Bashkëstudenti im kinez që u rikthye ambasador në Shqipëri, përkthyesi i Çu En Lait…

997
Nga Duro Mustafai
Rrëfim i shkrimtarit Duro Mustafai për studentët e huaj në vendin tonë, peripecitë dhe miqësitë. Fan Cen Cun, studenti i parë kinez që mësoi gjuhën shqipe në Tiranë
Fan Cen Cun ndoshta është një emër i pa njohur për publikun tonë…,. Dhe, sa për t’ua sjellë në vëmendje, më duhet të them se Fani (më ndjeni për tingëllimin e tij në shqip), ishte studenti i parë, që do të mësonte gjuhën shqipe në Tiranë, në Institutin e Lartë Pedagogjik, që sapo ishte krijuar. Student i parë, se pas tij, do të vinin nga Kina edhe të tjerë. 

Karriera
Pas mbarimit të studimeve në vitin 1956, do të shërbente në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës. Kur Çu En Lai erdhi në Shqipëri, në atë vizitën e tij të parë, atë do ta shihnin në krah të kryeministrit kinez, si përkthyes i tij. Me vonë do të emërohej Sekretar i Parë i Ambasadës kineze në Tiranë e për disa vite shërbeu edhe si ambasador i Kinës në Shqipëri. Një djalosh i urtë, simpatik në pamje, i zgjuar, me një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar, i thjeshtë e i dashur, si ai, e meritonte të ecte përpara edhe në diplomaci…Por kjo është vetëm për të treguar pozitën zyrtare të tij. Se tej posteve zyrtare, me Fanin kemi kujtime të përbashkëta pune, që na kishin bërë të lidheshim ngushtë me njëri tjetrin, Dhe, po të përmendim fjalët e tij, ne ishim “shokë e vëllezër të një ideali“.

Bashkëstudentë
Rasti e solli që me Fanin të ishim bashkëstudentë, madje, në kushte aspak të dëshiruara për mua… Isha caktuar edhe “mësues” i gjuhës shqipe për të. Dhe kjo ka një histori që edhe tani kur e kujtoj, më bën të qesh…Një ditë, do më thërriste në zyrë, dekani i fakultetit tonë të gjuhës e letërsisë, një nga pedagogët tanë më të mirë e të dashur e një nga shkrimtaret e studiuesit më te njohur, Bedri Dedja,. – “Do të shtoni një krevat tjetër në dhomën tuaj të gjumit, se ai studenti kinez do të rrijë me ju, më tha Bedriu, shkurt, por që nënkuptonte një urdhër “të ardhur nga lart”. Dhe më në fund porosia: “Bëni kujdes, të silleni mirë me studentët e huaj, se ata kanë ardhur për të mësuar e jo për t’u treguar barsoleta”. -Këtë thuaja edhe Fatmirit (Agalliu), me të cilin fle në dhomë…-ishte porosia. Pastaj, Bedriu i mrekullueshëm, i ëmbël me të gjithë, do të ndahej me një buzëqeshje të lehtë. Mirëpo, ajo fjala “barsoleta”, më bëri të mos ndjehesha mirë e të mendoja, se me kinezin, diçka duhet të kish ndodhur… E dija që për Fanin, ish ngarkuar studenti shkodran, Neki Lezha, me atë e kisha parë shpesh edhe korridoreve të Institutit,. Por nuk dija, pse po ia largonin Fanin.. Këtë do ta merrja vesh, fare befasisht e në rrethana që nuk e kisha menduar. 

