Gëzim Llojdia: Avni Rustemi, çastet e fundit të jetës në spital para dhe pas vrasjes.

1116
Sigal

 

Duke hedhur një vështrim historik mbi këtë vrasje kemi koleksionin e gazetave; Dielli” që botohej në SHBA. Gazeta në 3 maj 1924 shkruan:”Vrasja e A. Rustemit zëmëron tërë vendin kundër guvernës”.Gazeta ka një nëntitull tjetër më poshtë ku shkruhet: ”Sjellja e guvernës në vrasjen e Avniut e vë në dyshim vendin”. Sërish më poshtë një titull me germa kapitale: “26 deputetë të opozitës ikin nga Tirana”, më poshtë s’kthehen prapë veç kur të themelohet qetësia dhe proponojnë që Kuvendi të mblidhet gjetkë. Kabllogram nga Fan Noli. Vlorë më 1 maj 1924. Vatra, Boston.’Vrasja e Avni Rustemit ndezi një zemërim anë mbi anë të Shqipërisë. Njëzet e gjashtë deputetë të opozitës lajmëruan sot se nuk do të kthehen në Tiranë veç në qoftë që gjendja normale vendoset përsëri dhe propozuan , që gjer atëherë Kuvendi Themeltar t’i mbajë mbledhjet në një tjatër qytet’. Noli.

Në një artikull tjetër kushtuar kësaj vrasje thuhet:”Pas disa lajmeve që sjellin disa shqiptarë prej qarkut të Korçës, të cilat arrijnë tani shpejt nga Shqipëria, kur u bë vrasja e Avni Rustemit në Tiranë, aty pranë u ndodhën disa xhandarmë, por asnjë prej tyre nuk u sul për të zënë vrasësin. Populli në Tiranë beson se xhandarët kishin urdhër që të silleshin asisoji. Më anë tjetër”. Gazeta: “Politika” që botohet në Vlorë nën drejtim të Z.Seit Kemal, shkruan në dt 24 prill Nr 12, këto hollësi: “Posa u muarr vesh vdekja e Avniut në Vlorë tërë populli rrodhi përpara bashkisë dhe me lot në faqe kërkonin shpagim jo nga vrasësi, por nga shtytësit e vrasësit, dhe e di cilët janë. Në atë kohë nga ballkoni i bashkisë u këndua telegrami i Zotit Luigj Gurakuqit (i cili lajmëronte vdekjen e Avniut). Në mbarim të lëçitjes së telegramit, populli briti:’Poshtë Ahmet Zogolli,( Esadi i Ri i mbyllur në mure të pallatit të tij, më keq se sulltanët e Turqisë).’Si kuptohet populli i di ata 2-3 veta që përgatitën këtë tragjedi kundër tij. Populli i Vlorës i bashkuar me tërë patriotët dhe popullin e krahinave motra, kërkon dorëheqjen e kësaj qeverie, e cila s’është e zonja t’i bëj ballë gjendjes së rrezikshme, por kjo është vegël ose instrument i Ahmet Zogollit.

Gazeta:”Drita’ e Gjirokastrës, jep këto hollësira mbi vrasjen: “Avniu një javë para vrasjes kish ardhur në Vlorë, por shkoi përsëri në Tiranë i thirrur nga miqtë që të merrte pasaportën për të vajtur në Amerikë, ku do të mblidhte ndihma për organizatën ”Bashkimi”. Më 29 të muajit, të diel, kur ish duke shkuar me Z Midhat Dely, Abdurrahim Këllëçi dhe Hoxha Kadrinë befas u plagos nga një millona të quajtur Sali Isuf Reçi nga Tirana. Gjaksori u arratis dhe i gjori Avni ndonëse i plagosur e qëlloi katër herë goditësin. Plumbi e mori Avninë në anë të mëngjër dhe i shkoi midis brinjëve 7 dhe 8, goditi mushkërinë dhe qëndroi përmbi stomak. Me plagën e rëndë rrojti 40 orë dhe nuk u përkul kurrë dhe nuk u dëshpërua si ca burracakë. Avniu vdiq ashtu si rrojti, si hero.”

Një shkrim tjetër citohet korrespodenti Francesco Argondizza, Romë, ku thuhet: ”Në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë u mblodhën 30 anëtarë të Kuvendit Themeltar, midis të cilëve ishin Sotir Peci, Luigj Gurakuqi dhe Dr Fahriu. Pas varrimit u mbajt një mbledhje në të cilën u muar pjesë edhe delegatë nga katundarët e Shqipërisë, për të studiuar ndodhjen e krijuar nga shkaku i vrasjes së deputetit të Kosovës. Në këtë mbledhje u përfundua ti dërgohet një telegram guvernës me anë të cilët kjo të ftohet që të jap demcjen dhe një tjetër Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillitë të Naltë,që Kuvendi themeltar të mblidhet në një tjetër qytet,ku siguria të jetë  e garantuar. Më në fund u shpërnda një thirrje për popullit shqiptar që të jetë gati për çdo ngjarje.Të gjitha këto janë shenja që ndodhja e shpirtit të vendit është turbulluar thellësisht…

3.

