Sefer Pasha: Kufitari Mersin Lluri heroi që shpëtoi jetën e tre kufitarëve në malin e Buretos

463
Sigal

Me Mersin Llurin punuam bashkë shumë vite në Gjirokastër. Piramidë më piramidë, shteg më shteg e pusi më pusi. Kur erdhëm në Tiranë takoheshim tek kafja ngjitur me ’’Foto Skënderbeun’’. Mersini kur më merrte në telefon më thoshte se do të takoheshim tek ‘’Qafa e Pazarit’’. Nuk di pse e krahasonte me Qafën e Pazarit në Gjirokastër. Shumë mote qëndruam tek dera e studjos ’’Foto Skënderbeu’’ e nuk bëmë së bashku një foto. E tani që Mersin Lluri u nda nga jeta unë s’kam një foto për t’ja përcjellë gazetës. Aty tek ’’Skënderbeu’’ rrëfenim ngjarje pambarim. Vinte ndonjë herë dhe Xhevahir Spahiu me gazetën ’’Telegraf’’ në dorë. Poeti e ka gazetën e tij të preferuar. Tregimet tona ishin të egra. Mersin Lluri ishte nënoficer, por ushtronte detyrën e shoferit për situatat në kufi dhe për vendosjen e rendit. Mersini ma tregonte shpesh një dramë të madhe. Edhe unë kam qenë personazh i asaj drame. Tre kufitarë pas malit të Buretos i përlau cikloni dhe i çoi në tokën greke. Forcat e kufirit dhe të policisë u ngritën në kushtrim. Vijës së kufirit kërkohej në çdo milimetër. Binte borë. Mersin Lluri me urdhër të komandës nisi të kërkojë pas shpatit të malit të Buretos në drejtim të fshatit grek të Argjirohorit. Ditën e pestë kur dëbora nuk çahej Mersin LLuri i diktoi të tre kufitarët, që po vinin që nga toka greke. U dha sinjal sipas rregullores. Të tre kufitarët ishin gjysëm të ngrirë. Në çast prongjoti Mersin Lluri i futi kufitarët në një stan të barinjëve të Dropullit. I ushqeu dhe i mbuloi me pleh delesh. Kufitarët i treguan se në Greqi, në malin përballë Voshtinës, ata kishin zënë dy lepuj të egër dhe i kishin ngrënë të gjallë. Ishin betuar se do të vdisnin dhe nuk dorëzoheshin tek forcat e kufirit grek.

Mersin Lluri u gëzua shumë. Ai ja dha lajmin kryetarit të degës së brendshme Marash Kolës, i cili ishte nga Malësia e Madhe. Ja dhe përgjigja e malësorit Marash Kola. Mersin! Mua sot më lindi një djalë tjetër. Por edhe po të më kishte lindur një djalë nuk do të isha gëzuar kaq shumë. Kjo thënie e Marash Kolës mbahet mend dhe tregohet dhe tani në Gjirokastër.

Tregimet me Mersin Llurin nuk kishin të sosur. Unë e trajtova mirë djalin e Mersinit, që erdhi ushtar në Gardën e Republikës dhe kjo e shtoi më shumë miqësinë tonë. Mersin Lluri nuk e duronte dot padrejtësinë. I urrente qeveritarët e korruptuar. Po kështu janë shqiptarët thoshte ai me indinjatë. Dhe niste e molloiste historinë e Bajram Ligut, që e kishte fshatar nga Prongjia. Bajram Ligut, i cili vrau Bimbashin turk pushtetarët e kohës nuk i dhanë një vend pune. Dhe ai anës së lumit të Kardhiqit nxirte thupra shelgu dhe me to bënte kanistra e shporta. I tregëtonte në pazarin e Gjirokastrës. E mbanin mend gjyshërit e Mersin Llurit denbabaden prongjot.

Gjithashtu me Mersin Llurin bënim dhe humor. Një herë në javë tek Pazari i Ri pinim dhe ndonjë gotë verë. Që ne të dy të bëhemi të pasur më thoshte Mersini duhet të shkojmë në Prongjinë time. Në shpellat e malit, në krah të majtë të shtëpive të Llurëve, dikur Demir Dosti nga Kardhiqi fshehu në shpella shtatë mushka të ngarkuar me flori. Rojet që e fshehën floririn në kthim Demir Dosti i vrau që të gjithë. Dhe floriri i Demir Dostit nuk është gjetur. Të shkojmë e ta kërkojmë.Të bëhemi të pasur si këta maskarenjtë, që e grabitën Shqipërinë.

Miku im Mersin Lluri mbeti deri në fund të jetës njeri me shpirt të madh patriotik. Shpesh bënim dhe debat. Ai kurrë nuk e pranoi që njerëzit e tij në Kardhiq ja kishin përdhunuar Ali Pashait, nënë Hankon dhe të motrën Shanishanë. Ato ishin marrë peng për një’’borxh’’. Babai i Mesin Llurit tregonte se kardhiqotët i ushqyen ’’pengjet’’ me mjaltë dhe zogj të skuq në saç. Ishin zakonor.

Sa jam kthyer nga Mali i Zi. Dhe nuk më rrihej pa i shkruar dy gisht letër për t’ja përcjell gazetës për mikun tim të paharruar Mersin Lluri. Në vitet e tij të stuhishme për mbrojten e kufirit, të rendit dhe të qetësisë publike ai punoi me shumë kuadro të devotshëm si Thimjo Gjoni, Elmaz Puto, Nedin Hoxha, Baki Gjergji, Nazmi Ibro, Vangjel Kallajnxhiu, Jorgaq Mihali, Isa Dervishi, Josif Kane, Lame Lena, Mehmet Canaj, Namik Çani, Jonuz Kuçi, Xhevat Ibrahimi, Harillaq Talo, Lulëzim Iljazi, Jorgo Suljoti, Fane Suljoti, Aleks Frëngo, Zigur Mali, Aleksandër Kola, Memush Loloçi, Llukan Velça, Nasip Mane, Xhafer Meta, Enver Koçi, Livan Mehmeti, Ilir Qejvani, Zigur Sinani, Vladimir Kroi e Filip Llakaj. Si të gjallët dhe të vdekurit ruajnë për Mersin Llurin kujtime të shtrënjta.

 

Kufijtë e Shqipërisë

Shqipëria ndodhet në Evropën juglindore në perëndim të gadishullit Ballkanik, në largësi pothuajse të barabartë nga Ekuadori dhe Poli i Veriut. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 340 km nga jugu në veri dhe 148 km nga lindja në perëndim.
Sipërfaqja e saj është 28 748 km² dhe popullsia e saj është rreth 3 milion banorë.
Republika e Shqipërisë kufizohet në veri me Malin e Zi, në veri-lindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug me Greqinë. Në kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik dhe në jugperëndim në Detin Jon. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve.
Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos.

Nga pikëpamja gjeo-fizike Shqipëria ndahet në katër zona : zona malore veriore ose Alpet shqiptare, zona malore qendrore, zona malore jugore (70% e sipërfaqes së Shqipërisë është malore) dhe ultësira perëndimore ( 30%). Lartësia mesatare e relievit shqiptar është 708 m mbi nivelin e detit ose dyfishin e mesatares së Europës. Relievi i trevave shqiptare, që është kryesisht kodrinoro-malor, tepër i larmishëm, me kontraste të mëdha dhe shumë i copëtuar, ndikon në shumë dukuri të klimës, të hidrografisë, të tokave dhe të bimësisë.