Agustin Gjinaj: Historia e rrallë e Shkollës së Aviacionit Ushtarak

1490
Sigal

 

1957- Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, vuri detyrë që të fillojë përgatitja e pilotëve pranë skuadriljes së Laprakës

SI U  KRIJUA SHKOLLA E AVIACIONIT TË SHQIPËRISË

Data që lidhen me mësimin e avionit në Shqipëri

– Në tetor të vitit 1957, bëri një vizitë në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, Mareshali Zhukov, detyrat që vuri

– Ish-komandanti i Aviacionit Edip Ohri, ka shkruar se “Për sektorin e Aviacionit Luftarak ishin rreth dyzet specialistë sovjetikë”

Agustin Gjinaj

Musa Kame

 

1957- Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, vuri detyrë që të fillojë përgatitja e pilotëve pranë skuadriljes së Laprakës në Tiranë. Përgjegjës u caktua Major Areteo Konomi.

  1. Muaji maj, filloi praktika e fluturimit në aerodromin e Tiranës. Gjatë përgatitjeve një avion rrëzohet në aerodrom, por nuk ka viktima.

1958 -korrik. Për siguri fluturimet vazhdojnë në fushën e Shijakut. Kursantët mbarojnë programin e stërvitjes ajrore fillestare.

1958 -gusht. Kursantët që mbaruan programin u dërguan jashtë shtetit, në ish-B. Sovjetik.

  1. Në “shkollë” vijnë kursantë të tjerë, përsëri një avion pësoi defekt, takoi me një pemë, humbi njërin krah u copëtua, por piloti e kursanti shpëtuan.

1959 – “Shkolla” u vendos në Kuçovë. Komandanti i “shkollës” Thanas Gjiknuri.

1960 – maj. Filloi programi i pwrgatitjes së kursantëve për avionët reaktivë MIG-15.

  1. Mw 27 qershor, kursanti Jovan Kaçorri humbi jetën duke fluturuar mbi qytetin e Fierit.
  2. Në korrik, kursanti Petraq Qafëzezi braktisi avionin, u hodh me katapultë.
  3. Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, urdhëron të formohet “Shkolla e Aviacionit në qytetin e Vlorës”.

1962 – 11 maj. Dekreti i Kuvendit Popullor zyrtarizon krijimin e Shkollës së Aviacionit.  Komandant i shkollës -Babaçe Faiku.

  1. Me datë 3 nëntor u diplomuan “Pilot gjuajtës-bombardues”, kursantët që kishin lënë përgjysëm studimet në ish-Bashkimin Sovjetik.

1966, gusht. Titullohen oficerë kursantët e grupit të parë për “Teknik Aviacioni”

1966, tetor. Titullohen oficerë grupi i parë i kursantëve për “Pilot gjuajtës –bombardues”.

1967, shtator. Titullohen oficerë grupi i parë i kursantëve për “Specialistë Aviacioni”

  1. Shkolla u emërtua “Shkolla e Lartë e Aviacionit” -SHLA.
  2. Shkolla e Lartë e Aviacionit, “SHLA”, mori emrin “Akademia e Aviacionit”.
  3. Akademia e Aviacionit mori emrin “Shkolla e Trupës së Forcave Ajrore”.

Njëzet nëntogerë të diplomuar në verën e nxehtë të vitit 2005 nën siglën “Akademia e Aviacionit”, kanë mbyllur një cikël më shumë se 40-vjeçar të një rruge plot përpjekje e sakrifica. Studentët e diplomuar për pilotë në 2005 nuk kishin kryer asnjë orë fluturimi në këtë shkollë që quhej ironikisht  “Akademia e Forcave Ajrore”, kur Shqipëria nuk kishte asnjë avion.

2008 – Shkolla e Trupës së Forcave Ajrore kaloi në varësi të KDS – Komandës së Doktrinave e Stërvitjes,  në Tiranë.

