Kurrë Shqipëria nuk do të ketë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë në kurriz të Kosovës

798
Sigal

Kujtimet e Kongresistit Amerikan Joe DioGuardi: Takimi interesant me Presidentin Ramiz Alia

Ramiz Alia: Problemin e Kosovës nuk e kemi shtruar dhe as nuk e shtrojmë problemin për  bashkim

-Ne shtrojmë problemin që Kosova duhet të ketë të gjitha të drejtat si gjithë kombet e Jugosllavisë

Tom Lantos: Unë besoj se duke pasur një ambasadë amerikane në Tiranë e tërë situata do të jetë normale, pasi situata e tanishme nuk është normale.

– Ka ambasador amerikan në Beograd, në Sofje, në Athinë, në Bukuresht, kurse këtu nuk ka.

–Unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në gjendje të kryejnë funksionin mjaft të dobishëm për ti mbajtur marrëdhëniet në mënyrë harmonike

Ramiz Alia: Gjermanët tek ne kanë bërë terror të madh. 3% e popullatës është vrarë

Përpara se të kaloni në këtë çështje të Jugosllavisë, desha të them diçka. Ju lutem shumë më besoni se ajo që ju them del nga zemra. Ju jeni nga udhëheqësit më të dashur karismatik me të cilët jam takuar. Kam takuar shumë udhëheqës në botë që nga Kina, Japonia, Anglia etj. Jam shumë i gëzuar që nuk ju kam konkurrent në fushatën elektorale kundër karriges sime në Kongresin amerikan, se do të humbisja. “ Ramiz Ali u përgjigj: “Dakord! Për mua është kënaqësi e veçantë që po bisedoj me ju, se po shikoj që sinqeritetit tim po i përgjigjeni me sinqeritet.” “Tani për Jugosllavinë desha të theksoj një gjë që ta keni të qartë. Ne kemi interes që Jugosllavia të jetë e bashkuar. Ne nisemi nga interesi kombëtar. Unë thashë që kryesorja për ne është çështja e lirisë dhe e pavarësisë. Ky është këndi i vështrimit dhe nuk ka as kënd stalinist, as tjetër. Nga ky kënd Jugosllavia na intereson të jetë kjo që është, federative, konfederative, kjo është puna e tyre, por jo e çarë.” Tom Lantos: “Jam plotësisht dakord. Kjo është edhe në interesin tonë. Dhe gjithnjë ua themi këtë. Ua thashë edhe në Kosovë përpara disa ditësh (në Hotel Grand në Prishtinë).” Ramiz Alia: “Sigurisht problemi i Kosovës është me rëndësi të madhe. Ne jemi 3 milion, 2 milion e gjysmë janë andej në vazhdim me Shqipërinë, nuk futet në mes askush. Por nuk e kemi shtruar dhe as nuk e shtrojmë problemin e bashkimit, jo. Ne shtrojmë problemin që Kosova duhet të ketë të gjitha të drejtat si gjithë kombet e Jugosllavisë. Në një shtet shumëkombësh si Jugosllavia, Kosova duhet të jetë pjesë e tërës. Ajo duhet të ketë hapësirë veprimi si komb në tërë hapësirën jugosllave. Prandaj politika jonë është që Kosova të ketë vendin e vet në -6- federatën jugosllave. Ne na intereson një Jugosllavi demokratike, bile do të thosha Ballkanit i intereson një Jugosllavi demokratike. Një Jugosllavi jo demokratike përbën një rrezik për tërë Ballkanin. “Z. Lantos, unë si President i Republikës përgjigjem për popullin tim, për lirinë, për pavarësinë, po kur unë di që në Kosovë në kufirin tonë janë 15,000 ushtarë me tanke, me avionë, me helikopterë, me topa dhe që vazhdimisht bëjnë stërvitje në kufijtë tanë a mund të jem i qetë?” Ramiz Alia: “Një libër shqiptar nuk shkon matanë, një libër që andej nuk vjen këtej. Familjet shqiptare në këtë anë dhe në atë anë të kufirit nuk komunikojnë. Nuk lenë asnjë njeri të shkojë matanë. Jeni ju të parët mbas kaq vitesh që kaluat kufirin në atë pikë. Ajo pikë kufiri ka mbetur e vdekur.” Tom Lantos: “Kjo është çmenduri.” (Në këtë rrethanë, unë vendosa që të futem në këtë shkëmbim të mrekullueshëm të mendimit mbi Jugosllavinë dhe Kosovën.) Joe DioGuardi: “Pasi kemi studiuar për shumë vite çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë, duke dëgjuar lloj – lloj mendimesh, një mendim që duhet të kemi parasysh Zoti President dhe jam i bindur që ju e dini, tani që ju po ndërtoni këtë urë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jugosllavët po bëhen shumë nervoz. Kjo nuk është vetëm ngjarje e kohëve të fundit. Kjo lidhet me imazhe jo të drejta që janë krijuar ndonjëherë e që mund të krijohen edhe në të ardhmen kundër Shqipërisë.” Ramiz Alia: “Kjo që thatë Z. DioGuardi lidhet pikërisht me atë imazh që është përpjekur Jugosllavia të krijojë për Shqipërinë si një vend i mbyllur—stalinist, ortodoks etj. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, politika e jonë e inkludimit në problemet e Evropës etj., ardhja e juaj këtu shkojnë kundër këtij imazhi. Sidoqoftë, do të përpiqemi të kemi marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. “Ne shqiptarët njihemi si inatçi, por në politikë nuk jemi të tillë. Në politikë duhet pasur mendjen e freskët. Ne nuk mbajmë inat, jo. Ne mendojmë që interesat e popullit tonë, të shqiptarëve të Shqipërisë, edhe të Kosovës, janë që marrëdhëniet tona me Jugosllavinë të jenë të mira, sepse nga marrëdhëniet tona të mira edhe Kosova do të ketë fitim. Por, unë ju them një gjë, që kurrë Shqipëria nuk do të ketë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë në kurriz të Kosovës. Kurrë nuk do ta bëjmë këtë.” Ramiz Alia vazhdoi: “Thash që do të përpiqemi të kemi marrëdhënie me Jugosllavinë. Kemi kërkuar të kemi kontakte me ta. Mundet të vijë ministri Jashtëm i Jugosllavisë tek ne. Edhe unë jam i mendjes që mirë është të vijë, por vështirë do ta kem të bisedoj me te. Për s’arsye? Sepse nuk ka gjë në dorë. Kjo është situata në Jugosllavi, por prapë nuk jemi ne që do ta rregullojmë -7- gjendjen atje, u përket popujve të Jugosllavisë. Ne do të respektojmë dëshirat dhe vullnetin e popullit jugosllav, e do të bëjmë të tëra përpjekjet që me të vërtetë të ketë marrëdhënie miqësie midis popullit tonë dhe popujve të Jugosllavisë. “Këtë politikë e ndjekim edhe me Greqinë, duam të kemi marrëdhënie të mira. Marrëdhëniet me ta janë herë mirë, herë keq, ndryshojnë sipas temperaturës. Por mendoj që nuk është ndonjë problem serioz.” Tom Lantos përgjigjet: “Unë besoj se duke pasur një ambasadë amerikane në Tiranë e tërë situata do të jetë normale. Situata e tanishme nuk është normale. Ka ambasador amerikan në Beograd, në Sofje, në Athinë, në Bukuresht, kurse këtu nuk ka. Nuk ka kuptim. Unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në gjendje të kryejnë funksionin mjaft të dobishëm për ti mbajtur marrëdhëniet në mënyrë harmonike. Vërtetë kështu mendoj.” “Unë, zoti President, do të bëj gjithçka të mundur të ju tregoj kolegëve të mi në Kongres që ata duhet të vijnë për vizitë këtu. Unë mendoj se sa më shumë vizitor që keni nga Kongresi Amerikan aq më shumë miq do të ketë Shqipëria. Për këtë jam i bindur.” Ramiz Alia u përgjigj: “Ju faleminderit. Unë ju thash se Shqipëria, në tërë historinë tonë, ka pasur nevojë për miq. Ne themi se në kohërat më të këqija, aleatët më të mëdhenj i kemi pasur malet.” (Duke e ndjerë se takimit po i vjen fundi, e kam ditur se është e rëndësishme që Presidenti Alia, të din pikë vështrimin tim për Millosheviqin dhe historinë e bukur të shqiptarëve të Italisë Jugore pasi që Otomanët turk ia dolën ta okuponin Shqipërinë më 1488.) Joseph DioGuardi: “Më lejoni të flas edhe për një çështje tjetër, dhe konkretisht për qëndrimin e Jugosllavisë. Para pak kohe Millosheviqi mbajti një fjalim ku thoshte se Amerika ndërhynte në punët e tyre të brendshme, por ai është edhe shumë arrogant ndaj Shqipërisë. Serbët njohin një Shqipëri, atë që e krijoi Enver Hoxha, pra një Shqipëri të mbyllur. Ne jemi të sigurt se serbët gjithnjë kanë krijuar tensione nga më të ndryshmet. Nuk e di nëse Departamenti i Shtetit është në dijeni për të gjitha këto probleme të krijuara. Është me rëndësi të njihet historia e kësaj zone. Në çdo hap që mund të ndërmerret duhet pasur parasysh se ky është Ballkani dhe jo Ballkani i “ballkanizuar”. Pika e dytë është që ju e përmendët se 500 vjet turqit nuk kanë qenë në gjendje t’i asimilojnë shqiptarët. As italianët nuk e kanë bërë këtë. Sot ka vetëm në regjionin e Kalabrisë të Italisë jugore 38 katunde shqiptare.

