Si u elektrifikua Skrapari dhe si u ndërtua Uzina e Armëve e Poliçanit

2260
Agron MEMA
Flet inxhinier Mane Alikaj në librin e tij me kujtime
Inxhinier Mane Alikaj është nga Çorraj i Sarandës dhe ka mbrojtur gradën Doktor shkencash dhe i nderuar me një sërë çmimesh. Është autor i 15 botimeve shkencore, memoriesh, letrare dhe profesionale. Është projektuesi dhe realizuesi i elektrifikimit të rrethit të Skraparit dhe ka dhënë kontribut të shquar, kontribut i vlerësuar me “Urdhrin në shërbim të fushës së Mbrojtjes” duke qenë inxhinier i uzinës së Poliçanit. Shkëputëm disa kujtime nga libri “Nëpër udhët e jetës”, ku sillen kujtime nga jeta dhe puna në Uzinën e Armëve në Poliçan dhe elektrifikimit të rrethit të Skraparit
Në Poliçan
Poliçani, administrativisht, në atë kohë ishte i Beratit. Ishte një fshat që emrin kishte të tillë, por ishte kaq i vogël e i shpërndarë sa mund ta quajmë fshat. Dy-tri shtëpi në një vend, fjala vjen në Plirës, e dy-tri të tjera në Kalluc apo Pronovik. E këtu,në këtë vend, afër malit të Tomorit, në krahun perëndimor të tij, rreth e rrotull një kodre, që zgjateshin poshtë deri në lumë të Osumit, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, u ndërtua Uzina Mekanike e Poliçanit, me ndihmën e Republikës Popullore të Kinës. Uzina (kështu ishte emërtuar në fillim, por ajo në fakt ishte kombinat dhe me ca shtesa të viteve shtatëdhjetë, ajo e mori këtë emër), ishte ndërtuar në tri zona të veçanta, futur në gryka, që nuk e shikonin njëra-tjetrën, të emërtuara: zona A, B, C. Këto tri zona, ishin zonat më kryesore të prodhimit. Kishte dhe dy zona të tjera sekondare. Zona F, një zonë balistike, matjesh dhe provash eksperimentale, ndërtuar në anën perëndimore të kodrës, midis zonave B dhe C, mu në buzë të lumit Osum, dhe Zona D, shumë larg prej këtyre në Poliçan. Zona D është ndërtuar në një grykë në afërsi të Kapinovës. Në këtë zonë ishin ndërtuar depo për barut e municion. Çdo ndërtesë e tillë, rrethohej me diga dheu deri në nivelin e çatisë. I gjithë ky kompleks ndërtimesh, shërbente për prodhimin e municioneve luftarake. Aty prodhoheshin fishekë, bomba dore, difensive e ofensive, predha mortajash, mina kundërtank dhe fishekzjarrë. Zona A ishte më e madhja. Atje ishte baza mekanike e prodhimit dhe e remontit, repartet e përpunimit termik, të galvanizimit, fonderia e shkrirjes së gizës, furra e çelikut, kovaçhana, kaldaja, centrali diezel, nënstacioni 35/6 K, laboratori qendror, reparti zjarrfikës, zdrukthëtaria, parku i transportit, administrata, mensa, depo materialesh e anekse të tjera. Në këtë zonë del prodhimi i gatshëm i fishekëve. Zona B ishte më e mbledhur. Një mjedis kimik me rrezik të madh eksplozioni. Në këtë zonë bëhej përpunimi i tritolit, mbushja me të dhe dalja prodhim i gatshëm i bombave dhe predhave të mortajave. Zona C, në një territor më të gjerë, gjithashtu një zonë me rrezik të madh zjarri dhe eksplozioni. Aty përpunohet baruti për fishekët. Në vitin 1970, në këtë zonë u