Një ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi përmes llogarisë së tij në Facebook se sot do të publikonte pamje ekskluzive nga spitalet COVID, për të treguar betejën që po bëjnë mjekët për të luftuar koronavirusin.
Mirëpo, pak orë nga ky status i kryeministrit, nga spitalet COVID u tentua vetëvrasja e radhës e një pacienti të infektuar. Kjo nuk tregon gatishmëri dhe aspak efikasitet nga sistemi shëndetësor, përveçse dështim për të luftuar pandeminë.
Postimi i Ramës
Nesër në këtë faqe filmime krejt ekskluzive nga vija e zjarrit, në spitalet Covid ku sistemi ynë shëndetësor, më i gatshëm se asnjëherë më parë dhe heronjtë tanë me bluza të bardha, si asnjëherë më parë përballen me dallgët e forta të një epidemie globale, duke mbrojtur e shpëtuar jetë nga kthetrat e Armikut të Padukshëm…
Tjetër ngjarje tragjike te spitalet COVID në vend. Një pacient me koronavirus është hedhur nga ballkoni i spitalit Infektiv, ku po trajtohej prej disa ditësh, pasi simptomat e sëmundjes kishin agravuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 të mesditës së sotme.
Policia raporton se pacienti që është hedhur nga Infektivi është R.B, 69 vjeç. Ai ka mundur të shpëtojë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Kanë qenë kushtet e rënduara psikologjike që kanë shtyrë të moshuarin të tentojë t’i japë fund jetës.
Ky është rasti i katërt tragjik në spitalet COVID të Tiranës dhe i pari që ndodh te spitali Infektiv. Tre rastet e mëparshme janë regjistruar te spitali COVID2 “Shefqet Ndroqi”, ku kanë ndërruar jetë tragjikisht të tre pacientët.