Rami Alia: Beqiri tradhtar, e kapëm me vonesë

1225
Albert KOTINI

(Vijon nga numri i kaluar)
Nga procesverbali i mbledhjes së organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, viti 1974
Në organizatën bazë të partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë zbardhet për herë të parë komploti mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut më datën 13.08.1974 ku i deleguar ishte Rami Alia. Pastaj vijojnë mbledhjet e datës 12.09.1974 mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut dhe Hito Çakos dhe mbyllet në datën 12.11.1974 “dënimi i grupit Beqir Balluku, Hito Çako, Perit Dume, Sadik Bekteshi”. Protokolli me nr. 5 i datës 13.8.1974 përmban mbledhjen e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë Politike ku marrin pjesë të gjithë komunistët. Në mbledhje merr pjesë Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH shoku Rami Alia. Rendi i ditës së mbledhjes ishte: “Punimi i letrës së Pleniumit të 5-të të KQ të PPSH mbi veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Në presidium zgjidhen tre veta Rami Alia, Dilaver Poçi e Duro Shehu
Shoku RamizAlia: Unë mendoj që organizata bazë e Partisë së drejtorisë tuaj, bëri përpjekje për të shqyrtuar më mirë punën e vet, sipas letrës së pleniumit të KQP-së. Thashë që bëri përpjekje, sepse do një rekomandoja që këtë punë ta vazhdoni edhe në të ardhmen me qëllim që të përmirësohet puna e partisë në ushtri. Më kryesorja është se gjithë shokët u sodilarizuan plotësisht me dënimin e veprimtarisë së Beqir Ballukut. Kjo tregon unitetin e çeliktë të ushtrisë me partinë e vet. Komiteti Qendror dhe personalisht shoku Enver kanë treguar dhe tregojnë një kujdes të vazhdueshëm për ushtrinë dhe këtë e tregon fakti që ushtria jonë është e fortë dhe besnike ndaj çështjes së popullit dhe të partisë. Kjo i dedikohet punës së madhe të organizatave të partisë në ushtri, kuadrove të ushtrisë, kujdesit të vazhdueshëm e të pandërprerë të KQ dhe personalisht të shokut Enver. Veprimtaria e Beqir Ballukut dhe puna e tij armiqësore është pasqyrim i luftës së klasave, e cila vazhdon, jo vetëm midis nesh e armiqve të përmbysur, por edhe në gjirin e popullit dhe në radhët e partisë. Domethënë në personin e armiqve të brendshëm e të jashtëm gjenden persona që i kundërvihen vijës së partisë dhe hidhen me armikun. Një nga këto njerëz ishte dhe Beqir Balluku, Fadil Paçrami e Todi Lubonja. Neve kjo nuk na çudit. Ne na çudit fakti që si veprimtaria e këtij tradhtari, degjenerimi i tij nuk u diktua me kohë?!! Veprimtaria e tij është degjenerimi i tij nuk ndodhi papritmas, ai ka vite, por se kur, ne nuk kemi të dhëna konkrete. Pse u thye Beqir Balluku? Ai ka pasur frikë nga presioni imperialist e revizionist. Po cili ishte ky moment që ka filluar të thyhet. Këtë nuk e dimë ne, prandaj duhet ta gjejmë, duhet të reflektojmë seriozisht. Duhet lidhur veprimtaria e tij me momente të caktuara. Më 1966 doli teoria e rrëshqitjes. Pas kësaj kohe lindën shumë momente të tjera kyçe, si më 1967 kur u hoqën gradat, kur partia luftoi për të mbyllur rrugët e liberalizmit në vendin tonë. Në këtë kohë del Halim Xhelua, Dilaver Raçi, këta njerëz ishin rreth tij dhe bile ishin të përkëdhelurit e tij. Me këtë nuk dua të them që veprimtaria e tij filloi në këtë kohë, ajo mund të ketë filluar dhe më parë, por them që është me rëndësi të gjykojmë, që veprimtaria e tij është e lidhur me disa etapa të rëndësishme të vendit tonë, kombëtare dhe ndërkombëtare. Është koha kur partia jonë lufton për të revolucionarizuar ushtrinë tonë e tamam në këtë kohë, Beqir Balluku i kundërvihet vijës së partisë. Dhe ky sulm vjen duke u zhvilluar. Pra, në këtë drejtim të gjithë ne duhet të reflektojmë. Çfarë është me rëndësi këtu? Themelore është që të nxjerrim mësime nga gjithë kjo ngjarje. Qëllimi