ndërtuan edhe repartet shtesë për prodhimin e minave kundërtank dhe fishekzjarrëve. Ja pra, në këtë ndërmarrje të madhe industriale, për prodhime ushtarake, isha emëruar të punoja unë, një inxhinier i ri i sapodiplomuar. U paraqita atje më 07 shtator 1967. Nga ana profesionale ishte fat të punoje në këtë kombinat. Natyrisht po të ishe i përkushtuar të mësoje sa më shumë. Në atë kohë, në vendin tonë, nuk mund të gjeje një ndërmarrje industriale të tillë, që të përfshinte një fushë aq të gjerë të aplikimeve të specialiteteve elektrike. Për ç’do lëndë që kishim trajtuar teorikisht në universitet, atje gjeta zbatimin praktik. Në arshivë gjendeshin të gjitha projektet e ndërtim-montimit dhe pasaportat e pajisjeve, makinerive, aparaturave matës e komandues. Në Poliçan më priti kolegu im, inxhinier Thoma Greveni, i cili kishte mbaruar dy vjet para meje. Edhe Thomai, edhe unë, kishim bërë të njëjtën rrugë shkollimi. Nga punëtorë elektricistë, në shkollën e mesme dyvjeçare të punëtorë që kishin mbaruar në Politeknikumin “7 Nëntori”, në universitet dhe njëri pas tjetrit përfunduam në Poliçan. Thomai më njohu me shtrirjen e uzinës në të gjitha zonat, me repartet e punës e të prodhimit në ç’do zonë, me nënstacionin elektrik e rrjetet shpërndarëse të tensionit të lartë e të ulët, ajrore e kabllore të furnizimit me energji elektrike, si dhe me rrjetat e tjera inxhinierie të furnizimit me ujë me ujë e avull, kanalizime etj. Thomai ishte i martuar e me fëmijë dhe jetonte atje familjarisht. Unë, si beqar, zura vend në ndërtesën dy-katëshe prej guri të teknikëve dhe inxhinierëve beqarë, në dhomën e katit të dytë me teknikun elektrik Llazar Londo, i cili ato ditë u bë drejtor kuadri. Në dhomën karshi banonin dy inxhinierë ndërtimi të cilët nga dita në ditë prisnin transferimin, pasi ndërtimi kishte mbaruar punë me uzinën. Me njërin prej tyre, inxhinier Sherif Alisinani loznim shah darkave, pinim edhe nga një gotë raki nga damixhana i Sheros. Ndërtesat e banimit për punëtorët e uzinës ishin shumë të shpërndara, që nga Mbrakulla në drejtim të veriut të uzinës e deri në Pronovik në drejtim të jugut. Në qendër të Poliçanit kishte vetëm 6 a 7 ndërtesa dy-tre katëshe dhe një mensë punëtorësh. Për të shkuar aty duhej të çaje baltën me çizme. Punëtorët mblidheshin e shpërndaheshin me autobusë. Kjo shpërndarje e pakuptimtë e banesave , ishte bërë me arsyetimin që të mos kuptohej e zbulohej nga armiku se këtu qenka bërë qendër e rëndësishme industriale, fabrikat e prodhimit të municioneve, por të dukeshin thjeshtë si banesa kooperativiste. Koha e la pas këtë mendim e veprim të pabazuar, jo vetëm strategjik, por edhe ekonomik e social dhe brenda dy-tre viteve, sheshi në qendër të Poliçanit, u mbush me pallate banimi dhe objekte social-kulturore. Qyteti i Poliçanit arriti pikun e 7-8 mijë banorëve, ndërsa numri i punonjësve arriti deri në 5 mijë. Me sa më kujtohet, në vitin 1968, kombinati kimiko-mekanik, e bashkë me të edhe qyteti i Poliçanit