Në dy Qafa në Skrapar, ndeshen trimat me gjermanë

1353
Sigal

Takimi përkujtimor i datës 6 qershor që u organizua në Çorovodë ishte disi veçantë nga të tjerët. Kujtuam dy përvjetorë për të njëjtën ngjarje. Ky takim u zhvillua nën drejtimin e Kryetarit të Komitetit të veteranëve, Enver Naska. Në fjalën e rastit që u mbajt nga sekretari i këtij Komiteti Bashkim Sulejmani , ai nuk e ndau betejën e lavdishme të Qafës së Gjarpërit me betejën e Qafës së Shkozës, zhvilluar 74 vite më parë. Dy përvjetore një ideal, një qëllim, i njëjti heroizëm si ai i 74 viteve më parë. Është bërë tashmë traditë që në çdo përvjetor të mblidhen e të kujtojnë sakrificat, punën plot vetëmohim, shoqërinë e dikurshme, shokët… U mblodhën në këtë përvjetor. I mblodhi një gëzim i veçantë. Vitet ikin por kujtimet nuk harrohen, sakrificat nuk harrohen, gjaku i derdhur nuk harrohet. Amaneti i atyre që derdhin gjakun 74 vite më parë nuk harrohet. E mbajtën gjallë këtë amanet veteranët e Luftës dhe pasardhësit e tyre, që ecin në të njëjtat gjurmë, që dëgjonin të njëjtin zë, atë të heroizmit dhe të sakrificave për ndërtimin e Shqipërisë. Nuk janë të gjithë prezentë. Shkojmë larg në ato vite të lavdishme, kur u shkruan faqe trimërie në betejën e lavdishme kundër okupatorëve dhe tradhëtarëve.

Kujtoj e meditoj. E gjej veten në mes të asaj atmosfere festive, në atë shesh të bukur në Qafën e Gjarpërit. Nëpërmjet një muzgu duket një lapidar që, edhe pse rri i heshtur flet shumë. Ishte ajo pranverë e vitit 1944 kur u bë ajo përleshje e tmerrshme, ku të dy brigadat I S dhe V S u përleshën me gjermanët dhe ballistët dhe lanë në atë Qafë 32 djem nënash. U bë ajo përleshje e tmerrshme. Ai bar me gjithëfarë lulesh e ndërroi ngjyrën. Gjaku u derdh pa llogari. Aty lanë gjakun e tyre dhe disa partizanë të plagosur. Edhe gjermanët lanë në këto male gjakun e tyre. Kanë ikur 74 vjet që atëherë, por ato beteja nuk do të harrohen, sepse në çdo takim përkujtimor po na ndjekin të rinjtë. Në këtë betejë të përgjakshme dha jetën edhe një djalë 15- vjeçar, Mujo që për moshën e tij i kishin vënë mbiemrin, çilimiu. E shohim atë listë të sterosur si në rresht që përbën një togë ushtarake dhe diç na lëviz në shpirt. Janë 32 Yje të pashuar që ndriçojnë ndërgjegje njerëzish që përcjellin vlerat e rëndësishme atdhedashurie trimërie dhe heroizmi. E vështron atë pllakë ku janë skalitur me dashuri emrat e 32 dëshmorëve dhe një dëshirë e brendshme të shtyn të ndalesh gjatë tek secili dhe të përulesh me mirënjohje. Zemra të kërkon “të bisedosh me ta” për të rikujtuar çastet madhore të jetës dhe veprës së tyre për të cilët merituan pavdekesinë.

Të gjithë djem të rinj. Në krye kanë komandantin e batalionit, Xheldadin Beqiri. S’mund t’i linte vetëm ata djem të rinj. Ai djalë Kosove luftoi 74 vjet më parë për Shqipërinë. Më pas Shqipëria luftoi për Kosovën Republikë. Komandanti vazhdon të komandojë batalionin e heshtur, të paktën kështu duket në atë pllakë të lapidarit. Pranë lapidarit u ngjit për të përshëndetur mësuesi i shkollës, Grevë, i cili ishte prezent me gjithë nxënësin Luli Shallari, ku u bënë recitime dhe u kënduan këngë partizane. Por ne na duket sikur edhe dëshmorët na flasin e na tregojnë për ato themele veprash që u ngritën mbi gjakun e tyre të pastër. Dëshmorët janë një kurorë lavdie e krenarie shekullore. Në tregun e lirë të demokracisë nuk kanë munguar e nuk do të mungojnë batakçinjtë politikë dhe mediatikë. Por gjaku i dëshmorëve, as nuk shitet e as nuk blihet dot. Ai është në themelet e Shqipërisë sonë. Ata pak veteranë që kanë ngelur kanë shumë për të treguar, për kryerjen me sakrificë të detyrave, për shokët që nuk janë më, për vitet e atyre ditëve. Të thinjur e të rrudhosur tashmë por krenarë e plot entuziasëm për sakrificat që bënë. Midis veteranëve Qazim Lazja, Zylyftar Myftari, Nebi Hysi, Faik Biraku e Asllan Refati, ndodhet edhe veteran Mehmet Braçja. Mete Braçja herë-herë i hedh sytë nga dritarja dhe vështrimi i tij tretet tek Qafa e Shkozës. Diçka belbëzon me vete, pastaj e ngre zërin “Eh, moj Qafa e Shkozës, moj Qafë!” dhe personi bie në mendime… Çfarë përjeton ish-pjesëmarrësi në atë betejë të përgjakshme në Qafën e Shkozës? Mendon shokët që ranë për liri: “Ja atje kemi luftuar, thotë ai. Hajde luftë hajde. Mbeti i vrarë Gani Nivica, yll i Brigadës. Te tjerë na u plagosën dhe plagët e Luftës do të flasin për tërë jetën si plagë që nuk shërohen. Qafë më qafë bëhej luftë e projektohej liria”. Trimëria e burrave të medhenj si Gjin Marku, Neshat Hysi, Adil Çarçani, Ramiz Alia Kahreman Ylli, Feta Çami e Gani Nivica tronditën qarqet më të larta të nazizmit gjerman. Homazhe zemre, nder e lavdi për ata që dhanë jetën në lulen e rinisë për jetëgjatësinë e Shqipërisë!

Sefedin Met’hoxha