Lufta e Vlorës 1920, që rrëzoi perandorinë italiane në det

664
Sigal

 

Lufta e Njëzetës që u quajt Lufta e Vlorës, ishte një seri betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë në zonën e Vlorës për zotërimin e qytetit të Vlorës . Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë.

Lufta e Vlorës, më 1920-n

Në Baçardha, Dukat në 29 maj 1920, u mblodhën rreth 200 burra të krahinës së Vlorës, për t’i dhënë përgjigje aneksimit të Vlorës nga Italia imperialiste. Ata vendosën t’u përgjigjen edhe fyerjeve të ushtarëve italianë që në 28 Nëntor 1919 e lidhën Flamurin Kombëtar në bisht të qenit. Ata donin t’u përgjigjeshin edhe atyre ushtarëve italianë të ndodhur në postë-komandat italiane, në shumicën e fshatrave të Vlorës, që u kërkonin labëve vajzat për të bërë dashuri, gjë e pa pranueshme për mentalitetin e kohës dhe të labit. Ata i jepnin përgjigje edhe konspirative që u ngritën në Konferencën e Paqes; sipas këtyre konspiratorëve Vlora i jepej Italisë.

Në Vlorë ishin përqendruar rreth 20.000 trupa, të shpërndarë në këtë mënyrë:

  • Në Vlorë-Kaninë qendra e komandës së lartë, nën/komanda e divizionit të 36, komanda artileri-xhenio dhe të gjitha drejtorive të shërbimit logjistik e administrativ. Komandant-Tenente Generale Settimo Piacentini. Komandant Divizioni -major Generale Emanuele Pugliese, ndihmës i tij Generale De Luca. Pugliese kish ndërtuar vijën e fortifikimeve rreth qytetit ku u mobilizuan 1200-1500 ardita, nën komandën e kolonel Messe.
  • Quota 115- qendër spitalore, automobilistike dhe ushqimore. Komanda e 4 e artilerisë së përzier, komanda e 157-s bateri malore, batalioni alpin, batalioni 72 i fanterisë, qendra e karabinierisë. Kom. Generale Enriko Gotti, Kom. Garnizoni Cavallo Michele. Në Kotë ndodheshin 4-5 depo me ushqime, ilaçe dhe armatim.
  • Gjormi-qendër e kompanisë mitraljerë. Kom. Kapiten Bergamaschi
  • Kalaja Matohasanaj -batalioni i 72, regjimenti i fanterisë, seksion artilerie të baterisë 182 malore 70 m|m . Kom. Një major.
  • Kalaja Tepelenë – qendër e një batalioni të fanterisë, seksion artilerie i 157-s bateri dhe stacion karabinierësh. Kom major Bronzini
  • Llogora-një pjesë e batalionit 35 të regjimentit të 10 bersalierëve, reparti 105. 9 oficer, 65 ushtarë dy topa, 8 mitraloza, Kom kapiten Bonansea.
  • Himarë-qendër e komandës regjimenti 10 të bersalierëve dhe batalionit të 35. Kom i zonës gjeneral brigade Rossi, kom i batalionit 35, kolonel Manganeli.
  • Në Selenicë, trupat i komandonte majori i fanterisë Guadalupi.
  • Në gjirin e Vlorës ndodhej flota me anijet “San Mario”, “Bruceti”, “Dulio”, “Alkina”, “Orion”, torpedinierat “Arcione” si dhe vapori “Loyd Triestino”.
  • Aviacioni në Ujin e Ftohtë:
  • Magazinat në Panaja. Post-komanda kishte një vajzë që shërbente për kurim në Brataj, Drashovicë, Penkovë, Treblovë, Rexhepaj, Sevaster, Tragjas, Dukat, Ramicë, Kuç, Bolenë, Progonat etj. Italianët kishin edhe komandantin e trasportit detar Eugenio Bizio, që e përdorën si ndërmjetës si dhe arbëreshin Xhiovani Valencia, i cili në Panaja ndihmoi shqiptarët.

