Miho Gjini: “Kështu ka qenë jeta!”

Rrëfim i një çobani

 

Sigal

“Ja! Atje poshtë ferrave, te bytha e lisit, në rrëpirën e fshehur nga degët e shtrira gjer tek përroi, e bëra kasollen time sa erdha këtu 14 vjeç djalë. Çoban atje e çoban këtu…Atje me dhëntë e mia e këtu, në fshatin tuaj, me dhitë e banorëve që bëheshin mbi njëqind kokë…Më pyete se nga erdha “e qysh e ku e nga”…Nga Kolonja e Kurveleshit,-vazhdoi ai rrëfimin,-Fshati im mezi duket sa del nga tuneli i Skërficës, diku në faqen e malit me gur e shkurre të dendura. Detin e pashë për herë të parë , kur më solli këtu Pavllo Qesari, i biri i Naqes që ti, mase se mba mënd fare, si edhe Lekan Prifti, të cilët kishin “ miqësi të ngulur nga çobenëria”me tim atë. Siç e kishte dikur, ca më përpara, Naqe Qesari me gjyshin tim Selfo Hoxhën, të dëgjuar në Gusmar, Picar e më përteja faqemalit të Çajupit, Kryeplak e Kryetrim i këtyre anëve, me katandi, bagëti e kulla me frëngji, si të trimit Çelo Picari, që s’guxonte t’i dilte njeri përpara…”Si në atë këngën e trimave:”Ç’janë ata që shkojnë zallit, trimat e Çelo Picarit…”

Abaz Hoxha, me fytyrën e kthyer nga deti i qetë, në atë shtrëngim vape, kur dëgjohej vetëm cicërima e cinxujve, mori frymë thellë dhe vazhdoi të flasë, sikur të nxirrte kucura nga dheu: “Prindërit e mi kishin një jetë të ngatëruar , si tu ngjante këtyre ferrave përreth lisit”… Ndali një hop, ndërsa vështrimin e hodhi m’atan Shpellave të Katunishtës, ku unë me tim atë fshiheshm nga bombat e avioneve të përtejdetit, gjatë kohës së Luftës Italo-Greke. “E doja shumë baban tim jetëshkurtër,-vazhdoi ai me trishtim,- që ra në burg si strehues i diversantëve kundra komunizmit, dërguar nga Amerika, një vit pas lindjes time më 1948-ën, dhe që as mua çobanin nuk më “lanë rehat” tërë jetën. Dhe kjo do ishte arsyeja kryesore që erdha në Piqerasin tuaj, një fshat i qetë dhe me njerëz të mirë. Që natën e parë të ardhjes time i vetëm ,nga njeri mal tek tjetri, më priti Lekan Prifti, “mik për kokë” i babait tim të ndjerë, që na la sa mbushi 60 vite e unë 22, që më fliste radhazi për këta miq të rrallë, për Pavllo Llaçin e Lekan Priftin. Por më pas bëra shumë miq të tjerë nga i gjithë fshati juaj, sidomos me Kiço Çunin, Lefter Priftin, Sokrat Tatën e Vasil Priftin. Njerëz të kulluar të maleve , që kur na merrte etja e uria maleve e pinim qumështin me okare, direkt ashtu të ngrohtë nga sisët e dhive të majme…”

Abazi psherëtiu thellë dhe rrëfeu me gisht nga ana e Varrezave, rrethuar nga ata qipariza që arrijnë qiellin. “Në varrezat tuaja prehet edhe Ai burrë i Lartë dhe i Mirë, llogaritari i kooperativës Pavllo Llaçi, që më solli këtu, pasi kishte llafosur me Andrea Xhanin, të vëllain e Mitro Heroit,-edhe ai një burrë që s’gjëndej kollaj, nga “derë lufte”, derë trimash…Po edhe unë vijë nga një “derë trimash” të tjerë, që nga Çelo Picari e më tëhu…E ke dëgjuar ç’thonë për të kur i vdiq e ëma? Jo ? Ja, ta them unë: kur i vajtën trimat e tjerë ta ngushëllonin , u shërbeu atyre “farmakun” me tabaka ndër duar dhe ata u pataksën.”Nuk paske tjarër njeri të shërbej këtu, or trim?!”.”jo,-tha ai, se të gjithë sa shehë këtu rreth meje , janë që të gjithë ÇELO!”

