Provokacioni grek i 1949 la 300 të vrarë dhe 500 të plagosur

2838
Sigal

Dosier/ Viti 1949 dhe provokacionet greke, të gjitha detajet e përplasjes së madhe

Numri i provokacioneve greke prej 1 janarit 1949 deri në 5 prill të këtij viti arrti në 92

Më 22 shkurt ushtria greke kishte qëlluar me 2 predha artilerie në drejtim të piramidës nr. 5 të rrethit Ersekë

– Manush Myftiu, i dërgoi Sekretariatit të Përgjithshëm të UNO-s,  telegram-protestë

Ushtria greke në këtë provokacion la 300 të vrarë dhe  500 të plagosur

 

Nga Vepror Hasani

 

Provokacionet greke kundër Shqipërisë nisën në vitin 1945, vazhduan me intervale gjatë viteve 1946, 1947, 1948 dhe më 1949.  Më 2 gusht të 49-ës, ndodhi përplasja e madhe. Gjithçka rrodhi me logjikën e nisjes së një lufte. Me fillimin e këtij viti numri i provokacioneve u rri me shpejtësi. Agresiviteti u bë më i madh. Shqipëria sulmohej herë pas herë nga toka, nga ajri dhe nga deti. Mijëra predha artilerie dhe mortaje binin mbi tokën tone. Zona përgjatë kufirit, nga Vidohova e Devollit e deri në Konispol të Sarandës, ishte e rrezikuar. Dukej qartë se Greqia kishte një plan lufte të qartë. Në vitin 1949 Jugosllavia u bë përkrahëse e këtij plani.

Era e luftës

Në repartin e vogël kufitar të Vidohovës në rrethin e Devollit, shumica e kufitarëve ishte nga krahina të tjera të Shqipërisë: nga Tepelena, Skrapari, Lushnja, Shijaku etj. E kishin një parandjenjë: dikush prej tyre do të mbetej përjetësisht në malet e Gramozit, aty te piramida nr. 55, pa mundur të kthehej më në familjen e vet, por askush prej tyre nuk e mendonte shmangien nga lufta. Ata ishin pjesë e luftës. Dihej, në fushën e betejës do të mbeteshin të vrarë, të plagosur, robër dhe dezertorë që do të nxitonin të dorëzoheshin te kundërshtari për t’i shpëtuar frikës dhe vdekjes.  Por ata i ishin betuar njëri-tjetërit se kjo gjë nuk kishte për të ndodhur kurrë me ta. Nuk do ta braktisnin shokun që kishin në krah; as të plagosurin dhe as të vrarin nuk do ta linin në duart e grekëve. Në repart do të ktheheshin të gjithë bashkë, qoftë edhe të vdekur. Kapiteni Memo Nexhipi që shfaqej herë pas herë mes kufitarëve, përcillte vazhdimisht ndjenjën e besimit dhe të fitores.

Grekët, 3 të vrarë dhe 5 të plagosur

Që nga fillimi i vitit 1949, kishin kaluar vetëm tre muaj, prilli sapo kishte mbërritur. Në këto tre muaj provokacionet nuk patën të reshtur qoftë edhe për një ditë të vetme. Në informacionet që vinin nga Ministria e Mbrojtjes, thuhej: “Numri i provokacioneve greke prej 1 janarit 1949 deri në 5 prill të këtij viti arrin në 92. Gjatë muajit janar, monarko-fashistët grek  kanë bërë nga ajri dhe toka 26 provokacione, ndër këto ka patur të atlla me karakter agresiv siç është ai i bërë me 10.01.1949, kur një kompani ushtarësh monarko-fashistë e përbërë nga 100 vetë, të ardhur nga Alevica, (Greqi), hyri në tokën tonë me formacion lufte në sektorin e Vidohovës (Bilisht). Qëllimi i hyrjes së tyre në këtë sektor ishte të sulmonte në befasi patrullën tonë që kryente shërbimin dhe ta kapnin rob ose ta asgjësonin. Mbasi diktoi qëllimin e tyre, patrulla jonë hapi zjarr. Ushtarët monarko-fashistë që kishin zënë vend dhe që ishin përgatitur me kohë, hapën zjarr të rreptë me pushkë e mitralozë kundër patrullës tonë. Përpjekja zgjati më shumë se dy orë. Monarko-fashistët patën 3 të vrarë dhe 5 të plagosur; ndër të vrarët ndodhej një rreshter. Nga ana jonë u plagos vetëm një ushtar”, përfundonte komunikata.