Kjo ishte pak a shumë gjendja në kampin italian. Përballë këtyre forcave, këtyre gjeneralëve të sprovuar, u renditën gjeneralët pa diplomë, të fshatrave të Vlorës, por që në zemrat e tyre kishin diplomën e së drejtës, së mbrojtjes dhe të patriotizmit. Në Baçardha u morën një seri vendimesh të rëndësishme. U vendos t’u shpallej luftë forcave italiane në Vlorë, dhe krahina e Vlorës të bashkohej me pjesën tjetër të Shqipërisë. U zgjodh një këshill ushtarak prej 35-vetësh, i cili emëroi një komandant të luftës dhe zgjodhi një shtab prej 12-vetësh. Komandanti nuk duhej të bënte pjesë në këtë shtab i cili u quajt ”Komiteti Mbrojtja Kombëtare” ose si thirrej në popull “Komisioni”. Vendimet e “Komitetit” ishin të detyrueshme për komandantin. Komandant u zgjodh major Ahmet Lepenica. Këshilli zgjodhi anëtarë të “Komitetit”

1) Osman Haxhiu

2) Qazim Kokoshi– Vlorë

3) Alem Mehmeti-Tragjas

4) Beqir Sulo Agalliu-Vlorë

5) Ali Beqiri- Velçë

6) Murat Miftari-Tërbaç

7) Hamit Selmani-Dukat

8) Hysni Shehu-Sevaster

9) Myqerem Hamzarai-Kaninë

10) Sali Bedini-Armen Qazim Koculi-Kocul.

Këta të dymbëdhjetë zgjodhën njëzëri kryetar të “ Komitetit” Osman Haxhiun .

Ahmet Lepenica – Lepenicë—ushtarak i vjetër i Perandorisë Osmane, i qetë dhe serioz, kërkonte garanci për çdo veprim. Në Baçardha u emërua Komandant i përgjithshëm i luftës, pas një jave, në Kotë dha dorëheqjen dhe u caktua në policinë e luftës, së bashku me Shero Eminin. Vdiq në 1942. Osman Haxhiu: Armen, një nga mbështetësit e Ismail Qemalit, ish-prefekt i Vlorës, një nga njerëzit më të pasur në Vlorës, që e vuri pasurin e tij në shërbim të Atdheut. Kryetar i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare.” Pas luftës deputet në Parlamentin e parë Shqiptar. Djali i tij Myhedin Haxhiu, kryetar i Bashkisë së Vlorës. Pas “çlirimit” u arratis jashtë shtetit së bashku me vëllanë e tij Galip Haxhiun. Qazim Koculi, Kocul mbaroi shkollën e lartë të marinës në Stamboll, shërbeu tre vjet në marinën turke, mbështeti Ismail Qemalin, në Beun u zgjodh anëtar i “ Komitetit Mbrojtja Kombëtare“. Me dorëheqjen e Ahmet Lepenicës në Kotë u emërua Komandant i Luftës së Vlorës, të cilën e udhëhoqi gjatë gjithë luftës deri në fitoren e saj. Pas luftës prefekt në Vlorë, senator në Lushnje, deputet në Parlament, Kryeministër në 1921. Mbështeti fuqishëm Fan Nolin, ministër në qeverinë e tij. U arratis si kundërshtar i Zogut, u kthye në qershor 1939, pas 15 vjetësh. Në dhjetor anëtar i këshillit të lartë. Në 25 nëntor 1942 emërohet nga qeveria e Mustafa Krujës komisar i lartë në Vlorë. Pas 40 ditësh pushkatohet nga italianët si hakmarrje për 1920-n. Myqerem Hamzaraj-Kaninë, anëtari më i ri në moshë i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare”. Në aktin e shpalljes së Pavarësisë është edhe firma e Zini Hamzarajit, i së njëjtës familje. Senator në Kongresin e Lushnjes. Anëtar i shoqërisë Bashkimi. Ishte njëri nga kryesorët e 1932 në “Lëvizjen e fshehtë të Vlorës” në 1932. Në vitet e luftës antifashiste u angazhua familjarisht. Vdiq në 1946. Qazim Kokoshi-Vlorë, Delegat në Kuvendin e Vlorës firmosi dokumentin e Pavarësisë. U zgjodh anëtar i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” Mbështeti Fan Nolin në 1924. Një nga kryesorët e lëvizjes së fshehtë të Vlorës në 1932. Kryetar Bashkie në Vlorë, deputet i Vlorës, me bindje social-demokrate. Mbas Çlirimit u burgos dhe vdiq në burg,në 1948 një nga familjet më të persekutuara të Vlorës. Murat Miftari-Tërbaç, nëpunës, i aktivizuar në të gjitha lëvizjet kombëtare. U zgjodh anëtar i ”Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare”, një nga kryesorët në lëvizjen e Vlorës. Familja e tij gjatë Luftës Antifashiste ishte në krye të Nacional Çlirimtares. Në gjyqet e 1946, si dëshmitar kërkoi maturi dhe mos teprime.

