Bedri ALIMEHMETI/ “Pamje nga ura” dhe netët nën tingujt e “Llaksit”

1030
Sigal

Përsiatje për një kohë që nuk kthehet kurrë më

Vitet ’60, ai që nuk i mban mend nuk duhet t’i ketë jetuar

NOA

Flitet për një kohë të largët… Por, atë natë të largët vjeshte 1962, fill pasi Dhori me Zaimin, punonjës të kinema “17 Nëntorit”, vendosën afishen e filmit të ri, që do të shfaqej nga nesër në dy kinematë kryesore të Tiranës te “Partizani” dhe “17 Nëntori”, mbetëm gojëhapur kur lexuam “Pamje nga ura”, me Raf Valone, Simone Sinjore dhe Zhan Sorel. Befasia jonë qe e tejskajshme. Them kështu sepse, për jehonën e kësaj drame me autor amerikanin Artur Miler, një nga dramaturgët më të mëdhenj bashkëkohor nëpër skenat e botës kishim dëgjuar shumë. Dinim që aktori italian Raf Valone, që luante Edi Karbonen, heroin kryesor, kohë më parë e kishte interpretuar këtë rol në skenat e teatrove në Paris, Romë, Londër, Madrid, Vjenë, Berlin, Bern, Pragë, Budapest etj., brenda një viti dy qind herë.

  Fundi i shëtitjeve tona

     Nuk kishte gjë më të bukur se fundi i shëtitjeve tona gjatë mbrëmjeve nëpër trotuaret e Broduejt. Nata në ato çaste sapo i nderte krahët mbi qytet, i cili vetvetishëm  fitonte një qetësi absolute. Pikërisht në çaste të tilla ndjeheshim më shumë se kurrë entuziastë e të papërmbajtshëm, madje na dukej sikur pësonim një tjetërsim të pakuptueshëm në brendësi të qenieve. Ndodhte kështu ndofta edhe nga fakti që Tirana në ato çaste, ne djemve të Broduejt  na dukej krejtësisht e jona. Pra ndjeheshim të gjithëpushtetshëm, kurba e përzgjatimit, të të cilit limitohej deri në pikëndarjen tonë, që mund të ishte tek permanenti “Tomil” (sot bar “Eden”), te “Selvija”,  apo te “Gastronomi”(siç quhej në atë kohë MAPO ushqimore te Pazari i Ri, në godinën e familjes Mulleti). Por, në më të shumtën ajo ishte te reklamat e kinemave, që i bie të kenë qenë diku te shkallët e Muzeut Historik Kombëtar, ku pasi bënim edhe një “dorë muhabet” (kështu thonim gjithnjë para se të ndaheshim) ku konsumonim ndonjë bisedë të mbetur në mes. Zakonisht të dielave aty prisnim edhe ndërrimin e reklamave. Shihnim se ç’film të ri do të shihnim të nesërmen dhe pasi i thonim njëri -tjetrit “natën”, ndaheshim.

        Por, atë natë të largët vjeshte 1962, fill pasi Dhori me Zaimin, punonjës të kinema “17 Nëntorit”, vendosën afishen e filmit të ri, që do shfaqej nga nesër në dy kinematë kryesore të Tiranës te “Partizani” dhe “17 Nëntori”, mbetëm gojëhapur kur lexuam “Pamje nga ura”, me Raf Valone, Simone Sinjore dhe Zhan Sorel. Befasia jonë qe e tejskajshme. Them kështu sepse, për jehonën e kësaj drame me autor amerikanin Artur Miler, një nga dramaturgët më të mëdhenj bashkëkohor nëpër skenat e botës kishim dëgjuar shumë. Dinim që aktori italian Raf Valone, që luante Edi Karbonen, heroin kryesor, kohë më parë e kishte interpretuar këtë rol në skenat e teatrove në Paris, Romë, Londër, Madrid, Vjenë, Berlin, Bern, Pragë, Budapest etj., brenda një viti dy qind herë. Një rekord i jashtëzakonshëm. Ndofta dhe unikal. Them kështu sepse i bie që brenda një jave ta ketë interpretuar në skenë pesë herë Edi Karbonen, padyshim një nga rolet më të fuqishëm të dramaturgjisë kontemporane. Dhe me sukses absolutisht të jashtëzakonshëm. Madje, kush do të ishte ai, që do të mund ta interpretonte më mirë se një aktor italian, në rastin konkret Raf Valone (i cili ishte edhe nga jugu i gadishullit të Apenineve) dokerin Edi Karbone, heroin e një drame, e cila në qendër të saj kishte problemet e emigrantëve italianë përtej Oqeanit Atlantik.

