Prof.Dr. Elmaz Leci: Duart e stërgjatura të kryeqeveritarëve shqiptarë mbi pasuritë e popullit

1100
Sigal

Si ia dha Enveri thesarin e Shqipërisë, Stalinit dhe operacioni tepër sekret i kalimit të arit në Bankën e Moskës

 

Paralele historike/Duart e stërgjatura të kryeqeveritarëve shqiptarë mbi pasuritë e popullit

Edhe Enver Hoxha i “dha” Stalinit thesarin e Shtetit Shqiptar

 

Nga Prof.Dr. Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

 

“Në thesarin e shtetit tonë (shqiptar),- i shkruante Enver Hoxha në një pusullë Stalinit, të cilën ja la në dorë gjatë vizitës së marsit 1949,- ndodhen aktualisht në monedha dhe në shufra një sasi e konsiderueshme ari dhe argjendi. Këto fonde të rëndësishme, që përbëjnë një pasuri të madhe për popullin tonë, dëshirojmë t’i sigurojmë nga çdo rrezik. Prandaj, vijmë te Ju t’ju lutemi që të pranoni kërkesën tonë, që lejon arin dhe argjendin ta transferojmë dhe ta depozitojmë në bankën e Moskës. Kjo do të jetë një ndihmë tjetër e madhe, që do t’i bëhet nga Qeveria sovjetike popullit shqiptar, i cili do të jetë shumë mirënjohës dhe do të jetë i qetë se pasuria e tij do të ndodhet në vendin më të sigurtë në Botë, në BS. Duke shpresuar se lutja jonë do të shqyrtohet dhe do të pranohet, me shumë konsideratë dhe me përulësi e respekt për ju. Në emër të Qeverisë shqiptare dhe të Komitetit Qendror të Partisë, Kryeministri Enver Hoxha”.

Kjo është letra – kërkesë, që siç thuhet edhe në Proces Verbalin e takimit të Enver Hoxhës me Stalinin, ky Enver Hoxha, me pusullën që përmendëm i kërkonte Stalinit “ruajtjen” e arit shqiptar. Në fakt thesarin, Enver Hoxha po ja bënte Stalinit “dhuratë” për të mirat që ky i kishte bërë, që së fundi në vitin 1948 e shpëtoi nga Tito, pasi deri në pranverë për pak Tito e kryqëzoi apo e bëri pre të vetin sepse ata, jugosllavët deshën më shumë Koçi Xoxen, jo se nuk e deshën edhe Enver Hoxhën. Ky, në gjysmën e dytë të vitit 1948 e mbrapa, u bë e mbeti një stalinist i thekur jo më shumë nga malli, por se ashtu ruante pushtetin e tij personal. Jo vetëm kaq, por “dhurimin” e arit Stalinit, Enver Hoxha merrte edhe një masë sigurimi për vete se nuk i dihej pushtetit. Duhet thënë se në atë periudhë, megjithëse ishte viti 1949, Enver Hoxha ende nuk e ndiente veten të sigurt në pushtet, kjo nga kundërvënia e gjithë Perëndimit dhe nga opozita shqiptare jashtë, e cila ishte organizuar dhe luftonte edhe ushtarakisht kundër regjimit të tij.

 

Por duhet thënë gjithashtu se ndonëse materialet e Informbyrosë, që e nxorën Titon “tradhtar”, nuk donin të thoshin se Stalini ishte bërë “i dashur me Enver Hoxhën”, se Stalini “ishte i madhi internacionalist”, dhe jo siç është thënë ndonjëherë se Stalini u prish me Titon për Shqipërinë. Jooo, as që bëhet fjalë. Enver Hoxhës i punonte mendja e djallëzuar se duhej të “punonte” me çdo mënyrë që Stalini ta fuste në zemër. Por për këtë nuk mjaftonin vetëm deklaratat e Enver Hoxhës para Stalinit, gjatë vizitave të tij në Moskë, as “letra e vonuar” që i dërgoi atij më 2 shtator 1949 për Kosovën. Edhe ajo i drejtohej Stalinit dhe aty Enver Hoxha i “ankohej” atij mbi “premtimin e pambajtur të Titos” për Kosovën, madje e shante Titon njëlloj e ca më shumë se Stalini, por përsëri duket se nuk mjaftonin vetëm këto për të fituar besimin e Stalinit.

