Prof. Spiro Mëhilli: 60 vjet nga mbërritja e njeriut të parë në Hënë

507
Sigal

Anija kozmike  peshonte 4.7 tonë dhe ishte 4.4 metra e lartë, kishte 16  rezervuarë me oksigjen dhe azot

12 PRILL 1961-12 PRILL 2021, GJASHTËDHJETË VJET NGA HEDHJA E NJERIUT TË PARË NË KOZMOS

Prof. ass. Dr. Spiro Vasil Mëhilli

Në vitin 1960, për programin  hapësinor, sovjetikët  përzgjodhën   19 pilotë  si pjestarë  për trajnim elitë, nga të cilët  do të dilnin kozmonautët e parë të programit Vostok.  Ata  iu nënshtruan eksperimenteve për të provuar durimin fizik dhe psikologjik.   Në vitin 1961, midis grupit që përgatitej për astronaut, binin në sy VladimirVladimiroviç Bondarenko, Grigor Grigorieviç Nieljebov, Juri Aleksejeviç Gagarin dhe German Stepanoviç Titov. VladimirVladimiroviç Bondarenko duhej të ishte kozmonauti i parë, ose  e thënë ndryshe, kozmonauti  “O”. Më 13 mars 1961, ai shkoi  të bënte  provën e fundit. Pasi   u fut në barokamer dhe mbylli derën, papritur mjedisi brenda saj mori flakë. Personeli teknik  nuk arriti ta nxirrte  atë  në kohë dhe ai pësoi djegie të shkallës së  tretë. Vdiq më 23 mars të atij viti. Gjithçka e mori me vete. Nuk akuzoi njeri për atë avari. E varrosën në vendlindjen  e tij, në Harkov. Ishte njeri me trup të çeliktë sa thoshin se zor të kishte një të dytë. Ishte i prerë për  austronaut, por fati nuk i buzëqeshi. Vdekja e tij u mbajt sekret për mbi 25 vjet. Tani mbeteshin tre pretendentë: Grigor Grigorieviç Nieljebovi, Juri Aleksejeviç  Gagarin dhe German Stepanoviç Titovi. Pretendent i parë nga këta ishte Grigor Nieljebovi, por për problemet që lindën  me komandën, ai u spostua  dhe u kalua tek dy të tjerët. Emri i tij do të  përmendej si dublant i Gagarinit. Ditën që do të lëshohej në orbitë raketa “Vostok-1”, pretendentë ishin GermanTitovi dhe Juri Gagarin. I pari  nga fshati Vjerh Zhilino  në Siberinë Lindore, që kishte studjuar në shkollën ushtarake të aviacionit në Stalingrad, dhe i dyti nga fshat Klushino pranë Gzhatskut, pasi kishte përfunduar stërvitjen  ushtarake të fluturimit në shkollën e pilotimit në Orenburg. Në mbledhjen e fundit, Titovi u zëvendësua me Gagarinin. Juri Gagarin ishte një djalëi dashur me shokët,  i qeshur, njeri që nuk prishte fjalë. Ishte 166cm i  lartë, ashtu sikundër ishin kërkesat e kohës.

Më 12 prill 1961, Juri  Gagarin ishte ai që bëri fluturimin e parë kozmik  duke  përshkuar orbitën e tokës. Në kohën që do të jepej lajmi sensacional, unë dhe shokët e mi ndodheshim në klasë, në orën e  Gjeometrisë Diskriptive. Pedagogia  e gjuhës ruse, Dina Aleksandrovna Shuganova, u  fut në klasë  dhe iu drejtua  profesor Sorokinit që të ndërpriste mësimin, pasi me urdhër të komandës  së shkollës“kursantët me anë të radios  do të informohen për një ngjarje të rëndësishme”. Si tha këto fjalë, u largua. Asnjë nuk e dinte dhe nuk mund ta merrte me mend  se çfarë lajmi do të dëgjonim. Shkolla jonë kishte një qendër zëri  dhe çdo klasë kishte nga një radio të vogël.

Juri Gagarin, nga baza  hapësinore Bajkonur në Kazakistan, në orën 9 e 07 minuta sipas orës së Moskës ishte nisur  për në kozmos. Anija kozmike  peshonte 4.7 tonë dhe ishte 4.4 metra e lartë, e përbërë nga dy pjesë, një modul banimi në formë sferike ku do të qëndronte Gagarini dhe  një modul shërbimi,  i domosdoshëm  për të frenuar rënien e shpejtë dhe për të ulur  modulin e  parë në tokë. Ai kishte 16  rezervuarë me oksigjen dhe azot.