Kohët e fundit

         Ndërkohë këtë dramë, të cilën kohët e fundit artdashësit tanë e kanë shijuar në skenën e Teatrit Kombëtar në këtë rol interpretimin brilant Timo Fllokos, ne e kishim shijuar në atë kohë me lojën fantastike të të madhit Pirro Mani, i cili edhe e kishte vënë në skenë me trupën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Me rolin e Edi Karbones, Pirro Mani kishte mbrojtur diplomën e aktorit në Moskë, në skenën e teatrit dramatik të të cilës e kishte interpretuar me mjaft sukses. Ato ditë kur trupa e Korçës erdhi dhe e shfaqi në Tiranë, edhe pse jo pak, por për dy javë me radhë, gjithsesi ishte e pamundur të gjeje një biletë.

       E pra kishim jo pak arsye të befasoheshim nga mbërritja e këtij filmi në Shqipëri. Ishte  një rast, që nuk duhej humbur kurrë. Filmi duhej parë sa më shpejt të ishte e mundur, sepse nuk i dihej gjithçka mund të ndodhte. Mund të hiqej fare nga kinematë ose edhe mund të shkurtohej ndonjë pjesë e tij. Dhe ashtu bëmë. Të hënën në drekë fill pas mësimit shkuam bashkë shokë e shoqe të klasës. Zumë një rresht të tërin në lozhën e “17 Nëntorit” dhe aty në kolltukët e rehatshëm veshur me kadife për gati dy orë “shëtitëm” nëpër Avenuet e Nju Jorkut, pamë Brooklin, statujën e Lirisë, lokalet, baret, buotiquet dhe supermarketet e pafundme në Manhaten, Broadway (Broduejn e famshëm) me pafundësinë e dritave llamburitëse, emrin e të cilit e kishim huazuar për rrugën tonë të dashur, automatet ku pasi të hidhje një monedhë metalike si pakuptuar, brenda pak sekondash kishe në dorë atë çka kishe kërkuar e plot kuriozitete të tjerë, të cilët bashkë me ngarkesën emocionale të problemeve që trajtonte filmi, padyshim edhe lojës së shkëlqyer të kastës së aktorëve të njohur Raf Valone (Edi Karbone), Simone Sinjore (Bean) bashkëshortja e aktorit e këngëtarit francez Iv Montan) e Zhan Sorel (Rudolfo), që ne i kishim parë edhe në filma të tjerë na lanë mbresa të jashtëzakonshme.

Diskutimi

      Ndaj atë mbrëmje në Broduej kemi diskutuar gjatë si kurrë ndonjë herë. Ndërkohë, në dyert e kinemave denduria e shikuesve qe e paparë. Edhe pse me shtatë seanca shfaqje në ditë, që startonin nga ora 09:30 deri në të fundit që niste më 21:30, ishte e pamundur të gjeje biletë. Pikërisht nga kjo gjë kuptohej, që veçmas përmbajtjes së dramës, lojës së aktorëve grishte jo pak edhe interesimi për të parë e mësuar diçka më shumë për botën e lirë të përtej oqeanit. Pikërisht kjo qe arsyeja, që na shtyu edhe ne në ditën e tretë të shfaqjes për ta parë sërish filmin. Megjithëse, faktikisht do të kishte qenë më mirë të mos kishim shkuar fare për ta ndjekur për herë të dytë. Them kështu, sepse pësuam një zhgënjim. Filmi ishte cunguar nga shumë skena e pasazhe që pasqyronin pamje nga Nju Jorku, mungonte skena e përdorimit të automatëve nga çifti i të dashuruarve, që bridhnin të mrekulluar në një Aveue të Nju Jorkut, nga lumturia që kishin gjetur njëri tjetrin etj.

          Do të kishim bërë mirë të mos kishim vajtur fare për ta parë për së dyti. Ky ishte konkluzioni që arritëm pas diskutimesh të gjatë atë mbrëmje te trotuari para farmacisë nr. 3, pasi dolëm nga kinema “17 Nëntori”, për të mos na u përçudnuar në atë farë mënyre imazhi i atij filmi të mrekullueshëm.

Shqetësimi

        Kështu me shqetësimin e asaj padrejtësie që i ishte bërë atij filmi kryevepër, i thamë “natën” njëri- tjetrit tek reklamat, tej xhamave të të cilave atë natë m’u duk që sytë e Raf Valones nga foto e ekspozuar po më shihnin me habi (!). Gjithçka e asaj dite ishte fashitur si pa u kuptuar teksa nata tiranase si edhe herë të tjera po e mbështillte qytetin me veladonin e saj të murrmë e të ngrohtë, si për të mos na i trembur e larguar ëndrrat,që kishin nisur të epoheshin në ritmikën e atij lëmshi entuziast në brendësi të të cilit vlonte papërmbajtshmëria dhe gjithpushtetshmëria jonë rinore, që nuk na ndahej deri sa mbylleshim në vatrat e ngrohta të shtëpive të ulëta me tjegulla, të rrethuara me avlli, ku rreth e qark oborreve kundërmonin; trëndafilat, karafilat, vjollcat, selfijonat e jaseminët.