Vidohova

Pavarësisht nga humbjet, grekët vazhdonin të ishin po aq provokativë sa edhe më parë. Nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin. Kishin katër vjet që vetëm shpenzonin për këtë betejë; donin ta çonin luftën deri në fund me patjetër. Më e padurueshmja për ta ishte mungesa e lavdisë së ushtrisë së tyre.  Fjalën “turp” askush nuk e zinte ngoje, por të gjithë e ndjenin. Ishte kjo arsyeja që përgatisnin sulme nga më të pabesat. Kjo ishte dhe arsyeja pse banorët e Vidohovës prisnin në ankth çfarë do të sillte e nesërmja. Fshati i tyre ndante dy shtetet ndërluftuese. Edhe posta e kufirit ishte aty. Ata njihnin të gjithë ushtarët që kishin ardhur dhe ikur ndër vite. Shumë prej tyre ishin martuar me çupat e Vidohovës. Ndoshta të tjera çupa ishin dashuruar me ushtarët që kishin ardhur nga krahinat e tjera të vendit. Vidohova ishtë shndërruar në epiqendrën e goditjeve të ushtrisë greke. Për çdo informacion që mbërrinte në komandën e repartit viheshin në dijeni edhe vidohovarët. Mes ushtarakëve dhe civilëve të Vidohovës nuk kishte sekrete.

Me rrezikun e bombardimeve

Gjithë çfarë kishte ndodhur banorët e rrezikuar i kujtonin herë pas herë. Me fillimin e janarit 1949, mbi Vidohovë ishin parë të fluturonin aeroplanë të mëdhenj, zhurmat e tyre kishin qenë të llahtarshme. Më 25 janar ushtarët grekë të grumbulluar në Alevicë (Greqi), qëlluan prej andej me mortaja në drejtim të piramidës nr. 55, (sektori i Vidohovës).  Predhat ranë në një thellësi prej 15 metrash. Në shkurt gjendja u bë edhe më e keqe. Sipas informacioneve zyrtare, “gjatë këtij muaji ishin shënuar 25 provokacione; 2 nga toka, 1 nga deti dhe pjesa tjetër nga ajri”. I tmerrshëm kishte qenë edhe provokimi i 1 shkurtit; 8 mortaja ishin hedhur në drejtim të piramidës nr. 55, (sektori Vidohovë),  të cilat kishin rënë 200-300 metra në brendësi të tokës shqiptare. Nuk pati të lënduar por gjendja ishte alarmante. Fshatrat dhe qytetet që gjendeshin përgjatë kufirit tashmë ishin, njëlloj të rrezikuara. Ministria e Mbrojtjes informonte vazhdimisht: më 22 shkurt ushtria greke kishte qëlluar me 2 predha artilerie në drejtim të piramidës nr. 5 të rrethit Ersekë. Predhat ranë 150 metra në brendësi të tokës tonë. Ndërkohë informohej se në dt 18 shkurt një nëndetëse kishte qenë duke lundruar ndërmjet Vivarit dhe “Kepit të Stillos”, por fatmirësisht ishte diktuar nga rojet tona, të cilët e qëlluan kur ndodhej në një distancë prej 70 metrash nga bregu. Pas hapjes së zjarrit nëndetësja u larguar në drejtim të Korfuzit.

