Jovan Bizhyti: 80 vjetori i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe kontributi i Spiro Moisiut në krye të tij

272
Sigal

(Labinot 1943 – 2023)

  • -Si u njoh Spiro Moiziu me Dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Koleka e të tjerë
  • – Shoku Spiro, kemi menduar me shokët e Këshillit të Frontit Nac.Çl., që ti të jesh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl.
  • Koha dhe momentet historike sollën në skenën politike patriotët dhe atdhetarët e duhur, që u vunë në krye për t’i dalë zot këtij vendi të varfër, të shtypur e të pushtuar nga nazi-fashizmi. Dhe këta patriotë, u shquan duke ngritur në këmbë të madh e të vogël në betejat e ashpra luftarake, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ata me veprën e tyre, lanë pas edhe historinë, kontributin dhe kujtimet e tyre, që sot përjetësohen, nderohen e shkruhet, që brezat e ardhshëm të jenë krenar për veprën dhe historinë, që këta atdhetar lanë pas. Njeri prej tyre ishte dhe Spiro Moisiu, historia dhe kontributi atdhetar i të cilit, i bënë nder jo vetëm atij dhe familjes së nderuar Moisiu, por gjithë popullit dhe Atdheut tonë të dashur.

Ishin ditët e para të korrikut 1943, kur Major Spiro Moisiu u thirr në Labinot -Mal në shtëpinë e patriotëve të familjes Baholli nga udhëheqja e Frontit Nac.Çl. që organizoi rezistencën e popullit shqiptar për çlirim kombëtar nga pushtuesit nazi-fashistë. Sipas kujtimeve të Spiro Moisiut, ai në Labinot fillimisht u takua me Enver Hoxhën, të cilin nuk e njihte deri atëherë. Enveri e takoi me shumë përzemërsi, e priti me buzagas dhe e përqafoi. Enveri u paraqit si një partizan i thjeshtë, i armatosur me gjerdanin e fishekëve dhe me kobure në brez. Major Spirua takoi aty dhe shokë të tjerë, që i njihte si: Dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Koleka e të tjerë. Enveri me një qetësi dashamirëse, i spjegoi situatën në të cilën ndodhej vendi, duke i bërë dhe një analizë të plotë e të hollësishme. Pastaj e mori veças dhe u ulën për të biseduar. Ndër të tjera i thotë:

-“Shoku Spiro, kemi menduar së bashku me shokët e Partisë dhe të Këshillit të Frontit Nac.Çl., që ti të jesh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl. që po krijojmë këtu në Labinot”. Në ato çaste, Spirua u gjend i papërgatitur, pasi nuk ishte në dijeni. Heshti pak dhe mandej i tha:

-“Ju faleminderit shumë për konsideratën, unë vërtetë jam ushtarak madhor dhe mund të komandoj një regjiment, apo shumë-shumë dhe një divizion, por për një ushtri të tërë, e ndjej tepër të vështirë ta përballoj. Prandaj ju lutem, caktoni ndonjë kandidaturë tjetër”. Kjo barrë iu duk shumë e rëndë dhe ndjeu në vetvete një emocion të fortë. Enveri pasi e dëgjoi, iu përgjigj aty për aty:

-“Ashtu është, po si thua ti, a është më mirë të vemë në krye një major tjetër si Abaz Kupi në vendin tënd?! Më thuaj, se ti e njeh mirë atë nacionalist? Pastaj, ti do jesh mes shokësh të zgjedhur e të njohur. Mua do më kesh pranë, unë si politikan dhe ti si ushtara!”.

Spirua s’mundi të diskutonte më tej.

Ai e kuptonte se Atdheu i robëruar e në rënkim, po i thërriste bijtë e tij në betejën e re për jetë a vdekje. Ndaj me zë të ulët, të qetë e të prerë, i premtoi duke i dhënë besën e luftës legjendare për çlirimin e Atdheut. Nga ajo kohë, Spiro Moisiu me udhëheqësit e tjerë, organizuan Shtabin e Përgjithshëm dhe gjithë ushtrinë partizane vullnetare Nac.Çl., që korri fitore mbi armikun radhë pas radhe, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të Shtabit në 5 korrik 1943, Enver Hoxha propozoi kandidaturën e Spiro Moisiut si Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Midis të tjerave ai tha:

“Propozoj që në detyrën e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., të ngarkojmë shokun Spiro Moisiu, si një patriot e specialist i çështjeve ushtarake. Majorin, siç e quajmë zakonisht shokun tonë, është një ndër ata oficer patriot, tek i cili dashuria për Atdheun dhe për popullin, ka qenë më e fortë se dëshira për poste e grada. Pikërisht, për merita patriotike dhe për faktin se Spiro Moisiu është një ushtarak i vjetër dhe me eksperiencë, propozoj të jetë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe unë Komisar politik”.(AQSH, dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm, 1943).

