Kujtimet e Dhiogjen Gjergji: Në 1949 ushtria shqiptare tronditi Greqinë, ndezi tym e flakë Gramozin

906
Sigal

Kujtimet e Dhiogjen Gjergjit ish-kuadër i Flotës Detare, Kapiten i Rangut Parë në Rezervë

-Kishim 5 Baza Ushtarako-Detare, Sarandë, Vlorë, Ishulli i Sazanit, Durrës, Shëngjin

Titull -Në vitin 1949 ushtria shqiptare tronditi Greqinë, ndezi tym e flakë Gramozin

Nisma e madhe e ndërtimit të Bazës Detare në Bishtin e Pallës

-Pse dhe si u krijuan Forcat ushtarake detare një forcë që s’e besonin fqinjët

-1959 dhe 1981, paralajmërimi i anijeve të huaja të largoheshin

Si zbuluam dhe larguam  nëndetëset e huaja që donin t’i afroheshin Pashalimanit

– Shkatërrimi i ushtrisë është krim kombëtar

Vendi ynë është vend bregdetar me një vijë bregdetare nga Kepi i Stillos prej 220 milje detare. Ujrat territoriale përfshijnë zonën e Detit Adriatik dhe Jon me një gjerësi prej 12 milje nga bregu i detit. Kufiri i jashtëm i ujërave territoriale në ngushticën e Korfuzit shtrihet gjer në vijën që përshkon mesin e ngushticës. Republika e Shqipërisë ushtron sovranitetin e saj mbi ujrat territoriale në bazë të ligjeve, të marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe nga të gjitha shtetet dhe jo në bazë të konjokturave  artificiale të momenteve.  Është dosmodoshmëri qenia e Forcave Detare për të ruajtur dhe mbrojtur këtë hapësirë. Për këtë qëllim u krijuan, u përsosën këto forca. Në fillim u dislokuan në Bazën e Vlorës. Nga përvoja disa vjeçare u arrit në konkluzionin se këto Forca duhet të shtriheshin gjatë gjithë bregdetit për arsye se nga Vlora duhesh kohë e gjatë për të shkuar aty ku bëheshin shkelje të ujrave tona dhe për t’i larguar shkelësit.

Baza e Fuqishme Detare e Durrësit me dislokim në Bishtin e Pallës

Kështu me vendim të Këshillit të Mbrojtjes, në vitin 1964 u krijua Baza e Fuqishme Detare e Durrësit, me dislokim në Bishtin e Pallës. Më vonë po me vendin të Këshillit të Mbrojtjes të vitit 1969, u krijua edhe dy baza të tjera, ajo e Sarandës dhe e Shëngjinit. Kështu u mbulua tërë bregdeti dhe anijet ishin shumë afër rajoneve të ruajtjes të mbrojtjes së hapësirës tonë detare. Me krijimin e këtyre bazave u bë një punë gjigante për krijimin e infrastrukturës së nevojshme. Me kalimin e kohës ato morën pamjen e bazave moderne me një gatishmëri luftarake të lartë. U bë punë e veçantë për njohjen dhe zbatimin e legjislacionit vendas dhe atë ndërkombëtare për të mënjanuar çdo incident të mundshëm. Me këtë shpërndarje të Forcave Detare, zbulimi i mjeteve detare që shkelnin ujërat tona bëhej në kohë dhe nxirreshin jashtë ujërave tona ose kapeshin kur ato hezitonin për t’u larguar.

Stërvitja e vogël

Në bazat e krijuara përveç infrastrukturës ju vu rëndësi stërvitjes së vogël, atyre komando – shtabi dhe me trupë. Këto stërvitje bëheshin në çdo kohë dhe sa më afër kushteve të luftimit. Bazat Ushtarake Detare pavarësisht se kishin rajonet e tyrev të ruajtjes dhe të mbrojtjes, kur ishte e domosdoshme kryenin veprime dhe në rajonet e tjera sipas situatave dhe i kërkesave. Këto baza u forcuan e u konsoliduan, u bënë ruajtje dhe mbrojtje të sigurt të rajoneve të caktuara. Për forcimin dhe konsolidimin e këtyre bazave të reja një kontribut të veçantë kanë dhënë kuadrot, Abdi Madi, Qemal Poda, Dashamir Ohri, Ndue Jaku, Perikli Xhixho, Robert Bali, Lutfi Gjika dhe gjithë korpusi i kuadrove , efektivave dhe një pjesë e madhe  ndërmarrjeve të rretheve përkatëse.

