Myzeqeja dha 197 dëshmorë për çlirimin e Lushnjes më 18 tetor 1944

187
Sigal

Myzeqeja e mbështeti totalisht Luftën Nacionalçlirimtare., ku u angazhuan 3450 partizanë dhe mbetën në fushën e betejës 197 dëshmorë

Si u çlirua Lushnja më 18 tetor 1944

Në këtë tetor populli i Myzeqesë kujton 77-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Në pranverën e vitit 1944, partizanët e Myzeqesë sapo ishin kthyer nga luftimet heroike në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 në zonën operative, Tomorricë-Gorë-Opar, në atë dimër të stuhishëm e të acartë. Pjesa dërmuese e Grupit partizan të Myzeqesë u shpërndanë nëpër formacionet e brigadave partizane të porsakrijuara, një pjesë e vogël të plagosur e të gjymtuar nga luftimet, e nga temperaturat e ulëta të dimrit, u kthyen pranë familjeve të tyre, ndërsa mjaft partizanë të tjerë u angazhuan në grupet e punës operative të terrenit në zona të ndryshme të Myzeqesë. Largimet e partizanëve për në luftimet e Operacionit të Dimrit, krijuan terren të favorshëm në zona të veçanta të Myzeqesë për forcat gjermane e balliste, që nisën raprezaljet e plaçkitjet në popull, veçanërisht në bazat e luftës dhe në familjet e partizanëve, djemtë e vajzat e të cilëve luftonin në malet me dëborë të Skraparit e të Korçës ku zhvillohej Operacioni i Dimrit. Ushtria gjermane në Myzeqenë e Lushnjes ishte përqendruar me forca të pakta në zona të ndryshme si, në qytetin e Lushnjes, pranë ish Shkollës Bujqësore, (sot Instituti i Kërkimeve Bujqësore) me rreth 200 forca, në fshatin Karbunarë, në kodrat e Golldarajt me rreth 80 forca, në Manastirin e Ardenicës me rreth 40 forca dhe në bregdetin e Divjakës me mbi 100 forca të pajisura dhe me artileri bregdetare.

Njëkohësisht komanda gjermane, kishte përqendruar forca dhe në ruajtjen e rrugëve automobilistike Lushnjë-Fier dhe Lushnjë-Berat, për të mbrojtur autokolonat e ushtrisë së tyre, që pas dështimit në Operacionin e Dimrit, filluan tërheqjen në drejtim të veriut. Veç ushtrisë gjermane, në territoret e Myzeqesë së Lushnjes, kishin filluar të organizoheshin dhe forcat balliste, të cilët në bashkëveprim të hapur me pushtuesit gjerman luftonin kundër Frontit Nacionalçlirimtar dhe formacioneve partizane. Në qytetin e Lushnjes ishte përqendruar shtabi lokal i organizatës së ballit, drejtuar nga Qazim Dervishi, Hysni Jeniçeri, Shyqyri Borshi, Ramadan Zdrava, Taip Kurti e tjerë. Ndërsa forcat e armatosura balliste drejtoheshin nga Isa Manastiri e Hamit Matjani, në zonën e Fiersheganit nga Nexhip Zdrava e Lam Nezha, në zonën e Bubullimës nga Asim Topalli, Myfit Kurti e Isa Xhindole, në zonën e Libofshës nga Bexhet Qafa e Sherif Hoxha, në Divjakë nga Isuf Hoxha e tjerë. Qëllimi kryesor i organizatës së Ballit Kombëtar, ishte bashkëpunimi me pushtuesit gjerman në luftën kundër ushtrisë partizane dhe pushtetit të Këshillave të Frontit Demokratik të porsa ngritura. Drejtuesit e ballit në bashkëpunim me pushtuesit gjerman, organizonin terror në popull për kundër partizanëve dhe merrnin me dhunë nga një pjesëtar për familje për të shtuar radhët e çetave me ballistë. Si rezultat i kësaj dhune, në 2 korrik 1944 u vra nga forcat balliste të Kadri Cakranit, komunisti dhe partizani i orëve të para, Loni Dhamo, trupin e të cilit e shëtitën rrugëve të qytetit të Lushnjes për të krijuar frikë e terror në popull. U burgosën mjaft të rinj që përgatiteshin për të dalë në mal si partizanë, u arrestuan dhe mjaft qytetarë, si dhe u pushkatua i riu, Kadri Qystri, dëshmor i atdheut. Po ashtu komanda e ballit paralajmëroi masa të rrepta ndaj familjeve, djemtë e vajzat e të cilëve përgatiteshin për t’u bashkuar radhëve të partizanëve. Përpara kësaj situate, Qarkori i Partisë Komuniste të Beratit, si dhe Komanda e forcave partizane, dërguan me urgjencë grupin e punës të terrenit në nënprefekturën e Lushnjes të drejtuar nga komunisti e partizani i orëve të para, Miti Bozo së bashku me shokët, Hasan Gina, Sedat Ruli, Halim Haxhiu, Adem Haxhiu, Lili Shtrepi, Nikolla Gjeçi e të tjerë. Në zonën e Libofshës u ngarkuan komunistët partizanë, Llaqi Jano, Myzafer Hoxha, Koli Prifti, Sadik Koprencka e të tjerë. Grupe të tilla me partizanë u organizuan edhe në Bubullimë, Divjakë, Krutje-Fiershegan e tjera. Këto grupe nën terrorin gjermano-ballist, punonin në shumë raste në ilegalitet, për të ngritur moralin e popullit dhe mbështetjen ndaj luftës partizane që po sillte hap pas hapi çlirimin e vendit. Pas Operacionit të Dimrit 1944, pushtuesit nazistë e bashkëpunëtorët e tyre, përjetuan disfatën e madhe nga ajo luftë heroike e ushtrisë partizane me në krye Shtabin e saj të Përgjithshëm dhe ky uragan u bë tmerr i tyre edhe në krahina të tjera siç ishte dhe Myzeqeja.