e dy-tri fshatra rreth tij, që deri atëherë ishin të rrethit të Beratit, me vendim nga lart, i kaloi rrethit të Skraparit. Arsyetimi ishte se rrethi i Skraparit nuk kishte industri, nuk kishte klasë punëtore që të gërshetohej me fshatarësinë kooperativiste, pra për t’i dhënë një shtytje, një zhvillim kësaj krahine. Bashkë me kombinatin, në varësi të rrethit të Skraparit kaloi edhe personeli inxhiniero-teknik. Poliçani u bë qyteti i dytë i Skraparit. Në sektorin elektrik kishim rreth 70-80 elektricistë. Dy prej tyre ishin teknikë të mesëm. Me këtë kontingjent mbulonim mirëmbajtjen, shfrytëzimin dhe remontin elektrik të uzinës në të gjitha zonat. Shumica e elektricistëve ishin djem e vajza të fshatrave Berat-Skrapar, të pa kualifikuar, fillestarë, por të etur për të mësuar e kualifikuar. Në këto kushte, në Poliçan, u hap shkolla e ulët profesionale dyvjeçare për punëtorët pa shkëputje nga puna, për specialistët elektrikë dhe kimikë. Të gjitha lëndët e zanatit zhvilloheshin nga inxhinierët e uzinës. Me mbarimin e këtij cikli të ulët dy vjeçar, në Poliçan u hap shkolla e mesme profesionale katërvjeçare për punëtorët pa shkëputje nga puna. Niveli teknik i punëtorëve tashmë ishte rritur shumë. Shkolla e mesme profesionale katërvjeçare ishte hapur edhe për nxënësit e ditës. Punën në uzinë e fillova me pagesën mujore 710 lekë. Mbi rrogën bazë merrja edhe 20% vështirësi. Dy vite më vonë rroga bazë mu bë 750 lekë+20%. Në shkollë jepja mësim 10-12 orë në javë dhe paguhesha 6 lekë ora. Vullneti për punë nuk më mungonte, por edhe mundësitë për të ecur përpara në zanat, ishin të mëdha. Në repartin e madh të remontit kishim aneksin elektrik të avolzhimit. Atje gjeta edhe shoqen time, tekniken e mesme Irini Zhamo që kishim mbaruar bashkë politeknikumin”7 Nëntori” e cila tashmë ishte e martuar e me fëmijë. Ajo u gëzua shumë që i vajti inxhinier një shok i klasës e do punonim bashkë. Në atë repart u prodhua edhe motori asinkron trefazor 4.5 KW, 380 v për nevoja të ekonomisë. Mbrojtje diplome në universitet kisha pasur projektimin e motorit asinkron trefazor 2.8 Kw,380v. Me të njëjtën stampë për prerjen e fletëve të çelikut, të prodhonim edhe një standard më lart, 4.5 Kw, ose një standard më poshtë, 2.8 Kw, gjë që u realizua në praktikë në këtë uzinë. Me elektro-motorët që prodhonim tani në uzinë dhe që prodhimi i tyre arriti deri në 40 copë në muaj, pajisnim grirëset e silazhit për bujqësinë dhe vinçat pirun që përdoreshin në ndërtim. Por u jepeshin edhe ekonomive të tjera. Jeta në provinca, krahas vështirësive, izolimit, ka edhe anë shumë të mira, të lidhjeve shoqërore. Në Poliçan, kuadrot e lartë e të mesëm ishin nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm ne që punonim në uzinë, por edhe arsimtarë, kuadro të administratës së qytetit, të tregtisë, ushtarakë e të tjerë, që ishim miqësuar shumë. Kam nostalgji për shoqërinë e atyre viteve në Poliçan.

Aksion kombëtar për elektrifikimin e gjithë fshatrave të Republikës.