Përpjekje për të përgatitur pilotë në reparte

Pas futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës më 14 maj 1955, në tetor të vitit 1957, bëri një vizitë në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, Mareshali Zhukov, i cili vlerësoi pozicionin strategjik të Pashalimanit për të kontrolluar hyrjet në Mesdhe, ngushticën e Gjibraltarit dhe kanalin e Suezit. Ish-komandanti i Flotës Detare, Qamil Poda, ka shkruar se: “Për Traktatin e Varshavës, Baza e Pasha Limanit kishte një rëndësi të veçantë. Ata synonin ta kthenin atë në një nga bazat më të rëndësishme të saj, që të kishte nën kontroll jo vetëm detin Adriatik, por edhe Mesdheun. Ajo ishte më e rëndësishmja dhe e vetmja që sovjetikët kishin në Detin Mesdhe”. Në këto kushte, orientimi i përgatitjes së funksionimit të kësaj baze të madhe përfshinte edhe përgatitjen e pilotëve që do “punonin” në funksion të saj, siç ishin pilotët për zbulimin dhe asgjësimin e nëndetëseve. Dërgimi i studentëve në Ish-Bashkimin Sovjetik nuk dukej se do të ishte zgjidhja e shpejtë e problemit, prandaj me sa duket ata që ndërtonin planet strategjike të së ardhmes se ushtrisë e të aviacionit, duhet të mendonin një zgjidhje ndryshe, krijimin e një shkolle të aviacionit, me instruktorët, pedagogët e metodistët që kishte aviacioni ynë. Aviacioni Luftarak Shqiptar vendosi ti përgatiste vetë ushtarakët e saj të aviacionit, duke krijuar shkollën e saj për këtë qëllim.

Përpjekjet e para për të përgatitur ushtarakë të aftë për aviacionin në Shqipëri nga instruktorët vendas kanë filluar nga fundi i vitit 1957, kur me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, u vu detyrë për përgatitjen e pilotëve pranë skuadriljes së Laprakës në Tiranë. Krijimi i një shkolle për të mësuar përdorimin e avionit u duk më e thjeshtë se ajo ishte realisht. Ish-komandanti i Aviacionit Edip Ohri ka shkruar se “Në Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit (MKA), vetëm për sektorin e Aviacionit Luftarak ishin rreth dyzet specialistë sovjetikë. Pesë prej tyre ishin pilotë dhe nga një njeri tjetër për çdo specialitet. Ata sollën literaturë të bollshme e njëkohësisht jepnin eksperiencën e tyre në çdo fushë. Grupi sovjetik pranë MKA kryesohej nga Kolonel Fatushenko. Disa prej tyre, me krijimin e repartit të Kuçovës kanë qëndruar atje nga tetë muaj deri në një vit”.

Një nga “pionierët” e aviacionit tonë, Flamur Micko, në kujtimet e tij[1] ka shkruar se, “Me një projekt të studiuar mirë nga komanda e MKA (Dega e Aviacionit) u krijua grupi drejtues me Përgjegjës kryesor Major Areteo Konomi, grupi inxhiniero teknik drejtohej nga Jorgji Bitri, komandant katërshe Irakli Grazhdani, ndërsa instruktorë ishin Petrit Malindi, Refit Jazoi, Hektor Lako, Vasil Gjikondi, Agim Spahiu dhe Flamur Micko.

Kursantët e vitit 1957-1958 ishin Aristotel Poga, Agron Galanzhi, Lili Laçka, Nestor Dhaskali, Bilal Josa, Ilia Kovaçi, Vangjel Nakuçi, Luan Sima, Thanas Naçi, Llazar Çupa, Iljaz Kelo, Pandi Buci, Vasil Kromidha, Skënder Kanina, Burhan Nurja, Gëzim Picari, Muharrem Hida, Nase Leka, Aranit Tartari, Gaqo Rrapi”. Në përgatitjen teorike të lëndëve speciale dhanë mësim inxhinierët Andon Koroveshi e Kleanth Hanxhari, ndërsa teoria e fluturimit jepej nga ish-pilotët Andrea Stavri e Vasil Gjikondi. Gjatë muajit shkurt instruktorët përfunduam programin e përgatitjes metodike, ndërsa kursantët programin teorik, kështu që në pranverë të vitit 1958, në muajin maj filloi praktika e fluturimit në aerodromin e Tiranës. Pas përplasjes së një avioni, që nuk pati viktima, si masë sigurie fluturimet vazhduan deri në korrik të vitit 1958 në fushën e Shijakut. Kursantët, pasi mbaruan programin e stërvitjes ajrore fillestare, në muajin gusht u dërguan jashtë shtetit. Një pjesë e tyre u dërguan për pilotë reaktivi në qytetin e Borisoglebsit, ndërsa të tjerë për të mësuar helikopterët Mi-1 e Mi-4, në qytetin e Pugaçovit”.