Dorëzohen 9 ushtarë grekë, plagosen 2 të tjerë

Edhe muaji mars qe i vështirë. Prilli u shoqëruar me bombardime të shumta. Mirëpo lajmet që vinin, flisnin për panikun që po pushtonte radhët e ushtrisë greke: disa ushtarë kishin mbetur të palagodur, të tjerë i ishin dorëzuar ushtrisë shqiptare; në zonën e leskovikut ishin thyer keqas. Sipas burimeve zyrtare, në muajin mars nga ana e grekëve ishin bërë 35 provokacione, prej të cilave 2 nga deti, 3 nga toka dhe pjesa tjetër nga ajri”. Dy prej tyre veçoheshin si më domethënset; ai i datës 13 mars kur një motoskaf grek kishte hyrë në ujërat tona territoriale për më tepër se 500 metra në drejtim të Ksamilit (Sarandë) dhe ai i datës 22, kur ushtarët grek kishin qëlluar me 2 predha mortaje, të cilat kishin rënë 150 metra në brendësi të tokës tonë në drejtim të piramidës nr 55, sektori Bilisht. Grekët kishin treguan agresivitet edhe gjatë ditëve të para të prillit. Sipas burimeve në fjalë: “Gjatë pesë ditëve të para të muajit prill, grekët kishin  provokuar 6 herë, me tokë dhe ajër.  Por ato që veçoheshin nga të tjerat ishin provokacionet e bëra më 3 prill, kur ushtarët monarko-fashistë kishin hyrë në tokën tonë në një thellësi për 100 metra në drejtim të piramidës 8-9, kuadrati 58-57, sektori i Leskovikut. “U desh vetëm gjysëm ore përleshje, -pohonin burimet,- që 9 prej ushtarve grek të dorëzoheshin. Më pas, kur u kontrollua gjjithë territori, në kudratin 55-78, u gjetën edhe dy ushtarë grekë të plagosur”.

Synohej marrja e Korçës

Tashmë ushtria greke synonte marrjen e Korçës, por që të ndodhte kjo duhej të thyhej Vidohova. Ndaj, jo rrallë herë, kjo zonë bombardohej në mëngjes dhe në mbrëmje; ndodhte të sulmohej edhe disa herë në 24 orë. Po numërojmë disa prej sulmeve: Më 8 prill 1949, ora 06.00, në drejtim të piramidës 55, (sektori Vidohovë), ushtarët grekë qëlluan me 5 predha topi, 200 metra në brendësi të tokës tonë; po atë ditë, ora 20.00, në të njëjtin sektor, por në drejtim të piramidës nr. 56, grekët qëlluan me 5 predha topi 100 metra në brendësi të tokës tonë. Më 09 prill, ora 15.00, përsëri në sektorin e Bilishtit, në drejtim të piramidës 55, ushtarët grekë qëlluan me 3 predha topi 100 metra në brendësi të tokës tonë; po atë ditë, ora 18.00, në drejtim të piramidës 55, ushtarët grekë qëlluan me 3 predha topi 150 metra në brendësi të tokës tonë, por avancimi drejt Korçës ishte i pamundur. Me qëllim shpërqendrimin e ushtrisë shqiptare, në të njëjtën kohë provokohej edhe në jug të Shqipërisë. Më 9 prill, ndërsa ushtria greke kryente operacione ushtarake në sektorin e Devollit, në orën 16.00, një aeroplan i huaj i ardhur nga Greqia, pasi kishte fluturuar mbi Konispol dhe Ksamil të Sarandës ishte larguar duke fluturuar drejt Italisë; kurse më 10 prill, ora 12.30, ushtarët grekë qëlluan me 14 predha artilerie, 2000-3000 metra në brendësi të tokës tonë; po atë ditë, ora 03.00 pas mesnate, grekët vranë edhe një ushtar të patrullës tonë.

