Kozeta Mamaqi/ Dragani, me emër serb në Tiranë dhe motra e tij, me emër shqiptar në Beograd

937
Sigal

(Vijon nga dje)

 ..Viktoria dhe Dragani… pas ikjes së Hilmiut…

Të mbetur vetëm. Viktoria me pikëpyetjet e mëdha. Dragani vetëm 3-muajsh. Jetonin së bashku. Djalit i dha mbiemrin e saj. Dukej normale për djalin gjithçka rrotull tij. Por, një ditë, kur ishte vetëm 4-vjeç dhe shikonte shokët e shoqet, që veç nënës kishin edhe babanë në shtëpi, e pyeti të ëmën:

–      O ma, po unë ku e kam babin?

–      Ka vdekur!- iu përgjigj e ëma, duke e përkëdhelur e puthur me dashuri.

Kjo kishte qenë e vërteta rreth figurës së babait për Draganin, gjersa ai arriti moshën për të kuptuar dhe dëgjoi nga e ëma të vërtetën e hidhur. Ishte rreth 12-13 vjeç.

Dragani tregon:

–      Qoftë kur këtë histori e dëgjova për herë të parë, qoftë edhe kur në ndonjë rast binte biseda me të afërm (unë vetë kurrë nuk e hapa atë bisedë me mamanë), ajo nuk më ka thënë kurrë një gjysmë fjale të keqe për babanë. Ajo bëri edhe nënën, edhe babanë për mua. Me ikjen e babait, nuk qe e lehtë jeta për të. E hoqën nga vendet e punës, ku kishte qenë më parë. Sidoqoftë, me forcën e shpirtit, me punë e këmbëngulje, mamaja i bëri vend vetes e do të mund të punonte në punë edhe më të mira, që i dhanë kuptim jetës së saj. Jam i vetëdijshëm, që mamaja ka pasur një jetë të vështirë, në lidhje me preokupimin për rritjen dhe arsimimin tim. Ishte përherë me ankthin e pasigurisë, që a do mund të jetonte një jetë normale, apo do t’i hapej ndonjë histori e vjetër e do ta pësonte përsëri, sepse realisht, problemi i babait më ka dalë gjatë gjithë jetës sime.

E vërteta kishte qenë ashtu. Kur Dragani mbaroi gjimnazin, edhe pse ndër më të mirët e brezit të tij në mësime, e drejta e studimit për në Universitet, i doli me dy javë me vonesë, me shtesat, sepse dokumentet e tij kishin vajtur për verifikim në Ministrinë e Brendshme. Po kështu i kishte ndodhur edhe kur donte të vijonte 5-vjeçarin, në degën e fizikës, në Universitet. Nuk kishin dashur që ta vijonte, për shkak të biografisë, por me ndihmën e profesorëve Osman Kraja e Shaban Baxhaku, kishte mundur ta vijonte. Kur përfundoi studimet në Universitet, edhe pse nga më të mirët studentë, e kishin caktuar të punonte në Burrel, Ishin vitet 1971-73. Edhe më pas, për t’u kthyer në Tiranë, i dolën përsëri pengesa. Si mund të punonte në Tiranë një njeri me baba të arratisur?

–      Një nga lodhjet më të mëdha të nënës time, që ma kushtoi jetën mua- tregon përsëri Dragani – ishte që unë, pa asnjë faj, duhet të ndeshesha e të përballesha gjithnjë me situata nga më të ndryshmet, që ajo nuk kishte fuqi të m’i zgjidhte, edhe me përpjekjet e pafund që ka bërë.

Në vitin 1987, pati një lloj zbutjeje ndaj intelektualëve. Dragani filloi punë si pedagog në një nga katedrat e fizikës, pranë fakultetit të shkencave natyrore.

Me ardhjen e demokracisë, Dragani, në 1992 filloi punë në Ministrinë e Arsimit, si përgjegjës sektori i arsimit profesional. Ndryshimi i sistemit ishte një çlirim i madh për Viktorinë, në të gjitha drejtimet. Mori fund edhe meraku i saj për ardhmërinë e të birit. Ai ishte i realizuar. Dragani u ndje, edhe vetë, i plotësuar.