Ra një heshtje e rënduar, teksa edhe Dielli u zhytë përtej detit, me një tis të kuqëremt. “Po edhe unë i takoj një kohe tjetër , jo me më pak trima të çartur e trazira, me brezin e “luftës së dytë”, paksa më ndryshe nga ajo e kaçakëve të njëhershëm, teksa patëm në fshatin tënë, trazuar bashkë si vëllezër , edhe komunistat, edhe ballistat, edhe nacionalistat e dëgjuar si Mehdi Frashëri, nga dera e Frashërllinjëve të famshëm, të asaj kohe turbullirë…Se, edhe në familjen time patëm dy djem ballista, kushërinj të afërt të babait, “djem për kokë të djemëve” që edhe ata e donin shqipërinë të lirë, që në BALLË (ndaj edhe quheshin Ballista, të cilët Enveri nuk i shihte me “sy të mirë”, i shante dhe atje në Mukje i quajti “Hajdutë Pulash” e “Tradhëtarë”… Ç’pyet se ç’hoqëm më pas? Njëri nga ata iku në Amerikë e nuk u khye më, edhe pse la pas tri vajza, sepse e dinte ç’e priste. Ndërsa tjetri mundi të arratisej gjer në Amerikë, por u kthyen një natë si “diversant” , me ca fletushka ku flitej për “një “Shqipëri të lirë për të gjithë” e jo vetëm për komunistët”. Atë nuk e zinin dot. Qe “I Zoti i Natës”…Që unë i vogël,-siç isha, nuk i kuptoja mirë, me këto “dava e dasi”. Po, të shkretin djalë e zunë në befasi dhe e pushkatuan, fare pa gjyq, kur ai sapo kishte thirrur “Rroftë Amerika”! “Për Shqipërinë e lirë”…Dhe mbi krahërorin e tij u shkreh një karikatorë me plumba. Nuk qe rrëzuar menjëherë, si lisi që kemi përpara qëndroi, po pastaj u pre në mes e ra i mbytur në gjak…”

Një copë herë nuk foli dhe koka iu varë kraharorit. Hera e parë që shihja përbalIë një njeri që fliste kështu, me nderim e dhimbje të tillë, për një partizan të “Ballit Kombëtar”. Se, edhe ata “Partizan” ishin, të një partie ndryshe. Po Enveri donte të ishte i vetëm në qeverinë e vendit , që pastaj ta mbushte vendin me burgje e me skllevër të një pune të papaguar kurrë. Se edhe unë jetoja e punoja “me lepurin në bark”..Një jetë të tërë si çoban, në acarin e dimrit e në zhegun e beharit, nga njeri mal në tjetrin, me shtegëtime të gjata, gjersa na vithiste gjumi, pështjellur nga bruci. Më vunë edhe në “Tabelën e Nderit”. Po, ku jam tani ? Një asgjë! As kur do rritesha e burrërohesha në fshatin tuaj, si çoban me dhi e me lopë, gjithë jetën time, ne kooperativën e në fermën tuaj të madhe , që nga Borshi gjer në Nivicë Bubar. Kur një herë na i lanë ca bagëti e më pas na i mblodhën në “TUFA”. E më pas, u tha (pa e pritur fare këtë!) , se qenë të “Shtetit”! Atëherë, më kujtohet mirë, se si plasi edhe një therrje e madhe e vjedhje, si në “mall të karadakut!”, duke e justifikuar se “Doli UJKU”. E “ujku më i madh” e kishte teserën e Partisë në xhep”! Po kësaj, ç’i thua?!…

Jetë çobani, si jetë qeni, brenda një “stani me ujqër!”,-vazhdoi rrëfimin i ndezur, Çobani i së djeshmes,- U bëra burrë në atë kasollen nën lis, si të isha ndonjë nga ata kaçakët e njëhershëm, kur e pashë veten se “u burrërova edhe unë i gjori” e më shkoi mëndja për ndonjë nuse, me ato pak para që i mblidhja “një e nga një lekë”dhe i fshihja brenda një kutie peshku. Në një gropë jo shumë të thellë, që e mbusha me dhe të tharë , mbi të cili pata vënë “jastëkun tim”,- një gur lumi të lëmuar, që e gjeta anës detit. Kandisa më mbrapa një dhomë me blloqe betoni e vajta në fshatin tim të kërkoja grua. Me mblesëri edhe unë po ama zgjodha një nuse të bukur e të zonjën, Nexhmijen, nga fshati i Çelo Picarit, që edhe ajo e kishte dajon ballist, po ama atin e kishte me Partinë Komuniste , që doli edhe partizan malit , pa e dijtur se do “pëlciste një lufte “vëllavrasëse”. Që të dy vëllezërit të viheshin përballë njeri tjetrit e të “vriteshin”!