Një bombardues i drejtohet Leskovikut

Vidohova vijonte të bombardohej. Prej datës 11 deri në dt  13 ushtarët grekë hodhën në këtë zonë 2 predha mortaje dhe 17 predha topi. Megjithatë, po kaq të kërcënuara mbeteshin edhe zonat e tjera përgjatë kufirit. Më datën 13 prill 1949, ora 17.30 minuta, në sektorin e Leskovikut, drejtim piramidës nr.15, u pa të  hynte një aeroplan bombardues. Për banorët e qytetit ishtë vërtet një tmerr i madh. Leskoviku mund të kthehej në një gërmadhë, por nuk ndodhi asgjë e tillë. Rojet e kufirit nuk e lanë të përparonte sipër qytetit. Qëlluan drejt tij që në çastin e pare; aeroplani bombardues u detyrua të kthehej andej nga kishte ardhur. Po atë ditë, kur kishte filluar të binte mbrëmja, në orën 20.30 minuta, forcat tona të kufirit diktuan se në sektorin e Konispolit, në drejtim të piramidës nr.74, në ujërat tona kishte hyrë një beniznatë greke. Lundronte në një largësi prej 1.000 metrash nga bregdeti. Ushtarët tanë e detyruan të largohej. Nuk patën sukses as në Leskovik dhe as Konispol. Sipas komunikatave zyrtare, gjatë 10-11 ditëve të fundit të muajit prill, ngjarjet patën këtë dinamikë: Më datën 19.04.1949, ora 23.30, në sektorin drejtim piramidës nr 55, grekët qëlluan me tre predha topi, 250 metra në thellësi të tokës tonë. Më datën 20.04.1949, ora 10.00, në sektorin e Bilishtit, drejtim piramidave 34-35, u qëllua me 1 predhë  topi, e cila plasi 100 metra në thellësi të tokës tonë”

Qershor, 400 predha mbi Devoll

Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, që nga data 7 maj deri në 30 qershor 1949, ushria greke kishte bërë kundër vendit tonë më tepër se 100 provokacione nga toka, nga ajri dhe nga deti. 40 prej tyre ishin kryer nga artileria, e cila kishte hedhur në tokën tonë më tepër se 400 predha, ndër të cilat kishte patur edhe ndezëse. Ato ishin hedhura me qëllim që t’u vinin zjarrin të lashtave objekteve të tjera në zonat afër kufirit. Të gjitha këto predha ishin hedhur në zonat kufitare të Bilishtit. Ndërkaq, 42 provokacione ishin bërë nga ajri. Aeroplanë grekë të ardhur nga drejtime të ndryshme kishin fluturuar në zonat kufitare të Shqipërisë së Jugut dhe në bregdetin jugor të vendit tone. Provokacione të tjera janë bërë nga ana e detit. Ushtarë monarko-fashistë kishin hyrë në tokën tonë për të vrarë në pusi rojet tona kufitare, për të grabitur ose për të vrarë qytetarët tanë që punojnë tokat e tyre afër kufirit. Shumë nga këto provokacione, bënin të ditur burimet, kishin patur një karakter agresiv të thellë. Ndër këto provokacione, komunikata e Ministrisë përmendte atë të 31 majit 1949, në orën 07.30 minuta të mëngjesit, kur 40 ushtarë monarko-fashistë, të ardhur nga brenda tokës greke iu afruan piramidës nr 43, (sektori Bilisht), ku 30 prej tyre hynë në brendësi të tokës tonë 50 metra, me qëllim që të kapnin patrullën shqiptare, e cila kthehej nga shërbimi në kazermë. Ushtarët monarko-fashistë u larguan vetëm pasi u detyruan nga roja jonë. Kjo situatë vijoj deri më 2 gusht 1949 ditën e përplasjes së madhe

2 gusht 1949, vriten 6 ushtarë tanët

Komunikatë operative e Ministrisë së Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë më datën 3 gusht 1949 njoftoi: “Forcat monarko-fashiste të përbëra nga tre batalione, të përforcuara me artileri dhe të përkrahura nga 15 aeroplanë “Spitfire”, më datën 02.08. 1949, ora 05.00, sulmuan në befasi dhe tradhëtisht tokën tonë në sektorin e Bozhigradit, (Devoll), piramida 54-55 me një front prej 700-800 metra gjerësi. Pas 7 orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës kufitare të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës sonë deri në 300-400 metra duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat tona në orën 18.30 sulmojnë monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën Nga luftimet e zhvilluara janë vrarë trimërisht kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, aspirant Ferit Bregasi nga Vëndresha e Çorovodës, ushtar Tefik Ferati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqyri Avdija nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetau nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku. Gjithashtu janë plagosur edhe 6 ushtarë. Monarkofashistët në këto luftime kanë patur nbi 100 të vrarë e të plagosur si dhe rreth 50 kafshë.”

