Jovan Bizhyti: Labinoti historik dhe shtabi i përgjithshëmi Ushtrisë Nac. Çl vetëm 2000 ishin deklaruar komunistë

888
Sigal

Në përbërje të 70.000 partizanëve që morën pjesë në formacionet luftarake në luftën Antifashiste  Nacional Çlirimtare, vetëm rreth 2000 ishin deklaruar me statusin e komunistit

Labinoti historik dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl.

Në vitin 1943, lufta Nac.Çl. kish marë përmasa të mëdha dhe një shtrirje të gjerë në të gjithë Shqipërinë. Formacionet partizane që shtoheshin nga dita në ditë, kërkonin domosdoshmërisht një shtab qendror drejtues që do të drejtonte e organizonte betejat luftarake. Përgatitjet për krijimin e këtij Shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë, kishin nisur kohë më parë. Konferenca e I-rë e vendit e PKSH-së që u mblodh në Labinot të Elbasanit në 17-22 mars 1943, shtroi detyrën e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme popullore dhe vendosi krijimin edhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Në 4 korrik 1943, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Antifashist Nac. Çl., që analizoi gjendjen politike të brendshme dhe të jashtme, veprimtarinë e këshillave Nac.Çl. dhe u ndal sidomos në analizën e luftës së popullit shqiptarë ndaj pushtuesve. Kjo mbledhje miratoi një zëri dhe propozimin e Enver Hoxhës për krijimin dhe përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. si një qendër organizative, politike dhe operative e forcave të armatosura partizane antifashiste.

Në proces-verbalin e mbledhjes së parë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. thuhet: ”Sot, ditë e hënë 5 korrik 1943, ora 10.15 minuta, u mblodh për të parën herë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl., i dalë nga Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl. me këtë rend-dite:

-Kompetencat e Shtabit.

-Struktura e Shtabit.

-Ndarja e përgjegjësive.

-Të ndryshme”.

Në fjalën e tij, Enver Hoxha shtroi strukturën e këtij shtabi, që do përbëhej nga 12 anëtarë, në raportet 8 persona ose 2/3 do ishin civilë, dhe 4 ose 1/3 ushtarakë, si dhe ndarja e përgjegjësive. PKSH e kishte në programin e saj, që në komandimin e formacioneve ushtarake partizane, do ishin dy persona në drejtim, komandanti dhe komisari politik. Për kandidaturën e Komandantit, u propozua Major Spiro Moisiu, që pati një reagim shumë pozitiv dhe u mirëpritë me dashamirësi, ndërsa Komisar u propozua Enver Hoxha, që gjithashtu u mirëpritë me dashamirësi nga të pranishmit. Dalja e Major Spiro Moisiut në drejtimin ushtarak në nivele të larta, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë partizane vullnetare Nac.Çl., që do drejtonte luftën Antifashiste, tregon zgjuarësin dhe pjekurin politike të Enver Hoxhës, i cili diti të përzgjedh një kuadër të till për drejtimin e ushtrisë Nac.Çl. që dallohej nga një sërë cilësish, ku dominonin atdhedashuria, patriotizmi i lartë dhe profesionalizmi si drejtues dhe komandues shtabesh ushtarake me përvojë të gjatë. Major Spiro Moisiu ishte një figurë e pastër antifashiste, një ushtarak me kulturë dhe me shumë përvojë, madje dhe me mjaft popullaritet.

Në mbledhjen e parë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., në 5 korrik 1943 kur u vendos kandidatura e Major Spiro Moisiut si Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl, Enver Hoxha midis të tjerave theksoi:

“Propozoj që në detyrën e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., të ngarkojmë shokun Spiro Moisiu, si një patriot e specialist i çështjeve ushtarake. Majorin, siç e quajmë zakonisht shokun tonë, është një ndër ata oficerë patriotë, tek i cili dashuria për Atdheun dhe për popullin, ka qenë më e fortë se dëshira për poste e grada. Pikërisht, për merita patriotike dhe për faktin se Spiro Moisiu është një ushtarak i vjetër dhe me eksperiencë, Shtabi i Përgjithshëm e caktoi Komandant të vet, ndërsa unë u caktova Komisar politik”. (AQSH, dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm, viti 1943). Në 10 korrik 1943, në Labinot të Elbasanit, në shtëpinë e patriotëve të Bahollëve, u shënua në histori si dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl. Kjo ishte një ngjarje e shënuar në historinë e Kombit tonë, në historikun e luftrave shekullore që kish zhvilluar populli i ynë, si dhe në historinë e ushtrisë shqiptare. Formimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shënoi një fazë të re, fazën e dytë të luftës për çlirimin e vendit, atë të shndërrimit të kryengritjes së armatosur, në luftë të përgjithshme popullore të organizuar.

