Rrëfimet e Myfit Qordukës/ Ja porosia urgjente e Enver Hoxhës për Flotën Detare. Alibia për incidentin e Kanalit të Korfuzit, arratisja e anijes “Mujo Ulqinaku”, heroizmi i Spiro Kotes dhe Gjyqi i Hagës

1115
Sigal

Dosier/Flet ish-oficeri madhor i Flotës Detare, Myfit Qorduka:

  

01- Alibia   dinake  e anglezëve për incidentin e Kanalit   të  Korfuzit

02- Si  ranë në mina, dy destrojerët duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë

03- Dy incidente të njëpasnjëshme, i pari më 15 maj dhe i dyti më 22 tetor të vitit 1946, objekt i të njëjtës akuzë

04- Porosia urgjente e Enver Hoxhës për  detarët në vazhdimësi: “Ruani gjakftohtësinë!”

Po Anglezët ndërtuan besoj alibinë e tyre?

 

Po! Ja dokumenti i tyre… ‘Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asjnë lloj ndihme, e më pas u larguan.

* Më 22 tetor 1946, në afërsi të Kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë tanë. (Nga ditari i anijes flamurmbajtëse anglezë, paraqitur në gjyqin e Hagës)

“Edhe pse ka kaluar plot 60 vjet nga përplasja mes mbrojtjes sonë bregdetare e një skuadriljeje anijesh angleze, i njohur si ”incidenti i Kanalit të Korfuzit”, (në fakt zyrtarisht janë dy të tillë në harkun e 5 muajve ), ku vendi ynë humbi padrejtësisht një përballje në gjyqin e Hagës, ende mbeten mister rrethanat dhe shkaqet e tyre. Edhe pse vendi ynë u përball padrejtësisht me sanksione për këtë incident, ku pala shqiptare nuk ishte përgjegjëse për minimin e bregdetit (siç tregojnë dëshmitarët e këtyre ngjarjeve, por siç del edhe nga dokumentat e kohës, të njohura së fundmi), jo vetëm evidentojnë pafajsinë e vendit tonë, por tregojnë se detarët tanë të sapodalë nga lufta ruajtën gjakftohtësinë, duke siguruar paprekshmërinë e kufijve bregdetarë”, kujton Jaho Stepa, i cili për shumë vite ka qenë komandant i Artilerisë Bregdetare të Sarandës dhe më vonë drejtues për artilerinë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka shërbyer dhe biseduar me pjesëmarrësit e incidentit në Bazën e Sarandës. Referuar dokumenteve zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakëve dëshmimtarë të këtyre incidenteve të rënda, por dhe në incidente të tjera në ditët dhe muajt në vazhdim, Enver Hoxha personalisht dërgonte fonograme me porosinë: ”Ruani gjakftohtësinë!” dhe ndiqte nga afër veprimet luftarake të njësisë detare, në përmbushjen e detyrës për mbrojten e kufijve detarë.

Cilat  ishin Incidentet?

 

Kanë qenë dy incidente të njëpasnjëshme. I pari më 15 maj dhe i dyti më 22 tetor të vitit 1946, objekt i të njëjtës akuzë që qeveria angleze ngriti më vonë për Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut.

Jaho Stepa, kuadër drejtues i artilerisë bregdetare për shumë vite në gjirin e Sarandës, tregon detaje të incidentit të bujshëm me anijet angleze në vitin 1946 në afërsi të Sarandës:

”Ishin orët e para të mëngjesit të 15 majit 1946, kur rojet tona diktojnë dy anije luftarake, pa flamur e shenja dalluese, që i afrohen bregdetit. Bateritë e Artilerisë Bregdetare, duke menduar se ato ishin anije greke që provokonin, siç bënin vazhdimisht, u japin shenjë, duke i urdhëruar të kthehen. Por ata nuk binden. Në këto kushte zbatohet rregullorja dhe hapet zjarr paralajmerues. Të ndodhur para gatishmërisë sonë, anijet ngrenë flamurin anglez dhe detyrohen të largohen. Por ky incident, në Gjykatën Ndërkombëtare, u sajua si një kërkesë për ndihmë nga ana e tyre që gjoja u refuzua nga ana jonë, që në fakt nuk kishte asnjë bazë”.