6 ushtarët e vrarë

Populli i Korçës priti me pikëllim të thellë trupat e 6 dëshmorëve trima që dhanë jetën e tyre duke mbrojtur trimërisht kufijt e atdheut tonë nga sulmi aggresor i tre batalioneve të ushtrisë monarkofashistë grekë që sulmuan në befasi dhe tradhëtisht tokën tonë më 2 gusht në sektorin e Bozhigradit. Ndërsa kufomat e kapiten Memo Nexhipit nga Dukaj i Tepelenës dhe i aspirantit Ferit Bregasi nga Vëndresha e Skraparit u përcollën në vendet e tyre të lindjes, trupat e katër ushtarve: Tefik Ferati, Hasan Ramadani, Shyqyri Avdija dhe Ibrahim Fetau, u vendosën që në mëngjes në sallën e pallatit të Komitetit Ekzekutiv. Populli i qytetit të Korçës punëtorë, nëpunës, nxënës dhe ushtarë bënë homazhe dhe u hodhën parulla me veneracion të thellë para kufomave të këtyre ushtarakëve, të cilët për mbrojtjen e kufijve dhe sovranitetin të atdheut tonë për mbrojtjen e fitoreve të gjeritanishme të popullit, luftun heroikisht kundër agresorëve monarkofashistë deri sa dhanë jetën e tyre

Qeveria shqiptare proteston

Qeveria e Republikës Demokratike të Shqipërisë protestoi pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të UNO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara) për aktet agresive të monarko-fashistëve grekë. Ndihmësministri i Punëve të Jashtme, shoku Manush Myftiu, i dërgoi Sekretariatit të Përgjithshëm të UNO-s, këtë telegram-protestë në lidhje me aktet agresive të monarko-fashistëve në dt 3, 4 dhe 5 gusht

Shkëlqesisë së tij Trygve Lie Lakes Suçes New York

Në emër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë kam nderin të vë në dijeninë tuaj sa vijon: Forca të armatosura të Qeverisë së Athinës kanë vazhduar të sulmojnë edhe në datat 3, 4 dhe 5 gusht në kufijtë e jugut të Republikës Popullore të Shqipërisë, të mbështetura nga artileria dhe aviacioni. Më datën 4 gusht sulmi është kryer në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, në afërsi të piramidave 11, 12, 13 dhe 14. Në sektorin e Bozhigradit ushtria e Qeverisë së Athinës sulmoi kuotën 1425 dhe atë 1309. Gjatë luftimeve u rrëzua një avion që merrte pjesë në sulim dhe agresorët u hodhën jashtë kufirit nga forcat shqiptare të reparteve të kufirit. 12 ushtarë grekë mbeten të vrarë në tokën shqiptare. Në datat 4 dhe 5 gusht ushtria e Qeverisë së Athinës ka hedhur mëse 1500 predha artilerie në tokën shqiptare. Një pjesë e këtyre kanë rënë në katundin Menkulas ku u dogjën 5 shtëpi dhe 5 godina u shembën në katundin Bozhigrad. Në datën 4 gusht, në orën 7.55 minuta, një avion grek që fluturonte në katundet shqiptare Hoxhaj dhe Markat u rrëzua nga forcat shqiptare në fushën e Finiqit afër Sarandës. Piloti u zu i gjallë. Më datën 3 gusht në sektorin e Leskovikut janë kapur nga forcat shqiptare të Kufirit dy oficerë grekë: nëntogeri Skuras Dhimitri dhe nëntogeri Trulinas Manolis, që të dy efektivë të batalionit 627 të brigadës 74 të fanterisë dhe më 5 gusht në afërsi të piramidës 16 u dorëzun 5 ushtarë grekë.

