Mançester Junaited bëhet “çështje” me Murinjon e Lukakun

591
Nga Agron KAJA
PREMIERLIGA/ Nesër luhen ndeshjet e javës së 20-të, situatë jo e mirë në skuadër para ndeshjes sot me Bërnlin
Pas 19 javëve të luajtur në Premierligë, skuadra e Mançester Junaited e sheh veten larg vendit të parë, pasi qytetarët kryesojnë renditjen me 13 pikë më shumë. Kjo situatë ka sjellë edhe dy probleme, para ndeshjes së sotme, në të cilën Mançester pret në “Oll Traford” skuadrën e Bërnlit, e cila renditet në vendin e 7-të, duke pretenduar Evropën. Së pari, kontrata e trajnerit Hoze Murinjo, e cila skadon në fund të sezonit 2018-2019, tashmë është vënë në dyshim për rinovim, sikundër edhe veprohet në liga të mëdha profesioniste, për vetë pozicionin që skuadra mban në tabelën e renditjes. Por, “Daily Miror” shkruante dje se, bisedimet kanë ngelur pezull për shkak të rezultateve të fundit të ekipit, sepse kështu, Mançesteri ndodhet shumë larg objektivit të titullit. Hoze Murinjo e mori drejtimin e Mançester Junaited në verën e vitit 2016, dhe firmosi një kontratë trevjeçare, por zhvillimet e këtij sezoni duket se po i bëjnë edhe me skeptikë drejtuesit e klubit. Por një tjetër problem është bërë evident këto javë te Junaited, i cili ka të bëjë me sulmuesin belg Rumelu Lukaku. Pasi Zllatan Ibrahimoviç u dëmtua rëndë në fund të sezonit të shkuar, ai u ble për 73 milionë euro si një sulmues perfekt për futbollin anglez, por sot të shumtë janë ata që mendojnë se belgu nuk është vendimtar në ndeshjet e mëdha dhe humbet shumë raste. Sezoni 2017-2018 nisi mbarë për Lukakun, i cili shënoi me një rregullsi të kënaqshme, por prej javësh ka ngecur dhe duket i trishtuar, aq sa nuk ka festuar fare në golat e shënuar ndaj Bornemuthit e Uest Bromit. Sipas britanikes “Daily Mirror”, faji është i… Ibrahimoviçit! Sepse sulmuesi suedez është riaftësuar në kohë rekord dhe po rimerr vendin në formacionin e Mançesterit, duke detyruar Lukakun të luajë si sulmues krahu, rol aspak i përshtatshëm për 24-vjeçarin belg. Dhe, që kur është kthyer Ibraimoviç, rendimenti i Lukakut ka rënë ndjeshëm, ku në 10 ndeshje ka shënuar vetëm 4 gola, ndërsa në 9 ndeshjet e para kishte shënuar 10 gola. Kjo ngecje për të ka edhe një të veçantë tjetër që nuk e lejon shumë lëvizjen, sepse menaxheri i tij, Ibrës dhe i Pogbasë është pikërisht Mino Rajola. Ndaj Lukaku mbetet në situatë të ndërlikur, e për më shumë do të duket nesër në sfidën me Bërnlin.
“Daily Miror” shkruante dje se, bisedimet kanë ngelur pezull për shkak të rezultateve të fundit të Mançesteri që ndodhet shumë larg objektivit të titullit kampion në Premierligë
Siti në transfertë të vështirë me “qymyrxhinjtë” e Njukasëllit
Java e 20-të e Premierligës angleze, dje veçonte si ndeshje delikate atë që do të luhet nesër në Njukasëll, ku kryesuesit e Mançester Sitit do të kërkojnë shkëputjen më të madhe në pikë ndaj Mançester Junaitedit. Për trajnerin Guardiola, kjo është sfida e parë përmbyllëse e vitit 2017 në transfertë, sepse në datën 31 dhjetor 2017, Siti ka një tjetër transfertë, ndaj Kristal Palas. Ndaj ndeshjen e nesërme në Njukasëll, mediet angleze e kanë veçuar si më delikaten.
Ndeshjet-Java e 20-të
Datë 26 dhjetor 2017
Totenhem-Sauthempt. 13:30
Bernemouth-Uest H 16:00
Çelsi-Brighton 16:00
Hudersfild-Stok Siti 16:00
Mançester J-Bërnli 16:00
Uatford-Leister 16:00
Uest Brom-Everton 16:00
Liverpul-Suonsi 18:30
Datë 27 dhjetor 2017 
Njukasëll- Manç.Siti 20:45
Datë 28 dhjetor 2017 
Kristal P-Arsenal 21:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Mançester S 19 55
2. Mançester J 19 42
3. Çelsi 19 39
4. Liverpul 19 35
5. Totenhem 19 34
6. Arsenal 19 34
7. Bërnli 19 32
8. Leister 19 27
9. Everton 19 26
10. Uatford 19 22
11. Hudersfild 19 22
12. Brighton 19 21
13. Sauthempt.19 19
14. Stok Siti 19 19
15. Njukasëll 19 18
16. Kristal P. 19 18
17. Uest Hem 19 17
18. Bernemuth 19 16
19. Uest Brom 19 14
20. Suonsi 19 13
Sigal