Fortifikimi gjigand

Krahas stërvitjeve dhe mbajtjes së gatishmërisë së lartë, në të gjitha bazat kryheshin edhe punime fortifikuese. Fortifikimi është aq i vjetër sa edhe lufta. Ai ka parahistorinë e tij të largët dhe të afërt me të cilin është lidhur organikisht, zhvilluar dhe përsosur njëherazi me luftërat dhe mjetet e tyre. Për vlerat, llojshmërinë e fuqinë intelektuale që thithi fortifikimi, shkallë-shkallë u kthye në art. Rritja e vijueshme e saktësisë, e forcës goditëse dhe shkatërruese e armëve të zjarrit solli si domosdoshmëri edhe përsosjen e artit të fortifikimit, rrjedhojë e të cilit ishin dhe janë projektet e sistemeve të objekteve fortifikuese, me afërsi të larta mbrojtëse ndaj zjarrit të armëve të ndryshme e të mësymjes së armikut me epërsi në forcat dhe mjete. Objektet fortifikuese mbrojnë efektivat , armët e zjarrit, rezervat material, organet dhe mjetet e drejtimit, prandaj vlera e tyre e vërtetë del kur analizohet e krahasohet me përballimin e armëve të fuqishme. Që në fillimet e viteve 80 si në lindje ashtu edhe në perëndim është pranuar një rivlerësim i fortifikimit në tërësi dhe atij të përhershëm në veçanti . Fortifikimi duhet vlerësuar si pasuri kombëtare. Kësaj pasurie pa asnjë studim për të parë ndonjë teprim, tranzicioni ynë iu sul me “Topuza “, me vare e mjete të tjera për ti varrosur, pavarësisht se gjatë luftës në Kosovë u pa e nevojshme të pastroheshin objektet fortifikuese gjatë kufirit tonë dhe të viheshin në gjendje pune ato që kishin mbetur. Edhe vitet e fundit, në kushtet e doktrinave mbrojtëse po flitet e shkruhet për këtë qëllim. Çdo shmangie do të kërkonte investime të reja në të ardhme. Koha do të kërkojë edhe korrigjime dhe përmirësime që pa dyshim do t’u jepet zgjidhje. Fortifikimet janë një shkallë sigurie për të përballuar rreziqet e mundshme. Fortifikimi ishte në kuadrin e përgjithshëm të mbrojtjes së vendit të studiuara dhe realizuara në lidhje të ngushtë me të gjithë elementet e tjera të sistemit të mbrojtjes.

 

Realizimi i detyrave, perfekte

Të gjitha anijet e forcave detare kanë lundruar në rajone të ndryshme të hapësirës detare, ditën dhe natën, në det të qetë me dallgë e furtunë. Ato nuk kanë lundruar për shëtitje e ahengje por për t’u stërvitur dhe ruajtur ujërat tona të shtrenjta. Ato kanë zhvilluar qitje luftarake me silura dhe artileri, kanë vendosur mina e kanë bërë çminime, për të cilat janë vlerësuar maksimalisht. Po kështu edhe anijet ndihmuese kanë kryer të gjitha detyrat në shërbim të anijeve luftarake. Si ka mundësi të shprehet ministri i mbrojtjes “nuk e mbrojtën këta Shqipërinë para viteve ‘90 por një politikë e caktuar midis superfuqive,,. Këtë mund ta shprehin vetëm militantët dhe jo një kuadër drejtues e vizionar.  Tërë historia jonë tregon se shqiptarët janë rritur me luftëra dhe kanë fituar. Ishim të vendosur dhe jemi për ta mbrojtur me jetë këtë vend. Edhe mund të ndodhë që të na pushtojnë,  por vetëm duke shkelur mbi trupat tona. Ai popull që nuk mbron vendin e tij, meriton të jetojnë në skllavëri. Cili është ai vend që nuk ka ushtri, armatim e municion dhe nuk përgatitet për t’u mbrojtur? Mendimi se na mbron NATO është i gabuar. Faktori NATO ka rëndësinë e vet dhe na lehtëson, por para ushtarit të NATO-s në Llogora dhe në betejë do të vejë ushtari ynë dhe para se të vritet ushtari i NATO-s, do të duhet të vritet ushtari shqiptar. Ishte UÇK – ja që u ngrit e para dhe tundi rajonin dhe botën, pastaj ndërhyri NATO. Luftërat tona kanë treguar pikërisht këtë kur nuk kanë ekzistuar as NATO e Traktati i Varshavës, z . Ministër!  Skënderbeu rezistoi plot 25 – vjet në kushtet e rrethimit dhe ndaj një armiku shumë herë më të fuqishëm, si dhe në prezencën e dasive dhe fiseve që nuk kishin organizim të shëndosh shtetërorë dhe ushtarak, mungonin furnizimet etj. Edhe gjatë LANÇL nuk ishin NATO e Traktati i Varshavës, por vendin e çliroi vetë populli ynë, duke qenë edhe në kushte të vështira. Me atë që s’u përballë me dinjitet populli me organizatorët e tij dhe fitojë duke u radhitur në krahun e aleatëve të mëdhenj. Turp për ata politikanë që justifikojnë me pallavra largimin e mbretit se gjoja kështu bëjnë të gjithë mbretërit. Këto janë justifikime feminore dhe tregojnë bagazhin e politikanëve tanë mediokër. LANÇL është ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar pavarësisht se ish bashkëpunëtorët me pushtuesit mundohen ta përbaltin.

