Sigal

ARKIV/ Flet Gjeneral Major në rezervë Kostaq Karoli, ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Një ditë të bukur, njëzetepesë vite nga adoptimi i praktikës kineze për heqjen e gradave në ushtri, mbi supet e oficerëve shqiptar u ripanë sërish yjet e hierarkisë. Kohët po ndryshonin me shpejtësi dhe ushtria po i nënshtrohej një vale reformash të pakthyeshme. Fillimisht shkurtim të kuadrit drejtues e më pas përqendrim të ushtrisë nga pikat e hapjes nëpër kazerma. Nuk do të kishte më 16 mijë oficerë dhe aq më pak 60 mijë ushtarë. Por dalëngadalë do të humbiste dhe roli i Forcave Vullnetare, madje dhe ai i rezervistëve. Shumë gjëra në ushtri do të bëheshin më komode, ndërkohë që dhe shumë nga armatimi do të dilte jashtë funksionit për shkak të rinovimit të teknologjisë. Dhe e gjitha ajo që filloi në vitin 1991 do ta kishte rrugën e gjatë për të përfunduar prillin e 18 viteve më pas, kur Shqipëria do të pranohej si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Duke kujtuar fillimin e reformave në vitet 1991-1992, ish shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, i cili më pas do të emërohej dhe në detyrën e komandantit të Forcave Tokësore, Gjeneral Major Kostaq Karoli, rrëfen:

Si do ta ndjenit veten si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në një kohë trazirash si ato të vitit 1991-1992?

Situata e viteve 1991-1992, karakterizohej nga një paqëndrueshmëri politike (tre qeveri brenda një viti), lëvizje të shumta greviste, eksode masive si nga deti ashtu edhe nga toka, mbyllje ndërmarrjesh e fabrikash, vështirësi në furnizim, etj. Jashtë këtij ndikimi nuk mund të ishte dhe ushtria. Kishte thyerje disipline, kishte largime jashtë shtetit të disa ushtarëve, kishte ndonjë rast të vjedhjes së armatimit por që u gjet shpejt. Megjithatë këto nuk ishin dukuri masive.

Çfarë do ta motivonte ushtrinë në atë kohë që të vazhdonte të qëndronte e gatshme?

Në atë periudhë u punua shumë për forcimin e disiplinës dhe të gatishmërisë. Ruajtja e objekteve dhe angazhimi i efektivave në stërvitje u konsiderua si përparësi. Në ndihmë të popullsisë u organizuam, krahas Operacionit “Pelikan” të ushtrisë italiane, operacioni “Shqiponja”, me rreth 50 mjete transporti. Patëm dhe mjaft provokime ndaj efektivave të reparteve, por që u përballuan me gjakftohtësi e kujdes. Pranë efektivave, ditën dhe natën qëndronin kuadrot e shtabeve dhe komandantët. Duke mos e zgjatur më lejoni që të përdor shprehjen e një gazetareje të huaj e cila tha: “Këtu në Shqipëri punojnë vetëm orët e qyteti dhe ushtarakët!”

Cilat do të ishin reformat e para me të cilat do të përballej ushtria, por këtë herë në një sistem demokratik?

Në kuadrin e reformës që deklaruam në mbledhjen e Shefave të Shtabit të Ushtrive të vendeve anëtare të KSBE-së (sot OSBE), u realizuan masa të shumta për depolitizimin e Forcave të Armatosura. U suprimua funksioni i Komisarit dhe Komitetit të Partisë. U vendosën gradat. Madje më duhet të them se pas 25 vjetësh që oficerët qëndronin pa grada, dhe në një farë mënyre kishte humbur sensi i tyre, ne patëm vetëm 250 ankesa për mospërputhje të gradës me detyrën dhe vitet e shërbimit. Pra në shumicën absolute ushtarakët morën atë gradë që meritonin. Pas këtyre u miratua statusi i ushtarakut, ligji për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ligji për shërbimin informative të ushtrisë, etj. U krijua Policia Ushtarake dhe filloi puna për përqendrimin e njësive e reparteve ushtarake. U vendosën kontakte me mjaft ushtri të vendeve anëtare të NATO-s dhe u dërguan studentët e parë për studime në Turqi, Itali, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkuam që të pranoheshim në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) si vëzhgues.

Gjithsesi kam parasysh që situata nuk ishte fort e qetë dhe ndoshta për herë të parë segmente të forcave të ushtrisë u konfrontuan me pjesë të popullsisë civile?