Baba im është nga katundi Greci, pak më në veri ku shqipja gjithashtu është gjuha origjinale. Kur fëmija lindë në fshatin e babait tim, ata e çojnë atë lartë me fytyrë drejtë Shqipërisë ndonëse kanë kaluar 500 vjet prejse shqiptarët kaluan në gadishullin italian. -8- “Unë kam lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku shkoi familja ime më 1929. Babai im nuk ishte në gjendje të përballonte kushtet e tmerrshme ekonomike në Italinë e atyre viteve. Amerika na dha rastin, edhe familjes sime, edhe familjes së Kongresistit Lantos që të imigrojmë dhe sot këtu ë përpiqemi që të ndihmojmë më tutje popullin tonë në Evropë. “Unë besoj se ne kemi ruajtur traditat, që ju i përmendët, për të cilat më ka folur edhe babai. Pra po të isha thjeshtë i interesuar për publicitet unë do të vija vetëm. (E dini se kam pasur disa thirrje të vij vetëm në këtë udhëtim, por unë kam dashur të sigurohem se kur të vij në Shqipëri, arritja ime të ketë kuptimin e vërtetë për popullin e babait tim këtu dhe për Shqipërinë, Z. President.) “Unë e kam Kongresistin Tom Lantos-in mik shumë të mirë, i cili ka qëndruar pranë meje për çështjen shqiptare secilën ditë. Dhe në atë këmbënguljen time, si një “Shkodran” (dhe nuk e di nëse babai im ishte vërtetë nga Shkodra, pasi që nuk kam asnjë dokument të shekullit 15-të kur shqiptarët ikën në Itali), kam ditur se ka për të ardhur koha për Kongresistin Lantos dhe mua që të vijmë së bashku. Nuk kam dashur të tradhtojë fjalën e dhënë popullit shqiptar. Por, unë gjithashtu nuk kam dashur të ju marr kohën e juaj sikur të isha ardhur vetëm dhe të mos arritja asgjë të rëndësishme. Kurse tani ka ardhur koha që kur të kthehemi do të bëjmë diçka me efekt të madh. Unë nuk kam ardhur që emri im të del në gazetë, por përkundrazi, qëllimi im është që të bëj diçka të rëndësishme për Shqipërinë. “ Edhe zoti Lantosh është njeri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që respektohet më shumë në Evropë, por edhe nga komuniteti çifut në tërë botën, meqenëse ai është çifut dhe shpëtoi nga holokausti i nazistëve. Por disa të tjerë e njohin që është edhe hungarez, pasi që e lëshoi Hungarinë për të ardhur në SHBA.” Ramiz Alia: “Ju faleminderit që ma kujtuat punën e çifutëve. Nuk e di se a keni dijeni se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë i cili nuk e ka dorëzuar asnjë çifut gjermanëve.” Tom Lantos: “Nuk e kam ditë, dhe këtë dhe do të bëjmë botërisht të ditur.” Ramiz Alia: “Unë po ju them, dhe jam dëshmitar personal, se në kohën e Luftës së Dytë Botërore kur gjermanët hynë në Jugosllavi, shumë çifutë erdhën nga Jugosllavia në Shqipëri. Gjermanët në Jugosllavi kanë ardhur më 1940, kurse në Shqipëri ishin italianët. Gjermanët erdhën mbasi Italia kapitulloi, dhe detyra e parë ishte që t’i kërkojnë çifutët.” “Unë e kam njohur para Luftës një mjek çifut në Tiranë. Kur u ktheva nga lufta e pashë përsëri në Tiranë. Morra vesh se e kishin marr fshatarët dhe e kishin fshehur, dhe gjermanët me gjithë operacionet e tyre nuk kanë mund ta gjejnë.” Tom Lantos: “Jam shumë i lumtur që po dëgjoj këtë (për mbijetesën e çifutëve në Shqipëri). Kam dëgjuar mjaft për këtë, por jam shumë i lumtur që këtë ma thoni ju.”