Po në këtë ditë, u shpall dhe proklamata drejtuar popullit shqiptarë, që vihej në dijeni për krijimin e Shtabit Drejtues të Ushtrisë dhe kjo datë u quajt dita historike e ushtrisë dhe e Shtabit të saj të Përgjithshëm. Në Proklamatë midis të tjerave thuhej: “Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të Fuqive të Armatosura Nac.Çl., është një përgjigje flakë më flakë që po i japim armikut”. Sapo u formua, Shtabi i Përgjithshëm, mori një varg vendimesh, në përputhje me detyrat e mëdha që i qenë ngarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl.

Vendimi i parë ishte për organizimin e Ushtrisë Nac.Çl., ku në urdhërin përkatës shkruhej: “Në këto cirkostanca dhe momente, kur duhet me i dhënë grushtin e vdekjes zaptuesit dhe veglave të tij dhe me i shporr këta nga toka e atdheut tonë të dashur, Shtabi i Përgjithshëm urdhëron formimin e Ushtrisë Nac.Çl. partizane vullnetare shqiptare, në të cilën populli ynë ka vënë shpresat dhe pret çlirimin e shpejtë të Shqipërisë nga thonjtë e zaptuesit”. (Historia e LANÇl. e Popullit Shqiptarë 1939-44, viti 1975, faqe 416-417).

Në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm në 5 korrik 1943, Enver Hoxha foli dhe për kopetencat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrat, strukturën dhe përgjegjësitë midis anëtarëve. Ai tha se: “Janë pjekur kushtet për një kryengritje të përgjithshme të armatosur. Pra, të krijohet një ushtri kombëtare e drejtuar nga një qendër të vetme, Shtabin e Përgjithshëm të përbërë nga 12 shokë: Komandant Major Spiro Moisiu, Komisar Enver Hoxha dhe anëtarë, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malishova, Bedri Spahiu, e Dali Ndreu. Shtabi si qendër organizative politike dhe operative e forcave të armatosura, është forca udhëheqëse e luftës Antifashiste Nac.Çl. Ka kopetencë të plotë të bëjë luftën, t’a zhvillojë e t’a organizojë dhe t’a udhëheqë atë në bashkëpunim me Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl”. (AQSH, Dok. të SHPUNÇl., Dosja 1, faqa 1)

Shprehja,“forca udhëheqëse e luftës” për Shtabin e Përgjithshëm, ishte e rëndësishme për rolin që do të luante kjo strukturë drejtuese. Edhe në fund thuhet, “bashkëpunim” me Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl., e jo në vartësi prej tij, ose ndaj çdo forumi apo institucioni tjetër. Po ashtu në dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme, nuk thuhet e nuk shënohet vartësia nga forumet partiake. Kjo nuk cilësohet as për Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl., deri dhe në repartet e ushtrisë Nac.Çl. në bazë. Në të vërtetë, PKSH që udhëhiqte luftën dhe Ushtrinë Nac.Çl., bënte shumë kujdes në këtë drejtim, që të mos prekej karakteri nacional-çlirimtar i luftës, të cilën okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre e paraqesnin si, “luftë të komunistëve” dhe partizanët si, “ushtri komuniste”, qëllimisht për të trembur popullin nga “gogoli” i komunizmit. (Sali Onuzi, gazeta Dita, 15 korrik 2019)

Në përbërje të 70.000 partizanëve që morën pjesë në formacionet luftarake në luftën Antifashiste Nac.Çl., vetëm rreth 2000 ishin deklaruar me statusin e komunistit. Pra, kjo përqindje kaq e vogël e komunistëve, nuk mund ta etiketonte atë si “luftë e komunistëve”, dhe partizanët si “ushtri komuniste”. Ideali i luftëtarëve partizanë, ishte shporrja e pushtuesve nazi-fashistë dhe lufta për çlirimin e vendit dhe me këtë ideal ata përballuan betejat e përgjakshme me armikun, po ashtu me këtë ideal, dhanë jetën dhe qindra e mijëra dëshmorë që u flijuan në lule të rinisë.