Gjatë viteve 1967-1970, krahas detyrës si inxhinier i kombinatit, mu ngarkuan detyra për elektrifikimin e fshatrave të kësaj zone. Fillimisht, kjo punë, nisi me kërkesën e disa fshatrave afër uzinës, si Zgërbonjës, Bargullas, Novaj, Nishovë, Kapinovë, dhe gatishmërinë që tregoi uzina për t’i ndihmuar. Ndihma që u dha uzina ishte e madhe, jo vetëm me specialistë, por edhe gati me të gjitha materialet e nevojshme si shtylla, tela përcjellës, traversa, ganxha, izolatorë, pajisjet e brendshme të izolatorëve të kabinave të transformacionit, që kishin mbetur nga ndërtimi, dhe të gjitha falas.. Por kjo punë me iniciativë nga uzina nuk vazhdoi gjatë sepse në vitin 1968 doli Vendim Qeverie për Elektrifikimin e gjithë Shqipërisë dhe na vunë detyra shtetërore të planifikuara. Rrethi i Skraparit në atë kohë ishte shumë i varfër, kishte nevojë për ndihmë, prandaj ju dha në patronazh Beratit. Në një mbledhje të përbashkët të kuadrove drejtuese të dy rretheve, u krijua Shtabi Qendror i Elektrifikimit. Kryetar i Shtabit u caktua nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Beratit, Kola Stavri. Nënkryetar i këtij Shtabi për rrethin e Skraparit u caktova unë. Shtabe të tilla elektrifikimi u caktuan në të gjitha ndërmarrjet ekonomike me drejtime e me detyra të caktuara. Në funksion të kësaj detyre, unë shkela me këmbë rrethin e Skraparit, bëra rikonjikcionin sipas drejtimeve të katër lokaliteteve që kishte Skrapari. Lokaliteti i Therepelit, i Çepanit, i Potomit dhe i Gjerbësit. Nga kjo njohje në terren, duke pasur parasysh distancat relativisht të gjata, kriteret teknike, anën ekonomike, humbjet e lejuara të tensionit, hartova rrjetin shpërndarës të tensionit të lartë nga qendra në Çorovodë, në drejtimet periferike sipas lokaliteteve me tension 10 kv.( jo me 6 kv). Këtë projekt e paraqita dhe e mbrojta në Drejtorinë e Ekonomisë Komunale, në Këshillin Teknik të sajë, ku u diskutua dhe u miratua plotësisht. Duke u bazuar në këtë projekt-ide, bëra preventivin paraprak të materialeve të nevojshme për ndërtimin e këtyre linjave të TN 10 kv dhe e dorëzova në Komitetin Ekzekutiv të rrethit për ta përcjellë në Drejtorinë Ekonomike Komunale prej nga do të planifikoheshin dhe, pjesë –pjesë, do të tërhiqeshin materialet. Nuk e harroj as sot udhëtimin tim në këmbë nga Çorovoda në Tomorricë. Ishte janar. Bora kishte zbritur deri në lumin e Osumit. Nuk kisha kohë të prisja në hotelin e Çorovodës, (i ftohtë akull), deri sa të përmirësohej moti. Kisha shumë punë për të bërë. Që në mëngjes nisem për në Gjerbës, i shoqëruar nga një përfaqësues i Komitetit Ekzekutiv dhe një gjeometër, emrat e tyre nuk më kujtohen. E gjithë rruga ishte e mbuluar me borë, por sa më lartë ngjiteshim , aq më e trashë bëhej. Kur arritëm sipër , në fshatin Radesh, bora na erdhi në mes të kërcirit. Ndaluam në qendër të fshatit, në zyrën e kryetarit të kooperativës. Edhe mensa ishte aty ngjitur. Kishte vetëm kos dhe vezë. Porosita tri vezë të skuqura dhe dopio kos. Rakia e rrushit që na nxori kryetari na solli në vete. Me gotat e vogla, që zakonisht mbanin