Anija kozmike   për 108 minuta bëri një rrotullim të plotë rreth tokës. Kur ne prisnim në ankth, në radio  shpërtheu zëri i fuqishëm  i Juri Levitanit. Ishte ai që më 22 qershor 1941 nga Radio Moska i bëri të ditur të gjithë botës që Gjermania naziste kishte sulmuar   “pa paralajmëruar”  Bashkimin Sovjetik. Dha ja, përsëri ai me syzet e rrumbullakta me skelet të trashë dhe  me zërin e tij imponues tha : “Vini re, vini re! Qytetarë dhe fshatarë të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, për herë të parë në historinë e njerëzimit, Bashkimi Sovjetik lëshoi drejt kozmosit  njeriun e parë dhe ai është Juri Aleksejeviç Gagarin”. Ky lajm u bë i ditur pasi autoritetet sovjetikë u siguruan që Gagarini ishte ulur në tokë pa pësuar ndonjë dëmtim trupor. Lajmi në të gjithë Bashkimin Sovjetik u prit me shpërthime ovacionesh.

Vite e vite më parë, kisha lexuar  se përpara Juri Gagarinit, sovjetikët  kishin dërguar në hapësirë një nënkolonel të forcave të armatosura të BS. Fatkeqësisht,  kabina e anijes kozmike nuk bëri ulje të butë dhe nënkoloneli që nuk  e mbaj mend gazetën ku e kisha  lexuar dhe  emrin e tij, theu këmbën. Sovjetikët  këtë ngjarje e mbajtën sekret, por shtypi francez  reagoi. Pala sovjetike pranoi që nënkoloneli   kishte pësuar një aksident ajror  gjatë uljes  së një avioni supersonik, dukuri që në aviacionin luftarak  është jo e rallë, dhe për të mbuluar ngjarjen, atë e dërguan “për mjekim”  në një spital në Kinë. Francezët iu përgjigjën se vallë nuk kishte në BS mjekë të shkëlqyer dhe spitale të mrekullueshëm  për të mjekuar  një pilot kozmonaut,  por duhej  ta çonin në Kinë? Kjo sipas francezëve bëhej për të fshehur të vërtetën.

