“Sa e qava unë Çu En Lain, nuk e qau e tërë Kina”

1187
Sigal

Pëllumb ÇUNI

HISTORIA/ Historia e korçarit që qau kryeministrin kinez nga rrahja e hetuesit

Në qytetin e Korçës gjen personazhe, të cilët rrëfejnë për jetën e tyre. Ata nuk e ndalin bisedën, por kur u kërkon për të shkruar, stepen pak, pastaj të japin të drejtën që të shkruash. Garancinë e merr kur ata të zgjasin fotot. Vetëm mos e rëndo shkrimin, me gurë të tjerë, veç këtyre që të japim, të japin edhe këtë këshillë. Në njerëzit e vuajtur, gjen gjithmonë një krua të tyre. Gjen një dimër të tyre. Gjen një copë vjeshtë të tyre. Për të siguruar se ato që të kanë shprehur të thonë se e di dhe filani se bashkë ishim atje…

Në pritje

Në pritje për të marrë dëmshpërblimin e viteve nga burgu si i dënuar politik Namik Spahiu, para pak kohësh u nda nga jeta. Me një humor të rrallë ai do të fliste për dënimin e tij dhe për vitet e burgut. Në burg, disa nga shokët tanë na bënin estrada, ku shanin kapitalizmin dhe revizionizmin. Kurse piktorët shkruanin parulla: “Ne në gojë të ujkut hedhim valle”, “Shqipëria shkëmb graniti”. Më qëllonte që unë të mbaja kënaçet me bojë dhe piktori Maks Velo të shkruante parulla. Me humor mundohej të mposhte atë padrejtësi që e quante ai dënimin, ku nga një komunist i thekur, përfundon në Spaç. “E mbaroni pjatën e orizit, derdimenë, po normën pse s’e mbaroni”, na thoshte komandanti i burgut në Spaç.

Paratë e burgut

Po për korçarët Namik Spahiu do të mbetet, si një plak i qeshur dhe që në dy fjalë që fliste, do të tirrje nga mbrapa një lëmsh të madh. Si shumë të burgosur politik ai priste që të merrte hakun që i takonte. Na i zvarritin qeveritë më thoshte. Hesapi ynë si dhe i pronave mbyllej deri në vitin 1996. Po të drejtat tona nuk merren me gota. Me një bastun në dorë ai do të delte shpesh deri tek lokali i Bashkisë dhe aty do të kalonte orë të tëra, mes humorit dhe gotës. Jemi të shoqërisë nga votka e poshtë. Po pini, se nesër marrim pensionin. Sali Berisha qëlloi që e pyeti për zgjedhjet, kur ishte gjatë fushatës së vitit 2001, pasi kishte dalë dhe ai ta priste.

“Hë xhaxha, si thue ti, do t’i fitojmë zgjedhjet?”

“Që lopa barsë, barsë është, zoti Sali, po të shohim kur të pjellë”,- iu përgjigj Namik Spahiu në zgjedhjet e vitit 2001. Po në ato zgjedhje Berisha i humbi dhe do të fitonte më vonë.

Sa kishte nisur që të bënte dokumentet, pa i dorëzuar ato Namik Spahiu u nda nga jeta. Shpesh bënte humor se do të na i sjellin lule atje në Shëntriadhë, tek varret e qytetit.

Në hetuesi

Po, veç torturave, për të pranuar akuzën Namik Spahiut iu desh që të qante dhe për një udhëheqës të Kinës, pas goditjeve që i kishte dhënë hetuesi. Ai e tregonte me shumë humor këtë fakt.

“Më njeh, mua. Sa e kam qarë unë Çu En Lain e Kinës, nuk e qan as vetë kinezët.”

“Si, keni qenë në Kinë, kur e varrosën?”

“Jo atje, por në birucat tona e kam qarë.”

“Si e morët vesh?”

“Ma tha hetuesi, nga ai e mësova se kishte vdekur kinezi.”

“Po, si e qave/”

“E di çfarë dite është sot, më tha hetuesi.”

“E enjte, i them unë.”

“E enjte ë, nuk e di që sot ka vdekur Çu En Lai!”

“Ku ta di unë?!”

Atëherë hetuesi më qëlloi me shqelm në kupën e gjurit dhe me një goditje tjetër që më kapi në krah dhe shkau e ndali mbi zemrën time. Unë rashë pa ndjenja dhe për një javë qava, nga plaga e marrë, Ja kështu e kam qarë kinezin, mikun tonë të dikurshëm.

Këtë dialog, Namik Spahiut i qëllonte që ta bënte disa herë në ditë.

E pastaj ai do të niste të rrëfente, se si i kishte ndodhur, që kishte derdhur lot për vdekjen e një udhëheqësi kinez.