 

Në vitin 1949 ushtria shqiptare tronditi Greqinë, ndezi tym e flakë Gramozin

Në vitin 1949 ushtria shqiptare tronditi Greqinë, ndezi tym e flakë Gramozin dhe u mbrojt vendi me heroizëm. Edhe forcat Detare në kuadrin e luftës së ftoftë kanë qenë plotësisht të aftë për të përballuar luftën në det nëse ajo do të na imponohej , dhe së bashku me llojet e tjera të armëve do të mbronin vendin me çdo sakrificë. Deti Adriatik, Deti Jon dhe më gjerë ishin plotësisht nën monitorimin e mjeteve tona. Të gjitha anijet që hynin e dilnin nga Kanali I Otrantos mbaheshin nën vrojtim dhe përcaktohej rrezikshmëria e tyre. Befasia për të zënë Shqipërinë në drejtimin e detit ishte pothuajse zero. Deri në vitin 1992 edhe peshqit “do të merrnin leje” për të hyrë në ujërat tona territoriale. Forcat detare kanë përballuar gjithë provokacionet gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk kanë lejuar shfrytëzimin e paligjshëm të detit nga vende të ndryshme.

1959 dhe 1981, paralajmërimi i anijeve të huaja të largoheshin

 

Zbulimi dhe largimi i nëndetëseve të huaja që donin ti afroheshin Pashalimanit, siç ka ndodhur në vitet 1959 dhe 1981 ishte sukses i zbulimit nga mjete tona duke i paralajmëruar të largoheshin. Të dyja këto raste dhe raste të natyrave të tjera konsideroheshin operacione të mirëfillta luftarake që kanë nderuar kuadrot dhe efektivat e forcave detare. Vlen të përmendet edhe bllokimi i anijes “Ciaturi “ që donte të hynte me forca në Gjiun e Vlorës. Këtë e ndaloi komandanti i përkushtuar, malësori trim Sandri Ngjeçi. Lundrimi 22 ditor i nëndetëses komanduar nga kuadri Aleko Pojani i cili zbatoi planin përkatës, duke kryer detyra të atilla, që në një luftë reale dilte fitimtar, ka ngelur në histori. Kështu dhe më 1959 dhe 1981 mijëra patrullime të kryera nga anijet luftarake të komanduara nga kuadrot që zotit ministër nuk ja mbushin syrin. Flota mbaroi me sukses misionin e saj në det gjatë luftës së ftohtë, por forcat detare zoti ministër, nuk mbarojnë këtu. Sot kultivohet mendimi se nuk ka dhe nuk do të ketë konflikte. Me këtë mentalitet lidhet edhe ulja e aftësisë mbrojtëse e vendit.

