Xhorxhi Robo, aktiviteti patriotik në vitet studentore në Normalen e Elbasanit

1155
Sigal

Jovan BIZHYTI

(Sipas kujtimeve të tij)   

Vitet nën pushtimin fashist ishin vite të veçanta historike, kur vendi kishte nevojë për sakrifica sublime në luftën për liri e pavarësi kombëtare. Dhe kësaj thirrjeje iu përgjigjën patriotë, intelektualë, të rinj idealistë dhe shumë njerëz të thjeshtë punëtorë e fshatarë, që nuk kursyen as jetën e tyre, për të vënë gjithçka në shërbim të atdheut. Viti 1938, e gjeti djaloshin myzeqar Xhorxhi Robo, student në Normalen e Elbasanit, ku veç dijes për kulturë, u mbrujt edhe me ndjenjat patriotike atdhetare, me bindje dhe vendosmëri për një Shqipëri të lirë e të pavarur.  Normalistët ishin kryesisht djem të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit, aty i bashkoi jo vetëm jeta studentore, por krijuan dhe miqësi të ngushta midis tyre. Xhorxhi Robo, veç të tjerëve, u lidh fillimisht me shumë shokë, midis tyre dhe me shokë të klasave më të larta e me moshë më të rritur si, me studentët nga Elbasani, Thoma Kalefi (Toma), Tomorr Sinani, (të dy dëshmorë të Luftës) e të tjerë, të cilët ishin frymëzuesit e parë që e angazhuan djaloshin 16-17 vjeçar, Xhorxhi Robo, në lëvizjen studentore kundër pushtuesve fashistë dhe regjimit feudalo-monarkist të Ahmet Zogut, që e kishte lënë vendin në prapambetje e varfëri. Thoma Kalefi, që studentët i thërrisnin “Toma”, ishte jo vetëm nga studentët e dalluar në mësime, por dhe djalë idealist i shkathët e i zgjuar. Ai kishte një bibliotekë të pasur në familje, ku Xhorxhi ra në kontakt me literaturën revolucionare politiko-ekonomike të asaj kohe; si broshura “Revolucioni Francez”, “Revolucioni i Tetorit në Rusi”, romani “Nëna” i Maksim Gorkit, “Materializmi Dialektik e Historik”, “Mbi zhvillimin ekonomik të vendeve  të zhvilluara” e të tjera, që në atë kohë ishin nga librat më të kërkuara.

Në vjeshtën e vitit 1938, në qytetin e Elbasanit qarkullonin ide komuniste të Revolucionit të Tetorit në Bashkimin Sovjetik dhe shumë të rinj  studentë të Normales, kishin përqafuar idetë e “Grupit komunist të Shkodrës”, ku ndër ta ishin dhe Toma e Tomorri, shokë e miq e ngushtë të Xhorxhi Robos. Pra, që në moshën adoleshente, ai i udhëhequr nga bindjet e tij dhe nën ndikimin edhe të shokëve të afër që kishte, u përfshi në lëvizjen komuniste si militant e përkrahës i “Grupit komunist të Shkodrës”. Ato kohë, sapo ishin përhapur idetë komuniste në Shqipëri dhe shumë të rinj e intelektualë, kishin krijuar grupe të veçanta me bindje të tilla si: “Grupi komunist i Korçës”, “Grupi i Shkodrës”, “Grupi i të rinjve i Zjarrit” e tjera. Pranvera e vitit 1939 ishte tronditëse për popullin shqiptar. Lajmi u përhap me të shpejtë, se Italia Fashiste do pushtonte Shqipërinë. Si në gjithë vendin edhe në shkollën Normale të Elbasanit, u krijua një gjendje e nderë e kaotike. Disa mësues patriotë flisnin për mëmëdheun, për rilindësit, për patriotët që kishin luftuar deri në vetëmohim për pavarësinë e Shqipërisë, për ruajtjen edhe në të ardhme të kësaj pavarësie. Po ashtu kishte dhe mësues të tjerë pro regjimit të Zogut, që flisnin për Mbretin dhe masat që kish marrë pushteti i tij për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit fashistë. Kishte dhe mësues profashistë, që thoshin se Shqipëria është e vogël dhe do mbështetje, e mira është të jetë protektorat e Italisë, e teori të tjera. Këto qëndrime krijonin çorientime tek studentët, pjesa dërmuese e të cilëve ishin ende shumë të rinj e të paformuar. Ishte pozitive, që shumica e studentëve shpreheshin të vendosur për pavarësinë e Shqipërisë, se populli shqiptarë ka vetëm një flamur dhe himnin e tij, “Rreth flamurit të përbashkuar”, që këndohej bashkë me këngë të tjera patriotike si: “Jam shqiptar e s’trembem kurrë”, “Eja mblidhuni këtu, këtu”, e të tjera. Në 6 prill 1939, në ambientet e Shkollës Normale, u hap lajmi se Mbreti Zog ka veshur opingat dhe do luftojë kundër okupatorit fashist. Filluan të regjistrohen vullnetarë për në front.