Brigadat partizane që zbritën nga malet, çliruan qytetin e Beratit që ishte Qarku nga varej dhe Myzeqeja dhe nisën betejat e shkallëzuara për çlirimin edhe të nënprefekturës së Lushnjes, që përfshinte një pjesë të mirë të Myzeqesë. Për çlirimin e kësaj krahine u angazhuan kryesisht 3 brigada partizane, të cilat në pjesën dërmuese kishin në përbërje dhe partizanë myzeqarë, si Brigada e VII e VIII dhe veçanërisht ajo e XVI Sulmuese. Forcat gjermano-balliste po e ndienin gjithnjë e më shumë rrezikun që po u kanosej dhe mundoheshin të forconin sa më shumë bashkëpunimin e aleancat midis tyre. Veprimet e Brigadës së VII Sulmuese u përqendruan kryesisht në zonën Kallëm-Bubullimë. Batalioni i parë i kësaj brigade, pasi çliroi krahinën e Rroskovecit, kaloi lumin Seman midis fshatrave Kallëm-Gjokalli-Imësht, u ndesh me forcat balliste të komanduara nga Asim Topalli. Luftimet u përqendruan pranë godinës së komunës Bubullimë, ku ishte dhe postëkomanda e xhandarmërisë të kësaj krahine. Komandantët e forcave balliste, Asim Topalli dhe Dalip Buzi bënë qëndresën e fundit, ku dhe mbetën të vrarë nga ky dyluftim. Një pjesë e ushtarëve ballistë ikën të tmerruar, kurse 40 forca ballistë dezertuan dhe u bashkuan me radhët e partizanëve. Ndërsa Brigada e VIII Sulmuese, pasi kaloi lumin tek “Ura e Kuçit” pranë Kuçovës, u hodh në kodrat e zonës së Darsisë dhe prej andej u përqendruan në kodrat e Kasharajt mbi qytetin e Lushnjes. Veprime të gjera luftarake në territorin e Myzeqesë, zhvilloi Brigada e XVI Sulmuese me komandant myzeqarin trim e heroik, Rahman Uruçi. Në 3 shtator 1944, batalioni i tretë i kësaj brigade kaloi lumin Seman dhe doli në kodrat e Ardenicës dhe pasi kaluan natën në bazat e fshatarëve të Kolonjës e Ardenicës, të nesërmen nisën mësymjen nga fshati Vanaj në drejtim të Libofshës kundër forcave balliste që operonin në atë zonë. Që në përpjekjen e parë, ballistët të drejtuar nga Bexhet Qafa e Sherif Hoxha, u shpartalluan pa rezistencë. Shumë ballistë u dorëzuan tek forcat partizane së bashku dhe me komandantin e tyre Sherif Hoxha, ndërsa komandanti Bexhet Qafa, pas disa ditësh i fshehur, u dorëzua dhe ai vullnetarisht tek forcat partizane. Partizanët e Brigadës së XVI Sulmuese, u ndeshën me luftime të ashpra dhe në kodrat e Vajkanit e të Ardenicës kundër forcave gjermane që ishin dislokuar për të mbajtur nën kontroll rrugën nacionale Lushnjë-Fier, ku gjermanët pas kësaj përpjekje, u tërhoqën në drejtim të qytetit të Lushnjes. Pa shumë rezistencë u çlirua dhe zona e Divjakës, që mbahej kryesisht nga forcat e ballit. Luftime të ashpra zhvilloi një kompani e batalionit të katërt të Brigadës së XVI