Nga Dr. Llukë Gjidede (D. Sh. M.)
Para tre muaj më 10 korrik 2025 ndёrroi jetë njeriu për njerëzit, Doktori i Himarës sikurse e thërrisnin Dr.Evriviadhi Goron nën kujdesin kolegjial të mjekëve në Spital Janinë.
Prej vitesh vuante nga një sëmundje kronike e sistemit të qarkullimit të gjakut. Falë përgjegjësisë ndaj vehtes, përkushtimit shembëllor të familjes, angazhimit gjithëpërfshirës të mjekëve në Shqipëri e Greqi betejën e pati fituar në disa dekada.
Në kujtesën e miqve, shokëve, bashkëqytetarëve, ish pacientëve dhe në librat e shkruara, Ai nuk do vdesë në harresën njerëzore. Ai ka të drejtë të mos vdesë!
Për ta patur më të lehtë peshën e rrugëtimit në jetën e doktor Evriviadhit iu drejtova Biblës.
“Të mos trishtohemi që na la!”
“Të gëzohemi që e patëm!”
U lind në Himarë më 12 gusht 1934. U rrit në dekada në kushtet e vështira të kohës e të jetës.
Përjetoi dy luftrat katastrofike edhe në Krahinën e Himarës atë Italo-Greke midis dy ushtrive pushtese dhe Luftën Nacional Çlirimtare kundër nazistëve gjermanë. Iku familjarisht në Korfus si shumë himariotë të tjerë për të shpëtuar kokën, muhaxhirë.
U rikthye në vëndlindjen e tij, gjithëshka e rënuar, në themel!
Jetën e filluan nga e para. Shpresa dhe dashuria për vëndlindjen ngjallen optimizëm, u ringritën.
Shkollat u hapën të parat! Naim Frashëri nga i cili Evriviadhi frymëzohej si poet, ka shkruar:
“Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë” Shkollën 7-vjeçare me ndërprerje e përfundoi në vitin 1950. Falë trokitjeve të forta të nënës Fotinë në dyert e shtetit të kohës Evriviadhit i del e drejta për të vazhduar shkollën ndihmёs mjek në Tiranë. Lajm i shpresës, portë e madhe e t’ardhmes, kujdesi për njerinë. Në Shkollën e Mesme Mjekësore në Tiranë Evriviadhi gjeti një mjedis shoqëror shumë të favorshëm për të mësuar dhe edukuar. Mënyra e jetesës, rregullat administrative, dhe përkushtimi njerëzor e profesional i mësuesve i shtuan optimizmin djaloshar për profesionin dhe shkëndinë për poezi. Shkollimin si ndihmёs mjek e mbaroi në vitin 1953 me rezultate të shkëlqyera. Në përfundim të shkollës së mesme Evriviadhi ka shkruar:
“- Po hyj në rrugën e jetës së vërtetë. Këtej e tutje mëndja dhe zëmra ime do të punojnë në emër të njeriut dhe të fatit të tij”.
Nd/mjeku në atë kohë ishte një figurë e rëndësishme në sistemin e shërbimin shëndetësor. Është i njohur fakti se në Shqipëri deri në vitin 1938 gjithësejt kishte 102 mjekë shqipëtarë e të huaj!
Dritën e ndriçimit në rrugën Hipokratiane drejt qëllimit ia pat mëkuar e ndezur i ati, Jani me librat “Iliada dhe “Odisea” të Homerit, të blera me paratë e fituara në minierën skëterrë të Lavrios dhe më pas librin “Të mjerët” V. Hugo etj nga miniera e Saint Etjen. U vendosën gurët e themelit në bibliotekën e diturisë në shtëpi. Praktikën mjekësore të pogramuar e bëri pranë Spitalit Vlorë. “Dituria është bijë e përvojës” ka shkruar gjeniu Davinci .
Brezi karizmatik i mjekëve të këtij spitali doktor M. Angjeli, doktor K. Kauri, doktor P. Flloko, doktor I. Pustina, etj., për të cilët nxënësi i tyre Evriviadhi flet me shumë mirënjohje deri në hyjnizim, të vlerave misionare, dhe etike deri në virtyte njerëzore, shëmbëll frymëzimi.
