Isa Halilaj/ Rustem Musa Domi, partizani trim i luftës për liri dhe misionar i arsimit

1443
Sigal

Normalisti nga Kukësi, ndonëse mbeti invalid në beteja, luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e  vendit

*Studiues   

  Viti 2014 është i 70-ti vit që Shqipëria jeton në liri e  në prosperitetin demokratik  të saj. Në këtë vit jubilar përkujtohet është e gjallë në memorien e njerëzve lufta çlirimtare kundër pushtimit fashist e nazist në të cilën u përfshinë të gjitha moshat, sidomos rinia dhe të gjitha krahinat nga Jugu në Veri, që me gjak e sakrifica sollën lirinë që gëzojmë sot. Në këtë luftë çlirimtare u përfshi edhe Luma- Kukësi, bijtë dhe bijat e së cilës u bënë pjesë e formacioneve partizane. Luma pati Çetë e Batalion Partizan dhe Brigadën Partizane të 24-s, që morën pjesë me heroizëm në luftën çlirimtare jo vetëm në Verilindje po edhe në Tiranë, Fushë- Krujë, Milot, Lezhë, Shkodër, Tivar e në Malësinë e Madhe. 121 dëshmorë ranë në luftë në lulen e rinisë dhe shumë u plagosën, duke përzier gjakun e tyre me anë të dëshmorëve dhe si partizanë invalid me status të veçantë, vazhduan betejën e rindërtimit e atë të ndërtimit të vendit. Rastet janë të shumta, po do përqendrohemi tek njëri prej invalidëve partizanë, Rustem Musa Domi, si partizani invalid për liri dhe misionari i përkushtuar i arsimit deri në pleqëri. Rustemi u lind më 15 gusht 1930 në fshatin Domaj, Ujmisht të Lumës në një familje me taban patriotik, e njohur si për qëndrimin atdhetar, po ashtu edhe për qëndrimin demokratik si familje fanoliste  në Lumë më 1924, gjyshi i tij Istref Xhaferi i dënuar me vdekje. Në fshatin Domaj, ku u lind dhe u formua në maturim djaloshi Rustem Domi, gjallëronin ndjenjat nacionaliste prej kohësh, po gjallonin edhe idetë liberale e radikale të kohës të shfaqura  hapur nga studentët e shkollave civile e ushtarake, jo të paktë të këtij fshati. Domaj e Ujmishti si bajrak qe një nga qendrat më aktive të nacionalizmit shqiptar në Veri, përfaqësuar nga Muharrem Bajraktari e bajraktarët e tjerë, të cilëve nuk u mungonin lidhjet edhe mjetet e informacionit për situatën kombëtare e ndërkombëtare të kohës së Luftës së Dytë Botërore, përfshi lëvizjen Nacional- Çlirimtare. Bajraktari i Ujmishtit të Lumës, i pajisur me kulturën perëndimore, siç tregojnë bashkëkohësit, ndaj të rinjve të fshatit të tij dhe të krahinës, që toleron për mendimet e veprimet e tyre dhe u mjaftua vetëm me ndonjë këshillë kalimtare e nuk iu kushtua seriozisht jo vetëm mendimeve po edhe veprimeve të kundërta për të. Në Domaj rinia e asaj kohe  ndizej në debate e polemika, sipas bindjeve dhe kahjeve, ku u bënë të dy krahët me grupimet e tyre.