..Hilmiu, pas ikjes…

Me mbërritjen në Kosovë, Hilmiu filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Kosovës në Prishtinë. Ndenji shumë pak atje, sepse e caktuan si korrespondent i saj në Beograd. Atje u vendos në një shtëpi, ku kishte marrë një dhomë me qira. Vijonte të kishte miqësi me Jankon, që ishte vendosur në Lubjanë. Shpesh i bënin pushimet së bashku. Mbas shumë vitesh, Jankoja i thotë:

–      Ore Hilmi, ti kështu do ta kalosh jetën?

Ishte Jankoja, që këmbënguli që ai të martohej. Hilmiu, vijonte të kishte shpresë se mosmarrëveshjet mes partive do të shuheshin një ditë dhe ai do mund të ribashkohej me familjen në Shqipëri. Kjo shpresë e tij u shua pas mbledhjes së Bukureshtit, më 1957. Me qëndrimin, që u mbajt atje dhe që pasoi me mbledhjen e Moskës, Hilmiu e kuptoi që regjimi i Enver Hoxhës nuk do të bënte asnjë lloj lëshimi, apo zbutjeje. S’kishte më asnjë perspektivë kjo punë. Në ato rrethana, ai vendosi të martohej. Kur iku ishte rreth 30 vjeç. Kur u martua ishte rreth 40 vjeç. U martua me vajzën e shtëpisë, ku rrinte si qiraxhi. Një martesë, që nuk u pëlqye nga fisi në Kosovë, por që kurrë nuk ia shfaqën, për shkak të respektit që kishin për të, Vetëm një djali i tezes së tij, Hasan Vokshi, që kish thuajse të njëjtën moshë me të, i tha:

–      Po, mirë o Hilmi, nuk kishte boll vajza të mira Kosova, që more atë shkijen?

–      Dëgjo Hasan, unë një grua e mora në qafë. Në qoftë se do e sillte puna të merrja në qafë një grua të dytë, nuk do doja që ajo të ishte prapë shqiptare.

Ai e kishte përherë në mendje familjen, që kishte lënë në Shqipëri.

Hilmiu u bë me një vajzë nga martesa e dytë.

Vijonte të punonte si korrespondent i Rilindjes. Atij i kaloi gjithë jeta në Beograd, gjersa vdiq. Ka vdekur në nëntor të 1988, disa vite përpara se sa të fillonte shpërbërja e Jugosllavisë. Varri i ka mbetur në Beograd.

..Dragani në gjurmët e babait…

Tregon Dragani: – Im atë ishte i interesuar për mua. Këtë gjë e merrja vesh krejt rastësisht. Vinin njerëz nga Kosova e babai u shprehte dëshirën për të më takuar. Ata pyesnin, por përgjigja që merrnin ishte “lëreni në hallin e tij Draganin. Ju, që vini këtu jeni të gjithë të survejuar. Nuk duhet ta takoni se i bëni keq atij”. Më vonë, kur kosovarët miq ishin larguar, unë mësoja që babai kish pyetur për mua, mësoja që ai punonte si gazetar etj. Unë pyesja për të.

Një herë, Hilmiu kishte intervistuar në Beograd ministrin e jashtëm britanik të asaj kohe. Ishte intervistë ekskluzive për Rilindjen. Disa pyetje, që i kishte bërë lidhur me atë se çfarë kishin bërë fuqitë perëndimore për problemin e Kosovës dhe mbetjen e saj nën Jugosllavi, kishin qenë të sikletshme për ministrin britanik. Intervista kishte bërë bujë. Dy gazetat më të mëdha, njëra në Gjermani dhe tjetra në Francë e botuan intervistën me lejen e “Rilindjes” së Kosovës. Ishte koha, kur Gjermania, po edhe Franca e De Golit nuk i kishin fort mirë punët me Britaninë. Ky ministër i jashtëm, jo vetëm që nuk pati qejfmbetje prej intervistës, por sapo u kthye në Britani, i sugjeroi agjencisë Rojter, që ta bindte gazetarin që të punonte për ta. Tre muaj rresht e kërkuan babanë të shkonte atje, por ai refuzoi, duke menduar se i shërbente më mirë Kosovës, si korrespondent i Rilindjes.