Pastaj propozoi dhe anëtarët e tjerë të shtabit gjithsej 12 vetë, 8 civil dhe 4 ushtarak, konkretisht: Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Dr. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malishova, Bedri Spahiu dhe Dali Ndreu. Në 10 korrik 1943, në Labinot të Elbasanit, në shtëpinë e patriotëve të Bahollëve, u shënua në histori si dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl. Kjo ishte një ngjarje e shënuar në historinë e Kombit tonë, në historikun e luftrave shekullore që kish zhvilluar populli ynë, si dhe në historinë e ushtrisë shqiptare. Formimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shënoi një fazë të re, fazën e dytë të luftës për çlirimin e vendit, atë të shndërrimit të kryengritjes së armatosur, në luftë të përgjithshme popullore të organizuar Nac.Çl..

Po në këtë ditë, u shpall dhe proklamata drejtuar popullit shqiptar, që vihej në dijeni për krijimin e Shtabit Drejtues të Ushtrisë dhe kjo datë u quajt dita historike e ushtrisë dhe e Shtabit të saj të Përgjithshëm. Në Proklamatë midis të tjerave thuhej: “Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të Fuqive të Armatosura Nac.Çl., është një përgjigje flakë më flakë që po i japim armikut”. Sapo u formua, Shtabi i Përgjithshëm, mori një varg vendimesh, në përputhje me detyrat e mëdha që i qenë ngarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl.

Në krye të këtij shtabi u zgjodh Major Spiro Moisiu, një figurë atdhetare dhe një ushtarak i niveleve të larta, që ka luftuar e kontribuar në momente të spikatura historike për fatet e popullit e të Atdheut. Ishte koha dhe momentet historike, që sollën në skenën e luftës legjendare Antifashiste Nac.Çl., një patriot e strateg të tillë ushtarak si Spiro Moisiu (Kavaja) në fillimet e luftës partizane.

Sigurisht, ai ishte formuar me ndjenjat patriotike që herët në rininë e tij, në mjedisin patriotik shqiptar, në Kavajë, qytetin e tij të lindjes, në gjirin e familjes patriote Moisiu e më gjerë, në shkollat brenda e jashtë vendit, si dhe në luftra e beteja si ushtarak karriere, gjithnjë në shërbim të popullit dhe Atdheut, pavarësisht sistemeve politike që drejtonin vendin në periudha të ndryshme.

Spiro Moisiu i përket periudhave midis Rilindjes Kombëtare, që solli Pavarësinë e Shtetit Shqiptar, Monarkisë, dhe më pas, zgjimit të ndërgjegjes kombëtare për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist, ku kontributi i tij u shtri në kohë në periudhat më të vështira, që kalonte vendi ynë në fillimet e shekullit të XX-të. Pra, ai ka qenë protagonist në tre periudha të rëndësishme me vlera kombëtare për fatet e vendit:

-Periudha e monarkisë Zogolliane.

-Periudha e pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë dhe e luftës Antifashiste Nac.Çl. ku u zgjodh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe gjithë luftës partizane.

-Si dhe periudha e sistemit komunist, pas çlirimit të vendit.

Në të tri këto periudha sistemesh të ndryshme politike, ai ka shërbyer si ushtarak karriere i ushtrisë shqiptare, ka punuar e luftuar në mbrojtje të territoreve të vendit dhe të forcimit të ushtrisë sonë kombëtare. Pavarësisht sistemeve politike, populli shqiptar edhe kur s’kishte ushtrinë e tij të organizuar, ka luftuar me çeta e grupime të ndryshme patriotësh luftëtarë për lirinë e pavarësinë e vendit të tij. Edhe në kushtet e një ushtrie të organizuar, përsëri ushtarakët shqiptarë i kanë shërbyer Atdheut, gjithnjë në mbështetje të lirisë e pavarësisë së kufijve territorial të saj, të lakmuar herëpashere nga fqinjët, shovinistët grek, jugosllav dhe fashizmi italian.

Kontributi i Spiro Moisiut sipas këtyre periudhave shquhet veçanërisht:

-Në ndërtimin e drejtimin e njësive të forcave të armatosura të ushtrisë shqiptare në vitet 1921-1939.

-Si drejtues ushtarak i formacioneve luftarake dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane vullnetare Nac.Çl. në vitet e luftës partizane për çlirimin e vendit, 1942-1944.

-Dhe krijues e modernizues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare pas çlirimit të vendit në vitet 1944-1948, ku ka vazhduar në detyrën e Shefit të Shtatmadhorisë të Ushtrisë Shqiptare.