Kursantët e rinj

Në vitin 1958 në këtë “shkollë” shkuan kursantë të tjerë si, Ali Islami, Baftjar Meta, Bilush Imeri, Lirim Kokona, Myrteza Arapi, Petraq Qafëzezi, Kosta Dalla, Panajot Gjikopuli, Osman Allkja, Vasil Nikolla, Jovan Kaçorri, Atllan Buzo, Divin Abazi, Pandi Prifti, Raif Hozha, Servet Murati, Shuaip Nurja, Niko Qëndro, Robert Marku, Çerçiz Zeka, Sotir Majko, Muço Muçaj. Në një nga fluturimet stërvitore, avioni i komanduar nga instruktori Agim Spahiu me kursantin Niko Qëndro pësoi defekt në motorr, avioni humbi lartësi, takoi me një pemë, humbi njërin krah dhe rrëshqiti si “zog pa krahë” siç ka shkruar Flamur Micko, duke hedhur majtas-djathtas pjesët e avionit, por piloti e kursanti shpëtuan.

“Çdo ditë pas ngjarjes vinte kolonel Edip Ohri, kujton Flamur Micko, por një ditë erdhi me kolonel Niko Hoxhën dhe na njoftuan se kursi do transferohej në Kuçovë”.

Kontingjenti i dytë i kursantëve prej 20 veta, në pranverë të vitit 1959 u shkëput nga reparti nr. 5818 dhe kaluan pranë Regjimentit të Kuçovës, së bashku me instruktorët. Komandanti i “shkollës” caktua piloti i Klasit I, Thanas Gjiknuri, i cili zëvëndësoi Areteo Ikonomin. Vetë Gjiknuri sapo kishte dalë i paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë. Instruktorët ishin pothuajse ata që kishin qenë edhe në Tiranë, si Flamur Micko, Hektor Lako, Refit Jazoj, Petrit Majlindi, Irakli Grazhdani dhe Agim Spahiu. Aty nisën të përgatitjet për instruktorë të ardhëshëm edhe Naun Todo, Admir Fllaga, Nehar Jazexhi, Hamdi Arapi, etj.

Agim Ismaili shkruan në kujtimet e tij se “në vitin 1959 nuk kishte një shkollë të aviacionit në Shqipëri, por bëheshin disa përpjekje për përgatitur kursantë në repartin e aviacionit në Kuçovë. U formua një grup i madh me kandidatë të tillë dhe në nëntor 1959, ne u sistemuam në Kuçovë, ku na ndanë në grupe sipas instruktorëve dhe katërsheve. Unë u caktova në katërshen që drejtonte Refit Jazoi, ndërsa instruktor im ishte Petrit Malindi”.

Kursantë të këtij grupi ishin Jovan Kacorri, Baftjar Metaj, Bilush Imeraj, Sotir Majko, Robert Marko, Petraq Qafzezi, Lirim Kokona, Servet Muka, Servet Murati, Divin Abazi, Çerçiz Zeka, Raif Hoxha, Shuaip Nurja, Vaskë Nikolla, Nuço Muçaj, Myrteza Arapi, Atllant Buzo, Niko Qendro. “Shkolla” kishte një skuadrile me aeroplanë mësimorë me helikë Jak-18A, që ishte më i përparuar se Jak-18U, me të cilin fluturuan në fushën e Shijakut dhe në atë të Laprakës.