Ngjarja
Në pasditen e asaj dite, i tregova Fanit, se do të vinte në dhomën tonë, ku veç Fatmirit kishte edhe dy studentë të tjerë të huaj, greku Jorgo Kanakaqis dhe malazezi Boro Shoshkiç. Fani, pohoi shkurt: “Mirë, mire, E di”… Duhet thënë që kushtet e atyre viteve ishin të atilla që në çdo dhomë gjumi flinin 5-6 studentë. Kështu kishte ndodhur edhe me studentët rumunë, që ishin grumbulluar të gjithë bashkë në fjetoren e Niko Nikollës… Rrija i heshtur duke pasur përballë Fanin e s’dija ç’t’i thosha, kur më erdhi ndërmend ta pyesja, nëse kishte mësuar ndonjë poezi në gjuhën shqipe, gjë që ndihmonte në tingëllimin e saktë te fjalëve. Vija nga normalja e Elbasanit e në metodikat e mësim-dhënies, na e kishin mësuar edhe këtë. Fani, me seriozitet m’u përgjigj, se Nekiu i kish mësuar një poezi, “të bukur, revolucionare”. E se e kish mësuar përmendësh. S’më mbeti gjë tjetër veç të lozja rolin e mësuesi e t’i kërkoja të ma lexonte vjershën. Fani, mbështeti duart tek tavolina qe kishte përpara, e me një të folur monosilabik (rrokje për rrokje), nisi recitimin, siç bëjnë fëmijët e vegjël të kopshteve, që flasin pa u ditur kuptimin e fjalëve që thonë. Në fakt, s’mund të ndodhte ndryshe, ishin muajt e parë të mësimeve për të. E unë, i përqendruar, dëgjoja vjershën me kureshtje… Është një vjershë, që nuk e harroja dot e që kur e kujtoj edhe sot, s’më mbahen të qeshurat:
„Alla hile, bre Cucun ,
A ke mujt shqipen me xanë.
Eh, sa fortë u lodha unë,
Tri herë fjalët tuj t’i thanë.
Në këtë vend qi tregon harta,
I thonë Shkodër, haj medet,
Këtu rriten molla të arta,
Që i ha kush i ka kismet…
Me sa dukej, Neki Lezha, vjershën ia dedikonte Fanit, duke e portretizuar atë, përmes humorit.. Por, mendova se ishte shaka, një shaka studentësh, paçka se mund të interpretohej edhe ndryshe… Se ato dy strofat, ishin të mjaftueshme për të kuptuar që Nekiu, tallej me “nxënësin “ e tij.. Duke mbajtur me zor të qeshurën, në fillim e pyeta: E di ti Fan, se çdo të thotë Cucun ? Dhe ai m’u përgjigj,:“Sun e kuptoj, sun e marrë vesh”… U qetësova, se Fani nuk e kish kuptuar që Cucun, ishte pagëzimi i Nekiut për të.. Megjithatë më shkoi ndërmend ta pyesja në se vjersha ishte bërë e njohur në Ambasadën Kineze, ku kishte një përkthyes shqiptarë, e prej andej mund të vinte ndonjë protestë, që Nekiut do t’i kushtonte, të paktën, përjashtimin nga shkolla. “Njet –njet”, përshpëriti Fani… Ai dy vjet i kish bërë në Universitetin e Moskës e dy vjet të tjera vinte t’i bënte në Tiranë, e rusishten e dinte mirë. Dhe, pas dy rrokjeve “Njet-njet”, foli edhe shqip alla shkodrançe: se “ambasada sun di gjë.” Ndërkohë, poezinë e kisha shkruar në një fletore. Dhe, për ta mbyllur këtë çështje që nuk duhej hapur, i thashë Fanit se nesër do t’i jepja një poezi për Partinë,“tamam revolucionare“ nga ato që botonte gazeta “Pionieri” për fatosat, e se poezia që kishte mësuar ishte jashtë kohës dhe e pa përshtatshme për moshën e tij, prandaj e porosita që nuk duhet t’ia thoshte kurrkujt.. 

E Papritura 
Por, pas kësaj ndodhi një tjetër e papritur. Disa ditë më vonë, poezinë do t’ia jepja, ashtu thjesht për kuriozitet, shokut tim të ngushtë nga Skrapari, Qani Zaimit me të cilin kishim mbaruar shkollën e mesme në Elbasan. Por, ndonëse e porosita që sekretin ta mbante për vete, ai, për gallatë ua kishte dhënë ta kopjonin edhe të tjerët. Kështu që poezia për Cucunin mori dhenë. Pastaj një thirrje në dekanat. Dhe, një pyetje e sikletshme për mua: “Kemi dëgjuar, se për atë kinezin dikush ka shkruar një poezi. Duam të dimë, kush e ka shkruar dhe kërkojmë të na lexohet.” U zura ngushtë e nuk di çfarë ngjyre më kish marrë fytyra në ato çaste, por pyetjes nuk mund t’i shmangesha dot. Me zë të dridhur nga emocionet, me ton të ulët nisa të recitoja ngadalë, që të mos e dëgjonin mirë :”Alla hile bre, Cucun… Por ndodhi çudia, që në vargjet e para shpërthyen të qeshurat. I hodha sytë nga dekani ynë, i miri Bedri Dede kish ulur kokën e qeshte me të madhe… Kjo, natyrisht, më qetësoi, se serioziteti kish marrë ngjyrën e një shfaqjeje estrade, ku nuk mungonte humori.. Autori i vjershës, ndoshta nga të qeshurat, u harrua e unë nuk e përmenda emrin e tij.. Ndërkohë, dëgjova fjalët- porosi :”Shikoni, mos e përhapni te studentët vjershën, se është me zarar, ndryshe, do të mbani përgjegjësi, e do merren masa të rënda!” Pohova kokulur, se kështu do të ndodhte, dhe u largova i qetësuar, se takimi kish përfunduar paqësisht…