Hilmiu ka qenë “i shënuar” nga autoritetet jugosllave. 20 vjet pasi ishte larguar nga Shqipëria, i gjetën një sebep për ta arrestuar. Ai kishte shumë shoqëri me një gazetar gjerman, korrespondent i Der Shpigel (Der Spiegel) në Beograd. Mbiemri i tij ishte Rulman. Në një moment të caktuar, në 1968, Rulmani, Hilmiu dhe disa persona të tjerë, mes të cilëve edhe oficerë madhorë të ushtrisë jugosllave, arrestohen si grup agjenturor në shërbim të Gjermanisë Perëndimore. U bë një gjyq shumë i bujshëm, që u quajt “Afera Rulman”, sepse supozohej që ai i kishte rekrutuar të gjithë… U kërkua dënim me vdekje nga prokurori për babanë tim. Realisht u dënua me burg me afat të gjatë. Për çudi, doli nga burgu mbas më pak se dy vitesh, me një amnisti. Jugosllavët nuk e dinin që Rulman ishte nipi i kancelarit Vili Brand. Pati reagime të forta nga Gjermania për makinacionet jugosllave për ta shpallur spiun gazetarin e tyre. Gati u krijua një incident diplomatik. U shpall amnistia, që i shpëtoi të gjithë. Në revistën “Nin”, që botohej në Beograd, në një nga numrat e saj të vitit 1971, është botuar një dossier për aferën “Rulman”. Ka patur disa artikuj, ku doli që ka qenë një gjyq i manipuluar etj. Njeri nga artikujt ishte i Vuk Drashkoviçit, që në atë kohë ka qenë gazetar. Mbas këtij incidenti, ndodhte, që sa herë në Beograd shkonin personalitete me delegacionet përkatës, Hilmiun e izolonin me lloj–lloj pretekstesh, për ta liruar, kur delegacioni të kishte ikur. Ishte frika, që ai gazetar përherë mund t’u hapte telashe me pyetjet rreth problemeve të Kosovës.

…Dragani, me emër serb në Tiranë dhe motra e tij, me emër shqiptar në Beograd…

-Unë e kam një motër në Beograd. Për herë të parë kam pasur komunikim me të në dhjetor të 1990, pasi kishin filluar ndryshimet demokratike në Shqipëri. Numrin e saj ma pati dhënë një kushëri, që ishte në Shqipëri si turist një vit më parë. Ishte i pari kushëri nga Kosova, nga ana e babait, që njoha, veç xhaxhait të vogël, të cilin e kam njohur kur isha 17 vjeç, edhe pse ishim të dy në Tiranë, dhe ca kushërinjve të tjerë që jetonin në Shqipëri, dhe që i kam njohur kur kam qenë i rritur. Xhaxhain e mesëm, Ferhat Thaçin nuk munda ta njihja, sepse atë e arrestuan me grupin e rezistencës, E torturuan dhe vdiq në burgun e Gjirokastrës.

Telefonata me motrën ishte shumë emocionuese. Një telefonatë shumë e vështirë në pikëpamje të komunikimit. Unë i flisja italisht e ajo përgjigjej frëngjisht. Sidoqoftë, ishte një kontakt shpirtëror, që përcolli emocione. Më pas, qëlloi të punoja në një projekt për arsimin të Fondacionit Soros. Tanimë e kisha mësuar edhe anglishten. Me këtë projekt, më 1995 shkuam, një grup, në Valjevo të Jugosllavisë. Pranë Valjevos ishte një qendër për fëmijët e talentuar, që financohej, 70% nga Komuniteti Evropian. Vendi ishte 120 km larg nga Beogradi. E lajmërova motrën që do të isha në hotel, në Valjevo. Ajo erdhi. U takuam për herë të parë. Ishte takim, që nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj. Ndenjëm të përqafuar, ndoshta me minuta të tëra, pa asnjë fjalë… dhe më pas, unë munda t’i thosha vetëm “Finally!”.

–      Yes, finally!- u përgjigj ajo.

Shkuam në një restorant dhe atë natë ndenjëm së bashku gjer në orën 1 të mëngjesit. Biseduam shumë e shumë gjëra. Para se të kthehesha nga Valjevo në Shqipëri, me programin do të shkonim dy ditë edhe në Beograd. Motra erdhi më gjeti në vendin, ku po zhvillonim programin e projektit. Do të shkoja në shtëpinë e saj. Gjatë rrugës i kërkova të shkoja te varri i babait. Shkuam të dy. Për mua ishte shumë tronditëse, shumë më shumë se sa e kisha menduar. Vendosa mbi varr një tufë me lule plastike, që mamaja m’i kishte dhënë t’i vija në emër të saj. Ajo më tha se lulet e freskëta do t’ia vinte me dorën e saj, nëse një ditë do mund të shkonte atje. E preka atë varr me dorë e m’u bë sikur babai u ngjall, U gëzua. Sikur më tha “Sa të kam pritur o djalë, o Dashi im!”. Tronditje, por edhe paqe në shpirt.