Pra, si udhëheqës dhe ushtarak i lartë me gradën Major, e më pas Gjeneral-Major i luftës Antifashiste Nac.Çl., Spiro Moisiu në karrierën e tij ka shërbyer për mbi 60 vjet, kryesisht në profilin ushtarak, ku renditet ndër figurat e pakta për jetëgjatësi në detyrat ushtarake, punë dhe kontribute në shërbim të popullit dhe të Atdheut.

Ai sfidoi me dinjitet si luftëtar, komandant e strateg në 6 luftra për mbrojtjen e trojeve e të pavarësisë së vendit. Konkretisht në vitin 1920 në luftën kundër ushtrisë sërbe, që kishte depërtuar në territoret shqiptare deri në Kaptinë të Martaneshit, ku ushtaraku i ri Spiro Moisiu, ndeshi përballjen e parë në përpjekje për të mbrojtur trojet e vendit të tij. Beteja tjetër ishte kundër forcave bjellogardiste dhe bajraktare në 1924, pranë fshatit Xibër të Matit dhe deri në shkallën e Tujanit në afërsi të Tiranës. Në vitin 1926 në luftën për shtypjen e rebelimit në zonën e Dukagjinit dhe në 1939, kundër pushtuesve fashist italian që pushtuan Shqipërinë, ku mori pjesë në rezistencën popullore në territoret e Shëngjinit, Lezhës e Shkodrës, të cilën Spiro Moisiu e përjetoi me dhimbje, pasi ushtria shqiptare që ai dhe kolegët e tij ushtarak drejtonin, nuk i doli dot për zot fateve të vendit, për shkak se Mbreti Zog dhe qeveria e tij braktisën vendin në momentet më kritike dhe u arratisën jashtë Atdheut, duke lënë popullin dhe ushtrinë në mëshirë të fatit.

Forcat ushtarake shqiptare së bashku me shumë patriotë vullnetarë, bënë rezistencën e mundshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare, por pa armë dhe municionin e nevojshëm dhe pa mbështetjen e pushtetit të mbretërisë së Zogut, që e tradhëtoi vendin e popullin e tij. Në Durrës rezistuan forcat ushtarake të komanduara nga Major Abaz Kupi, ku dha jetën dëshmori Mujo Ulqinaku, por pa sukses, ndërsa në Shëngjin, Lezhë e Shkodër, ku drejtonte Major Spiro Moisiu, rezistenca e mundshme e forcave ushtarake gjithashtu nuk e përballoi dot forcën goditëse të ushtrisë fashiste italiane, pasi në ato momente të 7 prillit 1939, Shqipëria gdhiu pa shtet dhe pa mbretëri, pasi Mbreti Zog kish marrë arratinë me qeverinë dhe suitën e tij të oborrit.

Ndërsa në 1940 në luftën italo-greke, Spiro Moisiu dha shembullin më patriotik dhe atdhetar, duke tërhequr nga fronti i luftës batalionin “Tomorri”, që drejtonte me ushtarë shqiptar, për t’iu shmangur çdo konflikti kundër popullit fqinj grek, për llogari të pushtuesve fashistë italian.

Në 1942-44, në luftën Nac.Çl., për çlirimin e Shqipërisë, Spiro Moisiu dha kontributin e tij maksimal, për organizimin dhe drejtimin e formacioneve ushtarake partizane, në detyrën e lartë të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl.

Pra, gjithë ky kalvar luftrash e betejash, e bëjnë Spiro Moisiun dëshmitar dhe protagonist aktiv në shumë ngjarje e zhvillime kryesore, që lidhen me fatet e Shqipërisë, nga viti 1920 kur ai nisi karrierën si ushtarak, e deri në fund të jetës së tij në vitin 1981 kur ai u nda nga jeta në moshën 81 vjeç. Në këtë hark kohor, ai mbajti mbi shpatullat e tij rreth 30 funksione ushtarake, shtetërore e shoqërore, që nga detyra e thjeshtë e një luftëtari patriot, e komanduesit të formacioneve të vogla ushtarake me shkallëzime të ndryshme gradash, pastaj Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl., nga korriku i vitit 1943 dhe pas çlirimit, Shtatmadhor i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare 1944-48. Njëkohësisht, Spiro Moisiu në shumë legjislatura, ka qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor dhe N/Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës Nac.Çl. të Shqipërisë. Karriera e Spiro Moisiut është e lidhur ngushtë me historinë e Ushtrisë sonë Kombëtare, artin e së cilës ai nuk e mësoi vetëm në shkolla e kurse kualifikimi, por kryesisht edhe në luftra e beteja, momentet historike e të cilave e vunë përballë që në hapat e para të karrierës së tij.