Në disa raste dhe në të gjitha takimet, Enver Hoxha i ankohet e i ankohet Stalinit vetëm për Titon?! Ku e ka hallin dhe qëllimin?! “Halli” i vetëm i Enver Hoxhës është të fitojë jo vetëm mbështetjen e Stalinit por mbi të gjitha “dashurinë” e tij, ndërsa qëllimi është po i njëjtë dhe për këtë Enver Hoxha nuk resht së shkruari për “bëmat antishqiptare” të Titos, që janë të vërteta, por që denoncimet duheshin bërë në kohën e duhur dhe vendin e tyre. Këtë nuk e bëri sepse me të dërguarit e Titos, Enver Hoxha i “varrosi” të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës edhe kur “dolën përpara” në Mukje e Bujan. Ja si i ankohet Enver Hoxha Stalinit për Kosovën: Tito “na premtoi por na mashtroi”. E vërteta është që Enver Hoxha as ia kërkoi Titos Kosovën, as ia premtoi Tito Kosovën, Enver Hoxhës. Mashtron Enver Hoxha për këto thënie të tij në librin “Titistët”. Kjo për mbrojtjen e Kosovës (në se mund të quhet e tillë) del se ishte letra e parë e Enver Hoxhës për Stalinin, pas prishjes me Titon dhe kjo siç thonë me zhargon shqiptarët, ishte “pas pilafit”.

Letra e dytë për Stalinin po brenda vitit 1949, është kjo që përmendëm në fillim, ajo për arin, kërkesa për depozitimin dmth, “dhënien” e arit shqiptar sovjetikëve. Njëlloj si me arin shqiptar që e depozituan kolaboracionistët në Italinë fashiste, apo me arin që rrëmbeu Ahmet Zogu me vetarratisjen nga Shqipëria, por me një ndryshim se Ahmet Zogu i tërhoqi apo i “vodhi” vetë në ikje florinjtë e popullit shqiptar, duke bërë edhe “argumenta të besueshëm”, ndërsa Enver Hoxha e kamuflonte “vjedhjen” e florinjve me dërgim në Bankën e Moskës për “mbrojtjen e thesarit shqiptar”. Themi vjedhjen e floririt nga Enver Hoxha, sepse nuk ka asnjë vendim të Qeverisë Shqiptare apo të Bankës së Shqipërisë, për çuarjen e Thesarit të Shtetit në Bashkimin Sovjetik. Edhe ministri i Financave i kohës së Zogut Kol Thaçi, psh, ka lënë ca dokumente bakalli, ku ai thotë se Mbreti tërhoqi nga Banka Kombëtare e Shqipërisë fillimisht një vlerë përafërsisht me 567 mijë franga ar, që përbënin 183 kilogram flori por më pas, po sipas dokumenteve më 31 mars të vitit 1939, është autorizuar me urdhër, po të Mbretit Zog, tërheqja nga “Llogaria relative e pafrytshme metal-ar në roje” 448.535 franga dhe përsëri më 3 prill, është urdhëruar edhe tërheqja e 450 mijë frangave të tjerave. Sipas shkresës këto tërheqje do të përdoreshin (që është manipulim) për shpenzime të jashtëzakonshme të Forcave të Armatosura. Sërish po për këtë qëllim, më 6 prill u urdhërua edhe marrja e 200 mijë frangave të tjera ari nga Banka. Ndryshe nga tërheqjet e para, kjo e fundit është kryer pa lënë asnjë dokument të firmosur. Shënojmë se të gjitha shumat, përafërsisht një milion e njëqind mijë franga ari, përbëjnë 355 kilogram flori, që Ahmet Zogu ia mori, vodhi popullit me vetarratisjen e tij nga Shqipëria, por ama la këto dokumenta.

 

Ndërsa Enver Hoxha veproi ndryshe. I jep letër personale Stalinit, ku i kërkon depozitimin e arit të popullit shqiptar, sikur të ishte ari i tij, me një letër paçavure më keq se ajo prej bakalli e Ahmet Zogut, letër pa asnjë vlerë, se nuk kishte asnjë vendim Qeverie. Qëllimi i Enver Hoxhës me kërkesën për depozitimin e arit në Bankën e Moskës, ishte që pastaj “i siguruar” Enver Hoxha në rast përmbysje, do të shkonte pas tij edhe vetë, i përzënë nga perëndimorët e emigracioni politik, apo i hequr nga vetë sovjetikët. Ky ishte skenari në kokën e Enver Hoxhës. Por Stalini në dukje nuk e “hëngri” karremin e Enver Hoxhës (në prapa kuinta, duket se ari siç thotë populli “bëri këmbë”!). Të vërtetat dalin vite më vonë, aq sa mund të dalin çështje të tilla, siç janë ato të floririt.

