Shkrihet Drejtoria e Kufirit, pezullohen nga detyra zyrtarët e Policisë të përfshirë në trafikun e arabëve

71

Krerë të lartë të Policisë shqiptarë janë përfshirë tashmë në një skandal të madh. Nuk është thjesht një konstatim i njerëzve të pakënaqur në këtë vend, por i provuar me dokumente filmike dhe shkresore, që u publikuan  në pjesën e dytë të një dokumentari.

Krerët e lartë të Policisë kufitare ishin përfshirë në trafikun e arabëve, që përfiton leje qëndrimi në Shqipëri përmes veprimeve korruptive të drejtoreshës së kufirit Enkeleda Toska dhe vartësit të saj Altin Hasani.

Të dy këta zyrtarë, që rezultuan të implikuar në këtë trafik janë pezulluar tashmë nga detyra. Ata janë thirrur me urgjencë pas transmetimit të Top Story në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku janë përballur me faktet e bëra publike nga emisioni, ndërsa u është dhënë edhe masa disiplinore pezullim nga detyra.

Burimet  shtuan gjithashtu se është shkrirë thuajse e gjithë Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Policisë së Shtetit ndaj skandaleve që u publikuan në emisionin Top Story mbi trafikun e arabëve në Shqipëri. Burime nga Policia bënë të ditur se sot është marrë masa e pezullimit nga detyra për të gjithë zyrtarët e Policisë Kufitare. Të pezulluarit janë Enekeleda Toska,drejtoreshe e kufirit dhe emigracionit, Tirane, Altin Hasani, Shefi i sektorit, Besnik Zela, Shefi i sektorit, Albana Metko, Shefe e Seksionit dhe Adelina Lita, Specialiste.

Ndaj tyre ka nisur edhe një hetim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave për të parë deri ku ku shkon implikimi dhe sa zyrtarë të tjerë policie janë të përfshirë. Enkeleda Toska dhe Altin Hasani janë dy prej personazheve të rëndësishëm të Policisë, që kanë pasur edhe rolin kryesor në trafikun e arabëve, sepse ata firmosnin ligjërisht lejet e qëndrimit.

Kush është Enkeleda Toska

Drejtoresha e Kufirit është bashhëshortja e Sami Hoxhës, personit që kishte hapur në QKB dhjetëra kompani në emrat e shtetasve arabë. Vetë Enkeleda e mban këtë detyrë që nga Shkurti i vitit 2018, ndërsa disa muaj më vonë, sipas fakteve që u bënë publike nga gazetarët e Top Story ka nisur trafiku i arabëve, një trafik në formën e strukturuar të grupit kriminal dhe mjaft i organizuar.

Bashkëshorti i Enkeledës gjente trafikantët dhe lidhej me ta dhe përkudrejt pagesave të majme dhe me firmën e drejtoreshës së kufirit i pajiste me leje qëndrimi në Shqipëri, që pavarësisht afatit 5 vjeçar, dilte edhe më përtej si në një rast kur leja e qëndrimit ishte nga 2019 deri në 20254; pra 6 dhe jo 5 vjet sipas ligjit.E gjithë kjo realizohej lehtësisht, sepse në krye të Drejtorisë së Kufirit ishte Enkeleda Toska.

Por, praktikat e lejeve të qëndrimit nuk i bënte Enkeleda, por një specialist, i përfshirë në aferën korruptive, që mbante edhe detyrën e shefit të sektorit. Bëhet fjalë për Altin Hasanin. Sipas dëshmive të vetë trafikantëve Altin Hasani ishte krahu i djathtë i Enkeledës dhe një mik i trafikantit palestinez Salim El Sheik Josuf.

Por skema funksiononte deri në përsosmëri. Sami Hoxha gjente trafikantët dhe njerëzit, bënte dokumentet që ata kishin biznes dhe krejt lehtësisht siguronte lejet qëndrimet, përmes pagesave të majme.Gjithsesi ky skandal nuk mund dhe s’ka sesi të mbyllet me një pezullim nga detyra. Nuk ka asnjë dyshim se janë edhe shumë të tjerë të përfshirë e për të cilët tashmë përveç asaj që bëri Top Story, institucionet ligjzbatuese në vend duhet ta çojnë deri në fund.