Megjithatë, politizimi i strukturave të ushtrisë partizane, nuk i shpëtoi plotështë dorës së fortë të politikës, që erdhi duke u konsoliduar. PKSH-ja ishte struktura politike që e udhëhoqi atë luftë. Pavarësisht ç’thuhej në vendime, në realitet celulat e partisë në njësitë partizane ishin jo vetëm prezente, por dhe me fuqi vendim-marrëse. Në programin e PKSH ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, që në udhëheqje të shtabeve ushtarake veç komandantit, ishte dhe komisari me fuqi vendim-marrëse të plotë dhe dihet që komisarët në të gjitha nivelet, përfaqësonin rrolin udhëheqës të partisë, duke qenë dhe komunistë. Po ashtu, në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm nga 12 anëtarë, 4 prej tyre ishin ushtarakë të mirëfilltë, të tjerët nacionalistë, patriotë e intelektualë, nga këta 5 ishin anëtarë të KQ të PKSH. Pra, rroli udhëheqës i Partisë Komuniste, jo vetëm ishte prezent, por erdhi duke u rritur, kur dhe udhëheqësi kryesor i Partisë, Enver Hoxha, në Kongresin e Përmetit, u emërua dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl. Për të argumentuar atë se ç’përfaqësonin në fakt repartet e ushtrisë partizane në sytë edhe të misionarëve të huaj anglez e amerikanë, që ndodheshin ato kohë në Shqipëri, shkrimtari dhe gazetari i njohur amerikan, Peter Lucas, në librin e titulluar, “Misioni amerikan në Shqipëri”, midis të tjerave shkruan:

“Shumica e partizanëve kishin një përgatitje sipërfaqësore ushtarake, por ajo që u mungonte në përvojë, plotësohej me guximin e tyre. Pjesa më e madhe e burrave dhe e djemve që përbënin ushtrinë partizane, ishin pothuaj fshatarë të pa arsimuar, që merrnin vesh pak nga çështjet politike, pale pastaj nga komunizmi. Ajo që i bashkonte ata, ishte urrejtja ndaj pushtuesit gjerman dhe lufta për çlirimin e Atdheut. Repartet partizane udhëhiqeshin nga motivi: disiplinë, energji dhe qartësia e mendimit, ndërsa objektivi ishte, luftë pa kompromis ndaj pushtuesit të vendit”.

Në realitet, PKSH-ja kishte të drejtën ligjitime t’a administronte fitoren e luftës, duke marrë dhe pushtetin, sepse ishte e vetmja forcë politike që ngriti popullin në këmbë, e mobilizoi dhe e udhëhoqi me konseguencë në luftë kundër armikut, deri në fitoren e plotë, çlirimin përfundimtar të vendit dhe vendosjen e pushtetit të popullit. Forcat e tjera nacionaliste si Balli Kombëtar dhe Legaliteti gjatë luftës, e devijuan qendrimin e tyre, duke bashkëpunuar me forcat armike dhe duke iu kundërvënë Frontit Nac.Çl. dhe PKSH-së. Pra, Shtabi i Përgjithshëm mori përsipër detyra të rëndësishme që diktonte koha dhe momenti i zhvillimit të luftimeve ndaj një armiku të ri e të egër siç ishte nazizmi gjerman. Ai u zgjodh si një organ drejtues i luftës Antifashiste Nac.Çl. nga votat e Këshillit të Përgjithshëm  Nac.Çl.

Ky ishte një Shtab i Përgjithshëm ushtarak dhe politik.