Alem Mehmeti-Tragjas- mori pjesë në të gjitha lëvizjet Kombëtare kundër Turqisë. Një nga njerëzit më të afërt të Ismail Qemalit. Komandant i xhandarmërisë (pa rrogë) në qeverinë e përkohshme të 1912. U zgjodh anëtar i ”Komitetit Mbrojtja Kombëtare”. Vdiq në vitin 1927.

Ali Beqiri-Velçë-mori pjesë në lëvizjen kombëtare, edhe ky rrezikoj dënimin me vdekje në Stamboll në 1908. I zgjuar dhe i shkathët në të folur, këto cilësi e bënë të zgjidhet anëtar i “Mbrojtja Kombëtare”. Vdiq në 1942.

Beqir Sulo Agalliu-Vlorë-një nga familjet e Vlorës me kontribut në lëvizjen kombëtare U zgjodh anëtar i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare”. Përkrahës i Nolit në 1924, anëtar i lëvizjes së fshehtë të Vlorës. U internua nga gjermanët dhe vdiq në Mathausen.

Hysni Shehu-Sevaster-një nga njerëzit më me autoritet të krahinës së Kudhësit, të cilën e përfaqësoi denjësisht në Luftën e Vlorës si anëtar i “Komitetit Mbrojtja Kombëtare”. Pasardhësit e tij u vranë dhe u burgosën pas “çlirimit”

Hamit Selmani-Dukat -u zgjodh anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare në moshën 76 vjeç. I hipte kalit dhe gjendej në Baçardha, në Beun, në mal të Shashicës e kudo ishin shokët. Vdiq në vitin 1923.

Sali Bedini-Armen-dy herë mori pjesë në aktivitetet kombëtare, në shpalljen e Pavarësisë dhe në Luftën e Vlorës, në Baçardha u zgjodh anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare. Vdiq në 1925. Familja e tij përkrahu luftën Na-Çl

Azbi Cano – Mavrovë – Kur Ahmet Lepenica dha dorëheqjen në Kotë, u zëvendësua nga Qazim Koculi si komandant i përgjithshëm i luftës, sipas vendimeve të Baçardhas, nuk ishte më anëtar i Komitetit. Në vend të tij në Kotë, Azbi Cano u zgjodh antar i Komitetit. Familja mbështeti fuqimisht Luftën Nacional-Çlirimtare.

Skema e luftës së Vlorës

KOMISIONI: Osman Haxiu – Vlorë Qazim Kokoshi – Vlorë Murat Miftari – Tërbaç Alem Mehmeti – Tragjas Hamit Selmani – Dukat Hysni Shehu – Sevaster Azbi Çano – Mavrovë Beqir Sulo Agalliu – Vlorë -Myqerem Hamzarai – Kaninë -Qazim Koculi – Kocul- Sali Bedini – Armen- Ali Beqiri – Velçë

Komandant i Përgjithshëm i Luftës Ahmet Lepenica-(dha dorëheqjen) pas 6 ditëve Qazim Koculi. Pesë Çetat e mëdha dhe Komandantët e fshatrave (Komandantët e vrarë u zëvendësuan menjëherë.

1) Çeta-Shullërit Komandant Kalo Telhai ,

2) Çeta-Kudhës Komandant Rrapo Çelo,

3) Çeta-Dukat Komandant Sheme Sadiku,

4) Çeta-Lumi Vlorës Komandant Sali Vranishti,

5) Çeta e Fëngut, Komandant Muço Aliu,

Të pa inkuadruara në këto pesë çeta ishin:

Kanina-Komandant Beqir Velo, Muhamet Bedini, Mustafa Bimo Topalltia– Kom. Neki Hoshtima Narta– Kosta Mano Çeprat– Vesel Çeprat Trevllazri– Komandant Qazim Ismaili, Ahmet Hoxha

Në Vlorë erdhën shumë çeta nga të gjitha anët e vendit:

Çeta e Salarisë me Komandant Selam Musain

Kurveleshi– Komandant Riza Runa me tre çeta që komandoheshin nga Cano Duka, Muslin Kaçupi dhe Shaqo Llapi, ndërsa Selam Musai me 5 luftëtarë nga Salaria u inkuadrua në Forcat e Kurveleshit.