Ndihmёsmjekun Evriviadhi Goro ata e “Pagëzuan doktori i Himarës “. Në librin “Kohë dhe njerëz …” botuar në vitin 2010 doktor Evriviadhi bën një autorrëfim të sinqertë me vehten dhe të tjerët. Nis jetën e fituar me guxim, sakrifica, optimizmë e arsimim.
Ndihmёsmjeku Evriviadhi Goro drejt Labërisë, në Brataj aty ku e thërriste betimi.
Me sa nostalgji e shumë respekt Ai kujton njerëzit e Labërisë, Bratanjotët, ku shërbeu në profesionin e ndihmёsmjekut për një vit. Ishte në qëndër të jetës së tyre në lindje, sëmundje, gëzime e dhëmbje, pritej e përcillej me shumë mirënjohje ndaj njeriut që i besuan jetën.
Porta e shtëpisë e hapur për Zotin dhe mikun himarjot. Magjepsej nga këngët labe, vajtimet, urimet, dollitë, traditat, zakonet edhe qesënditë sipas vëndit dhe kuvëndit. Kur iku për në Selenicë në vitin 1956 Bratanjotët e përcollën me përqafime, lot falënderimi dhe keqardhje!
Na la njeriu që kërkonim! Selenica qyteti i serës dhe i punëtorëve që vuanin nga sëmundjet e toksinave të qymyrgurit që digjej dhe të avujve të serës që vëlonte në kazanët gjigandë.
Aty u njoh me punëtorët dhe sëmundjet profesionale me kolegët, dhe spitalin një gazermë e vjetër gati në rrënim, me miq e shokë që e respektonin. Zbriti në galeri, punëtorët i tregonin se me serën tonë shtrohen rrugët e Parisit!
Të gëzohesh për te tjerët me jetën tënde në rrezik!
Kështu ka qenë dhe pak a shumë kështu vazhdon të jetë edhe sot!
Lufta midis Rregullit dhe Kaosit, Antidot?!
Fatkeqësisht këtu në Selenicë përjetoi dhëmbjen dhe keqardhjen e parë njerëzore dhe profesionale:
Vdiq një punëtor nga avujt e gazit helmues metan që del nga thellësitë e puseve. Bëri të gjitha përpjekjet e mundshme profesionale frymëmarje gojë më gojë, masazh kardiak të mbyllur etj, manipulime.
Fundi, fatal!
Një plagë shpirtërore që e ka përjetuar si një cikatriçe në kujtesën e tij të gjatë e të pagabueshme.
Guximin për të vërtetën Evriviadhi nuk e la të vdesë.
Erdhi momenti i shumë i pritur dhe i merituar! Në shtatorin e vitit 1956 Evriviadhi Goro ngjiti shkallët e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë për të vazhduar Studimet e Larta 5-vjeçare për mjek.
Ishte një fazë përcaktuese për ecurinë e jetës personale, familjare dhe shoqërore, krenari edhe për Himarën. Dy ngjarje thelbësore për jetën bashkëshortore ndodhën në vitin 1956.
Evriviadhi u bë baba me bashkëshorten Ana, u lind fëmija i parë vajza Ermira. O sa lumturi, dhe babai fatlumë rrugëtimin për mjek. Aty ku Evriviadhi gdhendte poezinë për Anën, ajo mbështeste zemrën që trokiste dashuri. Në universitet Evriviadhi pati një angazhim tepër serioz për të mësuar sa me shumë e më mirë nga pedagogët dhe librat. Në të njëjtën kohë shfrytëzoi shansin për të shkruar dhe botuar poezi në organet e shtypit.
Ato ishin stimul intelektual dhe frymëzim për shkencën e jetës, Mjekësi.
Mjeku poet dhe poeti mjek të lidhur midis tyre si zëmra me mushkrite.
Mbas 11 viteve rrugëtim të gjatë e të vështirë në kërkim të diturisë për jetën e njeriut, ende me shumë enigma për tu studjuar, në vitin 1961 doktor Evriviadhi rikthehet aty nga u nis, në Himarë, tani i tjetërsuar mjek i dipllomuar.
Në Himarë e në gjithë zonën e Bregdetit ka patur disa detyra administrative dhe specialitetin e adhuruar mjek pediatër për pesë dekada.