është që ne duhet ta shndërrojmë këtë fenomen negativ në një gjë të mirë, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një impuls, një shtytje, tërë punës së partisë në ushtri. Domethënë është e domosdoshme t’i japim një shtytje punës së partisë në ushtri, forcimit organizativ e ideologjik të partisë, edukimit të kuadrit, t’i japim një impuls stërvitjes, forcimit të rregullit e të rregullit në ushtri. Të ngremë forcën e partisë e të ushtrisë, e të kuadrove tona, të shkojmë përpara. Pleniumi i katërt i KQ u përdor nga partia për t’i dhënë një impuls tërë punës tonë, për një mobilizim total të gjithë popullit në të gjithë fushat. Korrigjuam të metat dobësitë dhe po ecim përpara. Këtë gjë duhet ta bëjmë edhe për pleniumin e pestë, që t’i çoj përpara tërë punën e partisë në ushtri. Kushti i p[arë është që të zbulojmë të metat, dobësitë tona. Kjo që ndodhi tregon se kemi dobësi e të meta në punën tonë. Ne nuk mund ta pranojmë që Beqir Balluku ishte një karikaturë, një dru, që qëndronte kot. Ai budalla nuk ishte, se po të themi kështu për atë, do gabonim se KQ nuk e mbajti kot kaq kohë në udhëheqje të ushtrisë. Urrejtjen që na ka mësuar partia të kemi ndaj armiqve duhet ta shprehim, por nuk duhet ta minimizojmë atë çka ishte. Ai nuk ishte figurant. Pra direkt ose indirekt qoftë stili dhe metoda, qoftë mënyra e pamjes së problemeve nga ana e tij, kanë lënë mbresa. Për shembull. Ju vetë e thatë çështjen e ziafeteve, të drekave e të darkave, se dhëndri i Beqirit ndihmohet nga prapavija e MMP-së me 20 deri 30 mijë lekë. A ka raste të tjera të këtij lloji që të rregullohet shtëpitë e kuadrove?

– Shoku Hito:.Ka, edhe për këtë jemi kritikuar.
– Shoku Ramiz:.Sheh fiku fikun dhe piqet. Është logjike kjo. Nuk e kam fjalët se kështu kanë bërë të tërë, por që të themi se nuk ka ndikuar influenca e tij dhe kjo nuk është e vërtetë. 
– Shoku Ramiz: -Shohim çështjen tjetër; pse nuk foli njeri këtu për gjithë këto shfaqe? Edhe shoku Petrit e shoku Hito nuk e bënë detyrën e tyre plotësisht. Pse? Ka rëndësi të gjendet “Pse”-ja. Ka rëndësi të madhe që shokët të reflektojnë. Një gjë del evidente se normat e partisë janë shkelur. Kur shkelen normat e partisë, i hapet rrugë shthurjes, degjenerimit, veprimtarisë antiparti. Duhet parë kjo që nga mospjesëmarrja në mbledhjen e Beqir Ballukut. Ju thatë që ka dhe të tjerë që kanë thyer normat e partisë. Këtu shoku Nane, si sekretar i komitetit të partisë, është treguar liberal e konformist, jo vetëm ndaj Beqirit, por edhe ndaj shokëve të tjerë. Gjërat duhet t’i themi siç janë, pa i zbukuruar, se ashtu nxjerrim mësime. Pra, shoku Nane nuk e ka kryer detyrën. Në statutin e partisë thuhet që po mungove tre herë në mbledhje të organizatës, përjashtohesh nga partia dhe kjo nuk është shaka. Shoku Enver nuk mungon asnjëherë në mbledhjet e organizatës së partisë. Kur kemi mbledhjen e organizatës së partisë, duhet të lëmë të gjithë punët. Kjo është norma elementare e partisë. Këtu duhet me qenë shumë rigoroz. Ka munguar kritika dhe autokritika, ka shenja mbytje të saj, por këto janë normat e partisë. Këto norma partie janë shkelur dhe kështu i është lënë shteg veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut. Këtu ka predominuar shefi dhe jo partia. Ne shef kemi partinë dhe kush e cenon atë duhet t’i presim këmbët, kurse do të nderojmë cilindo në qoftë se është në rregull me normat e partisë. Unë mund të gaboj. Të gjithë mund të gabojnë, por jo deri aty sa të thyejnë normat e partisë. Këtu duket roli i partisë. Pra këtu janë thyer normat e partisë dhe jeta e brendshme e partisë nuk ka qenë si duhet. Duhet shikuar dhe rendi i ditës, si është për detyra themelore apo për anësoret. Ka detyra për gatishmërinë, për stërvitjen etj., por dhe për stilin dhe metodën e punës. Këto çështje