 

JETËSHKRIMI

Nga komunist, armik ndaj komunizmit

Namik Spahiu ka lindur, më 16 shtator të vitit 1933, në një familje të vjetër korçare. Rininë e tij ai e kaloi në qytetin e Korçës duke u marrë me çfarëdo lloj pune. Ëndrra e tij ishte që të studionte në ndonjë shkollë ku të fitonte kulturë dhe dije. Ai rrjedh nga një familje me shtresë të mesme dhe disa pjesëtarë të saj luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj. Pas çlirimit të vendit, nëna dhe babai i tij bënë çmos që Namiku si më i vogli i fëmijëve që ishte, të shkollohej diku jashtë vendit, por kjo ëndërr e tyre nuk u realizua kurrë. Megjithatë Spahiu pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare me nota të shkëlqyera, studion në shkollën e mesme ekonomike po në qytetin e Korçës me rezultate të kënaqshme. Mbas disa vitesh aderon edhe si anëtar i thjeshtë në radhët e PPSH-së, për 17 vite rresht, derisa në 15 nëntor të vitit 1975, arrestohet nga forcat e sigurimit të shtetit me akuzën “Agjitacion dhe propagandë politike”

Si e lava me lot qelinë, për vdekjen e Çu En Lait.

-Kisha përhapur fjalën e partisë, -fillonte të tregonte Namiku, -bile kam qenë komunist i flaktë. Jam munduar të punoj dhe jetoj me djersën e ballit. Kam pasur si obligim në jetë ndershmërinë dhe dashurin për familjen, miqtë dhe të njohurit. Nuk ma merrte mendja kurrë, – vazhdonte Spahiu se ai do të ish viktimë në piskun e luftës së klasave, pasi vërtet i brumosur me ide përparimtare dhe kish synuar për solidaritet ndaj njerëzve.

Lidhur me arrestimin e tij, Namiku nuk e fsheh mërzitjen që i shkaktoi befasia dhe mos-sqarimi edhe ndaj vetes, për atë padrejtësi që iu bë ku edhe nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se do të përfundonte nga ana e spiunëve të painformuar dhe të pasaktë siç thotë ai, në një nga burgjet më famëkeqe të Shqipërisë, në atë të Spaçit. Ditën e arrestimit ai niste ta përshkruante si më poshtë.

Arrestimi

“Punoja si magazinier në një fabrikë sallami. Kur po kthehesha nga puna, rrugës isha në qejf, sepse për disa ditë do të festoja 43-vjetorin e lindjes. Gruaja dhe fëmijët më prisnin gjithmonë tek dera e jashtme dhe kur unë ktheja qoshen e fundit të rrugicës, e cila do të me çonte në shtëpi, nxitoja hapin dhe pa një e pa dy fëmijët hidheshin në krahët e mi të fuqishëm. Pasi hëngrëm darkë dhe po përgatiteshim që të flinim, dëgjoj disa të trokitura të forta që sa vinin dhe shpeshtoheshin. M’u kujtuan gjermanët që në kohën e Luftës thyenin dyert e shtëpive për të asgjësuar komunistët apo familjarët e tyre. Gruaja dhe fëmijët u trembën, por unë u ngrita menjëherë dhe renda për të hapur portën, ç’të shikoj. Përpara meje ndodhej shefi i zhdukjes së krimeve Reshat Leskaj së bashku me disa policë dhe prokurorë. Pasi më pa për disa sekonda nga këmbët e deri lart në fytyrë më pyeti: – Ti je Namik Spahiu? -Po iu përgjigja unë. – Në emër të popullit, -më thotë, -je i arrestuar, dhe me një polic tjetër më kap për krahu dhe më fut në një GAZ 69

-Çfarë kam bërë?- i them, kur po merrnim rrugën drejt hetuesisë, aty ku është edhe sot. -Qepe gojën armik!, -më thotë shefi i krimeve, -ti ke sharë sa ke mundur pushtetin tonë. -Nuk është e vërtetë, belbëzova, por sakaq me të mbërritur në hetuesi më futën në një birucë të nëndheshme, ku dritën e diellit nuk e pashë për 7 muaj rresht. Madje një ditë mbaj mend ka qenë e premte, 15 mars 1976. Më thërret hetuesi Xhevahir Lika dhe duke më zhbiruar thellë, më thotë: -Ka vdekur Çu En Lai”, atëherë kryeministër i Kinës” -Po ç’punë kam unë me vdekjen e tij, apo dhe për këtë unë duhet të përgjigjem?! Por ai s’priti më gjatë dhe më dha një goditje të fortë, me majën e këpucës në kupën e gjurit dhe një goditje tjetër me grusht që shkau në krahun tim dhe përfundoi nga ana e zemrës. Në fillim nuk ndjeva dhimbje, por më vonë vetëm zotit t’ia rrëfej. Ato goditje më bënë që të shpërthej kur më kthyen në birucë, me dy palë lot dhe sa e kam qarë unë Çu En Lain, me dhimbje them, se e tërë Kina s’do të kishte lotuar aq shumë për të. Mandej përditë i njëjti avaz. Kërcënime, shantazhe, fyerje dhe presione veç këto kanë dëgjuar veshët e mi. Pastaj fillonin torturat, nga policë me kamxhik dhe duar të përveshura deri në llërë. Më bënin presion me qëllim që unë të vetë deklarohesha agjent i shërbimeve të huaja apo të pohoja se kam sharë për një kohë të gjatë anëtarët e Byrosë Politike dhe vetë Enver Hoxhën. Pas 7 muajve, dola në gjyq me dëshmitarë që nuk i njihja dhe ku më rëndonte akuza për agjitacion dhe propagandë.

