Sigal

Komisioni i Venecias rrëzoi sot (dje) ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD-ja për procesin e verifikimit të politikanëve dhe lidhjeve të tyre me krimin. Në opinionin e miratuar sot (dje) Komisioni konstaton se propozimet “nuk kanë arritur të ofrojnë udhëzime dhe masa mbrojtëse të përshtatshme për një proces të tillë të ndjeshëm dhe mund të çojnë lehtësisht në shpërdorim të pushtetit”, shpjegon deklarata zyrtare e lëshuar pas miratimit të opinionit. “Duke pranuar synimin e përligjur për të larguar ata që bien ndesh me ligjin dhe ndikimin e tyre nga qeverisja dhe jeta politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin se mungesa e qartësisë ligjore dhe sigurisë lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit mund të çojë në implikime të rënda për të drejtat e atyre që janë subjekt i saj”, shpjegohet në deklaratë, duke shtuar se “opinioni vë në dukje se nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe, nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar dhe nuk ka garanci për të siguruar se procesi mund të mos përdoret në mënyrë të njëanshme politike ose arbitrare. Sipas ekspertëve kushtetues të Këshillit të Evropës, propozimi në shumë mënyra ngre gjithashtu çështje të proporcionalitetit. Projektligji – vijon deklarata – nuk arrin gjithashtu të përcaktojë disa elementë kryesorë, si: çfarë nënkuptohet me kontakt me persona të caktuar; çfarë nënkuptohet me të qenit i përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet me të qenit i përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat”. Propozimi i opozitës shtrihej si ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe ndaj funksionarëve të lartë që emërohen në poste kyçe. “Lidhur me zyrtarët e zgjedhur, Komisioni i Venecias e gjen propozimin në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, sepse shqyrtimi bazuar në faktin se dikush ka pasur kontakte me personat e përfshirë në krimin e organizuar mund të përdoret lehtësisht për kufizimin e të drejtës për zgjedhje të lira, pavarësisht nga natyra e kontakteve”. Ndërsa për zyrtarët e emëruar “opinioni thekson se paqartësitë rreth fushëveprimit dhe zbatimit të saj e bëjnë të vështirë garantimin e të drejtave sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Si përfundim, Komisioni i Venecias vlerëson se “duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin përkatës dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme”. Komisioni shprehet se “hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet e propozuara kushtetuese duhet të merren në Parlament, nëpërmjet dialogut midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, ndërsa shton se është “i gatshëm të sigurojë ndihmë të mëtejshme”.

Reagimi i politikës për draftin e Komisionit të Venecias

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias u lexua në forma të ndryshme nga palët politike. Rama e Basha replikuan mes tyre përmes rrjeteve sociale, për vettingun në politikë. Ndërsa sipas deputetit demokrat Oerd Bylykbashi Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog me opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese. Nuk mund të ndodhte ndryshe! Edhe ky opinion i Komisionit të Venecias, ai final lidhur me vettingun në politikë të propozuar nga opozita, është lexuar ndryshe nga forcat politike kundërshtare. Kreu i qeverisë Edi Rama e cilëson një dështim të aksionit opozitar votimin në Venecia të opinionit final. Kryeministri Rama: “U mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua që e kanë bërë PD-në joserioze në sytë e njerëzve”. Por, nga ana e tij Lulzim Basha këtë reagim të kryeministrit e sheh si produkt të mungesës së njohurisë për ta lexuar si duhet opinionin e Venecias. Basha: “Nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vettingun e politikanëve. Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron”.