Pasojat 
Vonë do të mësoja edhe historinë e vjershës e të pathëna të tjera, që qarkullonin midis studentëve, aq të etur për të bërë shaka… Neki Lezha, ishte studenti shkodran, që si shumë shkodran të tjerë, dallohej, për humorin e tij të hollë e të zgjuar, por që nuk e vriste shumë mendjen, se ato batutat e tij të hidhura, që sa të bënin të shqyheshe së qeshuri, mund edhe ta rrezikonin… Nekiu ishte ai, që kur mbaroi studimet, e kishin emëruar mësues në Gjimnazin e Lezhës…Kjo e kish revoltuar mësuesin e ri, që kish kërkuar të punonte pranë familjes, në vendlindje. Dhe, i pakënaqur, i shkoi në takim Zëvendësministrit të arsimit, i cili kur mësoi pse i kishte ardhur, i pati thënë i nervozuar. “Po ti, mor djalë, pse hedh vickla ? A je ti Neki Lezha?… a po… e, atje të kemi emëruar, tani shko…!” Po Nekiu i kish thënë qetësisht: “Shoku zëvendësministër, me e pas mbiemrin Londoni, do më emëronit në Londër, a ?!” Ja ky ishte Nekiu, që gëzonte dashurinë e studentëve për zgjuarsinë e tij, por edhe për ato shakatë, aq të dëshiruara e të përhapura në jetën studentore… Me shaka do ta fillonte detyrën e “ mësuesit” edhe me Fan Ce Cunin. Dhe “mësimi” i parë për të, kish qenë përshëndetja :”Tungjatjeta”, që ja kish mësuar kinezit ta thoshte me “Në fe të ty tet”. Ato që e dëgjuan të parat këtë përshëndetje, ishin ca vajza studente, që ndonëse qeshën, nuk ndenjën pa thënë : “Po ky, kë shan?”, “Ama e paska mësuar mirë shqipen!” Këto dhe fjalë të tjera kishin mbërritur në ambasadën kineze, e cila kish protestuar në Ministrinë tonë të Jashtme. Ky ishte edhe shkaku i largimit të Fanit nga Nekiu. Sa për vjershën me Cucun., ajo, gjer atëherë, nuk kish mbërritur në ambasadë.

TAKIMET 
Me Fan Ce Cunin, jam takuar disa herë, në Vlorë, kur erdhi me Çu En Lain për herë te parë në Shqipëri, në vitin 1964, dhe në Tiranë, kur ishte ambasador. Me kish ftuar disa herë në ambasadë për të pirë çaj, e për të shikuar së bashku ndonjë film, nga ata me luftë,.Dhe kish mbetur për mua ai studenti e njeriu i thjeshtë, i zgjuar e kulturuar që i donte me shpirt shqiptarët. Dhe do të kujtonim edhe ato vitet tona të bukura të rinisë, por edhe me telashe. Do të kujtoja vullnetin e tij të hekurt për të mësuar me themel gjuhën tonë dhe ato netët e tij pa gjumë, me libra në duar. Por nuk do të harroja edhe nervozizmin e studentit grek Jorgo Kanakaqis, që i shqetësuar nga pyetje-përgjigjet e pafundme të Fanit edhe në mesnatë, do më thoshte veçmas: “Kur do iki ky, çinezi, se na vdiq për gjumë !”…

RIKTHIMI Pas studimeve të suksesshme Fani do të largohej nga Shqipëria, për të ardhur shpesh në Tiranë e me detyra të larta, gjer në atë të ambasadorit. Por ai, ndoshta më mirë se studentët e tjerë të huaj, arriti ta fliste shqipen, sikur të kish lindur në Shqipëri, e të njihej me traditat e jetës sonë, sikur të kish punuar këtu një jetë të tërë. Miku im i mirë, prej vitesh jetonte e punonte, si diplomat, në Pekin, e tani është në pension… Por Justin Papajorgji, ish ambasadori ynë në Kinë, më thoshte një ditë, se Fani nuk e ka harruar kurrë Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i kujton e i do shumë… Por edhe unë e shokët e mi, që patëm rastin ta njihnim, nuk e kemi harruar. E tani, që jam duke shkruar këto radhë, më kujtohet edhe ai çasti i ndarjes me atë, mikun e dashur nga Kina.. Pas përqafimit e shtrëngimit të duarve, nuk di pse më shkrepi në kokë t’i thosha: “Fan, unë u mundova të të mësoj ty shumë fjalë shqipe, kurse nga ty mësova vetëm dy fjalë: Tunce (shok) dhe Niha (mirë). Por ai, me buzëqeshje do më përgjigjej: “Gjuha jonë është tepër e vështirë, me shumë dialekte e nën dialekte… Edhe unë nuk e di mirë ”kinezçen”…
Detaj- përkthyesi 
Kinezi Fan Cen Cun, studenti i parë nga vendi i largët që mësoi në Shqipëri, i përfundoi studimet në vitin 1965. Rikthimi i tij në Shqipëri, ndodhi shumë vite më pas. Në vizitën që bëri në Shqipëri Çu El La, kinezi Fan Cen Cun ishte përkthyesi i tij. Më pas ai u emërua Sekretar i Ambasadës kineze në Tiranë e në fund, Ambasador.
Detaj-miqësia 
Bashkëstudent me kinezin shqiptar, sipas Duro Mustafait, ishin dhe dy studentë të tjerë nga Evropa. Ata ishin greku Jorgo Kanakaqis dhe malazezi Boro Shoshkiç. Që të katër, ata flinin në një dhomë. Ishin shokë me njëri tjetrin, e njëkohësisht ndër studentët më të mirë.

(Dhënë për “Telegraf”, më 17 maj 2012 )
Sigal