      Kësisoj mbyllej një ditë e jetës tonë në ato vite të paharruar teksa më pas afër mesnatës, gjithçka qe përjetuar aq intensivisht, sikur gjallërohej e merrte të tjera ngjyra. Kësaj here nën tingujt e “Llaksit”, siç e quanim mes nesh stacionin radiofonik “Radio Luxembourg London nr. 1”, i cili shërbente për t’u sjellë muzikë e informacion ushtarëve të SHBA-ve, që ishin dislokuar në pika të ndryshme të Europës, si në zonën amerikane të Berlinit, në flotën VI, që lundronte vazhdimisht në ujërat e Mesdheut etj..

       Gjithnjë çfarëdo që të ishte dimër apo verë nuk kam mbyllur sy asnjëherë për të fjetur, nëse nuk do të kisha dëgjuar të paktën një orë nga programet e “Llaksit”. Një orë mund të thuhet minimalisht në raste të veçanta, ku mund të kem qenë i lodhur. Por, gjithsesi atë çka nuk kisha arritur të mësoja m’i kompensonin shokët  të nesërmen. Ne gjithnjë kompletonim njëri tjetrin jo vetëm në përvetësimin e lëndëve të detyrueshme në shkollë, por edhe nga çka dëgjonim në emisionet e shumta radiofonikë si edhe nga leximet e gjithçkaje na binte në dorë. Ky ishte sigurisht “kyçi” i suksesit të asaj, që arritëm të përvetësonim e të përsosnim në personalitetin e gjithsecilit nga ne bashkëmoshatarët “broduistë” të viteve 60-të të shekullit XX, që na bënte ta shihnim botën me sy tjetër, shumë më të avancuar për kohën që jetonim, për të mos thënë se në aspektin kulturor ishin në të njëjtat shina me bashkëmoshatarët tanë kudo që jetonin në kontinentin e vjetër. Një “universitet” më vete ishin ato orë të pasmesnatës, që ia hiqnim gjumit për të mësuar çka ndodhte në botën perëndimore, ku e madhërishmja Perëndi e kishte taksur që herët vendin tonë të ishte pjesë e saj, por që aksidentalisht kishte mbetur në anën e gabuar.

Një pasmesnatë e vitit 1962

      Një pasmesnatë të vitit 1962 nga “Llaksi” dëgjuam lajmin për vdekjen e një gruaje të famshme amerikane, quajtur Eleonorë Rusvelt, të cilën Presidenti i SHBA-ve, Xhon Kenedi e kishte ftuar në shtëpinë e bardhë për të punuar mbi statutin e gruas. Sepse ishte kjo grua energjike kushërirë e Presidentit amerikan Franklin Rusvelt (prekur nga poliomeliti në 1921) nënë e gjashtë fëmijëve, shkrimtare e publiciste e njohur që iu bë krah, kushëririt më 1932-n, kur u zgjodh kreu i SHBA-ve dhe që më 1945 në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara si pjesëtare e delegacionit amerikan në UNO, do të lexonte deklaratën e parë për të drejtat e individëve.

      Aty me kokën mbështetur në altoparlantin e radios mësuam për herë të parë për lojën e fjalëve, që kishte bërë këngëtari amerikan Bill Hallej, gjatë një emisioni radiofonik ku prezantonte këngët e reja, pas së cilës kishte lindur togfjalëshi i famshëm “rok end roll”, falë të cilit u  krijua dhe u përhap rrufeshëm mbi glob, shoqëruar edhe me një lloj kërcimi i veçantë tok me një rrymë të re muzikore, që bëri epokë me një  përfaqësues unikal në gjithçka, i cilësuari unanimisht nga të gjithë mbreti i rokenrollit, Elvis Prezli.

      Nga “Llaksi” kemi dëgjuar për herë të parë zërin e aktivistit të shquar të të drejtave të njeriut, Martin Luter Kingu me britmën e tij kushtrim: “I have a dream” (Unë kam një ëndërr), pas së cilës zezakët e SHBA-ve,  do të ndërmerrnin marshimet e tyre të famshme duke kërkuar të drejtat e liritë e tyre të garantuara në ligj. Aty mësuam, që pikërisht për gjithçka bëri në drejtimin e kësaj lëvizje Martin Luter Kingut më 1964-n, nga Akademia e Stokholmit, iu akordua çmimi “Nobel” për Paqen.