Ndërsa për incidentin e dytë, atë të 22 tetorit 1946, Jahua tregon: “Katër anije luftarake angleze, dy destrojerë dhe dy kryqezorë, konstatohen se dalin nga porti i Korfuzit dhe morën kursin e lundrimit. Pasi futen në ujrat tona midis Kepit të Kasiopeas dhe Kepit të Varesë, i afrohen bregut. Dy destrojeret ranë në një fushë të minuar nga Lufta e Dytë Botërore, të paditur nga askush, duke u dëmtuar e duke pësuar humbje dhe në njerëz. Në akuzën e paraqitur në Gjykatën e Hagës, vendi ynë u akuzua padrejtësisht dhe u fajësua se kishte minuar bregdetin në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”.

Enver Hoxha porosiste detarët në vazhdimësi: “Ruani gjakftohtësinë!”

Incidentet në vijën bregdetare, nga fillimviti 1946 e më vonë, kryesisht në zonën e Sarandës, ishin të shumta. Me përjashtim të dy rasteve të mësipërme, që u përmblodhën në incidentin e bujshëm të “Kanalit të Korfuzit”, ishin anijet luftarake greke, që jo vetëm provokonin forcat tona mbrojtëse të bregdetit, por shpesh hidhnin, ose tentonin të zbarkonin grupe desantësh apo të arratisur të armatosur, me qëllim rrëzimin e pushtetit popullor. Referuar ditareve luftarake e dokumenteve të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë kohë regjistrohen disa incidente. Ai i 6 korrikut 1945, kur dy anije greke u futën në Kepin e Qefalit dhe rrëmbyen një qytetar shqiptar dhe e çuan në Korfuz, por që u përballën me zjarrin e Artilerisë sonë Bregdetare.

Incdenti i 17 korrikut, kur tri anije luftarake greke u afruan në bregun e Himarës e qëlluan me mitralozë qendrën e banuar, deri te incidenti i njohur detar-tokësor në kufi.

Për incidentet e Kanalit te Korfuzit, sipas burimeve të mësipërme, Enver Hoxha dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, mbaheshin në kontakt të pandërprerë për situatën e jepnin urdhrat përkatëse për veprim luftarak të efektivave bregdetare. Në një fonogram që dërgonte Enver Hoxha për incidentin e tetorit, midis të tjerave thuhej: “Ruani gjakftohtësinë, zbatoni detyrën për sigurimin e paprekshmërisë së kufirit!”. Por incidentet, pasuar me ballafaqimin në Gjykatën e Hagës pak muaj më vonë, jo për faj të detarëve shqiptarë, nuk u evidentuan. Krahas mjegullës që hodhi në marëdhëniet midis vendeve, në hartat e lundrimit u vendos me të kuqe edhe shprehja: “Lundrim i rrezikshëm nga minat në bregdetin shqiptar”, që përgatiste kështu izolimin e Shqipërisë nga ana e detit.

Një ndëshkim i pamerituar për Flotën Luftarake Shqiptare

 