Me që Stalini në kohën e tij “e refuzoi” arin shqiptar (letra ndodhet në Arkivin e Federatës Ruse), përsëri Enver Hoxha gjen rastin dhe e dërgon që e dërgon arin e popullit shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Tashmë Stalini kishte vdekur, por Enver Hoxha shpresonte shumë nga udhëheqja e re e BS dhe konfliktet nuk kishin nisur ato janë të viteve të më vona. Nga aludimet e hrushovianëve duket se arin atje, me patjetër Enver Hoxha e ka dërguar. I duhej për një ditë të zezë se e shikonte që po ja bënin puçin. Në fakt pavarësisht se nuk ka dokument se si i u përgjigj Stalini Enver Hoxhës për propozimin e “depozitimit” të arit shqiptar në Bashkimin Sovjetik, një thënie e ish zëvendës Drejtorit të Bankës së Shtetit Shqiptar në vitet 1947-1950 se në atë kohë kishte fjalë për depozitim të arit shqiptar në Bankat e Bashkimit Sovjetik. Në një deklarim të mëvonshëm po ky personalitet diku ka bërë pyetjen se “përse u tregua aq i mirë Hrushovi me Shqipërinë në vitin 1959, kur i fali të gjitha borxhet”?!

Deklarimi i mësipërm, bën fjalë për vitin 1954, kur Enver Hoxha, ua dha që ua dha arin sovjetikëve?! Njëlloj si Ahmet Zogu, me rrugë të tërthorta. Në se Ahmet Zogu ka lënë dokument “për nevoja të Forcave të Armatosura”, Enver Hoxha ka firmosur për “blerja gruri” në Bashkimin Sovjetik. Këto janë vendime për të maskuar çështjen e vjedhjes së arit të popullit. Dihen se këto lloj punësh nuk bëhen ashiqare, por me manipulime. Ka bërë në vitin 1954 edhe një Vendim të Këshillit të Ministrave Enver Hoxha, që mban nr. rendor 144, datë 2 shkurt 1954 me temë “Për importim mallrash për tregun special”. Në bazë të atij Vendimi i u dhanë Bashkimit Sovjetik 224.4 kg ar. Mirëpo në Relacionin sekret të Bankës së Shtetit Shqiptar të datës 27 dhjetor 1954, nuk bëhet më fjalë për 224.4 kg ar por për 945.615,58 kg ar, pasi kaq i dilte kursi i këmbimit të arit i “imponuar” nga Bashkimi Sovjetik. Flitet në Relacion që shoqëron Vendimin e Qeverisë, edhe për një shumë tjetër prej 64.516 kg ar, dërguar po në Bashkimin Sovjetik nga Banka e Shtetit shqiptar. Ec e mere vesh se cila shifër është e sakta! E vërteta e padiskutueshme është që edhe Enver Hoxha është sjellë me arin shqiptar si pronar i vërtetë i tij.

 

Vlen të theksohet se e gjithë procedura e kalimit të arit shqiptar nga Banka Shqiptare në Bankën Qendrore të Moskës, ka qenë veprimtari tepër sekrete. Megjithatë është një dokument i vetëm dhe ai është Relacioni i Bankës së Shqipërisë i datës 27 dhjetor 1954, ku shkruhet se “në bazë të Urdhrit tuaj (të Këshillit të Ministrave, të vetë Enver Hoxhës), është përgatitur një fuçi e cila përmban 39 qese, prej të cilave 38 qese ku secila përmban nga 1000 copë napolona dhe qesja e 39-të përmban 701.75 copë napolona me një peshë kompesive bruto 250.679 kg ar dhe me peshë neto nominale 249.691. Fuçia është e vulosur në rregull. Banka e Shtetit Shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme ”.

Sipas marrëveshjes që kemi pasur me përfaqësinë tregtare të BRSS-s thuhet në Relacion – fuçinë me arin ja dorëzuam personalisht Kapitenit të vaporit sovjetik “Chiaturi”, i cili na dorëzoi konoshamenton të firmosur rregullisht për marrjen në dorëzim. Banka e BRSS-së na konfirmon marrjen në rregull të fuçisë me telegramin e saj të datës 6 tetor 1954”.