Tani të vijmë te Gagarini. Përpara drejtuesve sovjetikë qëndronin tri dilema: ulja e kozmonautit në tokë,  në det ose  vdekja  e tij në momentin e uljes brenda modulit sferik. Sovjetikët nuk donin të ndodhte ajo çka kishte ndodhur me nënkolonelin. Ata me përpikmëri kishin caktuar koordinatat, megjithëse duhet të nënvizoj që BS kishte një sipërfaqe prej 21 milionë km katrorë ose një të gjashtën  sipërfaqe tokësore të botës. Vostok 1 u lëshua. Drejtuesit ishin në ankth. Gagarini,  pasi kishte fluturuar në një lartësi maksimale 302 km dhe minimale 175 km u ul me parashutë në një vend, që ata nuk e prisnin. Ai më vonë  do të thoshte: “E pashë veten mbi Detin Mesdhe, më pas pash tokë, diku një lumë  të  gjatë dhe të gjerë, që m’u duk sikur isha mbi Vollgë. Në atë kohë, anija kozmike  filloi të ulej. Kur u ndodha 7 km mbi tokë moduli u shkëput nga  anija, dhe tek ajo u hap parashuta. Në atë kohë, u detyrova të hidhesha me katapultë. E pashë veten që po ulesha mbi lumin Vollga”.  Ju kujtoj që lumi Vollga është një nga lumenjtë më të mëdhej të BS  me  gjerësi rreth 2 km dhe thellësi që shkon deri në 25 metra. Duke futur edhe rrymat e ujit çdo  njeri do ta kishte të vështirë të shpëtonte duke pasur  parashutat e hapura mbi vete. Kur u ndodh 700 metra lart, Gagarin  hapi parashutën e dytë, të voglën, atë stabilizuesen që e shmangu  nga rënia në lumë. Nga lartësia 30 metra filloi ulja e butë në tokë. Vendi i uljes ishte Rajoni Uzmorie, që i përkiste Qarkut të Seratovit. Parashuta e parë ose e madhja ra mbi  Gagarin, kurse e dyta diku para tij. Ju deshën disa sekonda që të mblidhte veten. Ju duk çudi sesi po qëndronte në këmbë. Disa metra më tutje pa një grua me vajzën e saj. Më vonë do të merrej vesh që ajo quhej  Ana Taktonova. Ato duke parë një njeri që ra nga qielli, u tmerruan dhe vajza ia dha vrapit. Nga pamja ishin kalmuke. Juri filloi të bërrtiste me sa zë që kishte. “Jam i juaji, jam i juaji. Jam kozmonaut”. Ato fjalën kozmonaut nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë dhe nuk e merrnin me mend se ç’do të thoshte kozmonaut. Më tej Gagarin vazhdoi: “Mos u frikësoni”. Gruaja e shtangur, u kthye për të parë njeriun që fliste gjuhën e tyre, u afrua dhe  kur tek skafandra  e tij pa katër gërma të kuqe në sfond të bardhë “ÇCP”, u bind që ai njeri i rënë nga qielli  duhej të ishte i tyre. Juri vazhdoi: “Dua një telefon, dua të flas  në telefon”. Ajo iu përgjigj që për të telefonuar duhej të shkonte në  një stan fushor.  Pas  disa minutash pranë tij qëndroi një “Zill-31” dhe në të  një  major, që quhej  Golikov. Turmë e madhe njerëzish kurreshtarë vërshoi drejt tij. Një grup ushtarësh formuan gardhin që Gagarinit  mos t’i afrohej njeri,  sepse nuk dihej se çfarë mund të mbarte me vete.  Më pas, atë e  çuan në aerodromin ushtarak “Engels” në Seratov.Të nesërmen, më 13 prill,  e çuan në aerodromin ushtarak “Krajzh” në Kuibishev. Më 14 prill, me një aeroplan pasagjerësh  që shoqërohej nga 5 avionë luftarakë “MIG” u ul në aerodromin ushtarak “Çkallov” në periferi të Moskës. Aty e pritën Nikita Sergejeviç Hrushovi, Leonid  Brezhnievi, udhëheqës të tjerë të lartë të partisë e të shtetit si dhe pjestarë të familjes. Pritja ishte madhështore.Togeri Juri Gagarin i raportoi shkurt Sekretarit të Parë të Partisë së vendit të tij. Ky ishte sekreti  i atij transmetimi.

Përjashto të vërtertën e pamohueshme,  akti i tij heroik  filloi të politizohej. Më kujtohet që në Moskë  erdhi një ekip amerikan i basketbollit. Dihej supremacia e amerikanëve në atë sport. Gjatë ndeshjes, në Pallatin e Sportit  u fut Gagarini. Ai, i qeshur, veshur ushtarak, tani me gradën e majorit,  përshëndeti publikun. Spektatorët u ngritën në këmbë. Ndeshja u ndërpre për disa sekonda. Ovacionet ishin të vazhdueshme për heroin e tyre. Loja filloi përsëri. Kur komentatori sportiv bërtiste “Skuadra jonë për nder të Juri Gagarinit  mobilizohet”, në atë moment amerikanët bënin kosh. Ajo ishte një lojë miqësore dhe nuk duhej të merrte tiparet e një  ndeshjeje politike, por kjo dukuri ishte karakteristike për të gjithë vendet e “Demokracive Popullore”.

Në qershor të atij viti, në Moskë u hap Festivali Ndërkombëtar i Filmit.  Italia  midis pjestarëve të ekipit kishte  shkuar  edhe  me bukuroshen Xhina Lolobrixhida. Ajo u takua me Nikita Hrushovin, i cili një vit më parë ishte mahnitur me bukuritë e Hollivudit kur vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Xhina e la pa mend. Më pas, ajo u takua me Ministren e Kulturës, Frucevën, të cilës i kërkoi  një takim me Juri Gagarinin, takim  që u realizua. Juri i mahnitur  nga bukuria e saj dhe nga kënaqësia që i dha puthja e  Xhinës, u shpreh: “Kam parë miliona yje në qiell, por yll më të bukur se ty nuk kam parë”.