Në njërën anë krahu i grupimit të Nacional- Çlirimtares me më aktivët si: Selman Aliun, Ymer Zenelin, Bajram Xhelilin, Ramadan Muratin që propagandonin haptas programin e Frontit Nacional- Çlirimtar dhe autoritetshëm përballë tyre qëndronin djemtë e të afërmit e familjes së bajraktarit me Bajramin, Ibrahimin, Hamdiun, Sef Xheladinin, Esatin e të tjerë që u qëndronin bindjes se nacionalizma do ta shpëtojë vendin. Në grupimin e nacional-çlirimtares u radhit shtresa e të varfërve po edhe normalistët Rakip e Rifat Domi e përkrah tyre qenë edhe më të rinjtë që vijonin vitet e fundit të shkollës në Bicaj, si Rustem Domi, Avdi Domi etj., që shquheshin për zgjuarsi e dëgjoheshin me respekt edhe nga të mëdhenjtë. I ushqyer nga këto ndjenja Rustemi është një nga aktivistët e lëvizjes antifashiste në shkollën e Bicaj ku grupi i pionierëve dhe të rinjve kreu një seri aksionesh kundër fashizmit italian duke dalë haptas pionierët Ismail Kërxhaliu, Muhamet Shehu, Shaban Braha, Rustem Domi e Kamber Zela. Nga familja e Rustemit, xhaxhai Rakipi qe pjesëmarrës  në luftë e për një kohë që Kryetari i Këshillit Nacional – Çlirimtar rrethit Lumës e pastaj punoi në arsim. Kjo familje i dha atdheut dy dëshmorë Qazimin dhe Bajramin dhe një invalid të luftës për çlirim: Rustem Domi. Shkollën fillore plotore e mbaroi shkëlqyeshëm më 1943. Dëshira e tij të vazhdonte Normalen e Elbasanit për mësuesi. Në shtatorin e 1944-s u dha lajmi se  normalistët i boshatisën bankat e shkollës e iu ngjitën maleve për liri në formacionet partizane. Edhe Rustemi, ndonëse 14 vjeç, vullnetarisht inkuadrohet partizan në Brigadën 24 S që u inaugurua më 4 tetor 1944 në Bicaj. Aty Rustemi u entuziazmua se gjeti mjaft moshatarë të njohur si: Enver Bilali, Mustafa Braha, Jemin Halilaj, Sadik Kerxhaliu, Riza Gjanën, e tjerë nga e gjithë krahina e Lumës. Partizani Rustem një nga me çapkënët e Brigadës, qe efektiv i Batalionit të IV-të, Kompania e I me përgjegjësinë e drejtuesit të rinisë në Kompani. Pas një inkursioni luftarak në zonën e rrugës Kukës- Prizren si dhe në zonat Surroj e Gorë, Brigada e 24 S  u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm për të marrë pjesë në luftën heroike për çlirimin e Tiranës. Një besim i jashtëzakonshëm ky për djemtë e Lumës, të Lumës zëmadhe në historinë e luftërave për liri e pavarësi. Me 8 nëntor 1944, pas një rreshtimi ceremonial në Bicaj, Brigada e 24 S nisi marshimin historik me vendosmëri për fitore, duke kaluar në këmbë në shtigje të vështira në itinerarin Bicaj – Kala e Dodës- Sllatinë- Q. Murrë- Klos ku u bë rreshtimi i dytë, Q. Murrizë- Zall Herr Tiranë, 120 km rrugë e më 11 nëntor, mori detyrën luftarake kundër agresorit hitlerian e bashkëpunëtorëve të tyre, u vendos në vijën Autorepart, Fabrika e Tullave – Shkolla e Dakës Kamzë dhe Domje. 11 nëntori dita e parë e sulmit përfundimtar për çlirimin e Tiranës në zbatim të urdhrit.: “Tirana të çlirohet me çdo kusht!” Pa u futur në hollësi Brigada Partizane e Lumës e kreu me heroizëm detyrën e saj në 6 ditë luftime të ashpra për çlirimin e Tiranës duke rënë në fushën e nderit 16 dëshmor të atdheut si Vehbi Shehu, Nuredin Braha, Sadik Palushi, Elmaz Ademi, Gani Duraku, Abaz Peposhi, Xhafer Ollomani e tjerë. E në këto luftime tregohet i paepur partizani i ri Rustem Domi bashkë me shokët e tij të moshës. Pas kësaj beteje Brigada vazhdon inkursionin e saj luftarak në çlirimin e Fushë- Krujës, Mamurrasit, Milotit e Lezhës dhe më 26-27 nëntor pozicionohen në Bërdicë- Beltojë për çlirimin e Shkodrës. Aty zhvillohet një betejë e ashpër ku mbetën të vrarë partizanët: Ymer Mataj, Emri Halilaj, Isuf Seferi, Islam Xhahu dhe Hasan Lika. Në mes të të plagosurve nga një predhë gjermane është edhe partizani Rustem Domi, që mori një plagë të rend në këmbë. Gjaku i kulluar i pesë dëshmorëve e i të plagosurve si Rustem Domi, vetëm dy ditë para çlirimit skuqi tokën arbërore. Për pak ditë Rustemi u shërua në Spitalin e Shkodrës  e pastaj vazhdoi marshimin luftarak të Brigadës edhe në luftimet kundër mbeturinave të reaksionit në Tivar- Malësi të Madhe, ku është plagosur për herë të dytë e shëruar në Spitalin partizan të Brigadës.