themelore diskutohen në Organizatën Bazë të Partisë. Po ashtu duhet të shikohen dhe vendimet e organizatës bazë se si janë dhe si zbatohen nga të gjithë. Nuk bëhen mirë këto, prandaj ka edhe mungesa në mbledhje të organizatës bazë. Prandaj dhe flasim ndryshe nga mbledhja e organizatës. Po të jetë që vendimet e partisë u imponohen drejtorëve ata do të vijnë në mbledhje se do të japin mendimin e tyre. Pra në këto raste, organizata e partisë nuk është në rolin udhëheqës. Sulmi agresiv i Beqir Ballukut kundër vijës së partisë, fillon që atëherë kur partia mori masat për forcimin e ushtrisë, duke vendosur komisarët, për të zhdukur çdo tendencë kastash e që ajo të udhëhiqet nga partia. E vërteta është se që nga viti 1967-1974 ushtria jonë ka bërë përparime. Roli i organizatave të partisë është rritur shumë megjithatë ka vend për një punë më të madhe. Duhet të bëjmë me doemos që organizata bazë e partisë të jetë shpirti i ushtrisë. Le t’i referohemi eksperiencës së Luftës Nacionalçlirimtare, si ish roli i organizatës bazë, si ish kritika dhe autokritika? Organizata bazë vendoste, disiplina ishte shumë e lartë dhe e ndërgjegjshme, kritika dhe autokritika ishte në shkallën e duhur. Të kritikonte shoku si komunist, por edhe të donte, vritej partizani për komandantin. Duhet marrë shembull nga lufta Nacionalçlirimtare. Nga kjo pikëpamje jeta e brendshme e organizatës del me boshllëqe. Këtu ka dobësi. Drejtoria politike nuk e ka bërë mirë punën e saj. Kur themi që të forcohet roli i punës së partisë, nuk themi që të mohohet roli i komandës e të prishet disiplina, por të tërë duhet të bëjnë punën e tyre. Partia u jep jetë të tërëve, sepse është ajo forca që i bën njerëzit të ndërgjegjshëm, prandaj nga kjo pikëpamje jeta e brendshme e partisë ka rëndësi të veçantë. Kuadrot e ushtrisë janë të kalitur e revolucionarë në fushën e profesionit si specialist ushtarak. Por ne duhet të punojmë më shumë për t’i kalitur si komunist, si revolucionar me mësimet e partisë, sepse konstatojmë se në këtë drejtim ka dobësira. Duhet të forcojmë punën edukative me kuadrot. Këtu në Ministri, një pjesë e kuadrove mungojnë në format e edukimit. Mirë e tha një shok këtu që në tru nuk mund të mbesë vend bosh, se po të gjendet një vend bosh ai do të mbushet me diçka tjetër. Për asnjërin nga ne nuk është e tepërt të studiojmë vazhdimisht. Dimë pak, por duhet të dimë më shumë që të kryejmë detyrën sa më mirë. Ne të tërë kemi nevojë që të freskojmë idetë, mendimet. Arma jonë më e fuqishme është marksizëm-leninizmi, idetë e partisë, mësimet e shokut Enver. Këto duhet t’i zotërojmë. Prandaj drejtoria politike duhet të organizojë më mirë këtë problem, dhe organizatat e partisë duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes. Para tre katër vjetësh kam biseduar me shokun Hito, kryesisht për edukimin e kuadrove të ushtrisë. Kjo duhet parë me sy kritik, pasi kemi një ngurtësi kornize që nga Ivanovi, që njerëzit nuk i shprehnin mendimet lirisht, edukimi i njerëzve duhet të mos bëhet në suaza, ata duhet të gjejnë mundësi për zhdërvjelltësi e mendimeve. Duhet të diskutojmë lirisht, t’i thyejmë planizimin e Ivanovit, të diskutojmë për çështjet kardinalë të partisë, të krijojmë bindje për vijën e partisë. Kjo punë duhet të jetë e ngritur sidomos për ruajtjen e normave të partisë dhe të vijës së saj. Shokët kryesorë i qëndruan Beqir Ballukut. Ata nuk ranë në grackën e tij, por vetëm bënë nuk shkuan më tej, nuk bënë deri në fund luftën. Kjo është dobësi. Këto dobësi që kanë në jetën e partisë ju duhet t’i shikoni dhe në të ardhmen, të thelloheni më tej. Çdo sektor duhet të luftoj për ta përmirësuar punën më tej. Ky është qëllimi ynë. Unë e konsideroj këtë punë një hap përpara, por kemi nevojë të bëjmë më shumë. Po hap një parantezë. Por të shikosh shtypin ka shumë