skrapallinjtë, piva tetë të tilla brenda disa minutave. Kjo më bëri që qafën e Devrisë, ku bora na arriti në gju, ta kaloja gjithë energji, pa e ndier të ftohtin. Me kalimin e Devrisë, na kaloi dhe dita, nuk do të arrinim dot në Gjerbës dhe u kthyem të kalonim natën në fshatin Mëlovë, pak nën rrugë. Bujtëm në familjen e Zenel Kalemit, të cilin unë e njihja se punonte mekanik automjetesh në Poliçan. Mishi pastërma me fasule, byreku që dukej sikur e kishte zënë bora dhe rakia e rrushit 20 gradë, shkurt mikpritja skrapariote, bënë që ta kalonim këndshëm atë natë janari me borë në Mëlovë të Tomorricës. Nga ky fshat ishte dhe këngëtari i famshëm popullor Demir Zykaj. E kush nuk e ka dëgjuar zërin e tij brilant, sidomos me këngën “Mbeçë , more shokë, mbeçë…”. Tomorrica m’u shfaq me një pamje madhështore. Një luginë e madhe, shumë e gjatë, por edhe e gjerë, në lartësi midis malesh, mesin e së cilës e përshkon lumi i Tomorricës që formohet nga burime ujore malore, sidomos ato të Zaloshnjës dhe nga ujëmbledhës të përrenjve e rrëkeve, rrjedh në drejtim të veriut ku derdhet në Gramsh në lumin e Devollit. E gjithë Tomorrica, tej e përkëtej, nga të dy krahët, në këtë janar me reshje bore, duket sikur është mbuluar me një vello të bardhë. Fshatrat , të mbuluara me borë, që ndjekin njëri –tjetrin në këto rrafshnalta, nga të dy anët mund ti dalloje nga tymi i oxhakut të shtëpive. …I dhënë pas këtij peizazhi të bardhë pa fund, po e harroja lodhjen dhe të ftohtin pa fund. Në Gjerbës na priti Nesimi, kryetari i lokalitetit i cili më vuri në dispozicion një kalë për të shkuar në të gjitha fshatrat e Tomorricës, sipas planit që parashikoja të realizoja. Hipur në kalë, nuk qëndroje dot gjatë nga të ftohtit, por sidoqoftë na ndihmonte edhe për tu ç’lodhur, edhe për të çarë borën. Nga Gjerbësi vazhdova drejtimin e fshatrave të asaj ane, Gërdec, Turbohovë, Tërnovë, në kufi me Gramshin. Me vete, në çantë, kisha hartat topografike të asaj zone, mbi të cilat shënoja drejtimin e linjës elektrike të TN nga mund të kaloja. Në darkë u ktheva në Gjerbës, zura vend në hotel, një ndërtesë dy-katëshe, lart nja tri-katër dhoma fjetjeje dhe poshtë kuzhina dhe mensa. Hoteli ishte pa ngrohje, kuptohet sa ftohtë. Nuk kishte njeri në hotel, përveç neve të tre. E kush do shkonte në Gjerbësin e mbuluar me borë në palcë të dimrit? Të nesërmen në mëngjes, kalova lumin dhe u hodha në Dobrenjë dhe i mora me radhë të gjitha fshatrat e anës lindore të Tomorricës; Dobrenjë, Slatinjë, Çorrotat, Kovaçanjë, Gurazezë… Mbasi përfundova projekt-idenë e rrjetit të elektrik shpërndarës të TN 10 kv. Për gjithë rrethin e Skraparit, ose siç i quajtëm; fiderat që do dalin nga nënstacioni 35/10 kv. Që do të ndërtohej në Çorovodë, sipas drejtimeve që përmenda më lart, kalova në fazën e dytë; përcaktimin e kabinave të transformacionit 10/04 kv. Dhe rrjetin elektrik shpërndarës të TU 380/220 v brenda përbrenda fshatit, nga kabina deri në hyrje të çdo shtëpie. Kalimi i Poliçanit nga Berati në Skrapar, ishte ndihmë e madhe për Skraparin. Tani uzina ishte në varësi të tyre…
Sigal