Në maj të 1945-s, Rustemi si delegate i Brigadës 24 S ka marrë pjesë në Kongresin e II të BRASH-it në Tiranë. Pastaj Brigada 24 S u shpërnda në njësi të tjera ushtarake në Durrës.  Në shtator të 1945, me urdhër Komandës  me Konkurs është pranuar në Normalen e Elbasanit, të cilën e ka mbaruar më 1951 e me vendim të KM. U emërua mësues matematike në shkollën Unike Bicaj. Mësues i ri, me frymë të re e me rezultate të mëdha, pas dy vjetësh emërohet Inspektor Arsimi e pas një viti i besohet përgjegjësia e Shefit Arsimit në Qarkun e Kukësit. I frymëzuar nga puna e Ndrec Ndue Gjokës në Mirditë  dhe Rrahman Palushit në Kukës, Rustemi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimet arsimore në Qarkun dhe Rrethin e Kukësit, veçanërisht në zgjerimin e rrjetit të shkollave, luftës kundër analfabetizmit e kualifikimin e mësuesve të rinj. Me punën e këmbënguljen e tij u hap gjimnazi i Kukësit dhe u rrit numri i nxënësve dhe studentëve me bursën e shtetit brenda e jashtë vendit. Në gjithë jetën e punën e tij në arsim spikatën cilësitë e një pedagogu korrekt, i saktë dhe i përkushtuar me misionin e tij të mësuesisë. Rustemi qe nismëtar e bashkë me shkodranin Mendush Derguti në ngritjen e funksionimin e Kabinetit Pedagogjik të rrethit Kukës i cili funksionoi si një shkollë e vërtetë kualifikimi e perfeksionimi për mësuesit kuksianë. Puna e tij si edukator, mësues e drejtues arsimi është vlerësuar si mjaft e dobishme në Kukës. Rustemi qe dhe është kuadër i mendimit dhe veprimit praktik, duke dhënë rezultate e zgjidhje konkrete e të shpejta të problemeve që shtron koha. Si aktivist shoqëror, Rustemi qe e vazhdon të jetë një këshilltar i urtë jo vetëm në qytetin e Kukësit, por edhe në Tiranë, ku po mbyll pleqërinë e tij aktive. Si familjar i martuar me Rahime Ajet Elezin lindën 3 fëmijë: Avniun, Verën dhe Entelën, të gjithë me arsim të lartë e me profesion. Si shume veteran të Luftës Nacional- Çlirimtare e ndërtimit, Rustemi ndjehet mirë, me bindjen se puna e tij, mbi të gjitha gjaku i derdhur për çlirimin e Tiranës e të atdheut, që i dha statusin e invalidit të luftës dhe e gjithë puna e pandërprerë në arsim, vlerësohet e dobishme. “Brezi ynë thotë Rustemi- ka të drejtën të krenohet se jo vetëm e çliroi vendin nga pushtimi nazifashist po bëri gjithçka mundi edhe për ta ndërtuar e forcuar Shqipërinë. Na dhemb shpirti kur pamë e shohim shkatërrimet e dëmtimet e viteve të fundit, të mundit, gjakut e djersës tonë, por bindja jonë na e thotë, se populli e rinia shqiptare do të dinë ta vënë orën e kohës në lëvizje për mbarë që të radhitemi denjësisht siç duhet për krah popujve e vendeve tjera në Bashkimin Europian dhe Aleancën e Demokracisë Perëndimore.”

Mban 3 medalje: Të trimërisë, të Kujtimit e të Çlirimit dhe Urdhrin “Naim Frashëri” të artë.