Juri Gagarin kërkoi që t’i njihej rekordi kozmik. Komisari sportiv sovjetik Ivan Grigorieviç Borisienko  kërkoi që Jurit t’i njihej kjo e drejtë, por ajo iu refuzua. Atëherë ai kërkoi ndihmë nga Sergei Pavlloviç Kordovi, i cili i tha: “Që Juri ta meritoj një vlerësim të tillë duhej të ishte ulur në tokë në vendin e caktuar dhe të ndodhej  brenda në kabinë dhe jo sikundër ndodhi që kabina ra në një vend tjetër dhe ai  u ul me parashutë”. Megjithatë, në korrik të atij viti, Juri Gagarin dhe grupi shoqërues shkuan në Paris  dhe dolën përpara përfaqësuesve të Federatës Ndërkombëtare të Aeronautikës. Kodi sportiv kërkonte  që kozmonauti duhej të ndodhej brenda në kabinë dhe të  ulej  në vendin e caktuar. Debatet vazhduan pesë orë. U kërkua Kodi Moral. Ivan Grigorieviç Borisienko  mashtroi  duke thënë: “Unë kam qenë  i pranishëm  kur   moduli  i anijes kozmike u ul në vendin e caktuar dhe Juri Gagarin ndodhej brenda tij”. Pas këtyre thënieve, Juri Gagarinit iu njoh rekordi kozmik. Pavarësisht  dy kërkesave  që duhej të plotësoheshin nga një kozmonaut,  nuk mund të mohohej fakti se ai ishte i pari  njeri që preku kozmosin.

Amerikanët u tronditën. Njeriu i parë që pushtoi kozmosin nuk ishte amerikan por rus. Beteja u ndez. Ishte koha e Luftës së Ftohtë. Pas një muaji, më 5 maj 1961,  Agjensia Hapsinore Amerikane me kapsulën “Freedom 7”  hodhi në hapësirë kozmonautin Alen Shepard, që fluturoi vetëm 15 minuta pa arritur  të kalonte orbitën e tokës.

Gjatë karrierës së tij, ai mori disa çmime: Hero i Bashkimit Sovjetik (14 prill 1961), Pilot-Kozmonaut i BRSS-së, Hero i Punës Socialiste, Kryetari i miqësisë Sovjeto-Kubane, Anëtar nderi i Shoqërisë “Finland-Bashkimi Sovjetik”, Anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare të Astronautikës (1966), Mjeshtër Sporti i BRSS-s,  Pilot ushtarak i kategorsë  së parë dhe nga viti  1962  u zgjodh  deputet i Bashkimit Sovjetik.  Ndërsa gjatë viteve 1961-1968, Gagarini  vizitoi  Francën, Mbretërinë e Bashkuar (Londrën  dhe Mançesterin), Çekosllovakinë,  Kubën ku u takua edhe me FidelKastron, Italinë, Gjermaninë, Kanadanë, Brazilin, Bullgarinë,  Japoninë,  Finlandën, Hungarinë, Islandën, SHBA-në, gjithsej  30 vende duke futur edhe disa  shtete  të Azisë, ku  pa që njerëzit  ishin më të lirë, më të çiltër dhe  shpreheshin pa pasur  frikë. Në qoftë se ne nuk do të ishim në prag të prishjes me Bashkimin Sovjetik, nuk do të ishte çudi që ai do të vizitonte edhe vendin tonë.

Të vijmë te rrugëtimi i fundit të tij. Gagarini, si  çdo kozmonaut tjetër, mashkull apo femër, i cilitdo vendi qoftë, në shkallë të ndryshme  kanë pësuar  trauma  psiqike. Me kalimin e viteve,  ai u dha mbas pijes, filloi të fliste posht e përpjetë çka binte ndesh me politikën e mbyllur të shtetit sovjetik dhe të përkeqësonte marrëdhëniet në familje, që u bë problem për komandën. Për  më tepër,  gruaja e tij,  Valentina me profesion infermiere, ka pasur shumë keqkuptime me Jurin dhe në një zënkë mes tyre, ai mori një të çarë të thellë në fytyrë, që i la një vragë të madhe me ndryshime të paraqitjes  fizike.