Fterra Xhaferr Shehu me 48 vetë

Mallakastra– Komandant Bektash Cakrani, Telo Zace Behaj, Kamber Belishova, Hysni Toska

Mallakastra e egër– Komandant Halim Hamiti,

Skrapari– Kom. Riza Kodheli

Berati-Komandantë Seit Bej ToptaniIzedin Bej Vrioni

Peqini– Komandant Adem Gjinishi

Gjirokastra– Javer Hurshiti, Xhevdet Picari

Çamëri-Alush Seit Taka, Muharem Rushiti

Korça-Komandant Kapiten Ferit Frashëri, Sami Koprencka, Tosun Selenica

Tirana-Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Bej Libohova

Erdhi edhe një çetë nga Amerika me në krye Aqif Përmetin dhe Kareiman Tatzatin, me Luftën e Vlorës u bashkuan edhe çetat e Shaqo Llapit, Duro Durmishit dhe Myslym Çorrit.

Kishte edhe një grup artiljerësh me Komandant Azis Çamin dhe zëvendës Elmas Ademi, me artiljer Xhafer Xhuveli dhe Avduraman Çiraku.

Policia e luftës komandohej nga Shero Emini e Ahmet Lepenica.

Të gjitha këto çeta dhe komandantët e tyre komandoheshin nga 12 anëtarët e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” dhe Komandanti i përgjithshëm Qazim Koculi.

Në organizimin e luftës ishte edhe gjykata, me Kryetar Neki Xhenetin, prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi anëtarë gjyqi Sif Kedhi e Agjah Bej Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami (Kallarat) e Halim Xhelo (Tërbaç).

Pas luftërave të ashpra u çlirua Kota dhe Drashovica, komanda dhe qendra u vendos në Drashovicë. Pas disa polemikave u caktua Qazim Kokoshi prefekt. Një nga problemet më të rëndësishme të luftës ishte furnizimi me ushqime dhe municion. Xhafer Bej Ypi, Prefekti i Beratit, vendosi t’i sjellë deri në lumë pranë Selenicës të gjitha ndihmat e qeverisë. Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu ishin dy njerëzit më të fuqishëm, që përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës. Sali Bedini bëri organizimin e Vllehëve të zonës, të cilët me në krye Kol Kitën, me karvanët e kuajve e shpinin furnizimin në magazinat e Llakatundit, Picarit, Lubonjës dhe prej andej në Kotë ku merrej në dorëzim nga Ali Gjiriti dhe Izet Borshi.

Përfaqësues i luftës pranë qeverisë ishte ministri fuqiplotë Spiro Jorgo Koleka dhe përfaqësues në shtetin grek me qendër në Korfuz, Hamza Isai. Himara kishte përfaqësues të saj Naqe Konomin. Spitali në Kotë drejtohej nga Dr. Sezai Çomo dhe për mjekimet përdoreshin mjekët italianë të zënë robër dhe dy amerikanë që kishin ardhur për ndihmë. Me ilaçe furnizonin farmacitë e Rexhep Hitos, Syrja Bej Libohovës, Fadil Kotonit, Nazif Halites dhe Kryqi i Kuq Amerikan. Në Vajzë u grumbulluan robërit dhe komandant i kampit të robërve ishte vendosur Rexhep Sulejmani. U vendos që Piaçentinit t’i dërgohej ultimatumi; tekstin e përgatiti Avdul Kuçi; u dorëzua nga Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Përkthimin e bëri Ulise Bozo, i cili shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.

Shtypi- ngjarjet e Vlorës u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj.

Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë së bashku me trupat vullnetarë. Bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Nuk mbetën pas as fetarët në këtë luftë, ku spikasin Babai Teqesë së Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferi Përmet, Don Marku, At Shtjefën Gjeçovi, myftiu Osman Muka etj. Një rol të veçantë pati edhe Xhovani Valencia, arbëresh, magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat shqiptarëve.

Në 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh të pabarabarta forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj por edhe nga SarandaDurrësi e Shëngjini.