Ai, jo vetëm do komandonte gjithë njësitet dhe repartet e ushtrisë Nac.Çl., por do të merrej dhe me gjithë aspektet e luftës e të organizimit të ushtrisë, si dhe me marrëdhëniet me forcat Aleate Ndërkombëtare. Pra, nuk ishte thjeshtë një Shtab Ushtarak klasik, por ishte Shtab i Përgjithshëm lufte, ku afro gjysma e tyre, nuk ishin ushtarak, por njerëz të politikës, të kulturës, të ekonomisë, e të fesë. Pra ishte Shtab i Përgjithshëm i luftës, ku secili kishte rrolin e vet. U ngritën dhe shtabet e grupeve në qarqe si, në Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Dibër Durrës, Vlorë, Krujë e tjera. U krijua dhe Brigada e Parë Sulmuese në 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës.

Në planin e brendshëm, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl. si një organizëm drejtues, ishte dhe një strukturë ushtarake e mirëfilltë dhe e domosdoshme, që e diktonte nevoja e organizimit të formacioneve luftarake ekzistuese, por dhe i atyre që do të krijoheshin më pas në fushën e luftës. Njëkohësishtë, ai ishte dhe një organ i specializuar ushtarak, një qendër e mirëfilltë drejtuese, përpunuese dhe bashkërenduese e veprimeve luftarake të formacioneve të të gjitha përmasave e niveleve. Ndërkohë, ky shtab përbënte  dhe një garanci për drejtimin e zhvillimin me sukses të veprimeve luftarake kundër pushtuesve për zgjidhjen e situatave që krijoheshin.

Ushtria partizane Antifashiste Nac.Çl. dhe Shtabi i saj i Përgjithshëm, patën mbështetjen masive të popullit, sepse bënin një luftë të drejtë çlirimtare kundër pushtuesve, duke vënë kurdoherë në krye patriotët dhe atdhetarët e vërtetë, që e donin Atdheun, e donin popullin dhe lirinë e pavarësinë e vendit. Një ndër ta ishte dhe Major Spiro Moisiu, figura e të cilit në krye të Shtabit të Përgjithshëm, u mirëprit me dashamirësi dhe me vlerësime të larta nga të gjithë ata që e kishin njohur në momente të rëndësishme pune e lufte.

Majori Kosovar, Ibrahim Gjakova, në kujtimet e tij fletë për kandidaturën e Spiro Moisiut: “Takohem me Esat Dishnicën, Shefqet Bejën, Myslim Pezën, Telat Nogën, Vasil Ziun e të tjerë, patriotë e shokë të vjetër lufte. Duke biseduar për çështjet e luftës Nac.Çl. e të ushtrisë së ardhëshme, diskutonim dhe për ndonjë kandidaturë të goditur ushtarake për në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Dhe një ditë, u shtruam dhe me Enverin. Sapo u hap problemi, Enveri më thotë:

-Ti Bac je patriot i nderuar, me influencë në Kosovë, oficer me akademi dhe stazh të gjatë si ushtarak. Prandaj mendojmë të jesh komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. E prita me dashamirësi ftesën dhe aty për aty i thashë:

-Qofsh me nder për respektin që më bëni. Por unë jam disi i moshuar dhe kam qenë drejtues në Komitetin e Çlirimit Nacional të Kosovës nga Serbia. Po unë kam një person më të mirë se veten. Ai është Spiro Moisiu nga Kavaja, me banim në Lushnje. Eshtë atdhetar i fuqishëm, major me akademi dhe me përvojë jo më pak se unë. Madje, ka dhënë prova dhe si nacionalist në vitet 1921, 1924, 1939, dhe në 1940. Sot për sot, person ushtarak më të kompletuar nuk gjeni”. Kështu, Major Spiro Moisiu doli në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., ndonëse pati dhe kandidatura të tjera rivale. Ky Shtab ushtarak ndodhej gjithmonë pranë aksioneve të luftimeve dhe betejave të luftës ku ishin përqëndruar formacionet partizane, si në malësitë e Elbasanit e Çermenikës, si dhe të Oparit të Korçës, e Tomorricës së Skraparit, përkatësisht ku Shtabi ishte përqëndruar në fshatrat Polis dhe në Helmës, ku kishte dhe qendrën e tij. Një faqe e ndritur e kësaj lufte Nac.Çl., ishte dhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave shqiptare në radhët e ushtrisë partizane. Nuk qenë pak, por rreth 5000 gra dhe vajza luftëtare, si në frontin e luftës dhe në prapavija si mjeke, infermiere dhe sanitare shëndetësore. Nuk kishte parë asnjëherë historia shqiptare formacione ushtarake të drejtuara nga gra e vajza komandante dhe ca më pak si komisare politike. Pati prej tyre që në luftime të përgjakëshme kundër armikut, dhanë edhe jetën si dëshmore të Atdheut. Gjatë luftës Nac.Çl. u thyen deri diku dhe dallimet midis rinisë fshatare dhe asaj qytetare, midis shtetasve me shkollë dhe ata pa shkollë. Lufta partizane ishte një revolucion i vërtetë shoqëror, për faktin se shpartalloi prangat e robërisë dhe të shtypjes e varfërisë feudale, duke i sjellë lirinë e pavarësinë popullit shqiptarë.