Lidhur me rënien e dy destrojerëve në mina, qeveria angleze i dërgoi nota proteste qeverisë shqiptare, ku e bënte fajtore atë për vendosjen e minave, kur Shqipëria nuk kishte, as mina, as mjete për vendosjen e minave. U shkëmbyen shumë nota proteste me akuza dhe kundërakuza ndërmjet dy shteteve. Iu dërguan nota edhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta shqyrtuar këtë problem e për t’i dhënë zgjidhje. Britanikët i dhanë rëndësi incidentit, madje reagimi britanik ishte më i avancuar. Shtabi i Komandës Britanike të Mesdheut, përmes një telegrami të shifruar dhe shumë sekret, iu drejtua admiralit dhe Zyrës së Luftës (The ËAR OFFICE) në Londër me të cilin informonte se mendohej që admirali Kinahau, para se të largohej nga Korfuzi, të shkatërronte topat e Artilerisë Bregdetare në Sarandë, nëpërmjet bombardimit, ose zbarkimit. Komanda Britanike e Mesdheut, e çmonte incidentin si një mundësi të mirë për t’u dhënë shqiptarëve “një mësim” dhe të demostrohej se “flamuri britanik nuk mund të fyhet pa u ndëshkuar”. Po admirali u përgjigj brenda ditës, duke urdhëruar ndalimin e veprimeve të propozuara. Nota origjinale e 29 majit 1946 e Forin Ofisit, iu dorëzua ambasadorit tonë në Beograd, z.Hysni Kapo. Qeveria Shqiptare këmbëngulte se çdo anije e huaj që hynte në ujrat territoriale shqiptare, duhet të kishte lejen e autoriteteve shqiptare dhe të plotësonte formularët e duhur.

Lidhur me çështjen “a e kanë dhunuar sovranitetin e Shqipërisë anijet luftarake angleze”, me datat 22 tetor dhe 12 e 13 nëntor, gjykata u shpreh se shkelja e ujërave në 22 tetor nuk ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, por një kalim paqësor i tyre. Përsa u përket datave 12 e 13 nëntor, lundrimi i anijeve angleze për çminimin e bregdetit pa lejen e Shqipërisë, gjykata e cilësoi si shkelje të sovranitetit të Shqipërisë. Komisioni Qendror Europian, për pastrimin e minave nuk e mori të mirëqenë pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga anijet angleze, duke e shpallur atë të mbyllur për kalimin e anijeve. Incidenti, për nga mënyra se si u zhvilluan ngjarjet, nuk ishte i parapërgatitur dhe nuk ka të dhëna që të akuzojnë asnjë nga të dy palët. Por kjo nuk do të thotë se incidenti ishte i rastësishëm dhe se nuk kishte asnjë shkak.Të mos harrojmë se, në këtë situatë, tensionet midis dy vendeve ishin ngritur së tepërmi, po të kemi parasysh largimin e misionit britanik, incidentin e 15 majit 1946, shpërthimin e luftës civile në Greqi dhe pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut, që u afishuan hapur në Konferencën e Paqes. Ato ishin baza e një situate të tensionuar. Në komunikimin e Forin Ofisit “nëse kohët e fundit nuk kanë kaluar anije përmes Kanalit të Korfuzit, ne do dëshironim që ju të shqyrtonit nëse një prej tyre mund, ose jo, të drejtohet për atje në një të ardhme të afërt, si një rast testues. (Prot. 1946, fq. 371/58 495). Ky ështe një fakt, i cili mund të kishte sjellë ndoshta një gjykim tjetër nga Gjykata e Hagës në rast se ky dokument do të njihej në atë kohë, por ky dokument është gjetur më vonë. Admirali ia përcolli administratës britanike të Mesdheut me 21 shtator 1946 dhe, prej andej, erdhi përgjigjja se ende nuk kishte kaluar asnjë anije, por synohet, kur kryqëzorët “Mauritius” e “Leander” dhe dy destrojerë do të largohen nga Korfuzi më 22 tetor, ato mund të kalojnë nga kanali Verior“. A mund të jetë ky një version i provokacioneve të qëllimshme!?

Nesër do të lexoni

Akuzat e pabaza të anglezëve në Hagë. Dy çështjet që diskutoi Gjykata Ndërkombëtare

Anglezët përgatitën edhe një ngjarje tjetër, arratisjen e anijes luftarake, “Mujo Ulqinaku”, duke pasur si realizues një agjent të tyre,

-Herozimi i Spiro Kotes dhe realiyimi i skenarit të filmit ‘Dueli i heshtur’nga nasho Jorgaqi