Dy net, unë fjeta te shtëpia e motrës. U njoha edhe me nënë dhe të shoqin e saj. Kanë qenë përjetime të rralla. Edhe nëna e motrës, më priti shumë mirë. Kishte qenë mësuese e frengjishtes dhe e pianos. Ishte një grua shumë e kulturuar. Ajo më tregoi shumë punime të babait. Babai kish mbaruar universitetin në degën e albanologjisë dhe kish bërë punime në atë fushë. Ai kishte përkthyer në serbo-kroatisht një përmbledhje të poezive të Migjenit. Të gjitha ato më gëzuan e më bënë krenar për të.

Para se të ndahesha me nënën e motrës, ajo grua më tha:

–      Do t’i bësh shumë të fala mamasë. Do t’i thuash që tani unë kam dy fëmijë, vajzën dhe djalin e saj. Edhe nëna jote ka tani dy fëmijë,djalin e saj dhe vajzën time.

Kthimin e djalit nga Jugosllavia,Viktoria mezi e priste. Kur Dragani po i tregonte për andej, ajo po e dëgjonte me kujdes. Në fund u shpreh:

–      Shyqyr që e takove motrën, mor bir!

…Detaje shtesë…

… Viti 1973… Një kushëri nga Gjakova kishte ardhur në Shqipëri me një grup artistik. Hilmiu e kish takuar dhe i ishte lutur që të mund ta takonte Dashin (kështu i thërriti ai përherë djalit të tij). E di që është e vështirë i pat thënë, por kushedi, rasti mund ta sjellë… dhe ti… veç cike pak me bërryl, vetëm kaq. E kur të kthehesh këtu, unë do mund t’i marr erë në xhaketën tënde, atje ku e cike. Hilmiu e priste atë kushëri, kur u kthye në Gjakovë, por u dëshpërua fort, kur dëgjoi që s’kish mundur ta shihte Dashin e tij. Mbas pak, kushëriri i zgjati një foto, që e kish marrë te shtëpia e vëllait të Hilmiut. Ky, e pa dhe kujtoi se ishte foto e të fejuarit të mbesës, por s’kaluan as dy sekonda dhe… i ra kokës me dorën tjetër e tha:

–      Kuku, mos me njoft djalin tem! Fotoja ime ishte kopje e tij, në një moshë të re. Atë foto nuk e ndau kurrë nga portofoli i tij, që gruaja dhe e bija e kishin ruajtur të paprekur, siç e pati kur ndërroi jetë, dhe siç ma tregoi motra, kur u takuan…

 Në një dyqan të vogël, tip marketi, që ndodhej pranë shtëpisë së motrës, hyra për të takuar atë e bir, pronarë të tij, me të cilët babai pinte ndonjë kafe hera-herës. Ishin nga Gostivari. Kur motra më prezantoi, më përqafuan me mall. I madhi tha: – Qeke krejt Baca Hilmi. E kena pas bash mik. Veç për ty na fliste. Ka ik me zemër të djegme për ty. M’i tha krejt i përlotur këto fjalë. Më pas, biseda vijoi rreth kujtimeve për të.

Motra më tregoi për një palë pushime, që kishin prenotuar në Ohër, kur motra qe e vogël e nuk dinte gjë për mua, së bashku me familjen e një doktori kosovar që jetonte në Beograd dhe që babai e kishte pasur shok të ngushtë. “Sapo arritëm atje”, tregoi ajo, “babai u sëmur. Të nesërmen u kthyem, pa bërë as edhe një ditë pushim. Atëherë nuk e kuptova se ç’ishte ajo që i ndodhi babait. Më vonë, kur e kam sjellë nëpër mend atë ngjarje, kam qenë më se e qartë. Ai s’mund të ishte i qetë, duke qenë aq pranë teje, pa mundur të të shihte e të të takonte.

E gjithë kjo histori, kjo jetë mes dallgësh e Viktori Gjikondit – Thaçit është e denjë për një roman. Kjo grua më bëri ta nderoj e ta ruaj në shpirt si një gjë e rrallë.

Kozeta Mamaqi, nëntor 2013.