Ndryshime ndodhën dhe në organizimin e reparteve luftarake.

Njësitë partizane trajtoheshin jo vetëm si bashkësi luftarake, por njëkohësisht dhe si bashkësi shoqërore dhe kulturore. Në ato raste kur kishte vullnetarë partizanë që nuk dinin shkrim e lexim, organizoheshin kurse kundër analfabetizmit për shkollimin e tyre. Në intervale pushimesh, zhvilloheshin për partizanët dhe ligjërata politike dhe kulturore me përmbajtje patriotike, si dhe aktivitete kulturore e artistike. Gjatë viteve të luftës u ngritë dhe “Teatri Partizan”, si dhe u krijuan nga letrarë e kompozitorë partizanë edhe shunë këngë e marshe partizane, që u prinë në marshime e beteja luftarake ushtrisë partizane. Pra, lufta për masën e luftëtarëve ishte jo vetëm front luftimi kundër armikut, por në kohë të veçanta fushimi, ishte dhe shkollë për edukimin arsimor, patriotik e kulturorë të ushtrisë Nac.Çl. Kjo ushtri që po rritej në numër e në formacione luftarake, kishte në krye një Shtab të Përgjithshëm, që ishte në thelb një organ ushtarak, i cili ka lozur një rol shumë të rëndësishëm për organizimin dhe drejtimin e luftës Nac.Çl., ku një ndikim pozitiv kanë luajtur specialistët e mirëfilltë ushtarak, të cilët përveç atdhetarizmit, kishin dhe përgjegjësinë juridike dhe morale në lartësinë e duhur, për të drejtuar me vendosmëri e besnikëri gjithë veprimtarinë ushtarake të ushtrisë Nac.Çl., deri në çlirimin e plotë të vendit. Shtab i Përgjithshëm i Ushtrisë nuk ishte strukturë e rëndë. Në vetvete ai ishte një aparat i lehtë, i gatshëm për lëvizje e manovrime të shpeshta, i përshtatej terrenit malor dhe natyrës së luftës partizane. Shumë nga anëtarët e Shtabit komandonin formacione luftarake partizane. Edhe ata anëtarë të Shtabit që nuk kishin funksione komanduese, shpesh gjëndeshin pranë formacioneve të mëdha të luftës Nac.Çl., në detyrën e të deleguarit në mbështetje dhe të operacioneve luftarake. Në këtë mënyrë, Shtabi paraqiste tipare të theksuara operative, që e rriste shumë efektivitetin e veprimit të tij. Ky organizëm drejtues, organizoi, planizoi dhe udhëhoqi veprimet e kësaj force të armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Gjithashtu mbetet një organizëm kombëtar me vlera pozitive për kohën kur veproi dhe drejtoi, të cilit historiografia shqiptare duhet t’i referohet objektivisht veprimtarisë së tij për periudhën e luftës Antifashiste Nac.Çl.. Ishin kohë të vështira që kërkonin vendim-marrje të shpejtë, e cila në ditët tona mund të reflektoj difektoze. Eshtë me vlera atdhetare dhe morale, që të respektohet kontributi i atyre shqiptarëve të ndershëm, pjestarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ashtu dhe luftëtarëve të thjeshtë që sakrifikuan gjithçka për luftën. Vepra e tyre ishte plot sakrifica, në një kohë kur rreziku ishte prezent kudo dhe kurdoherë, prandaj dhe duhet çmuar si një kontribut i vyer në interes të çështjes kombëtare shqiptare.