Drejtor i spitalit të vetëm në Krahinën e Himarës ku kërkohej përgjegjësi ligjore, angazhim profesional funksional
Shërbim i kualifikuar, i pandërprerë 24 orë, gjithmonë!
Brigada e mjekëve nën drejtimin e doktor Evriviadhit ka punuar me ndërgjegje të lartë profesionale.
Secili në specialitetin e vet e të gjithë bashkë për njerinë.
Parandalimi i sëmundjes mbetet parimi themelor në shërbimin shëndetësor, propaganda paraprin!
Shërbimi pediatrik ka patur prioritet uljen e vdekshëmërisë foshnjore 0-1 vjeç.
Referuar statistikave në vitet 1980 për Shqiprinë vdekshmëria infantile 0-1 veç ka qënë rreth 5%, për Vlorën 4.2%, Himarën 1 % !
Ky tregues u bë simbol për meritat e pediatrit Evriviadhi Goro.
Ai citohej në konferencat shkencore deri lart në organet shtetërore.
Përvoja pozitive midis kolegëve nxit sedrën profesionale, fut në garë shkencën mjekësore, jo instiktin e fitimit antihuman! Me rezultatet e arritura doktor Evriviadhi Goro ka hyrë në historinë e mjekësisë shqiptare. Askush nuk guxon ta prekë. Ai është mjeku i të gjithëve i integruar midis tre misionarëve të shoqërisë njerëzore: Mësuesi, Mjeku, Kleriku .
Mjeku i gatshëm të sakrifikojë jetën e vet për të shpëtuar njerinë që e thërret. Njerëzit vdesin, misionarët mbesin! Midis shumë rasteve ia vlen, shumë shkurt, të përshkruajmë një!
Dr. Evriviadhi kishte shkuar te një miku i tij, i ftuar, në kodrën përmbi Himarë.
Sapo u bë urimi i mirёseadhjes me një gotë rakie, papritur dëgjohet thirrja alarm!
– Doktori ka urgjencë në spital … Jehona e këtij lajmi të kuq oshёtiu midis luginave të kodrave përmbi Himarë:
– Urgjencë, urgjencë, urgjencë… Kaq u desh, dhe…!
Doktori rrëmben çantën e urgjencës që gjithmonë e mbante me vete, si pjesë të trupit .Vetëtimthi falënderoi mikun dhe nisi vrapin nëpër monopate, kalëruar me erën. Mbrin në spital para makinës që kishte shkuar për ta marrë . Pacienti në gjëndje shoku hemoragjik, pa puls, pa tension, drejt vdekjes klinike! Urdhëron infermjerin, me shiringë thithte gjak nga grupi 0 i doktorit dhe transfuzohej te e sëmura. Mbas disa veprimesh, e sëmura nis të gjallёrohet. Doktori gati në lipothimi, po humbiste ndjenjat. Për pak minuta gjëndja prag fataliteti nisi të stabilizohej.
Pacientija shpëtoi në sajë të gjakut bujar të doktorit dhe doktori nga fuqia për jetën, për njerinë.
Një akt i tillë ndodh rrallë dhe kurrë, kurrë nuk mund të harrohet!
(Perifrazim nga libri “Kohë … dhe njerëz” Dr. Evriviadhi Goro).
“- Sakrificat nuk shkuan kot. I shërbeva njeriut dhe halleve të tij me shpirtin e Hipokratit .” doktor Evriviadhi Goro. Himara për Evriviadhin dhe Evriviadhi për Himarën binjakë të fatit e të historisë. Fuqi që vë në lëvizje lumin e jetës, kujdesin për njerinë. Për disa vite doktor Evriviadhi punoi edhe në Athinë, mjek i kudo ndodhur me stetoskopin në zëmrat e të sëmurëve për ndihmë. Ambulanca e tij te rrugica “Igjias” pranë kishës Shën Pandelejmon priste e përcillte njerëzit e sëmurë pa dallim, derisa doli në pensionin administrativ.
Mjeku deri në frymën e fundit i gatshëm për të tjerët. Miku im, i shtrënjti Evriviadhi prehu i qetë në tokën amë të bekuar. Detyrat i kreve. Të gjithë ne miqtë e shokët e tu të besës krenohemi me jetën dhe veprën tënde të begatë .
Në ADN përjetësisht i gjallë, vazhdimësi genetike!


