 

Në dokumentacionet e Shtetit Shqiptar thuhet se “tregu special për të cilin u “lëvrua” ari, ishte tregtimi për grurë”. Rezulton një lloj maskimi, fshehje! Po a mund të jetë sekret një veprimtari e tillë ekonomike, kur Enver Hoxha fliste sa çaheshin artopolantet se “ndihma e Bashkimit të madh Sovjetik ishte vëllazërore”. Por kur u dha ari? Sapo kishte vdekur Stalini. Me që nuk dimë plotësisht enigmatikën e saktë se si mësoi kërkesa e bërë Stalinit për depozitimin e arit shqiptar në Bankën e Moskës, dimë se ari shqiptar lëvizi apo shkoi ose i u dhurua te pasardhësi i Stalinit që në atë kohë ishte Malenkovi.

 

Ja dhe përllogaritjet në vijim të studiuesit Kastriot Dervishi për “dhënien” e arit Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit. Ta nisim pothuajse nga fundi. Në prag të vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri, Enver Hoxha do të deklaronte se Bashkimi Sovjetik i kishte akorduar Shqipërisë, për 5 -vjeçarin e tretë, një shumë kreditimi prej 300 milion rublash. Bëjmë pak llogari: Për 1 milion rubla, nga Thesari i Shtetit shqiptar dolën 224,4 kg ar. Po të vazhdojmë me të njëjtën logjikë i bie që për 35 milion rubla të paguhen 7.854 kg ar. Po të shtojmë këtu edhe 10 milion rublat e tjera që thotë Enver Hoxha, atëherë i bie që për këto dy “kredi”, Bashkimi Sovjetik t`i ketë marrë Shqipërisë rreth 10 ton ar. Mund të duket shumë një sasi e tillë ari, por në raport me minimumin e 320 ton ar. të mbledhur e të grabitur nga komunistët pas lufte, ajo është e vogël.

 

Dhënia dhe marrja e një sasie të sipërpërmendur të arit nga ana e Bashkimit Sovjetik, është edhe një gjë tjetër, që tregon nga njëra anë mungesën e solidaritetit në kampin socialist dhe nga ana tjetër, dijeninë që kanë pasur sovjetikët për arin shqiptar. Jo vetëm kaq, por ajo që është determinante, është se edhe pas prishjes së madhe shqiptaro-sovjetike, nga sovjetikët nuk u pa ndonjë presion i madh për të kërkuar “borxhet”. Ndonëse publikisht u tha se në vitin 1959 ato u falën, prapë mund të ishte ndonjë kredi tjetër e marrë pas atij viti, duke pasur si shlyerje arin në mes. Duket që të dy palët nuk kanë dashur të bëhet publike çështja e arit, pasi ishte e dëmshme për të dyja palët. Për palën shqiptare merrej vesh dërgimi i arit në Bashkimin Sovjetik, ndërsa për palën sovjetike dilte në pah pazari që ishte bërë me Enver Hoxhën për arin shqiptar.

 

Le t’i kthehemi edhe një herë kërkesës së Enver Hoxhës bërë Stalinit për t’i “dhënë arin shqiptar”. Letër kërkesa e Enver Hoxhës përmendëte edhe sasinë e arit shqiptar që do të shkonte në Bankën Qendrore të Moskës, e cila ishte një sasi prej 2.556 kg ar. dhe 3.980 kg. argjend. Argumenti, “për t’i ruajtur nga çdo rrezik”. Arsyeja, për ta pasur Enver Hoxha në rast rreziku të përzëniesh nga pushteti. Nuk dihen rrethanat emocionale se si e ka pritur Stalini kërkesën e Enver Hoxhës, por në shënimin që është lënë në tekstin e letrës, shkruhet se Stalini e “ka refuzuar”. Nuk dihen sakaq motivet e vërteta pse kjo në se mund të quhet negociatë, nuk ka lënë gjurmë në dokumente e as në librin e Enver Hoxhës kujtime “Me Stalinin”. Aty përshkruhen gjerë e gjatë mbresat e përjetimet nga takimet me “babain e komunizmit” dhe udhëheqësin e “revolucionit proletar”, por për arin Enver Hoxha nuk thotë asgjë.

Nesër do lexoni:

-Enver Hoxhën transferonte thesarin e popullit shqiptar, një pjesë të tij, në ish-Bashkimi Sovjetik, për familjen në rast humbje të fronit

– Në vitin 1943 në Labinot, Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj të dhuruara nga anglezët

– Liljana Hoxha, nusja e djalit të Enver Hoxhës, Sokolit, disa herë i është drejtuar Nexhmije Hoxhës, për ndarjen e drejtë të pasurisë