Në një artikull me titull: ”Vrasja e Avni Rustemit. Si ngjau tragjedia.(Marrë nga gazeta “Dajti”). “Të dielën në 20.IV.24 ora 4.30 mbas dreke Avni Rustemi u plagos u çua në spital ku posa u fut në dhomë thirri Z Ali Këlsyrën dhe Haki Stërmillin dhe u tha të lajmofshin telegrafisht shqiptarët e Amerikës, se ai në një kohë që përgatitesh për me shkue në Amerikë në emër të shoqërisë:”Bashkimi”, për me kërkua nga shqiptarët ndihmën që të zhdukur errësirën e maleve tona u plagos tradhtisht dhe mandej kish shtue e thanë, ndoshta do të shkojë”. Telegrami më atë çast u hoq prej zotnive të Naltëpërmendur. Atë plumb që kish mbetur brenda iu nxor. Lulja e djelmonisë shqiptare, heroi i kombit u dergj 15 orë,15 minuta dhe ndërroj jetë më 22.IV.24.2.20 mbas dreke u dergj tepër i qetë dhe pa besdi. Në rast të dergjes fjalët e tij qenë kështu: “Kombi dhe përparimi i popullit”. Çastet e fundit të jetës së vet i kaloi në mënyrë tepër të mrekullueshme tue mos rënkue dhe tue mos përpjekje aspak nga ashpërsia e rreptësia e mortjes së pamëshirmshme. Mbasi u vyshk burbuqja e nacionalizmës shqiptare u balsamos dhe zemra iu nxjerr për me u ruajt në shoqëri “Bashkimi”. Anëtarët e shoqërisë ”Bashkimit” simbas programit të rregullueme që nga koha që u plagos, kryetari i tyre më radhë shkuen në roje e shërbim të tij dhe mbasi nderoi jetë për nder gjithnjë vazhdojnë tue përgjue nga katër vetë në orë. Në këtë përgjim kanë marrë pjesë edhe disa deputetë e civila për t’u qenë gati gjithmonë, anëtarët e’Bashkimit”. Kjo mënyrë përgjimi do të vazhdojë deri kur të varroset në Vlorë, në gji të Ismail Qemalit. Siku para vdekjes ashtu edhe mbasandaj, një numër i madh nëpunësish e populli e vizituan shtyllën e fortë të atdheut. Më 23.IV.24, një numër tepër i madh prej oficerave që ndodhen këtu erdhën dhe e vizituan të ndjyerin dhe në emër të oficerave të ushtrisë kombëtarë.Para tij me respekt të plotë mbajti një fjalë tepër të mallëngjyeshme Major Z.Bajram Fevziu. Po më atë ditë pasdite erdhën në vizitë gjithë nxënësit e nxënëset e shkollave të Tiranës, në emër të të cilëve, mbajti një fjalë Inspektori i arsimit Z Jani Minga. Më 22.IV.24 ora 5.30 mbas dreke mbajtën demonstrasion hidhërimi në qytet ku morrën pjesë gjithë anëtarët e shoqërisë “Bashkimi”. Një numër i madh prej zonjash, shumë deputetË e nënpunësa dhe gjithë populli. Ku demostratistët qëndruan para godinës së spitalit një komision i përbërë prej Z Ali Këlsyra, Stavro Vinjani, Luigj Gurakuqi,….hynë brenda dhe vizituan të ndjerin Avni. Para Avniut mbajti një fjalë të shkurtër Z Ali Këlsyra t’u thënë se populli shqiptar e nacionalizma kurrë nuk kanë me harrue. Prej spitalit u shkue para kryeministrisë ku qëndruan demostratistët dhe hynë brenda në kryeministri një komision …..

Nga Shën Mitër Korona. Llmbi Gjergju më 30.4.1924 i kushton këtë poezi.

Avni!Si ty s’ka për të parë Atdheu./Fatos, që dhe jetën për liri,/si ajo dorë që të vrau mos mbiftë nga dheu./Dhe ti që lartë shiko o Perëndi./Me të vërtetë si duket, ai nuk leu,/po nga qielli, zbriti befas në Arbëri./Dhe si Johanna e Arkut i shkreti kreu,/nga një sundim popullin e ti.