Jovan Bizhyti: Kavaja dhe familja e dëgjuar atdhetare e Moisive në fillimet e shekullit XX

Nga kjo familje kanë dalë dy personalitete: 

– Aleksandër Moisiu, artist i skenës i përmasave botërore, 

– Gjeneral Spiro Moisiu, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NA.Çl., që drejtoi luftën për çlirimin e vendit.

Shqipëria në fillimet e shekullit të XX-të, po kalonte momente të veçanta historike. Shpallja e Pavarësisë në nëntor 1912, ishte një fitore e madhe historike për ekzistencën e shtetit shqiptar, por ajo përfshinte një pjesë të territoreve jugore të Shqipërisë. Vendi ato kohë të fillimeve të luftës së Parë Botërore, qeverisej i ndarë me krahina të lokalizuara, ku në Vlorë qeveriste qeveria legjitime e Ismail Qemalit me kabinetin e saj ministror dhe ushtrinë e parë shqiptare. Në Durrës qeveriste qeveria kuislinge e Turhan Pashë Përmetit, një qeveri antishqiptare e dhunës dhe e terrorit, ndërsa në Shkodër qeveriste qeveria e detashmentit ndërkombëtar nën komandën e kolonelit britanik, Phillips.

Në këtë kuadër, Kavaja ato kohë ishte një nga qytetet e dëgjuara në Shqipërinë e Mesme, jo vetëm për zhvillimin e dukshëm të ekonomisë nëpërmjet tregtisë e zejtarisë, por ishte dhe një nyje lidhëse midis qyteteve të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Ajo qysh herët ka qenë në qendër dhe të ngjarjeve të rëndësishme historike, që lidheshin me përpjekjet për liri e pavarësi kombëtare. Në 23 nëntor 1912, Ismail Qemali kur u nis nga Durrësi për në Vlorë për shpalljen e pavarësisë, ndalesën e parë e bëri në Kavajë, ku takoi me Nën/prefektin e qytetit e parinë e patriotëve e të familjeve të shquara kavajase.

Pas këtij takimi, është për t’u theksuar akti i patriotit kavajas, Qazim Merhori, i cili i vuri në dispozicion Ismail Beut kuajt e tij të karvanit deri në Vlorë. Po ashtu, njerëz të armatosur nën komandën e atdhetarit kavajas Bajram Xhani, iu bashkuan suitës së atdhetarëve të Vlorës në atë udhëtim historik. Në 27 nëntor 1912, një ditë para shpalljes së pavarësisë në Vlorë, patriotët e Kavajës ngritën në ndërtesën dy katëshe të nën/prefekturës, Flamurin Kombëtar Shqiptar. Po atë ditë, Kavaja i telegrafoi Vlorës: “Ju bëjmë me ditë se, me ndihmën e Perëndisë, ndashti e shpalli dhe Kavaja indipendencën”. (Zydi Shehi, “Kavaja, trajtesa historike”, botim i vitit 2017).

Në pranverën e vitit 1913, u hap e para shkollë shqipe në Kavajë, ku ndër nxënësit e parë të saj, ishte dhe Spiro Moisiu. Në 25 tetor 1925, u krijua “Klubi sportiv Adriatiku”, që në 1930 u quajt “Sport Klub Kavaja” dhe vite më pas, “Klubi i futbollit Besa”, emër të cilin e mban edhe sot. Ndërsa në vitin 1931, u formua banda muzikore e qytetit, e cila nisi koncertet e para me këngët patriotike. Pra, si kudo dhe në Kavajë, nisën të lindnin rrezet e shpresës së një rilindjeje kombëtare, që zgjoi kudo ndjenja të zjarrta patriotike.

Nga fundi i shekullit të XVIII-të e fillimet e shekullit të XIX-të, erdhën në Kavajë dhe një komunitet i gjerë vllehësh (arrmen) nga Grabova, Voskopoja, Frashëri e tjera, pas djegies, grabitjes e shkatërrimit në ato anë të atij qytetërimi të lashtë mesjetar, të cilët mbushën një lagje të madhe në anën perëndimore të Kavajës, që mori emrin, lagja e “Çobenjëve”. Ata sollën në këtë qytet bashkë me arratinë dhe kapitalet e tyre, bagëtitë, tregëtinë, kulturën, e gjthçka që mbartnin nga trojet e të parëve të tyre.