Në të vërtetë, ai ishte pilot i klasit të tretë dhe për të marrë titullin pilot i  klasit të  parë, filloi të pilotonte  avionë luftarakë “MIG 15”. Ishte viti 1968. SHBA-të  kishin avancuar në drejtim të kozmosit, ishte ulur njeriu i parë në hënë. Edhe sovjetikët duhej tëshkonin atje. Këtu ka një enigmë të madhe. Ishte 27 maji i vitit 1968. Një“MIG-15” u ngrit nga aerodromi  “Çkallov” me detyrë mësimore. Atë e drejtonte inxhinieri  dhe konstruktori Vladimir Sergejeviç Serjegin, që thuhej se  gjatë L.II.Botërore kishte rrëzuar 18 avionë gjermanë, së bashku me Juri Gagarinin. Si kryen detyrën mësimore, ata  kërkuan të ktheheshin në bazë. Në kthim, avioni kaloi në Shtoper, një pikiatë shumë e rrezikshme ku ai papritur u  ngrit  60 gradë dhe pasi bën disa rrotullime, ju drejtua tokës me shpejtësi marramendëse pa ju bindur sistemeve drejtuese. U dëgjuan dy shpërthime të fuqishme. Në vendin e rënies u hap një gropë tre metra e thellë. Në mbeturinat e avionit  nuk u gjet asnjë pjesë e trupit të Gagarinit me përjashtim  të disa dokumenteve. Ku u zhduk trupi, kur ai i inxhinierit ndodhej  brenda në avionin e shkatërruar? Vendi i rrëzimit ishte në territorin e Aerodromit Ushtarak “Çkallov”. Për Jurin u ngritën dy varre, njëri në Moskë, në muret e  Kremlinit, pranë Sheshit të Kuq, ku thuhej se brenda ndodhej hiri i trupit të tij, dhe tjetri,  aty ku u rrëzua avioni “Mig-15”. Ai la gruan e tij Valentinen Gorjashevën dhe dy vajza, Elenën dhe Galën.

Çuditërisht ai “u rrëzua” në aerodromin që mbante emrin e legjendës së aviacionit rus, Valeri  Çkallovit. Çkallovi bënte fluturime të ulta mbi sipërfaqen e tokës. Në fillim fluturonte në lartësinë e vijave telefonike dhe më pas nën to. Në një fluturim, ai nuk vuri re barkun e harkuar të telave  dhe avioni ngeci. Marria e tij ishte kur ai me  avionin që drejtonte kaloi nën njërën  prej  urave të Leningradit. Më 20 nëntor 1929, Çkallovi u arrestua dhe u gjykua pa dëshmitarë dhe mbrojtës në një gjyq të mbyllur. E dënuan me një vit heqje lirie, por çuditërisht ditën e 16 u lirua. Në verën e vitit 1936 ekuipazhi i përbër nga Valeri Pavlloviç Çkallov, Georgi Beiduhov dhe shturmani Aleksandër Beljakov, u nisën nga Moska në drejtim të  Lindjes të Largët dhe për 56 orë e 20 minuta,  përshkuan  në vijë të thyer  një largësi prej  9374 km. Më 20 qershor 1937,  po ai ekuipazh, me të njëjtin  avion  Tupolev  “ANT-25” nga aerodromi “Shçjellkov” në  Polin e Veriut, u nis për në SHBA, dhe pas 63 orë e 16 minuta  pasi bënë  në vijë të drejtë 8583 km  ndaluan  në Vankuver, në Uashington. Edhe Çkallovi vdiq më 15 dhjetor 1938 duke pilotuar  avionin gjuajtës “Polikarpov I-180”.

Të ndalemi  tek e vërteta. Sipas të dhënave akoma të mbajtura tepër sekret, me që Juri u bë i bezdisshëm, duket që u vendos të sakrifikohej, të ulej në hënë. Ndoshta edhe fluturimi  me “Mig-15” mund të ishte një truk për të mbuluar të vërtetën?  Sovjetikët  në se është e e vërtetë dështuan dhe ai mbeti satelit i tokës. Me të drejtë shtrohet pyetja: pse Juri u vu në rolin e instruktorit kur dihen që avaritë në të tilla raste janë të pritshme?Edhe në qoftë se ai kishte të meta karakteri,  mund të trajtohej nga një psikolog. Ai duhej të ruhej, sepse ishte ikonë jo vetëm e Bashkimit Sovjetik, por e të  gjithë botës. Këto të dhëna që kam paraqitur  kanë dalur  pas shpërbëries së BS, pasi ruheshin  dhe ka akoma të tjera që ruhen në arshivat sekrete ruse. Pas vdekjes së tij, German Titovi dhe astronautët e tjerë që do të vinin më pas, nuk u lejuan të pilotonin si kolaudatorë  avionësh  luftarakë.