Në 7 prill në mëngjes, kur studentët vajtën në shkollë, u hap lajmi se ushtria fashiste italiane ka sulmuar Durrësin, Vlorën, Sarandën dhe Shëngjinin dhe Mbreti Zog po drejton frontin e luftës për të mos lejuar ushtrinë italiane të pushtoj vendin. Studentët dolën në demonstratë, tregtarët dhe zanatçinjtë elbasanas mbyllën qepenat. Populli i Elbasanit u bashkua me studentët dhe të gjithë në një gojë thërrisnin: “Duam armë për të luftuar!” Sheshi përpara bashkisë u mbush plot me njerëz. Dikush tha, se janë hapur depot e ushtrisë buzë Shkumbinit dhe në Krastë për të shpërndarë armë. Të gjithë grupe-grupe u sulën për atje. Kur mbërritën, panë se topave dhe mortajave u kishin hequr gjilpërat e shkrepjes dhe pushkët ishin pa lloze. Kur populli dhe studentët u kthyen të zhgënjyer nga depot e armatimit, mësuan se sapo kishte kaluar autokolona me Mbretin Zog, familja e tij dhe disa ministra të qeverisë të shoqëruar nga garda qeveritare. Lajmi për të vajtur në kazermat e Shkumbinit e të Krastës ishte një kurth, për t’i lënë rrugë të lirë Mbretit që të arratisej me gjithë familjen e suitën e tij. Urrejtja dhe revolta e popullit dhe e studentëve, u përshkallëzua në përmasa edhe më të mëdha. Në atë kohë po kalonte një veturë me dy ministra të qeverisë, Abdyrrahman Dibra dhe Hiqmet Delvina, që mesa duket kishin mbetur pas të vonuar nga autokolona kryesore. Revolta e studentëve i mori peng dhe i mbylli në hotelin “Grand” në qendër të qytetit. Një profesor i Normales i krahut fashist, Petraq Andoni, ndërhyri, largoi rojet dhe ministrat i la të lirë në rrugën e arratisjes, ku shkoi dhe ai bashkë me ta. Qeveria fashiste që erdhi në krye të vendit, në radhë të parë vuri në shënjestër intelektualët e të rinjtë rebelë që ishin kundër pushtuesve dhe luftonin për një Shqipëri të lirë. Studentët e Normales ishin ajka e djalërisë shqiptare dhe qyteti i Elbasanit e ndjente këtë puls patriotik rinorë. Organizimi i grupeve me të rinj komunistë po zgjerohej edhe më shumë, ku spikatnin  demonstrata masive, hedhje traktesh e aktivitete të tjera për kundër pushtuesve fashist, të cilat tregonin për lidhjet e ngushta të rinjve studentë me lëvizjen komuniste të qytetit dhe me popullin patriot të tij. Një nga demonstratat e fuqishme ishte ajo e 28 nëntorit 1941, e cila tronditi nga themelet pushtetin fashist vendor në qytetin e Elbasanit. Studentët dhe intelektualë të ndryshëm, u përleshën edhe forcërisht me milicinë e kuesturës fashiste, e cila shumë nga figurat që u shquan në demonstratë, i arrestoi dhe i mbylli në qelitë e ftohta të burgut, ku një ndër ta ishte dhe i riu student, Xhorxhi Robo.Në janarin e vitit 1942 u krijua Qarkori i Rinisë Komuniste për Elbasanin në shtëpinë e vëllezërve, Hasan e Met Bajraktari, ku i deleguar nga qendra ishte Nako Spiru, udhëheqësi kryesor i Rinisë Komuniste Shqiptare. Aty u zgjodhën drejtuesit e rinisë për qarkun e Elbasanit, ku përfshiheshin edhe studentët normalist dhe konkretisht shokët: Tomorr Sinani, Xhorxhi Robo, Met Bajraktari, Dashnor Mamaqi, Vaskë Koleci, Hysen Lamçe e të tjerë. Ky organizim, e rriti më tej veprimtarinë patriotike ndër studentët dhe të rinjtë e Elbasanit, si dhe përgjegjësinë e të zgjedhurve në krye të kësaj lufte, që nisi nga sheshet e rrugicat e qyteteve e fshatrave, deri në fushat e malet e Shqipërisë, që nisën të mbushen me luftëtarë partizanë. Shumë nga studentët e Normales nuk pranuan të regjistroheshin në rininë “Xhovani Fashist”, ku nisën të shkruajnë dhe parrulla kundër fashizmit, grisën dhe flamurin italian, duke kënduar këngë patriotike. Kjo situatë i shqetësoi drejtuesit e Normales dhe në fillim të shkurtit 1942, erdhi në shkollë ministri i arsimit në atë kohë, Xhevat Korça, i cili u pritë me zhurma e protesta nga studentët. Ai i revoltuar, i shau studentët dhe njoftoi ministrin e brendshëm të dërgonte forca për të shtypur revoltën. Gjendja erdhi duke u acaruar. Studentët refuzuan ushqimin, që u konsiderua, “Greva e bukës”, bojkotuan mësimin dhe e përshkallëzuan demonstratën në rrugë. Shkolla dhe konviktet u rrethuan nga forcat e xhandarmërisë dhe disa nga krerët drejtues të revoltës, u arrestuan.