Shumë herët është vendosur në Kavajë dhe fisi i Moisive, i cili sipas të dhënave gojore, por dhe të regjistrit (Kodikut) të kishës së “Shen e Premtes” në afërsi të qytetit të Kavajës, thuhet se janë vendosur aty nga fundi i shekullit të XVIII-të. Sipas Prof. Dr. Kristo Frashërit në librin “Historia e Tiranës” faqe 229, ku flitet për ndërtimin e kishës së Shën Prokopit në Tiranë, midis të tjerave ai shkruan se: “Midis të krishterëve të Tiranës dhe atyre të Kavajës, ekzistonte një lidhje e ngushtë miqësore e shpirtërore”. Kjo argumentohet nga një regjistrim në kodikun e kishës së Kavajës, që i përket vitit 1796. Sipas Prof. Kristo Frashërit, aty përmendet se: “Për kishën e Shën Prokopit të Tiranës, Haxhi Moisiu (nga Moisitë e Kavajës) dhuroi 1600 aspra për ndërtimin e saj”. Pra, në këtë kohë fisi Moisiu jetonte në Kavajë dhe ishin me gjendje të mirë ekonomike. Sidoqoftë, ata janë vendosur në Kavajë disa breza më parë, duke u asimiluar me banorët vendas. Ky fis i madh i Moisive, ishin me lidhje shumë të afërta gjaku midis tyre.

Kështu me lidhje gjaku të afërt ka qenë dhe artisti me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Ai ka qenë i biri i Moisi Moisiut, kurse Spiro Moisiu ka qenë i biri i Theodhor dhe Ana Moisiut. Sipas pemës gjenealogjike të familjes Moisiu, nxjerr nga Prof. Vangjel Moisiu, del që i pari i këtij trungu të Moisive, ka qenë Themistokli Moisiu me dy djemtë e tij, Kostandini dhe Grigor Moisiu. Kostandini kishte djalë, Moisi Moisiun, babai i Aleksandër Moisiut, kurse Grigori, kishte djalë Theodhor Moisiun, babai i Spiro Moisiut. Pra, nga kjo pemë e këtij trungu, del se Aleksandër Moisiu dhe Spiro Moisiu ishin kushërinj të dytë. Pra, gjak shumë i afërt midis tyre. Sipas dokumenteve historike, artisti Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste të Italisë në vitin 1879 ku kish emigruar i ati, ndërsa Spiro Moisiu ka lindur në Kavajë në 5 maj të vitit 1900. (AQSH, sipas çertifikatës së lindjes).

Babai i Aleksandër Moisiut, Moisi Moisiu, ishte shqiptar i lindur në Kavajë dhe emigruar në Itali, ndërsa e ëma ishte italiane nga Trieste. Aleksandri erdhi në Durrës dhe në Kavajë në vendlindjen e babait në moshën 6 vjeçare, aty nisi për herë të parë dhe shkollën, ku mësoi shkrim e këndim në gjuhën greke e shqipe. U largua nga Kavaja për në Trieste në moshën 10 vjeçare, duke marrë me vete dhe mbresat, mallin e dashurinë për vendin e të parëve të tij. Gazeta “Vatra”, maj 1934, citon një shprehje mbresëlënëse të Aleksandër Moisiut për qytetin e tij të prejardhjes, Kavajën:

-“Rrugët e ngushta të Kavajës, akoma i kam parasysh…Më mori malli…kam qejf të madh të kthehem në Shqipëri”!

Aleksandër Moisiu në moshën 19 vjeçare shkoi në Vjenë, ku spikati me talentin e tij dhe kjo bëri që t’i përkushtohej aktrimit. Në fillim u shqua me role të vogla teatri, pastaj mori famë me role kryesore si, Hamleti, Edipi, Jedermani, roli i Fedjas në veprën “Kufoma e gjallë” e Leon Tolstoit e tjera. Ai vlerësohej shumë nga publiku, për shkak të zërit të tij të spikatur skenik, si dhe për interpretimet emocionale. Shumë shpejt u bë artist i njohur dhe vlerësohej si një nga aktorët e mëdhenj në hapësirën gjermanisht-folëse, e më pas në shkallë botërore.

Këtë artist të madh, janë përpjekur ta përvehtësojnë shumë shtete europiane. Përpjekje kanë bërë, Austria, Gjermania, ndërsa Italia i dha nënshtetësi në momentet e fundit të jetës në vitin 1935. Nënshtetësinë shqiptare, ia kish dhënë sipas kërkesës së tij dhe Mbretëria Shqiptare, që në vitin 1934. Por sipas dokumenteve të kahershme, rezulton që dhe Princ Vidi, ia kish dhënë dokumentin e nënshtetësisë shqiptare, që në vitin 1914, sipas kërkesës së tij, shoqëruar nga një deklaratë domethënëse, ku midis të tjerave, Aleksandër Moisiu thotë:

-“Gjaku im i përket origjinës shqiptare dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit. T’i shikosh shqiptarët në jetë, duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shndërrohet në fuqi luani, e s’ka zot që i mban, nëse dikush i prek në sedër dhe në të drejtat e tyre”. (Libri për jetën e Aleksandër Moisiun, Tiranë, botim i vitit 2019).

