Aurel Bylykbashi: “Misioni im, bashkimi demokratëve dhe afrimi i elitës intelektuale”

689
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” kryetari i ri të PD Elbasan, Aurel Bylykbashi

Kryetari i ri i sapozgjedhur i Partisë Demokratike në Elbasan, zoti Aurel Bylykbashi, gjatë një interviste për gazetën “Telegraf” renditi disa prej problematikave me të cilat ndeshet sot kjo force politike në opozitë. “Partia Demokratike në radhë të parë është parti e gjithë qytetarëve shqiptarë. Axhenda e saj është dhe do të jetë interesi i të gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare”, – tha kryetari Bylkbashi. Ai shprehu besimin e madh se, shumë shpejt shumica e shqiptarëve do ti bashkohen kësaj partie e cila synon fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Aurel Bylykbashi ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në vitet 2011-2013.

 – Zoti Aurel, urime për zgjedhjen tuaj si kryetari ri i degës së Partisë Demokratike në Elbasan. Si e vlerësoni procesin e zgjedhjes dhe angazhimin e strukturave qendrore të PDSH-së?

– Partia Demokratike e Shqipërisë, tashmë është në përfundim të një procesi të gjatë analize dhe zgjedhjesh brenda strukturave të saj, proces i cili në bazë të tij, ka pasur fjalën dhe votën e lirë të çdo anëtari dhe përfaqësuesi të forcës sonë politike. Mbi  këtë parim u zhvillua edhe procesi në degën e Partisë Demokratike në Elbasan. Mbas këtij procesi Partia Demokratike del më e fortë, më me energji për sfidat që e presin. Përsa i përket angazhimit të strukturave qendrore, vlerësoj zotin  Ferdinant Xhaferri si koordinator për Elbasanin dhe qëndrimin e zotit Lulzim Basha, që nxiti dhe inkurajoi një garë të hapur dhe konkurrim të të gjitha atyre kandidaturave që plotësuan kriteret e përcaktuara nga udhëzimi.

Ju  vini pas një eksperience të  gjatë  në politike dhe drejtimin e degës PD Elbasan, çfarë do të thotë rikthimi  juaj në krye të saj?

– PD-ja ka nevojë për një shkundje të madhe dhe një riorganizmin të të gjitha strukturave të saj, mbi bazën e analizës së humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të një viti më parë dhe gabimeve që çuan në këtë humbje. Nisur nga ky fakt të gjithë ne duhet të punojmë çdo ditë, të takojmë njerëzit dhe të flasim me ta, t’u tregojmë atyre se Partia Demokratike mbetet forca politike që në themel të saj ka ëndrrat e mëdha të të gjithë shqiptarëve, për më shumë zhvillim, punësim, rritje ekonomike e integrim në Europë. Ne jemi parti e vlerave dhe e qytetarëve dhe ajo që do të këmbëngul në detyrën time është që këtë gjë ta transmetoj  tek çdo qytetar i Elbasanit e më gjerë.

– Cila do të jetë strategjia e punës tuaj si kryetar dege, a mendoni se intelektualët dhe shtresa e ish-të përndjekurve  politikë do të ketë përfaqësim ndryshe në PD?

– Partia Demokratike në radhë të parë është parti e gjithë qytetarëve shqiptarë. Axhenda e saj është dhe do të jetë interesi i të gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare. Jam i prirur që, dega e Partisë Demokratike Elbasan të jetë e hapur për bashkëpunim ndaj cilitdo qytetar apo grup interesi, mbi bazën e vlerave të lirisë, demokracisë, tregut të lirë, vlerave kombëtare dhe Euroatlantike. Sigurisht, si qytet universitar, si qytet i traditës së arsimit, Partia Demokratike e Elbasanit nuk mund të kuptohet pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e intelektualëve, në mënyrë të veçantë te atyre që janë pjesë e stafeve akademike. Unë e shoh shtresën e ish të përndjekurve politikë, si një ndër kolonat e së djathtës shqiptare, por në mënyrë të veçantë forca jonë politike do të priret në angazhimin dhe kontributin e të rinjve. Partia demokratike ka nevojë për ritmin, pasionin, idetë e të rinjve elbasanas.

– Si e parashikoni fushatën e afërt të zgjedhjeve lokale, mendoni se PD-ja do të ketë kandidatin e saj dinjitoz, për të fituar në shumicën e bashkive dhe komunave në shkallë qarku ?

– Momentalisht, ne gjendemi përballë agresionit dhe kërcënimit të mazhorancës qeverisëse, për të imponuar një ndarje të re administrative, që në fakt është një hartë elektorale e qëllimshme. Siç e thashë më lart, puna jonë është me qytetarët dhe ne do të dimë që në momentin e duhur tu paraqesim qytetarëve elbasanas kandidaturat tona dinjitoze.

– Cili është mesazhi juaj për demokratet dhe qytetarët elbasanas?

– Ajo që mund të them është se, kam vënë re këto kohë tek çdo qytetar një zhgënjim të pamasë ndaj mazhorancës së re në pushtet. Nuk e them këtë nga pozitat e kreut të Partisë Demokratike në Elbasan, por si një qytetar i thjeshtë, që çdo ditë po përballet me rënien ekonomike, varfërinë, çmimet që sa vijnë e rriten ndërkohë që të ardhurat jo vetëm nuk shtohen por pakësohen, shërbime për të cilat duhet të paguash gjithmonë e më shumë. Përballë këtij realiteti të hidhur, në mbrëmje si për ironi të fatit fillon “shoë” qeveritar i dirigjuar nga kryeministri artist, që çdo ditë mendon se si të paraqitet më bukur para kamerave. Unë jam i bindur se, shumë shpejt Partia demokratike do të jetë alternativa e duhur, me njerëzit e duhur, që do të bëjnë të mundur rikthimin e besimit tek një qeverisje e drejtë dhe e ndershme për qytetarët. Ky është misioni i madh i çdo demokrati.

Zgjedhja

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e konsideroi si një proces model votimin për kreun e PD-së së Elbasanit. Ish-deputeti Aurel Bylykbashi rezultoi fitues me 297 vota kundrejt 238 votave të marra nga kandidati tjetër, Ilir Dervishi. Në garë ishin edhe dy kandidatë të tjerë, Admir Kongoli dhe Elsa Gega.