Sigurisht situata ishte e vështirë, shpesh dhe e paqartë e kontradiktore. Por personalisht e ndjeja veten të privilegjuar, pasi kisha në krahë kolegë, vartës dhe efektiva të përkushtuar e të përgatitur profesionalisht. Qëndrimi luajal i ushtrisë shqiptare në të gjitha problemet e kohës u vlerësua pozitivisht nga të gjitha organizmat e huaja që ndodheshin në vendin tonë në atë kohë.

Shqipëria nga Traktati i Varshavës në NATO. Në fakt ku e ka vendin?

Shqiptarët gjithmonë e kanë pasur syrin nga perëndimi. Edhe po të shihet, pas fitores së pavarësisë, me përjashtime të rralla kishte shqiptarë që studionin në Universitetet e Stambollit, kontingjentet e tjera nisën të ndiqnin mësimet në universitetet e Austrisë, Italisë e Francës. Megjithatë hyrja në NATO nuk varej vetëm nga Forcat e Armatosura. NATO-ja është organizëm politiko-ushtarak. Ne i jemi nënshtruar një analize të hollësishme nga ana e NATO-s, të cilët i kanë parë me hollësi të gjitha gjërat. Dhe të jini të bindur se është bërë shumë progres në ushtri. Jo të gjithë e shohin këtë progres. Sigurisht kjo nuk është bërë pa dhimbje. Si pasojë e ristrukturimit janë larguar shumë kuadro. Por edhe kjo ishte një nga kërkesat e NATO-s. Me bindje të plotë them se tanimë ushtria shqiptare i plotëson parametrat.

Ju tanimë jeni një ushtarak në rezervë. Cili është mendimi juaj për nivelin e oficerëve drejtues sot?

Më është dhënë mundësia që, duke qenë 9 vite komandant i Akademisë së Mbrojtjes, të gjithë brezin e oficerëve që ka detyra të rëndësishme i kam pasur akademistë. Jam i kënaqur që periudha pas viteve 1997 ka marrë një bum me kualifikime dhe specializime për kuadrot ushtarake. Pa asnjë lloj hezitimi mund të them se askush nuk duhet ta vërë në dyshim aftësinë e kuadrove të rinj. Unë flas me kënaqësinë më të madhe për këtë gjë. Gjenerali që më zëvendësoi mua, ka qenë akademisti im dhe ka qenë nga më të mirët. Po kështu të njëjtat fjalë mund të them edhe për ushtarakët që zëvendësojnë kolegët e tjerë që u liruan. Pa asnjë merak mund të them se ka plot djem të talentuar që do ta bëjnë punën dhe më mirë se sa ne.

Bashkëpunimi

Kontributi i drejtuesve të dikasterit

Në 47 vite të qenies së tij me uniformë ai ka përjetuar, nga larg apo së afërmi, drejtimin e dikasterit të mbrojtjes nga jo pak por 17 ministra të ndryshëm. Duke kujtuar një pjesë të emrave të tyre, gjeneral majori në rezervë, Kostaq Karoli thotë: “Mund të them me kënaqësi që gjatë viteve të demokracisë kam pasur fatin që kam punuar me ministra mjaftë të mirë. Secili ka dhënë një kontribut jo të vogël, shpesh herë dhe të padukshëm nga pjesa civile e shoqërisë, që nga Perikli Teta, i cili ka punuar në një situatë tepër të vështirë. Po ashtu Alfred Moisiu, Safet Zhulali. Unë i kam ndjekur, sepse kam qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe mund të them se kanë bërë një punë të mirë. Dua të përdor një shprehje të Aleksandër Meksit, që në një situatë të vështirë qëndrimi i ushtrisë ishte tepër luajal dhe tepër i saktë. Po kështu edhe Luan Hajdaraga ka dhënë një kontribut jo të vogël në përballjen e krizës së Kosovës. Ne ushtarakët e dimë se si ishte gjendja pas 1997-ës. Unë isha drejtor i Logjistikës dhe asgjë nuk kishte në depot e ushtrisë, megjithatë me këmbënguljen e ministrit u bënë plot gjëra. Po kështu dhe Ilir Gjoni ka qenë një ministër energjik, Ismail Lleshi ka qenë një ministër tepër metodist dhe i saktë, i aftë në detyrë. Edhe Luan Rama, një djalë që e desh ushtrinë, sepse kish dalë nga radhët e saj. Edhe me ministrat e tjerë që ishin pas tyre, Pandeli Majko, i cili i dha një fytyrë tjetër problemit të investimeve në Forcat e Armatosura”.