Dega tjetër e Moisive, i ati i Spiros, Theodhor Moisiu, jetonte në Kavajë dhe ka qenë njeri përparimtar dhe patriot. Ishte me kulturë, zotëronte 3 gjuhë të huaja, italisht, greqisht dhe turqisht. Merrej kryesisht me tregti. Eshtë vrarë pabesisht në vitet e rrebelimit të lëvizjeve fshatare të Haxhi Qamilit në 1913 gjatë rrugës për në Durrës, duke lënë jetim tre djem e një vajzë: Milton, djali i madh, Spiron, djali i dytë 14 vjeç dhe Jani, djali më i vogël, si dhe vajzën, Evanthi Moisiu.

Në luftën NA.Çl. për çlirimin e Atdheut, Kavaja ka qenë një nga vatrat e rëndësishme të kësaj lufte, që nxori në radhët e luftëtarëve rreth 800 partizanë, nga të cilët ranë në fushën e betejës 70 dëshmorë, që derdhën gjakun për çlirimin e vendit. Njëkohësisht, Kavaja i dha luftës NA.Çl. dhe Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane, Gjeneral-Major Spiro Moisiun, një nga bijtë e saj të shquar patriot e atdhetar. Pra, fisi i Moisive të Kavajës, u shqua me këta dy personalitete, njeri në fushën e artit e kulturës, aktorin me famë botërore, Aleksandër Moisiu dhe tjetri në fushën e strategjisë ushtarake, që u vu në krye të ushtrisë partizane NA.Çl. në luftën e Dytë Botërore, ndaj një armiku të egër ndërkombëtar, siç ishte nazi-fashizmi, dhe me ushtrinë tonë heroike i sollën vendit lirinë e pavarësinë e shumëpritur.

Pikërisht, në këtë ambjent qytetarie e patriotizmi të Kavajës, lindi e kaloi fëmijërinë Spiro Moisiu. Shkollën fillore dhe atë unike ndërqytetëse e kreu në Kavajë e Durrës. Shqipëria po kalonte situata të vështira në ato vite të fillimit të luftës së Parë Botërore. Në këto kushte, fuqitë e mëdha të Europës, ngarkuan qeveritë Austro-Hungareze dhe Italiane, të caktonin në Shqipëri një Princ të huaj, që ishte majori Princ Vidi me origjinë gjermane. Dhe ky Princ, në rolin e Mbretit, erdhi në Shqipëri në 7 mars deri në 3 shtator të vitit 1914. Princ Vidi, i emëruar nga fuqitë e mëdha si Mbret i Shqipërisë u vendos me qendër në Durrës. (Marenglen Kasmit, “Princ Vidi dhe Shqipëria në arkivat gjermane”, gazeta “Dita”, 7 mars 2019).

Gjatë kësaj periudhe të shkurtër në Shqipëri, Princ Vidi në pranverën e vitit 1914, kreu një vizitë në qytetin e Kavajës, ku midis premtimeve që dha, vendosi që 20 djem nga Kavaja e Durrësi, që kishin dalë me rezultate të mira në shkollë, të dërgoheshin për studime të mesme në Austri. Një nga këta nxënës ishte dhe Spiro Moisiu. Në vitet 1914-18, ai kreu studimet e mesme në Vels të Austrisë. Studimet i përfundoi me rezultate shumë të mira. Dëshira e tij ishte të vazhdonte karrierën si ushtarak. Ishte periudha kur sapo kish përfunduar Lufta e Parë Botërore, kur Shqipëria e varfër dhe e shkatërruar nga pushtimet e njëpasnjëshme, nuk kishte ende një shtet të konsoliduar, ku mbizotëronte kudo anarkia feudale. Në këto kushte, Spiro Moisiu u mobilizua në Xhandarmëri, sepse nuk kishte ende ushtri shqiptare.

Në janar 1920, ushtaraku i ri Spiro Moisiu, u rreshtua në ushtrinë e qeverisë të dalë nga Kongresi Historik i Lushnjes me Kryeministër Sulejman Delvinën dhe mori pjesë me forcat e mbrojtjes së Kongresit. Ndërsa në qershorin e vitit 1924, u rreshtua me forcat demokratike të Revolucionit Demokratik të Qershorit nën udhëheqjen e Fan Nolit për rrëzimin e monarkisë Zogolliane. Mbas rikthimit të Ahmet Zogut sërish në pushtet, duke përfituar nga ligji i amnistisë, Spiro Moisiu u mobilizua në radhët e ushtrisë së monarkisë.