 

 

Forcat Ushtarako Detare: 

5 Baza Ushtarako-Detare, (Sarandë, Vlorë, Ishulli i Sazanit, Durrës, Shëngjin), të cilat në përbërje kishin: Katër silurues – 80 copë, Dragamina rade – 6 copë, Dragamina bazë – 2 copë, Gjuajtësa detarë – 4 copë, Nëndetëse – 4 copë (në Portopalermo tip tunel ujor); 6 copë Motovedetë – tip Shangai II. Të gjitha këto ruheshin në sistem tunel. Në Bazat ushtarake Detare ishin gati për minimin e ujit në afërsi të bregdetit mbi 35 mijë mina detare, të cila ishin të mbrojtura nga artileria bregdetare e përbërë me mbi dy mijë gryka të ndryshme topash.

Forcat Ushtarako Ajrore: Dispononim 3 regjimente ajrore gjujtës-bombardues (Kuçovë, Rinas dhe Gjadër); një regjiment helikopterësh (Farkë); skuadrilja autonome e avjonave të transportit (Laprakë-Tiranë); detashmenti i avjonave të shërbimeve qeveritare (Rinas); detashmenti helikopterave në varësi të MPB dhe ai shëndetësor (Laprakë); Uzina e Riparimit të Avjonave (Kuçovë), ku realizohej remonti kapital i avjonave dhe helikopterëve dhe Vendkomanda Qëndrore (Tiranë). Parku i përgjithshëm i aviacionit kishte 217 avjonë dhe helikopterë që dislokohej në 3 aerodrom të klasit të parë,  2 aerodrome të klasit dytë, një heliodrom, ndërkohë që ekzistonte një bazë e fuqishme e furnizimit material-teknik, si dhe të gjitha llojet e municioneve luftarake si për goditje ajrore ashtu dhe tokësore7). Gjithçka ruhej në sistem tunel, përjashtuar helikopterët. Sot disponojmë dy skuadrile helikopterësh me 12 tipe të ndryshëm. Përfytyroni tashti këtë lloj force ajrore laramane gjatë veprimeve aktive. Si mund të arrihet që municionet dhe pjesët e këmbimit të bëjnë për secilin helikopter?!

Përgatitja e kuadrit ushtarak (oficerave aktivë) bëhej në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave (Tiranë), për të gjithë llojet e armëve e shërbimeve të ushtrisë, deri në nivel batalioni; në Akademinë e Lartë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm (Tiranë) për nivelin brigadë, di vizion e lartë; Kursi i Lartë pranë Akademisë së SHP; Shkolla e Lartë e Aviacionit (Vlorë); Shkolla e Lartë e Marinës (Vlorë); 3 shkolla dy-vjeçare për përgatitjen e kuadrit rezervist, si dhe kurset tre-mujore pranë çdo Korpusi (divizioni) për komandantë skuadre. Pjesa dërmuese e studentëve të shkollave që përgatisnin oficerat komandues vinin nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skëndërbej” në Tiranë, fidanishtja e ushtrisë.

 

Shkatërrimi i ushtrisë është krim kombëtar

Ky mentalitet dhe shkatërrimi i ushtrisë është krim dhe tradhëti kombëtare. Sot quhet ushtri vetëm njësia e Zall Herrit, por kush do t’i mbrojë hapësirat tokësore, detare, dhe ajrore të vendit? Që dikur i mbronin korpuse, divizione, e brigada? Tani në vend të tyre janë ca toka rakitike për ruajtjen e miniobjekteve. Të na thonë dhe të jenë transparentë organet vendimmarrëse përse duan t’i largojnë anijet luftarake nga Bishti të Pallës? Për jahte ahengjesh të Fazlliçëve, apo për zbatuesit e tjerë të Gjiut të lashtë të mafiozëve vendas dhe të huaj?  Bishti i Pallës është bërë për dislokimin e një njësie të rëndësishme të forcës detare dhe nga gumëzhimi i saj gjatë stërvitjeve dhe gatishmërisë së lartë tronditej rajoni që ajo ruante dhe mbronte, por dhe më gjerë. Për atë bazë është derdhur djersë pa fund dhe gjak, janë harxhuar vlera materiale dhe monetare pa fund në interes të mbrojtjes së vendit dhe jo për ti kthyer në veprimtari korruptive. Edhe ne ish kuadrot e forcave detare jemi kategorish  kundër ndryshimit të destinacionit të Pallës.

 

 

(Oficeri i rangut të lartë ka ndërruar jetë në dhjetor 2019,  por ka lënë pas shumë kujtime)