-9- Ramiz Alia: “Gjermanët tek ne kanë bërë terror të madh. 3% e popullatës është vrarë. Kjo është përqindje e madhe në Evropë. Gjatë luftës kam qenë atje ku ishit ju, në Berat. Kam lindur në Shkodër, rritë në Tiranë. Në Tiranë kam mbaruar edhe shkollën e mesme, por në kohën e luftës kam qenë në Berat. Mbaj mend mirë që në shtator të vitit 1943 në Berat kishte shumë çifutë të ardhur nga Jugosllavia. Kur gjermanët hynë në Berat, tërë çifutët erdhën në zonën e çliruar, në Skrapar, në atë malin që keni parë rishtazi, në Tomor. Atje ishim ne partizanët. Ata qëndruan atje deri në fund të luftës. Pasi mbaroi lufta u kthyen në Jugosllavi në shtëpitë e tyre. Një letër që ata i kanë dërguar Shokut Enver Hoxha është botuar në shtypin tonë në atë kohë. Ata falënderonin qeverinë shqiptare duke theksuar se Shqipëria është vendi i vetëm ku asnjë çifut nuk u është dorëzuar gjermanëve.” Tom Lantos: “Unë personalisht do të kujdesem që kjo histori të bëhet e njohur shumë më tepër.” Ramiz Alia: “Është një karakteristikë e popullit shqiptar. A duhet t’i harrojmë ato? Jo, se po qe se e bëjmë këtë, do të bënim gabim. “ Ne, thash, e ndjekim rrugën tonë. Shoqëria që duam ta ndërtojmë mbështetet në bindjet tona, por mbi këto baza, duke respektuar këto zakone, këtë traditë. Kjo traditë kombëtare është si lagështia që u vjen rrënjëve të bimëve dhe zhvillon degët, gjethet dhe lulet e saj. Këtë rrugë ndjekim ne. Këta jemi ne shqiptarët. “Mbase e pikturova me ngjyra shumë të bukura, por më nxiti dhe Joe DioGuardi, më bëri pak nacionalist.” Joe DioGuardi: “Dua të ju them se është e rëndësishme (duke rrezikuar të bëj analogji që mund të duket jo modeste), duke e krahasuar kthimin tim në Amerikë me Skënderbeun. Ju thatë se para 500 vjetëve Skënderbeu mblodhi të gjithë princat shqiptar kur kishte problemin e turqve-kurse unë jam munduar t’i bashkoj “Princat Shqiptarë” në Amerikë. Është lobi i Shqiptarëve të cilin unë e kam themeluar, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, problemi i parë i së cilës është Kosova. Dua të ju prezantoj një kopje të gazetës Shqiptaro-Amerikane, Shqiponja Shqiptar

e, të cilën e kam krijuar me “Princat e rinj shqiptarë” në Amerikë të cilët dëshirojnë të ndihmojnë zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ramiz Alia: “Ju faleminderit shumë. Ju më dolët para me çështje shumë të rëndësishme. Unë pikërisht doja të ju përshëndes dhe të ju falënderoj për atë punë që bëni ju, dhe që e bën e gjithë Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane në Uashington, DC, për çështjen e Kosovës. Është çështje fisnike ti dalësh zot një populli që lufton për të drejtat e veta. Është nderë për secilin qytetar. Dhe natyrisht, kur takohemi me ju, unë e di kontributin që e jep zoti Lantos në këtë çështje, që nuk bën asgjë tjetër pos të ngjallë respektin tim të lartë për humanizmin tuaj, për shpirtin tuaj të lirisë dhe demokracisë, të pavarësisë, të respektit për popujt që luftojnë për të ardhmen e tyre. Ne i kemi vëllezër kosovarët dhe atë punë që e bëni për ta është njësoj sikur e bëni edhe për ne. Është e njëjta gjë.”/aacl.com