Kur Italia fashiste kreu agresionin pushtues ndaj Shqipërisë në 7 prill 1939, Major Spiro Moisiu shërbente në detyrën e komandantit të kufirit në prefekturën e Shkodrës. Forcat mbrojtëse të monarkisë të tradhëtuara nga kreu i vendit, Mbreti Ahmet Zogu, që u arratis jashtë shtetit, duke lënë popullin dhe ushtrinë në mëshirë të fatit, nuk i rezistuan dot këtij invazioni luftarak të ushtrisë fashiste italiane. Dhe ato përpjekje që u bënë si në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe në Shëngjin e Shkodër ku drejtonte Spiro Moisiu, dështuan. Edhe pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, Major Spiro Moisiu mbeti sërish në radhët e ushtrisë, pasi ishte nga të paktët ushtarakë me gradë të lartë dhe Italia kishte nevojë për drejtimin e ushtrisë shqiptare.

Në këtë periudhë të gjatë dhe të vështirë, Major Spiro Moisiu ngjiti shkallët e karrierës me shumë pengesa e vështirësi, jo më pak dhe me rreziqe për jetën e tij. Në kapërcimin e këtyre pengesave e vështirësive, ndikuan më së miri aftësitë e tij ushtarake, pjekuria dhe patriotizmi i flaktë ndaj Atdheut, si dhe karakteri burrëror e i paepur si personalitet ushtarak. Ai, veçanërisht në luftën italo-greke, mori parasysh edhe jetën e tij për të mos u bërë vegël qorre e fashizmit, që kërkonte ta bënte Shqipërinë mish për top në shërbim të saj, për ta hedhur popullin shqiptarë në hasmëri me fqinjët e tij të Ballkanit. Ndaj atdhetari Spiro Moisiu, kreu aktin më sublim, duke tërhequr batalionin “Tomorri”, që drejtonte nga fronti i luftës, dhe mori parasysh çdo pasojë e dënim që ranë mbi të.

Në vitet 1927-28 kur shërbente në ushtri në qytetin e Shkodrës, Spiro Moisiu krijoi familjen e tij të re. Miqësia u lidh me familjen Druga, vlleh me origjinë nga Voskopoja dhe me banim në Kavajë. Bashkëshortja, Aspasia, ishte vajza e Kostandin Drugës. Pra, e gjithë familja i kishte rrënjët në Kavajë. Kostandin Druga ishte një burrë i zgjuar e me kulturë, që bënte pjesë në Këshillin e Kryepleqësisë pranë Bashkisë së qytetit, siç administrohej në ato kohë. Familja Druga ishte familje patriotësh. Djali i madh, Vasil Druga, kishte studiuar në shkollën e Zosimeas të Janinës dhe në vitin 1924 u përfshi në lëvizjen patriotike të shoqërisë “Bashkimi”, drejtuar nga patrioti Avni Rustemi, ku një degë e saj u ngrit dhe në qytetin e Kavajës, me sekretar Vasil Drugën, kunati i Spiro Moisiut.

Aspasi Druga ishte një grua e urtë, punëtore, shtëpiake nikoqire dhe shumë besnike, që e ndoqi bashkëshortin e saj Spiro Moisiun pas gjithë jetën, kudo ku ai punoi e luftoi. Familja e tij përballoi dhe dhunën e persekucionin nga nazi-fashizmi dhe bashkëpuntorët e tyre. Bashkëshortja Aspasia, së bashku me fëmijët që ishin në moshë minorene, në periudhën e luftës NA.Çl. përballoi vështirësitë dhe një pjesë të jetës në ilegalitet në krahina të ndryshme të vendit. Kishin 3 fëmijë, dy djem, Alfredin dhe Arqilean, si dhe vajzën Jolanda. Spiro Moisiu vërtetë ishte nga Kavaja, por jeta e tij kaloi mes dallgësh e vështirësish në çdo cep të vendit, ndaj mund të themi pa mëdyshje, se Spiro Moisiu i përket çdo krahine, i përket gjithë Shqipërisë.

Spiro Moisiu gjithë jetën ia kushtoi ushtrisë dhe çështjes kombëtare. Momentet historike, që po kalonte vendi, e gjetën atë në frontin ballor që kërkonin fatet e Atdheut, ku ai megjithëse në moshë të re, shpalosi me guxim karakterin dhe ndjenjat e tij të larta patriotike. Ngjarjet e mëdha që kaloi vendi në çerekun e parë të shekullit të XX-të, ishin vendimtare për fatet e Kombit, ku Spiro Moisiut i takoi fati të ishte protagonist aktiv në të gjitha momentet e ngjarjet historike që kaloi vendi, veçanërisht vitet 1942-44, ku ai u vu në krye të kësaj beteje të madhe, që çoi në fitoren përfundimtare, çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Sigurisht, këtë rol e solli koha dhe momenti historik, ku ai në rradhë të parë i shërbeu Kombit e vendit të vet, i shërbeu vullnetit të popullit të tij për çlirim kombëtar, e për një Shqipëri të lirë e demokratike. Dhe në këtë luftë, Spiro Moisiu shpalosi formimin intelektual, patriotik e atdhetar të tij, shpalosi përvojën e aftësitë e tij profesionale ushtarake, duke justifikuar përgjegjësinë e madhe që mori mbi vete. Ai asnjëherë nuk luftoi për interesa karriere, e nuk kërkoi poste e ofiqe politike apo ushtarake, asnjëherë nuk shprehu ambicje për karrierë e grada hierarkike. Përgjegjësinë për drejtimin e luftës ia ngarkoi populli, partizanët, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist NA.Çl. Dhe, si gjatë luftës, por veçanërisht pas çlirimit të vendit, ai asnjëherë nuk shprehu kundërshti e pakënaqësi për qëndrimet, deri dhe intrigatm që e ndoqën pas në karrierën e tij, qoftë dhe kur e nxorën në “pension” në moshën 48 vjeçare!