të meta. “Zëri i Popullit” që është organ i KQ, tani ka artikuj të përgjithshëm, në to nuk flitet për norma, si duhet të jetë komunisti revolucionar. Kështu do të ushqehej më mirë komunisti si nga organizata dhe nga shtypi. Lexon zërin e popullit dhe nuk kupton se çfarë halli ka partia. Tani partia po zien, kurse shtypi nuk shkruan asgjë. Këtu duket aftësia e gazetarit. Duhen bërë artikuj për normat e partisë, natyrisht jo për Beqir Ballukun. Pra kemi shumë për të bërë. Shoku Enver na bëri dhe një vërejtje për artistët e ushtrisë, si për këngëtarët ashtu dhe për ata të baletit, të cilët e mbajnë kokën lart, kurse artistët e merituar janë të thjeshtë. Në qoftë se duan të bëhen si ansambli Aleksandrov, është ndryshe, por ne kemi rregullat tona dhe nuk duhet të kopjojmë. Ata janë përkëdhelur dhe kjo është e keqja. Kjo di parë me vëmendje. Këtu shihet tendenca për të dubluar organet e shtetit, ndërmarrje botimesh, teatër ushtrie etj. Ka tendenca mendjemadhësie tek shkrimtarët ushtarakë, si: Lirim Deda, Ibrahim Gani etj.. Shkrimtarët ushtarakë mendojnë, ne jemi partia, ne luftojmë për një çështje të mëdha, etj.. Kjo nuk është e drejtë. Jo, shokë, partia karakterizohet nga thjeshtësia dhe jo nga gjërat megallomane. Nuk duhen lavdërime. Mua më ka kritikuar disa herë shoku Enver, që nga artikujt e gazetës të ketë thjeshtësi, mburrjet nuk edukojnë mirë. Shoku Enver na mëson që të jemi modest. Nga kjo pikëpamje duhen parë gjërat. Ka të meta e dobësi dhe në sektorë të tjerë të jetës së ushtrisë, por këto duhen analizuar më mirë nga gjithë drejtoritë e ministrisë, gjithë kuadrot për të nxjerrë mësime, për të përmirësuar më tej punën. Secili duhet të pyesë veten: Ç’qëndrim kam unë ndaj normave, disiplinës, gatishmërisë, stërvitjes etj.. Duhet ta nisim nga vetja. U tha këtu nga shokët, që të ngrihet autoriteti i drejtorisë politike, por autoriteti i drejtorisë politike nuk ngrihet me paterica, por me punë. Vetëm puna e saj do bëjë që ajo të respektohet. Drejtorinë politike nga drejtoritë e tjera e veçon fakti se ajo e ka jetën e partisë në dorë. Kjo e bën që t’i kërkojnë ndihmë gjithë drejtoritë e tjera. Unë këtu nuk jap mendime për çështjen e këmishëve të makinave, këto shikojini ju. Duhet pasur kujdes që të dallojmë normat e partisë nga hierarkia ushtarake. Kur flasim për normat e partisë jemi të tërë njësoj, nuk ka dallim. hierarkia ushtarake ka të bëjë me rregullat ushtarake, disiplinën, të cilat duhen zbatuar me përpikmëri. E quaj të nevojshme të them që duhen vënë pikat mbi “i”. Mendoj që drejtoria politike duhet të ndjekë mirë diskutimet që bëhen në parti. Procesverbale e organizatave të ministrisë, po studiohen me vëmendje e të evidentohen problemet mirë. Të merren masat për funksionimin e organizatave bazë dhe për edukimin e kuadrove, të forcojë edukimin dhe jetën e brendshme. Të merren në vëmendje të gjitha ato që thuhen për Beqir Ballukun, si për lopët, dhitë etj., në mënyrë që të gjejmë lidhjet. Duhet nxjerrë konkluzione. Është e qartë që ai është një njeri i degjeneruar, por që kur ka filluar kjo? Që në ‘45-ën? Mund të thuhet jo. Po kur? Si? Duhet të dalin më qartë këto gjëra, me të gjithë ngjyrat. Të shikohen me kujdes problemet e kuadrit, sepse pas çdo emri, fshihet njeriu, familja e tij. Kjo nuk është çështje e thjeshtë. Duhet par ëme kujdes, të zbatojmë rregullat e partisë. Askush nuk duhet të na pengojë të zbatojmë rregullat e partisë. Asnjëri nuk duhet të na detyrojë të shkelim rregullat. Për këto gjëra mund të flasësh edhe gjatë edhe shkurt, por çështja është që të reflektojnë vetë. Puna më e mirë kur nxjerrim mësime është që të shkojmë përpara. Duhet të bëjmë luftë klasore, luftë kundra të metave, kundër gabimeve. Të hidhemi në luftë për mbrojtjen e vijës së partisë. 
(Fondi i Drejtorisë Politike)
Sigal