I riu student nga Kolonja e Myzeqesë, Nako Bozo (dëshmorë i atdheut), shokë i Xhorxhi Robos,  hipi në ballkonin e shkollës dhe hoqi flamurin italian. Pas kësaj, nisi përleshja me forcat e rendit. Disa profesorë shikonin nga dritaret për të vëzhguar studentët më aktivë e organizatorë të revoltës, që më pas u kapën dhe u burgosën në kuesturë. Meqenëse burgjet ishin të mbushura plotë e përplot, disa nga studentët e arrestuar i hipën nëpër makina dhe i shpërndanë në rrethet e tyre të shoqëruar me milicë. Shkolla Normale u mbyll për një kohë të pacaktuar dhe studentët u shpërndanë pranë familjeve të tyre. Kur u kthyen pas një kohe në shkollë, Xhorxhi ishte në vitin e fundit të Normales, dhe tek porta e shkollës kish dalë lista e studentëve të përjashtuar për një vit, me të drejtë provimi në vjeshtë. Në listë veç të tjerëve, ishin dhe 5 studentë të vitit të fundit si: Xhorxhi Robo, Andrea Malo, Vaskë Koleci, Izet Hysi dhe Dhimitër Panda. U bënë disa përpjekje për tu rikthyer në shkollë, por pa rezultat. Kur u kthye në fshatin e tij në Kolonjë të Myzeqesë, prindërit ishin të shqetësuar. Xha Kosta, xhaxhai i madh në familje e pyeti:

-Po tani në këto kushte, çfarë ke ndërmend të bësh more djalë?

-Do luftojmë fashizmin bashkë me shokët dhe me popullin tim,- u përgjigj ai.

-Të bësh luftë s’është kaq e lehtë,- i tha Xha Kosta,- duhet të kesh popullin pas vetes, të kesh pushkë, revolver e bomba, të jesh trim dhe shumë herë nuk do flesh në krevat në shtëpi, por në mal, në fushë e në kodra si kaçak. Xha Kosta luftën e kish provuar kur ishte kaçak me Çetën patriotike të Myzeqesë të drejtuar nga patrioti Llazar Bozo, që luftonin kundër turqve para viteve 1912.

-Çdo gjë do bëjmë,- i tha Xhorxhi,- jemi të vendosur deri sa të shporrim okupatorin, të çlirojmë Shqipërinë dhe të fitojmë lirinë e shumëpritur.

Nga ajo kohë, Xhorxhi Robo u vu në krye të djemurisë së Myzeqesë së Leshnjes, ku në dhjetor 1942 u krijua  Çeta e parë partizane e Myzeqesë në shtëpinë e tij në fshatin Kolonjë dhe Xhorxhi me shokët: Rahman Uruçi, Spiro Moisiu, Koli Ll. Bozo, Kiu, Nako e Miti Bozo, Skënder Libohova, Sedat Ruli, Loni Dhamo, Llaqi Jano, Sadik Koprencka, e shumë e shumë të tjerë, u vunë në krye të formacioneve partizane në Myzeqe, duke udhëhequr betejat luftarake dhe në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 në malet me dëborë të Tomorricës e Oparit, e deri në çlirimin e plotë të Myzeqesë e të gjithë Shqipërisë.

Idealizmi që ishte brumosur thellë në ndërgjegjen e atij brezi djaloshar që bënë luftën, duke sakrifikuar gjithçka në shërbim të atdheut, popullit dhe lirisë së shumëpritur, ishte një vepër e madhe patriotike e sublime. Dhe idealisti Xhorxhi Robo, e vazhdoi me përkushtim atë rrugë të gjatë me plotë sakrifica. Në mbarim të luftës, në gërmadhat e shtëpisë së tij të djegur nga fashizmi dhe bashkëpunëtori i tyre, krimineli Isa Toska, dhe kur liria e sapo aguar erdhi në vatrat shqiptare, Xha Kosta nuk harroi ti kujtonte atë bisedën e hershme nipit të porsa kthyer nga malet me gjerdanin e fishekëve në brez dhe me pushkën që mbante ende në krahë:

-Të lumtë ore djalë, vërtetë sakrifikove, le një shkollë të pambaruar, por bëre një shkollë tjetër, shkollën e luftës, që ishte shumë më e vështirë dhe me kokë në dorë. Ti me të gjithë popullin e djelmoshat partizanë, luftuat e i sollët vendit lirinë, çliruat Shqipërinë dhe kjo mbetet vepra më e madhe e legjendare në historinë tonë. Ta gëzojmë lirinë, dhe e pushtoi nipin në gjoksin e tij me shumë dashuri.