Pra, në karakterin e tij ishin brumosur virtyte të veçanta njerëzore si, besnikëria, durimi, ndershmëria dhe urtësia në shkallën më të lartë. Madje këto dy të fundit, ishin arma e tij më e fortë, që e mbrojtën dhe e shpëtuan nga intrigat dhe skenarët ogurzinjë, që përfshin shumë nga gjeneralët e ushtarakët e tjerë të lartë dhe s’ish çudi që ajo valë goditëse mund të kish përfshirë dhe Gjeneral Moisiun! Por atë nuk e ruajti askush, asnjë lloj “miku” e “shoku”, miku i vërtetë ishte vetvetja, e ruajti ndershmëria, besnikëria, pastërtia morale dhe urtësia e shkallës së lartë pa egoizëm që e karakterizonte.

Një fjalë e urtë e popullit thotë se,“Goja nuk duhet të dalë para mendjes”. Spiro Moisiu ishte nga ata burra, që mendohej shumë përpara se ta nxirrte fjalën nga goja. Kjo bënte që njerëzit që e kanë njohur, ta cilësonin njeri që fliste pak, por fjala i peshonte, i zinte vend. Kur ai nxirrte nga goja shpesh fjalën, “Babë”, kjo ishte sinonim i fjalës dashamirëse, përkëdhelëse, që përpiqej të bënte për vete njerëzit, jo me fraza të gjata moralizuese, jo me llafollogji, por me një gjuhë popullore të ngrohtë, që të bënte ta doje e ta respektoje si prind.

Veçanërisht në ushtri, personalitete të tillë dashamirës e popullorë, jo vetëm krijojnë respekt e afrimitet tek njerëzit, por ndikojnë dhe në rritjen e besimit të masave tek drejtuesi, tek komandanti, që i frymëzon në aksione e beteja fitimtare. Dhe kjo ka qenë një nga arritjet që kishte Gjeneral Spiro Moisiu, i cili kudo ku punoi e luftoi, i bënte njerëzit për vete, fjala dhe urdhëri i tij i mobilizonte ushtarët për të kryer me angazhim maksimal, pa mëdyshje detyrat luftarake, si në marshimet e gjata e të vështira dhe në betejat e përgjakshme luftarake.

Për këtë familje të madhe atdhetare, siç ishte familja Moisiu, që nxori nga gjiri i saj dy liderë të shquar, Aleksandrin dhe Spiro Moisiun, është bërë pak për të nxjerrë në pah vlerat e saj. Pavarësisht se Aleksandër Moisiu, kontriboi jashtë vendit, por emri dhe qenia e tij shqiptar, pjesë e familjes atdhetare të Moisive, emri dhe vepra e tij, i ka bërë nder jo vetëm fisit Moisiu, Kavajës ku qëndrojnë rrënjët e tij, por dhe gjithë Shqipërisë si Atdheu mëmë. Po ashtu dhe Spiro Moisiu, Gjenerali i luftrave për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe veçanërisht Komandanti i Shtabit të luftës heroike Antifashiste NA.Çl., s’mjaftojnë shkrimet në libra e gazeta, por nuk ka një muze në qytetin e Kavajës për veprimtarinë patriotike të kësaj familje të madhe atdhetare, për jetën dhe aktivitetin e këtyre dy personaliteteve të dalë nga gjiri i familjes Moisiu, që i kanë dhënë aq shumë Shqipërisë me emrin, personalitetin dhe me kontributin për lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar.

Kështu janë liderët popullorë, kështu janë trimat e heronjtë e luftës, i lënë nderin vendit ku lindin, por i japin lavdinë gjithë popullit, gjithë Atdheut. Spiro Moisiu kudo ku punoi dhe luftoi, mori me vete dhe diçka nga Kavaja, sa që ia bashkëngjitën dhe në mbiemër, duke i thënë shpesh, “Spiro Kavaja”.