në kodrën e Dukasit pranë Fiersheganit, në përpjekje me autokolonën gjermane, që po tërhiqej nga Berati e Kuçova në drejtim të Lushnjes. Si rezultat i këtij luftimi gati trup me trup në një terren fushor të pambrojtur, mbetën të vrarë 16 partizanë nga radhët e kompanisë së kësaj brigade si, Heroina Liri Ero, Nato Dozo, Shaban Turku, Veut Dokollari, Andon Basha, Shaban Çela e tjerë. Humbje të mëdha pati dhe nga radhët e armikut, ku u vranë mbi 30 ushtarë gjerman, 9 oficer,ë midis tyre dhe një kolonel, po ashtu u dogjën dhe 14 automobila, motoçikleta, tanke e autoblinda të armikut. Në këto situata, forcat partizane të tre brigadave po i afroheshin rrethimit të qytetit të Lushnjes, ku ishin përqendruar ende 2-3 kompani gjermane, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre të Ballit Kombëtar ishin shpartalluar dhe mjaft nga fshatarët e angazhuar forcërisht në radhët e ballit, dezertuan që në përpjekjet e para dhe kaluan në anën e partizanëve. Në 16 tetor 1944, forcat gjermane e ndjenë disfatën e madhe dhe minuan Urën e Përroit në hyrje të Lushnjes për të penguar ardhjen e forcave partizane në qytet. Në 17 tetor ora 21 e mbrëmjes, nisi mësymja partizane e tre brigadave në tre drejtime të ndryshme, nga kodra e Kalifasë në jugë, nga sipër në kodrat e Kasharit dhe nga veriu në kodrat e Golemit, ku në mëngjesin e 18 tetorit 1944, partizanët hynë triumfatorë në qytetin e çliruar të Lushnjes. Forcat gjermane lanë 20 ushtarë të vrarë, 30 robër lufte, si dhe 3 autoblinda e disa makina me armatime. Populli i priti me gëzim e brohoritje çlirimtarët e tij partizanë. Myzeqeja e Lushnjes e mbështeti totalisht Luftën ku u angazhuan mbi 3450 partizanë me armë në dorë në formacionet luftarake, që luftuan me trimëri në shumë krahina të Shqipërisë, deri dhe jashtë kufijve në territoret e Kosovës, të Malit të Zi e përtej, përveç qindra partizanë të tjerë, që punuan dhe luftuan në komandat e vendit në terren në mbështetje të këshillave Nacionalçlirimtare. Në këto luftime mbetën në fushën e betejës 197 dëshmorë, 78 prej të cilëve derdhën gjakun në malet me dëborë të Tomorricës e Oparit në Operacionin e Madh të Dimrit, ndërsa 29 dëshmorë myzeqarë ranë në përpjekje me bandat kriminale e diversante pas çlirimit të vendit për të mbrojtur fitoret e arritura. Pra, Myzeqeja e Leshnjes i dha atdheut 226 dëshmorë djem e vajza që u flijuan në lule të rinisë, duke derdhur gjakun e tyre në themelet e kësaj Shqipërie që po gëzojmë ne sot. Ndaj brezat e sotëm janë krenarë për veprën legjendare e të parëve të tyre, për luftën e lavdishme që e rreshtoi Shqipërinë me kampin e fitimtarëve dhe na solli lirinë e shumëpritur.