300 të vrarë dhe të plagosur

Agresioni vazhdoi edhe përgjatë datave 2-11 gusht. Komunikatë operative e Ministrisë së Forcave të Aramatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, njoftoi vijimi e ngjarjeve: “Në orën 03.30 të mëngjesit të datës 12 gusht 1949, forcat Monarko-fashiste deri në një brigadë të mbështetura nga artileria dhe 4 aeroplanë të tipit “Spitfire” sulmojnë tradhtisht tokën e atdheut tonë në drejtim të piramidës nr 35 në sektorin e Bilishtit, ku mbas luftimesh të ashpra me rojet tona të kufirit u fut në tokën tonë deri në kuotën 932. Forcat tona kundërsulmojnë, i thyejnë ata në mënyrë të turpshme dhe i detyruan të tërhiqen me panik në drejtim të kuotës 966 në thellësi të tokës së tyre. Po në këtë datë, në orën 13.10. monarko-fashistët me një brigadë të mbështetur me artileri dhe 6 aeroplanë sulmuan përsëri tokën tonë në piramidën 32-34 sektori i Bilishtit dhe depërtuan në tokën tonë deri në kuotat 1120 dhe 1177. Menjëherë forcat tona kundërsulmojnë, thyejnë keq forcat monarke dhe stabilizojnë situatën. Në të dy sulmet grekët patën 1 të vrarë dhe një të plagosur”. Ndërkohë komunikata e Ministrisë bëntë të ditur për sa më poshtë: “Sot më 13 gusht, në orën 3.00 të mëngjesit, monarko-fashistët me forca deri në dy brigada, të mbështetura nga artileria, kaluan kufirin tonë në piramidën nr 33, (sektori Bilisht). Forcat tona gjatë kundërsulmit i thyen monarko-fashistët, të cilët u vunë në ikje në panik duke lënë 26 të vrarë në tokën tonë. Humbjet e përgjithshme të armikut arrijnë deri në 300 të vrarë e të plagosur. Një rob i kapur nga forcat tona deklaroi se vetëm ai kishte tërhequr brenda tokës greke 50 monarko-fashistë të plagosur. Gjithashtu burimet në fjalë bënë të ditur se gjatë datës 12 gusht 1949, ushtarët grek kishin goditur me mëse 100 predha artilerie, 200 metra brenda tokës tonë në sektorin e Leskovikut”.

Bilanci: 300 të vrarë, 500 të plagosur

Sipas burimeve zyrtare: Më 14 gusht 1949, në orën 7.30 ushtarët grekë me brigadën e 41-të të Divizionit të 9-të, i mbështetur me një regjiment artilerie dhe me skudrilje aeroplanësh “Spitfire”, vazhduan sulmin e tyre kundër atdheut tonë në drejtim të piramidës 30-31 sektori i Bilishtit. Forcat tona kundërgoditën dhe e detyruan armikun të kthehet në pozitat e tij duke i shkaktuar 60 të vrarë dhe mjaft të plagosur. Gjatë kësaj dite armiku ka rrahur me 2000 predha artilerie tokën tonë në katundin Trestenik, Kapshticë, Bilisht dhe Cangonj. Nga godtitjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkatuan dëme në disa shtëpi të katundeve të mësipërme. Në orën 12.00, të datës 14 gusht, 12 aeroplanë të tipit “Spitfire” të ardhur nga Greqia hynë në tokën tonë në drejtim të piramidave nr 23-24, kaluan mbi Vernik dhe Kapshticë dhe pasi u goditën nga artileria jonë kundërajrore, u detyruan të kthehen në tokën greke. Në piramidën nr 52 sektori Konispolit, 4 oficerë dhe 6 ushtarë grekë në orën 11.00 të po kësaj date, qëlluan 8 herë me pushkë kundër rojeve tona të kufirit. Qysh prej datës 2 gusht deri në orën 12 të datës 15 gusht forcat tona të kufirit gjatë luftimeve kundër monarko-fashistëve i kanë shkaktuar armikut mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur. Gjatë datës 14 gusht, 6 monarkofashistë iu dorëzun rojeve tona”.  Pa u zgjatur më shumë, mund të themi se ushtria greke u tërhoq me turp