Në skuadriljen mësimore, në “shkollë”, gjithnjë në përbërje të regjimentit “Peza”, erdhi një grup tjetër kursantësh për pilotë, në përbërje të të cilit ishin edhe Sillo Mlica, Lili Xharo, Agim Ismaili, Vaso Pesha, Sazan Abibi, Thanas Papa, Bardhyl Lubonja, Bahri Meshau, Koço Biku, Lutfi Islamaj, Rrapo Kodheli. Në grupin e instruktorëve për avionët reaktivë ishin Tomorr Avdia, që kryente detyrën e komandantit të kësaj Skuadrile, ishin Hamdi Arapi, Sali Dibra, Agim Spahiu, Sokrat Prifti dhe Hektor Lako. Në dimrin vitit 1959-1960, kursantët për pilotë iu nënshtruan programit teorik, ku përvehtësuan veçoritë e konstruksionit dhe shfrytëzimin e aeroplanit reaktiv Mig-15.

Të dy grupet stërviteshin, sipas programeve të ndryshëm. Avionët me helikë Jak-18A fluturonin në fushën me bar të aerodromit të Kuçovës, ndërsa në qershor, kursantët që do të fluturonin në aeroplanët Mig-15, i sistemuan në rajonin e Pishë Poros.

Për këtë periudhë të përgatitjes së pilotëve pa patur ende një shkollë “zyrtare” shqiptare, Edip Ohri, ka theksuar se “fillimisht unë vura detyrë për përgatitjen e pilotëve pranë skuadriljes së Laprakës. Në vitin 1958 filloi fluturimi në aerodromin e Tiranës dhe më vonë në fushën e Shijakut. Në vitin 1959 i kalova në Kuçovë, por edhe atje u ndërpre. Në vitin 1962 si institucion më vete shkolla filloi në Vlorë me kurset për teknikë dhe pilotë”.[2]

Flamur Micko kujtonte dikur se, “gjatë dimrit 1959 e pranverës 1960 ata përvetësuan programin teorik të avionit e motorit të MIG-15. Po atë kohë u duk qartë se ky grup nuk do të shkonte në ish-BS. Ata do të përgatiteshin në vendin tonë, në aerodromin e Kuçovës dhe në Pishë Poro. Ky ishte një zotim e iniciativë e vetë Edip Ohrit e Niko Hoxhës, të cilët premtuan se brenda dy vjetëve aviacioni shqiptar do të kishte të gatshëm e të përgatitur njëzet pilotë të rinj”.[3]

Nën drejtimin e instruktorëve Petrit Malindi, Nehar Jazexhiu, Naun Todo, Admir Fllaga ishin “rrjeshtuar” kursantët Bardhi Lubonja, Agim Ismaili, Lili Xharo, Bahri Meshau, Syrri Barbullushi, Vaso Pesho, Sazan Habibi, Rrapo Kodheli, Thanas Papa, Koço Biku, Lutfi Islami, Sillo Mlica.

Në maj 1960 filloi realizimi i programit për MIG-15. Skuadrilja reaktive kishte komandant Tomorr Avdinë, ndërsa instruktorë ishin Sali Dibra, Sokrat Prifti, Hamdi Arapi, Agim Spahiu. Kursantë ishin Baftjar Metaj, Lirim Kokona, Servet Murati, Çerçiz Zeka, Bilush Imeri, Pandi Prifti, Muço Muçaj, Jovan Kaçorri, Petaq Qafëzezi, Raif Hozha, Sotir Majko, Alis Islami, Niko Qëndro, Divin Abazi, Atllan Buzo.

Nesër do të lexoni:

– Dy katastrofa të ndodhura në vitin 1960 ndërprenë veprimtarinë e shkollës-kurs të kësaj forme

– Më 14 mars 1962, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku urdhëroi të “Suprimohet shkolla e teknikëve të aviacionit dhe mekanikëve të aviacioninit 23 R.A.GJ…”

– Situatë e vështirë, në gusht të vitit 1961, pas acarimit të marrëdhënieve midis ish-BS e Shqipërisë kursantët e aviacionit kthehen në vendin tonë