 

Jeta në karrierën ushtarake

Shqipëria me kontingjente ushtarësh në Irak e Afganistan

Por si mund të përshkruhet jeta e një ushtaraku në gati gjysmë shekulli karrierë. Kostaq Karoli, tanimë një Gjeneral Major në rezervë për “Telegraf” thotë: “Sigurisht që një karrierë prej 47 vitesh në ushtri, nga të cilat 41 vite si oficer, ka shumë gjëra që mund të kujtohen. Ka gjëra që mund të shikohen me kënaqësi, por edhe me sensin e kritikës. Një proverb i vjetër thotë “Rinia është për të bërë gabime, ndërsa pleqëria për t’i kujtuar ato”. Si gjithë të tjerët kemi punuar me sakrifica, në dimër dhe verë, larg familjes, dhe kjo është jeta e çdo oficeri. Por kemi pasur dhe rezultate. Pak e kuptojnë këtë jetë, sidomos pjesa civile e ka vështirë të kuptojë një veprimtari gjithë ditën në repart, pa orar, me telashet e familjes dhe të punës. Por, gjithsesi, nëse do të isha i ri dhe do më ofrohej mundësia për të zgjedhur një profesion, pa hezitim do të zgjidhja profesionin e ushtarakut. Mendoj se nuk kam qenë nga ata që kanë thënë me vete “ec ta shtyjmë”. Kam mbaruar shkollën “Skënderbej” me rezultate shumë të mira, Shkollën e Bashkuar dhe kam dalë më gradën toger. Më pas kam vazhduar dhe Akademinë e Mbrojtjes. U jam nënshtruar të gjitha kualifikimeve shkencore dhe aktualisht jam me gradën “Doktor” dhe titullin “Profesor”. Kuptohet, që si unë ka pasur dhe ka shumë oficerë. Ndërkohë që jeta ushtarake ka pasur dhe çaste shumë të bukura. E kam të vështirë t’i kujtoj tani por të bukura kanë qenë stërvitjet me ushtarët, të bukura ishin rezultatet e punës tonë, gjithë progresi që kemi bërë në këto vite. Ka mjaft gjëra në punën e një oficeri dhe komandanti, sidomos në këto vitet e fundit, që është bërë një reformë e thellë progresive për të arritur standardet, një pjesë e së cilës më takon dhe mua. Dhe kjo është vërtet një gjë që më bën të ndjehem mirë. Padyshim që ka pasur dhe çastet kur jam ndjerë keq. Sigurisht që kanë qenë kohët e ristrukturimit, kur shumë kolegë janë larguar nga detyra. Por pozitive ka qenë që këta kuadro ushtarakë e kanë kuptuar pozitiven e ristrukturimit. Një çast mjaft i vështirë ka qenë edhe nisja e kontingjenteve me mision në Irak dhe Afganistan. Kur i kemi nisur, sikur kemi nisur djemtë dhe fëmijët tanë. Në çdo moment ne kemi qenë pranë tyre, dhe çastet më të lumtura kanë qenë kur ata kanë përfunduar misionin dhe janë kthyer të gjithë. Po në jetën ushtarake vështirësitë kalojnë më lehtë, sepse fryma e kolektivitetit është në një shkallë më të lartë se sa në fushat e tjera të jetës”.

Nga Balluku tek Mediu

Puna me 17 ministrat e Mbrojtjes

I pyetur se sa ministra mbrojtje janë nderuar gjatë karrierës së tij ushtarake, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Kostaq Karoli thotë: Besoj se janë shumë, por, kuptohet, që nuk kam pasur të njëjtin kontakt si me këta të fundit, pasi karriera ime ka nisur që nga grada me e vogël. Kam kaluar që nga Beqir Balluku, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Prokop Murra, Kiço Mustaqi, Ndriçim Karakashi, Perikli Teta, Alfred Moisiu, Safet Zhulali, Shaqir Vukaj, Sabit Brokaj, Luan Hadaraga, Ilir Gjoni, Ismail Lleshi, Luam Rama, Pandeli Majko dhe deri te Fatmir Mediu. Nuk kam pse i ndaj, që ishin ministra të këtij apo atij sistemi, duke i parë si ushtarak, mendoj se secili ka dhënë diçka në ushtrinë shqiptare.