Mirëpo, ajo që mora prej andej m’u bë shok jete. Këtu, me gratë e fermës, që ka punuar edhe me gruan tënde, nëpër brezare, me kosorin në brezë . Dhe ishte me të në një brigade, kur ajo preu dorën me kosore, nga lodhja e tepërt. duke hapur taraca, siç bënin dhe kinezët, edhe nëpër faqen e malit të Lavanit, që sot nuk t’i sheh më syri gjëkundi, si në një rropatje pa leverdi e pa pagesë fare. Rrobë Lufte dje e rrob lufte edhe më pas, kur u ndërrua sistemi e tha se “tani do hamë me lugë floriri”!

Po jeta rrëshqet si “ujët e lumit” e të “merr me vete!” Solla në jetë dhe tre fëmijë: dy djem e një vajzë. Ata u rritën me të keq. Po ku janë tani?! Njeri punon tani në Larisa të Greqisë dhe tjetri në Nuremberg të Gjermanisë. Ndërsa vajza na vdiq nga sëmundja e pashërueshme e shekullit, duke lënë pas dy fëmijët e saj të vegjëI. U “hodha” edhe vetë, me gruan time të re, gjer në Greqi të punoja, kur çobenëria nuk i duhej më kurrkujt. Mora me vete edhe 160 kokë bagëti që i humba rrugës që të gjitha, siç humba edhe jetën time. Mbeta edhe pa shkolIë. Shkolla ime bëhej maleve, nëpër shpellat e dikurshme, kur tokë me bukën thatë në torbë, merrja edhe ndonjë libër për të lexuar, si edhe longaren time që krijoja melodi e këngë. Librat mi jipte mësuesi i fshatit tuaj Vasil Gjivogli. E unë humbisja mendjen në ato që shkruante Petro Markua e Jakov Xoxa, po me pëlqente edhe Hygoi me “Kontin e Monte Kristos” që luftonte për të drejtën e tij…Nisa edhe vet të shkruaja për jetën time të hidhur dhe e quaja “Jeta e një Kaçaku” e rroja me to, sa një ditë, atje ku i ruaja, mi lagu rrebeshi i shiut. “Ky çoban,-më thotë tani Fabulisti Gjivogli, që u rrit në fshatin tonë , e bëri shkollën maleve , mund të them se edhe më mirë nga ca të tjerë që i “bënin hije vetes” së tyre. Ai vinte e merrte gjithmonë libra nga biblioteka ime”.

Vështrimi i këtij njeriu u vesh me mjegull dhe dy lot si margaritar, iu varën faqeve “E çë? Kot që të gjitha,-tha, duke fshirë lotët me pëllëmbën e trashur të dorës,-…Jeta na iku nëpër duar. Nexhos i mbetën rrobat e zisë në trup. Na ra bretku 20 vite për të ngritur një shtëpi edhe ne, për të jetuar si njerëz, po ja tek është, e pa mbaruar akoma. E çë? Jeta ime është një “Histori e pa shkruar, si e gjithë të tjerëve, ca e ngatërruar, jo më si nëpër libra, po krejt ndryshe, me një tersëllëk që dukej sikur vinte nga PERËNDIA, por jo, ishte nga vetë neve…E çë? Më ngjan se kjo “HISTORI” është ende e pashkruar. Dhe më duket , sikur kështu ishte jeta dhe kështu mbeti. Një brengë e madhe, e mbledhur si një lëmsh!…E çë?! Po kushedi, mase ndreqemi edhe ne. Fëmijët tanë, mbetën në Evropë e nuk po kthehen. Po mase vemi ne tek ata…E çë?!Kështu erdhi jeta! Ama, njëra do bëhet, ma thotë mëndja!”

Ai nuk foli më…U mbulua nga nata e mezi vinte gjer tek ne të vonuarit një dritë e zbehtë…