokolona gjermane arriti në krye të shkallës të Sanjollasit, u dha sinjali i goditjes. Lufta u ndez e ashpër. Autokolona preu menjëherë lëvizjen. Komanda gjermane organizoi tre sulme, por e gjithë pararoja doli jashtë luftimit. Komandant Riza Kodheli qëndronte në krye të forcave luftuese dhe komandonte. Qëndresa e luftëtarëve bëri që forcat gjermane të Divizionit 104, bëri të mos e çanin dot rrethimin. Ishte goditja e parë e nazistëve gjermanë në Shqipëri. Hakmarrje e përbindshme, në mbasditen e 6 korrikut 1943. Borova e gjitha në zjarr e në flakë.

Ndaj mesazhi i atij birit të oficerit madhor, nazistit që gjeti rastin të kërkonte falje, i ngjan një borie dhembjeje dhe paqeje, për jetën. Por i ngjan edhe dhe një burie alarmi për vigjilencë se, neofashizmi vjen vërdallë nëpër skutat e kryeqytetet e Evropës e Ballkanit e, më keq akoma, nëpër salla e podiume parlamentesh e, duke u zgërdhirë, ëndërrojnë një kasaphanë të re njerëzore. Bota le të dëgjojë përse bien buritë e njerëzve të thjeshtë.

Borova flet me dhimbjen e saj.  Është dhimbja e dhimbjeve që nuk do të pushojë kurrë.

Borova dje dhe sot

Në Borovë, vetëm 6 kilometra nga Erseka e ku jetojnë  fare pak familje, bie në sy kodra ku ndodhen varrezat e martirëve e ku udhëtari apo vizitori kurioz, ndalon e mëson historinë. Dikur ajo ka qenë një lagje e fshatit e shkrumbuar plotësisht nga nazistët. Një pjesë e memorialit e konceptuar si një shqiponjë e madhe, ka dëmtime e kërkon më shumë vëmendje në mirëmbajtjen e saj. Kjo varrezë  është një  objekt historik ku vizitohet nga  plot njerëz që duan të dinë historinë dhe çfarë u bë më pas me Borovën. Historia e këtij fshati gjatë viteve të tranzicionit ka qenë e trishtë, njerëz që largohen familjarisht drejt shtetit grek, aq sa sot numërohen me gishta ata që kanë mbetur. Po kështu është vepruar edhe me objektet e trashëgimisë kulturore apo të kulturës. Borova ka qenë një fshat me pozitë të lartë, me njerëz të shkolluar e që emigrimin e patën prekur herët, një fshat që nuk u shua, siç thonë banorët, as nga gjermanët, duke ruajtur traditat dhe cilësitë më të mira. Borova duhet të ishte një fshat turistik, ose të paktën ku njerëzit të vinin e të gjenin diçka mbi historinë e tij, ndryshe nga sot ku një pjese mund t’i duket thjesht si gojëdhënë, ndërsa një tjetre që kalon atypërtejmi një stacion, ku nuk mund të gjesh më asgjë, për atë ç’ka ka ndodhur dikur.