Çfarë mësuam

       Por, aty kishim mësuar edhe për demonstratat e studentëve parisienë kundër politikës së De Golit. Denoncimin, që i kishte bërë në shtyp e madhja Brizhid Bardo kërcënimit të organizatës kriminale OAS, në të cilin kishte gjetur mbështetjen e të famshmit, aktorit Zhan Mare. Ndërkohë, një këngë kushtuar Brizhit Bardosë, që mbante si titull emrin e saj ishte bërë shumë e njohur, madje nuk kishte ditë të mos e dëgjoje nëpër stacionet radiofonikë italianë e francezë. Brizhidën me gjithë famën e madhe që kishte si aktore kinemaje faktikisht kishim arritur ta shihnim vetëm në dy role episodikë në filmat “Manovrat e mëdha” me të paharruarin Zherar Filip e Danielë Darie dhe tek “Helena e Trojës” me Xhak Serna e Sozana Podesta. Më vonë arritëm ta shohim në rolin  kryesor në filmin “Babeta shkon  në luftë”.

       Mësuam për vdekjen tragjike të Merilin Monros, yllit numër një të seksit femëror në botë, bashkëshortes së dramaturgut Artur Miler, ikja nga jeta e së cilës ka mbetur ende enigmë. Dhe paradoksi shqiptar në këtë rast edhe pse bëhej fjalë për ndërprerjen e jetës së një njeriu, nuk do të mungonte. Nuk e di se kujt i shërbeu ai fejton i pështirë botuar në faqet e gazetës “Bashkimi” me titull “Limon i shtrydhur”, shkruar nga një penë e njohur e asaj kohe. Fakt ky që më revoltoi shumë. Si mund të bëhej humor me vdekjen e një njeriu! O Zot nuk arrija ta kuptoja se si kishte arritur ai njeri i letrave të merrte penën e të shkruante atë

paçavure. Qe pikërisht ky fakt, që si kundërpërgjigje të këtij veprimi antinjerëzor të hidhja në letër poezinë “Vdekja e Merilin Monrosë”, të cilën arrita ta botoj vetëm në vitet e para të pluralizmit politik, sepse në atë kohë isha i bindur katërcipërisht që, ajo vjershë e shkurtër nuk do të botohej kurrë, pa thënë që nëse do të më gjendej mund të kisha pasoja të rënda.  Por, kurrsesi nuk mund të duroja, që teksa një botë e tërë vajtonte për shuarjen e femrës më të bukur në planet, ne shqiptarët talleshim (!). Madje, kantautori italian Xhoni Doreli ato ditë i kushtoi një këngë shumë të bukur Merilinës.

    Në lajmet flash tek “Llaksi” mësuam për këngën e “Beatles” titulluar “I Want to hold your hand”, që u rendit e para në HIT-in e SHBA-ve. Dëgjuam zërat e Areta Frenklin “mbretëreshës” së bluzit, që këndoi më 20 janar 2009 në inaugurimin e Barak Obama President i 44 i SHBA-ve, të Mellania Xhekson, Odis Redit (që gjeti vdekjen në një aksident automobilistik) me këngën “Man”, Xhejms Braunin me këngën “Cold Wel”, Gloria Gejnër, Xhimi Hendriks e Xhenis Xhop (dy viktimat e para të drogës), dy trompistët e paarritshëm Dizi Gillepsi e Luis Armstrog, Rej Chalsin, Xho Koker, Tomi Smith, Djuk Haligton etj., etj..

Mësuam për koncertin që Elvis Presli dha në senatin e SHBA-ve, ku falë interpretimit virtuoz të “mbretit të rrokut” senatorët  u elektrizuan dhe nisën të vallëzonin nën tingujt e kitarës së tij. Për Bitëllsat, të cilët mbretëresha Elisabet e entuziazmuar nga suksesi i tyre i jashtëzakonshëm i ftoi në Batingham Palac, ku edhe i dekoroi me “Kryqin e Artë”. Për vrasjen e Presidentit  Xhon Kenedi, në atentatin e Teksas, për varrimin madhështor që iu në varrezat e Alegtonit, betimin e nënpresidentit Xhonson, që zuri vendin e tij në karrigen e Presidentit të SHBA-ve, gjatë fluturimit në avion për të mos lejuar kalimin e limitit kohor përcaktuar nga kushtetuta amerikane për mbetjen e shtetit pa president. Vrapimin për herë të parë të 100 metrave në limitin e 10 sekondave nga amerikani Bob Haies në Olimpiadën e Tokios etj., etj..