Nuk pranova asnjë nga akuzat e ngritura, -vijonte më tej Spahiu,- madje më dukej absurde që unë një komunist me ideale të vyera, të përgatitesha për të vuajtur dënimin e pamerituar. Megjithatë thëniet e dëshmitarëve të rremë, vërtetuan se unë isha i destinuar për t’u dënuar. Dhe ashtu u bë. Prokurori i atëhershëm, Llambi Gegeni kërkoi për mua 16 vjet heqje lirie, por gjykatësi vendosi 9 vjet e tre muaj. Më transferuan direkt në Spaç, në këtë burg famëkeq që i përngjante një Holokausti të vërtetë. Nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar atë mjerim, atë ferr sikur ne të ishim shërbëtorët e djallit. Ushqimi i keq, veshmbathje të ndyra dhe të grisura, një izolim total. Kur ndodhesha vetëm mendoja shumë për gruan dhe fëmijët. Qaja fshehurazi duke parë nga hekurat e dritares së qelisë vetëm një copëz qiell dhe më mërzitej jeta. Punë sfilitëse dhe të rënda që duhet të përballoheshin me një racion buke të papërfillshëm. Megjithatë mendoja,-vazhdonte Namiku, -se me dhëmbë do t’i haja këto vite privim lirie, vetëm e vetëm që familjen ta kisha në rregull. Por nuk vonon shumë dhe vjen fatkeqësia e dytë. Në një letër që më dërgonte gruaja, më shpjegonte se më kish bërë hasha dhe se tani e tutje do të shikonte punën e saj. Nuk po i besoja letrës, paçka se isha i sigurt se shkrimi ishte i saj. Ajo më shpjegonte në letër ndër të tjerash se ishte e bindur që unë kisha sharë Byronë Politike dhe E. Hoxhën. U binda se gruan dikush e kishte fryrë, ndoshta vëllezërit e saj, apo 1200-at, që në atë kohë ishin të shumtë. Ajo ishte më komuniste se vetë komunistët e parë. Nuk kisha ç’të bëja, pashë ç’pashë zemrës i vura një gur harrese për gjithçka, gradova trurin në zero dhe përfytyroja vetëm ditën e shumëpritur të lirimit, e cila më dukej me shekuj larg. Por pas gjithë atyre viteve nuk e harrova, as familjen dhe as partinë time, madje së bashku me një mik, brenda mureve rrethuese të burgut, në mesnatë shkruanim me bojë parulla pro E. Hoxhës dhe marksizëm-leninizmit. Kurse ditën personeli i burgut na dinte sipas relacioneve të ardhura si antikomunistët më të tërbuar. Nga qelia e burgut mora me vete edhe sëmundjen e zemrës, e cila tani më shkaktoi edhe më shumë probleme. Dënimin e bëra kokërr më kokërr, sa më dha gjykata. Kur mbërrij në Korçë, nisem menjëherë për në shtëpi. Përpara më dalin djemtë tashmë edhe më të rritur më përqafojnë duke më parë me një lloj habie, sikur të mos isha ati i tyre. Ishte një skenë e papërshkrueshme, që megjithatë kaloi. Gruaja ishte ndarë, kishte marrë dhomën e katit të dytë, ndërsa mua më kishte përgatitur dhomën poshtë. Edhe sot e kësaj dite ne nuk flasim, megjithëse jetojmë nën një çati. Unë mbetem për atë një armik i luftës së klasave, ndërsa ajo mbeti për mua një komuniste pa takt,-përfundonte rrëfimin e historisë së dhimbshme, të cilën unë e kisha dëgjuar shpesh, por nuk më mërzitej. Pa i mbushur të 75 vite të jetës ai u nda. U nda dhe pa marrë hakun, borxhin për t’u larë me shtetin.

Përgatitur më 25 nëntor 2018